Carlo Ancelotti dhe Diego Simeone

Sport

Derbi i Madridit spostohet në Champions, Ancelotti: Me Atleticon vendoset në sfidën e kthimit! Simeone: Emocione si ditën e parë

4 Mars, 12:36| Përditesimi: 5 Mars, 12:53

  • Share

Të martën e 4 marsit duke nisur nga ora 21:00 në ‘Bernabeu’ Real Madrid përballet kundër Atletico Madrid për ndeshjen e parë mes tyre këtë sezon në 1/8 e Champions League.

Goglat deshën një derbi mes tyre, teksa fundjavën që lamë pas Reali u mposht dhe fitorja e Atl. Madrid bëri që këta të fundit të marrin vendin e dytë, pas Barçës.

Tanimë gjithçka spostohet në arenën evropiane, aty ku sfidat mes tyre kanë prodhuar emocione dhe spektakël. Në prag të derbit për mediet folën dy trajnerët, Carlo Ancelotti dhe Diego Simeone.

Për italianin e Galaktikëve ndeshja e kthimit do jetë deçizive.

‘’Do të jetë një ndeshje e vështirë. Kualifikimi do të vendoset në takimin e kthimit. Synimi ynë është që të luajmë mirë dhe të përfitojmë nga rastet që do na jepen.

Atletico Madrid është një kundërshtar i fortë, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Në kampionat ndaj Real Betis dështuam. Le të shpresojmë se ajo situatë ka kaluar. Nuk na mungon uria. Skuadra di t’i lexojë mirë situatat në lojë, diçka që nuk ndodhi ndaj Betisit.

Megjithatë nuk dua të ndryshoj stilin, mentalitetin apo qasjen tonë. Valverde u stërvit individualisht dhe u ndje mirë. Pas stërvitjes së fundit, do të vendosim nëse do të luajë apo jo. Nëse nuk ia del, në vendin e tij do të jetë Lucas Vasquez. Mbappe ka cilësitë e një sulmuesi të madh’’, tha Carlo Ancelotti mes të tjerash.

Nga ana tjetër, argjentinasi Diego Simeone tha se ka emocione si në sfidën e parë që ka drejtuar ekipin dhe fton lojtarët ta shijojnë.

‘’Është një ndeshje që do e luajmë me respekt, ndaj një kundërshtari të madh. E ndjej se edhe ata na respektojnë në të njëjtën mënyrë. Nëse do të ishte një ekip i një kampionatit tjetër nuk do të flinim për këtë, por në këtë situatë është normale për një derbi.

E kaluara në Champions nuk ka asnjë ndikim. Për qytetin do të jetë spektakolare, po ashtu edhe për Spanjën. Jam shumë i emocionuar, dikur të ishte dita ime e parë tek Atletico, me dëshirën që pata kur erdha.

Duhet t’i shijojmë këto momente. Nuk mund të mendoj tani për titullin kampion në La Liga, sepse janë edhe shumë ndeshje për tu luajtur. Jam i fokusuar vetëm te kjo ndeshje në Champions.

Historia e Realit në këtë kompeticion është e jashtëzakonshme. Është një mundësi e shkëlqyer për të shkruar në faqe të re në histori. Ta shijojmë’’, tha Simeone.

Precedentët janë të njohur dhe tregojnë për dy finalet e humbura nga ‘Colchoneros’ kundër ‘Galaktikëve’ më 2014 dhe 2016 dhe për po aq eliminime në ndeshjet "dopio" më 2015 dhe 2017.

Mungesat

Për Real Madrid mungon Bellingham i pezulluar për shkak të kartoneve, teksa Ancelotti nuk do ketë gati prej dëmtimeve edhe Carvajal, Ceballos, Militao dhe Vallejo. Nga ana tjetër Simeone nuk ka të gatshëm prej dëmtimeve Azpilicueta dhe Koke.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?