Guvernatori i shtetit juglindor amerikan të Florida, Ron DeSantis paralajmëroi banorët të përgatiten për goditjen e vendit nga stuhia Idalia. Sipas tij stuhia Idalia do të ashpërsohet në detin e Karaibeve duke u kthyer në një “uragan madhor”, duke prekur brigjet e Gjirit të Meksikës kësaj jave.
“Do të jetë një stuhi e fuqishme”, tha DeSantis.
Ai paralajmëroi banorët se do të kishte edhe ndërprerje të energjisë elektrike, raportojnë mediat e huaja.
Zyrtarët thonë se Idalia u intensifikua sot dhe rrezikon të kthehet në një stuhi kërcënuese duke goditur Floridan prej të martës.
“Nëse gjendeni në rrugën e kësaj stuhie nga zona e Gjirit Tampa, në Franklin apo veriperëndim të Florida, përgatituni për impaktin. Ne presim që urragani Idalia të godasë shtetin e Florida”, tha DeSantis.
Zyrtarët e shtetit të Florida kanë mobilizuar 1,100 policë dhe forca të gardës Kombëtare për reagimin ndaj stuhisë, ndërsa DeSantis ka shpallur “emergjencën” në shumë rajone të shtetit.
Presidenti Joe Biden miratoi një deklaratë emergjence për Florida teksa stuhia Idalia po afrohet dhe forcohet.
Biden zhvilloi një bisedë me DeSantis të hënën në mëngjes dhe e siguroi atë se qeveria federale do ta mbështeste plotësisht shtetin në përgatitjen për stuhinë dhe pasojat, raporton CNN.
Biden i kishte thënë gjithashtu guvernatorit se Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) ka vendosur paraprakisht personel dhe asete në përgatitje për stuhinë.
Që nga mëngjesi i së hënës, stuhia ishte 90 milje larg bregut perëndimor të Kubës me erëra deri në 65 milje në orë.