Sport

Derbi kundër Tiranës në 'Arenën e Demave', Veselinovic: Partizani i prekur nga virozat, stadiumi s'ndikon në futbollin modern

8 Shkurt, 14:41| Përditesimi: 8 Shkurt, 19:57

  • Share

TIRANË - Partizani dhe Tirana luajnë nesër (e diel) në orën 13:30 në "Arenën e Demave", duel që vlen për raundin e 24-t në Superligë. Për herë të parë në histori kjo sfidë luhet në një impiant me vetëm 4.500 tifozë, ndërsa stadiumi i Partizanit do presë këtë duel për herë të parë që nga inaugurimi në 2022.

Shumë polemika krijoi ky vendim, teksa miqtë bardheblu nuk do kenë më shumë se 200 tifozë të organizuar.

Në lidhje me këtë duel foli para medieve edhe trajneri i Partizanit. Aleksandar Veselinovic përmendi faktorin fushë dhe sipas tij një gjë e tillë nuk ndikon në futbollin modern, por pret një situatë të zjarrtë nga tifozët.

Trajneri ende nuk e di nëse do ketë të gjithë grupin në dispozicion, kjo edhe për shkak se disa futbollistë vijojnë të jenë prekur nga virozat e stinës. Në dy derbet e para të këtij sezoni skuadrat janë ndarë në barazim pa gola.

"Për herë të parë derbi luhet në stadiumin “Arena e Demave”. Ju favorizon ky fakt?

Nuk jam shumë i sigurt se në futbollin modern fusha vendase ka ndonjë ndikim të madh. Në futbollin modern kjo diferencë që ka qenë më përpara, tashmë nuk ekziston më. Ne luajmë në shtëpinë tonë dhe jam i bindur që tifozët tanë do të krijojnë një ambjent të shkëlqyer. Shpresoj dhe jam i sigurt që do të jetë një festë futbolli dhe një ambient i shkëlqyer.

Dy përballjet e para janë mbyllur në barazim pa gola. Çfarë prisni në takimin e tretë?

Çdo ndeshje është një situatë ndryshe dhe sjell situata të reja, kështu që nuk mund të heqim paralele mes ndeshjes së nesërme dhe atyre që kanë kaluar. Mbetet të shohim se çfarë do të dhurojë nesër ky derbi.

Gjendja e skuadrës në prag të këtij takimi?

Për të qenë korrekt duhet të presim ende, pasi disa lojtarë kanë qenë të prekur nga virozat, por kjo është një situatë e përgjithshme, pasi po shohim që të gjitha skuadrat e kanë të njëjtin problem. Shpresoj që të gjithë lojtarët t'i kem në dispozicion. Në orët në vazhdim do të kem edhe një raport më të plotë rreth kësaj situate.

Sa mund të ndikoj barazimi me Laçin?

Ai rezultat tashmë i përket të kaluarës, çdo ditë është një mundësi e re për t'u shprehur në futboll. Një gjë që e them tani janë dy fjalë shumë të rëndësishme në futboll të cilat janë “këtu” dhe “tani”', tha serbi i Partizanit.

Pas 23 ndeshjeve të luajtura, Partizani mban vendin e tretë me 39 pikë, ndërsa Tirana me vetëm 22 pikë ndodhet në vendin e 9-të (të parafundit) dhe rrezikon mbijetesën.

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Grupi i PS në listë të hapur, përveç drejtuesve politikë, si iu duket?