Derbi i Torinos, Allegri ka besim: Juventus mes 4 vendeve të para, e vështirë për Chiesa-n

27 Shkurt 2023, 19:31| Përditesimi: 28 Shkurt 2023, 14:48

  • Share

Juventus dhe Torino luajnë nesër derbin mes tyre në 20:45, sfidë që vlen për javën e 24-t në Serie A. Përpara ndeshjes foli trajneri i "Zonjës", Massimiliano Allegri. Livornezi tregoi se të tijtë kanë mundësi të renditen në katër vendet e para, paçka se Federata i ka zbritur Juventusit 15 pikë nga renditja.

"Mbetet gjithmonë një derbi, një ndeshje shumë e rëndësishme sidomos për ne. Bolonja ka mundur Interin dhe tani duhet të përfitojmë nga momenti për të vazhduar ngjitjen tonë. Pikët janë 47 dhe duhet të bëjmë atë që mundemi për të qëndruar mes katër skuadrave të para, pavarësisht çfarë do të ndodhë më pas. Tronditja për penalizimin tashmë është kaluar. Torino do të jetë shumë e përgatitur dhe agresive. Skuadrat e Juriç janë gjithmonë të sakta në veprime. Duhet të jemi të aftë të luajmë një ndeshje inteligjente me shumë respekt ndaj kundërshtarit", tha livornezi.

Trajneri më pas foli edhe për gjendjen e Chiesa-s dhe Pogba, me dyshen që është rikthyer në stërvitje pas dëmtimeve.

"Kieza dje u stërvit me ekipin pas shumë ditësh, nuk e di ende nëse do të jetë titullar, por për momentin duket e vështirë. Ndërsa Pogba është më mirë dhe do të grumbullohet, nëse do të jetë e nevojshme, do të luajë. Ndeshja e tij e fundit zyrtare ka qenë thuajse një vit më parë, për t’u kthyer titullar te Juventusi do të duhet kohë. Duhet të kuptojë se kjo është një fazë e rëndësishme e sezonit. Duhet të ketë stimujt e duhur për të mbyllur mirë vitin", tregoi Allegri mes të tjerash.

Për momentin, Juventus me 32 pikë mban vendin e 8 në klasifikim, ndërsa Torino me 31 pikë vendin e 9-të.

S.Dh//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?