Gazetarja Desada Metaj, njëkohësisht anëtare e Autoritetit të Mediave Audiovizive, i është përgjigjur deklaratave të kreut të Rithemelimit, Sali Berisha pasi ky i fundit, e akuzoi si të emëruar nga Rama dhe Basha në institucionin e AMA-s.
Në një reagim të bërë në facebook, Metaj ka ironizuar deklaratën e Berishës, duke thënë se nuk e kishte pasur fatin e zëdhënëseve të Berishës që janë sistemuar në televizione që sipas saj kontrollohen nga Rama dhe Veliaj.
“Dëgjova që më kishte përmend sot Berisha në parlament si produkt i marrveshjes Rama - Basha. Unë vërtet se kam pas fatin e zëdhënëseve të doktorit që ai i ka sistemuar në televizionet e Ramës dhe Veliajt me rroga të majme. Thjesht vazhdoj të shkruaj si njeri i lirë e ca orë para se të fliste Berisha kam shkruar se ç’mendoj për të, për Ramen, Veliajn… madje dhe për Bashën”, shkruan Metaj në reagimin e bërë.
Ndërkohë më herët, teksa në Kuvend diskutohej ligji për AMA-n, Berisha u shpreh më herët se duhet që të ketë një ndryshim që të heqë zëdhënëset e institucionit, duke u shprehur se sipas tij, janë produkt i marrëveshjes Rama-Basha.
“AMA është kompromisi më i shëmtuar Rama-Basha. Që të dy kanë vendosur si kurrë në historinë e atij institucioni, zëdhënëset e tyre. E çfarë mund të presësh ti. Të dy janë një! Si ajo zonja Armela, si ajo tjetra që ishte zëdhënësja reale e Bashës, e Bravës. Faktikisht Edi Rama ka sot kontroll të plotë mbi AMA-n. E para, duhet të ndryshojë ligji dhe të hiqen zëdhënëset nga AMA. Nëse nuk duam të tallemi me Europën”- është shprehur Berisha më herët.
Kujtojmë se Desada Metaj ka mbajtur më parë postin e drejtueses së zyrës për publikun në PD gjatë kohës që në krye të partisë ishte Lulzim Basha.