Përballja e 4 ish drejtuesve të UÇK me akuzat për krime lufte gjatë periudhës 1998-1999 në Gjykatën Speciale në Hagë ka bërë që në Kosovë të krijohet platforma "Liria ka një emër". Një ndër iniciatorët e kësaj platforme, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se kjo lindi si nevojë pikërisht e ngjarjeve të fundit të ndodhur në Kosovës për akuzat lidhur me disa nga ish drejtuesit e UÇK. Në një intervistë për Report Tv, Hoxha u shpreh se kjo është pjesërisht edhe faji i vetë shteti të saj, pasi pas lufte qeveria duhet të kishte mbledhur provat filmike dhe foto që tregonin masakrat dhe gjenocidin që serbët bënë në Kosovë gjatë luftës. Hoxha tha se këto duhen bërë ende pasi Kosova nuk ka të legjitimuar një histori të re ku të tregohen qartë të dokumentuara të gjitha masakrat e Serbisë dhe të mbrohen vlerat e luftës së UÇK që luftoi për lirinë e vendin.
"Dokumentimi është bërë në shumë vija paralele, është bërë edhe për viktimat, për dëshmorët, edhe për të zhdukurit, por nuk është legjitimuar asnjëherë historia e re e Kosovës, nuk është kujtuar askush deri më tani ata që kanë punuar për dokumentimin e masakrave, që t'i mbledhin këto të dhëna, ti verifikojnë pasi ka disbalancë për një çështje të njëjtë nga organizata të ndryshme. Të gjitha xhirimet dhe fotot që kanë regjistrimet masakrat dhe gjenocidin në Kosovës, duhet të bliheshin menjëherë pas luftës. unë e kuptoj që pas luftës nuk kemi pasur shtet. po faji është i yni që ligji për mbrojtjen e vlerave të luftës nuk ka kaluar në parlament pasi nuk ka pasur korum për të", tha Hoxha.
"Liria ka një emër", Hoxha tha kjo lëvizje do të shërbejë edhe si një memorie për brezat e rij që nuk e kanë përjetuar luftën, për të kuptuar se çfarë përfaqëson lufta e UÇK-së dhe të gëzojnë lirinë që tashmë e kanë falë kësaj lufte të drejtë.
"Liria ka emër" është një punë që po bëjmë bashkë më kolegët e mi artistë dhe ka nisur si nevojë e ngjarjeve që janë pritur të ndodhin, që është derivat i raportit të Dick Martin që kur mendon me një logjikë të shëndoshë akuzat për transplant organesh në një shtëpi të verdhë në Shqipëri është e pamundur që të bëhet. "Liria ka një emër" është debati i brendshëm që e kemi të domosdoshëm, jo vetëm ne që kemi përjetuar luftën, por edhe për brezin e ri që të mos përjetojë një farë harrese dhe të kuptojnë dhe gëzojnë lirinë që tashmë kanë. Për mua është e rëndësishme që memoria historike duhet të jetë krenaria e Kosovës për të ardhmen dhe është e domosdoshme që të respektohen të gjithë personat që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës", tha Hoxha.
Serbia është i vetmi vend që nuk do lirinë e Kosovës dhe se asaj nuk i duhet besuar kurrë, u shpreh Hoxha dhe për këtë prania e faktorit ndërkombëtar në negociata është i domosdoshëm. Deputetja e PDK-së e cilësoi luftën e UÇK si të drejtë, pasi erdhën serbët që dhunuan shtëpinë e shqiptarëve në Kosovë dhe jo anasjelltas.
"Kujt mund t'i pengojë liria jonë? Ne nuk na pengojnë serbet e Kosovës. Ne problemin kryesor e kemi me Serbinë që nuk lejon që Kosova të gëzojë lirinë e saj. Lufta e UÇK ka qenë e drejtë ne nuk kemi shkuar në Serbi për të luftuar me të. Ne kemi qëndruar në shtëpitë tona duke mbrojtur veten", tha Hoxha.