TIRANË - Superliga shqiptare e futbollit është duke përgatitur raundin e 24-t. Kjo javë ka rezervuar edhe sfidën derbi mes Partizanit dhe Tiranës, programuar për të diel në orën 20:00.
Megjithatë duket se gjërat kanë ndryshuar, kjo për shkak se "Arena Kombëtare" nuk duket në gjendje të mirë dhe do mbahet gati për ekipin kombëtar i cili luan në mars.
Kështu, pritet që ndeshja të spostohet në "Arenën e Demave" dhe për herë të parë një duel i tillë do zhvillohet në një stadium me një kapacitet afro 5 mijë vendësh.
Veç saj, nëse hipotezat konfirmohen, kjo do sillte edhe ndryshim të orarit. Nga ora 20:00 ndeshja do zhvillohej në 13:30 dhe e gjitha lidhet me arsyet e sigurisë. Gjithsesi më shumë se një hipotezë kjo është një ide që duket se do vendoset në jetë.