Protesta e thirrur nga Sali Berisha mbrëmjen e djeshme, ishte numerikisht e mirë. Për këtë u binda pas rezervave që kisha mbi pjesëmarrjen, duke u konsultuar edhe me kolegë që kishin ndjekur të tjera protesta ndër vite të opozitës. Qëllimi për masivitet qytetarësh në shesh u arrit!
Por, ndryshe nga shumë protesta që kam prekur nga afër, nga ato që edhe te gazetari (i cili gjithsesi duhet të jetë i ftohtë e objektiv) zgjojnë ndjenjën e të revoltuarit, opozitarizmit, kjo protestë nuk më ngrohu.
Për mendimin tim, munguan mesazhet e forta (Sigurisht, veç këngës së Renisit & Big Bastës që të përplas nga fillimi në fund me realitetin e ashpër. Kot nuk thoshte Nicolai Lilin: Arti është një formë proteste)
Ata që u ngjitën në Poltronin e vendosur para kryeministrisë, godinën e të cilës pjesa dërrmuese e protestuesve ishin në pamundësi fizike për ta parë, kishin zgjedhur fjalë delikate, të bukura në paraqitje, por boshe në përmbajtje, duke i vënë pa dashje make-up edhe realitetit të vrazhdë që tentonin të tregonin. Munguan njerëzit e frymëzuar! Thirrjet që burojnë nga shpirti i lënë në grahmën e fundit nga babëzia e pushteteve që më, as nuk po ndërrohen.
Psh, do kisha dashur të shihja më shumë pankarta ‘Po më kalben domatet’, ‘Nuk kam lekë të paguaj qiranë’, ‘1/5 e rrogës më shkon vetëm për energjinë elektrike’, ‘Nuk blej dot më letra higjienike’, ‘Po dergjem nga malli për djalin emigrant’, ‘Jam i pashpresë’ në vend të ‘Soros Non Grata’.
Në bisedat me ata pak përfaqësues të PD, që e respektuan sheshin deri në fund duke takuar njerëz e biseduar me ta më mbeti mendja te një frazë: ‘ E sheh, jemi mirë! Në shtator do jemi edhe më shumë’. Aty u frikësova, se në fakt rrezikon shumë që protestat të kthehen, nga burim frymëzimi, në tubim numrash, që njësia matëse për suksesin të jenë metrat katrorë të bulevardit!