Mes shumë analizave, debateve dhe përballjeve, një fakt nuk ndryshon: Edi Rama ka siguruar mandatin e katërt, i pashqetësuar nga askush i përfshirë në garën për zgjedhjet e 11 majit. Shumëkush, në banakët televizive apo në rrjete sociale, ka nisur të bëjë llogaritë për numrin e zvogëluar të votuesve nga njëra palë zgjedhjeje në tjetrën, analiza shifrash që pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk i kuptojnë. Disa të tjerë po shajnë e mallkojnë SPAK-un dhe partitë e vogla si shkaktare të humbjes katastrofike të PD-së. Me gjasë, të tjerë janë duke u përgatitur të rendisin dhe të bërtasin ku të munden për parregullsitë që shoqëruan procesin elektoral të së dielës. Dhe kanë të drejtë.
Makineria elektorale e mazhorancës funksionoi siç ka bërë rregullisht në 3 zgjedhjet e fundit: sistem i qartë patronazhimi, mbështetje me asetet e administratës dhe plot shkelje të tjera të konstatuara si nga prokuroria, ashtu edhe nga misioni i OSBE/ODIHR. Por që, në shumatorën e tyre, nuk e zhbëjnë dot diferencën e madhe prej 30 mandatesh që e spostuar ka edhe më larg mazhorancës PD-në dhe mbështetësit e saj.
Për të arritur deri këtu, për të marrë një rezultat shumë herë më të dobët se ai i vitit 2021, PD-së iu desh të kalonte një kalvar të gjatë përçarjeje dhe përplasjesh deri dhe fizike. Një retorikë plot urrejtje dhe mllef për dy pjesët pro dhe kundër Sali Berishës. Ky i fundit, padyshim, mban përgjegjësinë kryesore për këtë katandisje faqezëze të partisë më të madhe në opozitë. Autokrati që synim të vetëm kishte mbajtjen e partisë si bunker për familjen e tij zullumqare dhe “non grata”, ia doli të rivendoste kontrollin mbi PD-në, edhe pse 3 vite më parë, qartas, ajo ishte e ndarë në dy pjesë thuajse simetrike pro dhe kundër Sali Berishës.
Këto dy grupe u përballën me njëra-tjetrën në përpjekje për të marrë kontrollin e partisë, por Sali Berisha ia doli që veç PD-së të shpartallonte edhe atë pjesë që donte ndarjen përfundimtare me berishizmin. Dhe për këtë një dorë i dhanë paaftësia e Lulzim Bashës për të drejtuar një grup jo të vogël demokratësh anti-Berishistë, lojërat meskine dhe qëndrimi pa qëndrim i Gazment Bardhit, Agron Gjekmarkajt apo Jorida Tabakut.
Tashmë, grupi dikur prej më shumë se 20 deputetësh kundër Sali Berishës është thuajse i shpërbërë, dhe për ta mendoi lideri historik, që i shpërbleu sipas shërbimit që i bënë në ditët e vështira. Disa në listë të sigurt, të tjerë duke u përpëlitur për mandat dhe dikë tjetër jashtë parlamentit.
A ia vlejti gjithë ajo betejë për Sali Berishën në PD? A dolën demokratët më mirë në këto zgjedhje se në ato të vitit 2021? Çdo njeri normal e kupton se përçarja, për të disatën herë për shkakun e Sali Berishës, vetëm e tkurri edhe më shumë PD-në. Dhe me gjasë, kjo e 11 majit është goditja e fundit që duket se do ta shembë atë godinë të njollosur nga 8 janari dhe në të cilën nuk u festua kurrë për fitore.
Edi Rama ka padyshim përgjegjësinë kryesore për katandisjen e Shqipërisë sot. Ai ka përgjegjësi edhe për telendisjen e opozitës: herë duke mëkuar Berishët me llokma pushteti të padukshëm financiar, e herë të tjera duke përçarë dhe bullizuar atë çka u shkëput nga PD-ja, emrat e rinj të politikës. Por a ka përgjegjësi kjo opozitë për katandisjen që u ka bërë shqiptarëve dhe shpresës për ndryshim?
A ka përgjegjësi Sali Berisha dhe lakejtë e tij që ndryshuan kodin për t’ia bërë Ramës më të lehtë fitoren e 80 e kusur mandateve?As Sali Berisha, as Oerd Bylykbashi, nuk janë aq naivë sa të mos llogarisnin humbjen e sigurt dhe të thellë që i dhuruan Ramës – qoftë përmes sistemit zgjedhor, qoftë me votën e diasporës. Por një motiv më i fortë se dëshira për të fituar i shtyu drejt asaj zgjedhjeje: ruajtja me çdo kusht e pozicionit të “opozitës së konsoliduar”, të padiskutueshme dhe të pasfiduar nga askush.
Ky motiv tashmë është i qartë: përdorimi i Partisë Demokratike si mburojë përballë drejtësisë dhe si armë kundër shpalljes “non grata”. Në vitin 2021, ai luftoi një pjesë të demokratëve brenda selisë. Tani, i ka shitur të gjithë. Prandaj sot bën sikur nuk njeh zgjedhjet – ndonëse sistemi ishte ai që vetë propozoi dhe menaxhoi përmes njerëzve të tij. Bën sikur revoltohet me votën e diasporës greke – ndonëse ai vetë e propozoi dhe e votoi. Ironia e fatit? E justifikon humbjen me votat nga diaspora në Greqi – pikërisht shteti që sot e përkëdhel, falë miqësisë së rizbuluar me Fredi Belerin.
Po për fushatën e pashije, milionat e pajustifikuara për lobimin në SHBA, listat faqezeza, a mban Sali Berisha përgjegjësi? Vështirë duket, por “misionari”, siç e quan veten, e ka gati refrenin e mosnjohjes dhe revolucionit. Sepse Sali Berisha nuk surprizon më askënd prej shumë kohësh.
Sikundër është një libër i hapur dhe ajo që pritet të ndodhë në shtator, në parlamentin e ardhshëm me besnikët e tij të listave të mbyllura, humbësit e mëdhenj të këtyre zgjedhjeve që bashkë me të vulosën fatin e tkurrjes më të madhe në historinë e PD-së. Garda pretoriane e Saliut tashmë e ka një vend në parlament, një rrogë të mirë e ndonjë privilegj nga ato që Rama nuk ia kursen revolucionit demokrat. Mos mendoni se kanë ndërmend të bëjnë ndonjë analizë. Me gjasë ende nuk e kanë kuptuar se votat që ju mungojnë nuk janë ato të socialistëve, por janë votat e mijëra demokratëve të mërzitur me ta, të atyre që nuk votojnë më Sali Berishën.
Janë votat e demokratëve që nuk duan të shohin më në lista fosilet e tranzicionit apo besnikët e Ilir Metës. Janë votat e ca njerëzve të lirë që mendojnë se alternativë nuk mund të jetë të zgjedhësh të keqen më e vogël. Mbi të gjitha brenda në PD as nuk do ta vrasin mendjen të kuptojnë që Agron Shehaj, Adriatik Lapaj dhe të tjerët kanë “zbrazur” hambarin e votave të PD-së. Dhe se nëse do të kishin qenë në një aleancë do të kishin sot shumë më tepër deputetë.
Në atë që ka mbetur nga ajo parti, askush nuk do analizojë ftohtë dhe të përballet me realitetin për ta përmirësuar atë çfarë ka mbetur. Sepse kur logjika vdes, ajo që mbetet është keqardhja madhështore për një parti dhe një grusht njerëzish që ia dolën ta shndërrojnë humbjen e katërt radhazi në një normalitet. Ndaj mos u habisni kur të thonë që përgjegjësinë për humbjen e tyre e ka…populli.
Komente

Te pafytyret Kellici, Noka, Vokshi, Shehu dhe gjithe Lista e Mbyllur duhet te largohen njehere e mire nga drejtimi i Partise Demokratike. Keto jane turpi per ne si popull qe nuk kemi opozite, qe nuk kemi te drejta te barabarta, qe na perdhoset xdo e drejte kushtetuese, cdo ushtrim profesioni te ndershem. Turp te kene Kellici, Noka, Vokshi, Shehu. Turp.
Përgjigju