Opinion
Periferi

Deri kur Delegacioni i BE do të ketë durimin të na mësojë kulturën e dialogut?

19 Shtator, 17:38| Përditesimi: 19 Shtator, 17:40

  • Share

Seanca parlamentare në të cilën duhej të debatohej për programin e qeverisë Rama 4 u pa si shkoi: 25 minuta zhurmë, provokime, dhunë, gallatë... Si të ishte dita e parë e shkollës e disa fëmijëve të padisiplinuar e të pamësuar me rendin e gjërave.

Mazhoranca ja kaloi paq. Duhej të lodheshin për të sqaruar shqiptarët mbi vizionin e punës së tyre, por jo, e kaluan pa shumë mundime atë që duhej të shpalosej e të detajohej për orë të tëra fjalime.  Do të kishim mundësinë të dëgjonim për herë të parë dhe deputetët e rinj.

Opozita, e cila vazhdon të ankohet për çdo provokim e lëndim, tregon se nuk e ka kaluar ende papjekurinë infantile të imponuar nga një lider patriarkal. Reagon me dhunë, me zhurmë, pa dhënë asnjë sinjal se di të përgjigjet me fjalë ndaj edhe dinakërive më të sofistikuara që mund t’i bëhen. Duket sikur pretendojnë të jenë në Dhomën e Lordëve ku Lordë nuk ka: Nuk është mazhoranca e fisme, dhe nuk janë as ata.

Kultura e dialogut është e domosdoshme pikërisht në momentin që qasja e ideve është e vështirë. Aty ku lindin nyje, paqartësi, keqkuptime, më të mirët, më të civilizuarit, më të edukuarit dhe kulturuarit e kanë durimin që të kërkojnë Sqarim, Qartësi, Transparencë dhe Mirëkuptim.

Kultura e dialogut është e domosdoshme si ajri që thithim dhe si uji që pijmë, sidomos tek ne, në Shqipëri. Nuk mund të shohim edhe në 2025 skena mes dy palëve si të jenë dy grupe fëmijësh që luajnë me top poshtë pallateve e bëjnë sherr se topin e mban vetëm njëra palë, pastaj në mbrëmje të gjithë qahen dhe ankohen paneleve të studiove televizive pa bërë atë për të cilën janë votuar dhe paguhen.

Të lexosh dhe të dëgjosh Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë i cili vazhdon të na japë leksione dialogu është e trishtueshme: “Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv...” A janë këto fjalë ABC-ja e qytetërimit dhe e demokracisë? Kush nga ne bën sikur nuk i njeh, nuk i di, nuk i aplikon në misionin politik të tij?

Eshtë po aq e trishtueshme kur gazetarë e analistë kërkojnë të gjejnë “fajtorin e madh” në dështimin e debatit dhe dialogut, duke harruar, me dashje apo pa dashje, se çdo gjë bëhet me dy palë. Të rrallë e të pamundur janë ata që debatojnë e dialogojnë me veten.

Ja çfarë na përsërisin për të disatën herë miqtë tanë europianë:

"Parlamenti duhet të jetë një forum për debat konstruktiv, ku diskutohen politika dhe paraqiten pikëpamje alternative, duke promovuar kështu një kulturë dialogu. Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t'u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të Qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit”, thuhet në reagimin e delegacionit të BE.

Në kontekstin e anëtarësimit, Parlamenti ka një rol vendimtar për të luajtur në debatin dhe miratimin e reformave legjislative që lidhen me BE-në, duke vlerësuar ndikimet e tyre dhe duke siguruar që ato të bazohen në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent”,

Delegacioni i BE-së në Tiranë do të vazhdojë angazhimin e tij për të forcuar rolin e parlamentit si një institucion që promovon dhe mishëron dialogun e hapur dhe gjithëpërfshirës politik. Ne besojmë se të gjitha partitë politike të Shqipërisë dhe të gjithë sektorët e shoqërisë do të jenë në gjendje dhe të gatshëm të luajnë rolin e tyre në kontributin drejt përparimit të Shqipërisë për përmbushjen e kërkesave të anëtarësimit në BE", thuhet në reagimin për Report Tv.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?