Tirana-Dinamo është një nga duelet më interesante të javës së 9 të Superligës që nis të shtunën në orën 14:00. Megjithëse derb i kryeqytetit kjo ndeshje do luhet në Vlorë në stadiumin ‘Flamurtari’, pasi ‘Air Albania’ është mbyllur për të qenë në gjendje perfekte për ndeshjet e kombëtares.
“Jo pozitive është fakti se tifozët e kanë distancën e largët, por ky vakum që do krijohet qoftë nga tifozët e Dinamos apo të Tiranës të mbushët nga tifozët vlonjatë, pasi edhe ata e pëlqejnë një derbi,”-u shpreh Ilir Daja, trajner i Dinamos.
Tirana në këtë përballje vjen pas një humbje kundër Teutës, që ishte e para këtë sezon, ndërsa Dinamo e Ilir Dajës pas 2 fitoreve radhazi dhe një atmosferë shumë pozitive që ka sjellë trajneri Ilir Daja.
“Derbi është një ndeshje për tu fituar pavarësisht se i ka të treja rezultate të mundshme, pasi është një derbi. I paparishikueshëm pavarësisht renditjes së ekipeve. Besoj se do jetë prezent spektakli, pasi në 9 javë kampionat edhe ne edhe Tirana kemi bërë lojë të hapur. Lojë sulmuese,"-tha Ilir Daja, trajner i Dinamos.
Po të shtunën në orën 14:00 do luhen edhe dy sfidat e tjera, Egnatia-Teuta dhe Laçi-Vllaznia, ndërsa java e 8 e Superligës mbyllet të dielën me përballjet Bylis-Skënderbeu dhe Elbasani-Partizani.