Deputetja e PD Ina Zhupa ka bërë me dije se do të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese një padi që shfuqizon vendimin e koncesionit të Butrintit dhe është firmosur nga 36 deputetë, mes tyre edhe nga Partia e Lirisë. Zhupa theksoi se kjo padi lidhet me vjedhjen e pasurisë së përbashkët publike dhe se padia është ngritur nga 4 avokatë.
Para mediave, Zhupa u shpreh se padia e ngritur prej tyre është e bazuar në ligje dhe janë të renditura një serë shkeljesh.
“Jemi përpara Gjykatës Kushtetuese. Do të depozitojmë padi kundër koncensionit të Butrintit. Kërkojmë pezullimin e menjëhershëm të ligjit se krijojnë dëme të pariparueshme. Kjo padi duhet dorëzuar nga të paktën 28 deputet të kuvendit të Shqipërisë. Çështja është me shumë rëndësi, ne kemi ardhur me 36 firma ku 1 është deputeti Dashamir Shehi, 3 të Partisë së Lirisë dhe të tjerat të PD. Lidhet me vjedhjen e pasurisë së përbashkët publike, është një padi e përgatitur nga katër avokatë. Është një padi që do të fitojë Butrinti, do të fitojnë Shqiptarët”, tha Zhupa.
Kujtojmë se një ndër zërat që ka kumbuar më tepër për koncensionin e parkut të Butrintit ka qenë pikërisht deputetja Ina Zhupa. Zhupa shpesh është përfshirë në debate me ministren e kulturës Elva Margariti, pasi pretendon se parku i Butrintit po i jepet për 10 vite privatit. Zhupa ëshë shprehur se lidhur me këtë projekt nuk është marrë mendimin nga asnjë arkeolog, ndërsa nuk kanë as aprovim nga UNESCO.
Mes debateve të shumta mes opozitës dhe maxhorancës, para disa muajsh kuvendi miratoi me 75 vota pro, 18 kundër dhe 1 abstenim marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintin nga fondacioni shqiptaro-amerikan AADF, në të cilën bën pjesë edhe shteti.
Marrëveshja synon zhvillimin e Parkut të Butrintit, dhe kthimin e tij në një pikë të rëndësishme turistike. Fondacioni për menaxhimin e Butrintit krijohet në partneritet me Fondacionin jo shtetëror Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) dhe do të përbëhet nga 5 anëtarë, 2 prej të cilëve nga Ministria e Kulturës, 2 të tjerë nga partneri strategjik AADF, ndërsa një i pestë është arkeologu i huaj britanik Richard Hodges. Kontributi fillestar financiar i partnerit strategjik është 5 milionë dollarë, ndërsa ai i Ministrisë së Kulturës, 2 milionë dollarë.