Tirana dhe Partizani luajnë të hënë (7 prill) në orën 20:00 në "Arenën Kombëtare" për raundin e 33-të në Superligë. Derbi i kryeqytetit do jetë i katërti mes tyre këtë sezon, teksa tre herët e kaluara nuk ka patur fitues (dy ndeshjet 0-0 dhe një 1-1).
Sfida e nesërme është e 178 mes tyre në histori, me bilancin që anon nga ana e të kuqve. Nga viti 1947 deri më 2024 në të gjitha kompeticionet dy skuadrat janë përballur 177 herë, me Partizanin që ka 73 fitore, kundrejt 47 të Tiranës; ndërsa 57 ndeshje janë mbyllur në barazim.
Dueli i radhës vlen për objektiva të ndryshme, me Tiranën që kërkon patjetër fitoren pasi ndodhet në vendin e fundit me 32 pikë dhe rrezikon mbijetesën katër raunde nga fundi i sezonit. Nga ana tjetër Partizani me 47 pikë mban pozitën e katërt që të dërgon në "Final 4" për të garuar për titullin kampion.
Para sfidës për mediet foli trajneri i Tiranës, Bledi Shkëmbi. Korçari i bardhebluve tregoi se ekipi i tij ka problem nga ana psikologjike, që nuk e lënë të dalë në lojën e tij. Megjithatë Shkëmbi pret fitoren e të tijve, pasi bardheblutë prej 2022 nuk e kanë mposhtur Partizanin.
“Duhet të bëjmë diçka ndryshe nga ajo që bëmë me Elbasanin. Kemi folur me skuadrën që ndeshja luhet 100 minuta, jo 90 minuta. Skuadra duhet të ketë një fytyrë, jo si ndaj Elbasanit ku e nisëm mirë dhe më pas u treguam të vegjël. Duhet të luftojmë dhe të vrapojmë më shumë.
Kjo skuadër ndryshoi shumë ndaj Elbasanit dhe m'u duk sikur u fut në presion. Nuk kemi luksin që të vetëkënaqemi kur shënojmë dhe kalojmë në avantazh. Skuadra vuan anën psikologjike.
Rivalët - Shpresoj që kundërshtarët të mos jenë në një ditë të mirë, por përveç kësaj ne problemin e kemi pasur te vetja. Ne nuk po bëjmë mirë pjesën tonë dhe kjo është më e rëndësishmja. Kemi bërë ndeshje të mirë në minuta të veçanta, po ashtu edhe të dobëta. Duhet të fitojmë punën tonë dhe të bëjmë llogaritë.
Partizani i Skënder Gegës - Tani shikoj një Partizan me më shumë ego dhe me më shumë luftë. Duhet të kemi kujdes gabimet tona, që të mos i përsërisim. Kundërshtarëve u kemi bërë shumë ndere me gabime dhe këtë duhet ta përmirësojmë.
Në këtë ndeshje duhet të marrim tri pikët, duhet të bëjmë maksimumin për këtë. Në futboll asnjëherë nuk ka siguri, por duhet të bësh një ndeshje të mirë”, deklaroi Shkëmbi.
Komente
