Publikohet historia e rrallë dhe e panjohur e Ndue Mëlyshit me origjinë nga Mirdita, ku i ati i tij, Gjoni ishte bajraktar i Kthellës, ndërsa i vëllai, Nikolla gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut shërbeu si ushtarakë në Gardën Mbretërore, kurse djali xhaxhait të tyre, Frroku, në armën e Xhandarmërisë. Si u ndanë përkohësisht rrugët në mes dy kushërinjve gjatë periudhës së pushtimit të vëndit, pasi Frroku luftoi kundër forcave partizane në Jug të Shqipërisë dhe në përfundim të Luftës, u bashkua me Gjon Marka Gjonin në qytetin e Shkodrës, duke marrë hakun për vrasjen e nënkolonel Adem Boletinit (të birit të Isa Boletinit), nga komunistët, kurse Nikolla doli partizan, duke u inkuadruar me Brigadën e VII-të Sulmuese të komanduar nga Gjin Marku, Ramiz Alia dhe Adil Çarçani, duke luftuar deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Dëshmia e rrallë e Ndue Mëlyshit se si u detyrua ai të dilte në arrati në vitin 1947 së bashku me vëllanë e tij kapiten Nikoll Mëlyshin, babanë e Pal Mëlyshit, (personazhi kryesor i filmit “Operacioni Zjarri”) pasi komunistët i’u dogjën kullat e tyre dhe u internuan të gjithë familjen me gra dhe fëmijë në kampet e Krujës, Beratit, Tepelenës etj.
Si qëndroi Nduja nëpër malet e Mirditës në përpjekje me Forcat e Ndjekjes deri në ’49-ën kur u detyrua të arratisej në Jugosllavi së bashku me 53 pjestarë të rezistencës antikomuniste, pas vrasjes së Bardhok Bibës, pasi i pushkatuan vëllanë Lleshin dhe djalin e xhaxhait, Frrokun, kufomën e të cilit e dogjën me vajguri për të terrorizuar popullin e asaj krahine. Zbarkimi i Ndues me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë dhe endja nëpër malet e Mirditës e Pukës deri në 1952-in, kur u largua përfundimisht nga Shqipëria për në Itali, Gjermani dhe SHBA-ës, ku ai jetoi deri në vitin 1992, kur u rikthye fillimisht në atdhe pranë familjes së tij (duke jetuar në qytetin e Shkodrës pranë së bijës së tij, Bardha Mëlyshi, pa u kthyer më në SHBA-ës pas vitit 2014) deri sa ndërroi jetë më 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe u përcoll dje për në banesën e fundit.
Nga Dashnor Kaloçi
“Bardhok Biba ka qenë i dënuar me vdekje nga organizata jonë dhe më vjen keq, që nuk kam pas mundësi me e vra me dorën time, pasi ai ka qenë këlysh i Stalinit dhe jo shqiptar”. Pas asaj përgjigjie që i dha Mark Jak Bajraktari, majori UDB-së Çarkiç, nuk e vazhdoi më procesin e pyetjeve ndaj grupit tonë të shqiptarëve dhe e mbylli fare atë. Kjo gjë bëri që pak ditë më vonë, aty nga muaji qershor, në kampin e Nishit ku ishim ne erdhi majori i UDB-së, Çedo Mihjoviç dhe thirri Ndue Pjetër Gjonmarkun, Ndue Bajraktarin, mua (Ndue Mëlyshin), Mark Dodë Lleshjan, Marka Jak Bajraktarin dhe Pjetër Kol Preçin. Ai pasi na thirri në zyrë, na tha se gjatë asaj periudhe që ne ndodheshin nëpër kampe dhe burgje, kishim kaluar vështirësi, pasi sipas tij, gjëndja në Jugosllavi ishte ende e turbullt, por ne nuk duhet të mërziteshim shumë, pasi kryesorja ishte fakti që ishim gjallë, sepse jo në pak raste na ishte rrezikur jeta. Pas kësaj hyrje që bëri, ai kaloi direkt në temë, duke na thënë se ai personalisht kishte ndërhyrë për çështjen tonë dhe kishte biseduar me Ministrinë e Brendëshme, që të na lironte nga burgu, me kusht, që ne të formonim gjashtë grupe të vogla me nga tre persona dhe të hynim me msione sekrete në Shqipëri”. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al është Ndue Mëlyshi me origjinë nga Kthella e Mirditës, ish-pjestar i forcave të rezistencës antikomuniste, i arratisur nga Shqipëria në vitin 1949 dhe i hedhur me parashutë në Shqipëri pasi ishte stërvitur nga amerikanët në kampet e Italisë. I kthyer fillimisht në Shqipëri në vitin 1992 pas katër dekadash emigrimi, Ndue Mëlyshi, nga viti 2014 jetoi në qytetin e Shkodrës me të bijën e tij, Bardha Mëlyshi, deri sa ndërroi jetë më datën 31 korrik 2020, në moshën 109 vjeçare dhe më 1 gusht u përcoll për në banesën e fundit. Edhe pse mbante mbi supe më shumë se një shekull e një dekadë të jetës së tij, madje me privacione dhe peripeci të pafundme, duke kaluar gati gjysëm shekulli larg familjes së tij, (bashkëshortes Mara Markagjoni dhe tre vajzave: Bardha, Lizeta dhe Agetina, që i la fare të vogla dhe i gjeti me fëmijë), kujtesa dhe memoria nuk e tradhëtuan asnjëherë deri në minutat e fundit kur ai u shua (më 31 korrik, 2020) i ulur në kolltukun e tij duke shfletuar gazetat e ditës. Para pak kohësh, Memorie.al, arriti t’i marrë një intervistë të gjatë z. Ndue Mëlyshi, (duke e regjistruar me video) me qëllim për ta publikuar më 7 gusht, me rastin e ngjarjes së bujshme të vrasjes së Bardhok Bibës, ngjarje që terrorizoi Mirditën dhe solli edhe largimin e tij dhe 53 pjestarëve të rezistencës antikomuniste nga Shqipëria. Gjatë bisedës, kujtësës së tij të jashtëzakonëshme si një “dosje e gjallë”, hera herës i vinin “në ndihmë” dhe fletoret e shënimeve ku ai prej vitesh në mënyrë kronologjike ka hedhur copza e momente nga jeta e tij e trazuar, apo dhe libri “Jeta e malit”, që ka botuar disa dekada më parë kur ishte në azil politik në SHBA-ës. Duke i përcjellë famijes Mëlyshi ngushëllimet për humbjen e njeriut të tyre të dashur, në këtë shkrim po publikojmë të plotë intervistën e zbardhur që i morrëm para pak kohësh, (me ndihmën e pakursyer të së bijës. znj. Bardha Mëlyshi), duke e plotësuar edhe me disa prej shënimeve të tij. Vijon nga numri i kaluar...
Zoti Ndue, pasi Alush Lleshanaku me Haki Blloshimin u gjendën te Ura e Zogut mbi lumin Mat në afërsi të Milotit, ku shkuan më pas?
Pasi kanë mbërritë te Ura e Zogut dhe janë orientu mirë se ku ishin, Alushi me Blloshmin me do pare që kan pas me vete, kanë ble nga një berr aty në Pazar të Milotit dhe të veshun si fshatar që kishin dal për pazar, janë nis në kambë rrugës automobilistike, duke përshku Laçin, Ujën e Bardhë afër Mamurrasit, Zezën, Fush-Krujën, Vorën, Tiranën, kanë kalu mbas Kazermave të Ali Rizajt e kanë dalë në Krrabë, e në pyjet e Elbasanit, ku pas disa kohësh, duke mos pas radio-trasmetuese, kanë kanë kalu kufirin toksor e kan dal prap në Greqi.
Po ju me Ndue Pjetër Gjomarkajn, ku shkuat pasi u takuat bashkë.
Unë me Ndue Pjetrin, jemi kthy prap mbrapsht në ato zona ku kishim ra me parashuta, me shpresën se mos gjenim radion dhe materialet e tjera që mendonim se avioni i kishte shkarku menjëherë pas nesh me parashuta. Për dy ditë rresht, nga data 16 deri më 17 shkurt, nuk kemi lënë vënd pa kërku dhe kur mendonim se nuk kishim më shpresë me i gjet, pak pa u errur, kemi pa radion në fund të një shkëmbi që ishte afro 300 metër i lartë. Jemi ul aty dhe pasi e kami marrë radion, jemi mundu me bë një instalim dhe lidhje provizore me Qëndrën e “Bllokut Kombëtar Indipendent” në Romë, por fatkeqëisht nuk ja arritëm dot, pasi radio nuk punonte, ndoshta dhe nga një dëmtim që kishte pësu nga rrokullisja poshtë në atë shkëmb të thepisur.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Pasi nuk e vumë dot radion në punë, u nisëm përsëri me kërku parashutën tjetër që kishte ushqimet, veshmbathjet, e gjëra të tjera të nevojshme për ne. Ishte një i ftohtë i madh me temperuatura nën zero, por në nuk kishim asnjë shpresë tjetër përveç asaj se mund të gjenim atë parashtutë. Por fatkeqësisht çdo kërkim i joni rezultoi pa rezultat, pasi vonë do merrnim vesh se atë parashutë, avioni nuk dihet se përse, nuk e kishte shkarkuar menjëherë pas nesh, por e kishte hedhur në Pyjet e Macukullit, pas Alushit dhe Blloshmit.
Pasi humbët shpresat se mund ta gjenit parashutën, çfarë bëtë?
Duke i humbur të gjitha shpresat se mund ta gjenim parashutën e dytë dhe pasi nuk mund të rrinim më në atë mal nga frika se mund të ishin vëzhguar lëvizjet tona, më datën 17 shkurt në mbramje ne vendosëm të largoheshim që aty. Unë mora në shpinë radion me pasijet e saj që peshonte rreth 35. kg. e Ndue Pjetri ecte para meje duke shkel borën me ma lehtësu sadopak udhëtimin. Mbas një rruge të gjatë dhe shumë të vështirë prej terrenit të thepisun, ne mbërritëm në katundin Kumbull-Selitë, të cilin nuk kishim pas rast me shku më parë. Nga aty kemi vazhdu përsëri udhëtimin dhe aty nga ora tre pas mesnate kemi arrit në katundin Mërkurth të cilin e njifshim shumë mirë, por nuk ndaluam fare aty dhe kemi vazhdu rrugën pa ndalu fare, deri sa aty nga ora tetë e mëngjezit të datës 18 shkurt, kemi mbrrit në Bjeshkën e Oroshit. Nga lodhja e madhe duke përshku gjithë atë rrugë si dhe nga mërzitija prej asaj disfate që pësuam, ishte gati duke na dal shpirti, por na mbante gjallë shpresa se do të lidheshim me radio dhe do të takoheshim me Alushin e Blloshmin për t’u riorganizu e me vazhdu misionin tonë.
A mundët të lidheshit me radio?
Aty në Bjeshkën e Oroshit gjetëm një vënd të përshtatshëm dhe e vumë radion në funksion, por fatkeqësisht nuk mundëm dot të lidheshim me Qendrën në Romë. Mbasi kaluan minutat e caktuara që ishin parashiku për të lidhur atë ditë me Qëndrën, ne u gjendëm në vështirësi të mëdha dhe pothuaj të pashpresë, pasi e para nuk dinim asgjë mbi situatën ku ndodheshim, nuk kishim asnjë rezervë ushqimore dhe poashtu na mungonte edhe municioni, pasi në rast se do të binim në ndonjë përpjekje me Forcat e Ndjekjes, ne kishim vetëm nga një “Mashinë” të vogël dhe dy karikatorë me fishek të cilat do t’i harxhonim në pushkët e para. Në këtë situatë, vendosëm që të linim radion diku aty në Bjeshkën e Oroshit, në një vënd të sigurtë duke e mbulu në tokë dhe të dy me Ndue Pjetrin, u nisëm me qarkullu në ato katunde, me mujt me u taku dhe me hy në lidhje me grupet e tjera të rezistencës antikomuniste që e dinim se vepronin ende në ato anë. Puna e parë që na duhet të bënim, ishte të gjenim një njeri që të ishte teknik për radion që të kishim mundësi me u lidh me Qëndrën në Romë.
A takuat njeri?
Pasi zbritëm nga Bjeshka e Oroshit me shumë vuajtje kemi ra në katundin Ndërshen-Orosh, ku në një familje të këtij katundi, gjetëm një mikpritje shumë bujare dhe aty jemi njoh edhe me situatën ku gjendeshim si dhe morrëm njoftimin e lajmet e zeza për humbjen e jetëve të shokëve tanë të malit që ishin vrarë në luftime me forcat komuniste të Ndjekjes, si: Frrok Mëlyshi, Mark Ndue Bajraktari, Pjetër Llesh Gjoni, Ludovik Saraçi, Mark Cara, Bardhok Marka Gjoka, Pjetër Paloka, Gjin Paloka, Nikoll Gjet Ndoj etj. Po kështu morrëm vesh se disa kryetar çetash antikomuniste ndër më kryesorët, si Bilal e Halit Kola, Ndrec Lufi e Marka Bib Vokrri, për t’i shpëtuar ndjekjeve të forcave komuniste në atë terror të madh që kishte ndërmarrë qeveria e Tiranës ndaj popullsisë së atyre zonave që strehonin e mbanin me buk njerit e malit, ishin detyruar dhe kishin dalë në Jugosllavi që në tetorin e vitit 1948. Po kështu një numër i madh familjesh dhe njerzish që përkrahnin shokët tanë të rezistencës antikomuniste, ishin pushkatu, burgos apo internu nga qeveria komuniste e Tiranës. Këto lajme na trishtuan dhe gjendja jonë dukej fare e pashpresë.
Çfarë vendosët të bënit pas këtyre lajmeve që morët?
Pas kësaj edhe pse i zoti i shtëpisë, miku ynë trim dhe bujar na luti që të rrinim aty nja dy tre ditë me marr veten nga lodhja e madhe dhe gjendja e vështirë shpirtërore që na e shtuan ato lajme të zeza, ne e falenderuam dhe i thamë se na duhej të vazhdonim rrugën për në drejtim të Kthellës, pasi ai na dha ushqim me vete për dy ditë.
U larguat pas kësaj nga aty?
Pasi kemi marrë pak veten duke u orientu se ku jemi, ne të dy morrën rrugën për në drejtim të Kthellës dhe kur mbërritëm aty trokitëm tek një shtëpia e mikut tonë bujar dhe guximtar, i cili na priti si jo ma mirë për aq pak kohë që ne kemi ndejt aty. Ka qenë data 20 shkurt 1949 kur kemi hy në Kthellë dhe miku ynë na ka tregu çdo gjë që kishte ndodh gjatë asaj kohe me grupet e rezistencës antikomuniste që vepronin në ato zona. Pas tre ditësh ai na mundësoi takimin me disa nga shokët tanë të malit, si: Preng Dod Gjinin, Bib Marka Bibën, Preng Zef Tarazhin dhe Ndue Nikoll Prengën. Këta të katër që ishin miq tanët besnik dhe të sprovuar në disa përpjekje të armatosura me forcat komuniste të Brigadave të Ndjekjes, kishin ndërlidhje me me grupet e tjera antikomuniste që në atë kohë vepronin në rakonin e Lezhës, si: Dedë Kolziu, Llesh Marka Doda, Llesh Marka Tuci dhe Gjon Marka Tuci. Pasi jemi marrë vesh me anë të korrierëve tanë besnik, me këta të katërt ne jemi takuar më datën 15 mars në vëndin e quajtur Pylli i Qafë Mollës në Mirditë, ku kemi zhvillu një mbledhje që ka zgjatur disa orë.
Çfarë vendosët aty?
Aty në atë mbledhje ne më shumë diskutuam dhe analizuam situatën tepër të vështirë ku ndodheshim ne dhe ato pak grupe të rezistencës antikomuniste në krahinën e Mirditës të udhëhequra nga: Ndue Bajraktari, Marka Dod Lleshaj, Gjok Dod Përbrunga e Marka Jak Bajraktari, si dhe ato të Pukës nën udhëheqjen e Pal e Ndoc Mirakajt. Ndërlidhja jonë me ato grupe bëhej mjaft e vështirë si prej motit të dimrit pasi Bjeshka e Oroshit kishte më shumë se një metër e gjysëm borë me ngrica, ashtu dhe prej mungesës së ushqimit nga kriza e madhe e bukës që mbizotëronte në ato zona. Në këto kondita tepër të vështira ku ndodheshim pasi ishte paralizuar çdo gjë edhe për shkak të ndjekjes së forcave komuniste që vepronin në ato krahina, ne vendosëm dhe u shpërndamë në dy grupe. Në grupin e parë ku bënte pjesë Preng Dod Gjini, Dedë Kolziu e Gjon Marka Çupi, Ndue Nikoll Prenga dhe unë me Ndue Pjetrin, u nisëm për në Bjeshkën e Oroshit me marrë radio-trasmetuesen që kishim lënë atje të fshehur në një vënd të sigurtë.
Po grupi tjetër?
Grupi tjetër i përbërë nga Llesh Marka Tuci, Llesh Marka Doda, Bib Marka Biba dhe Preng Zef Tarazhi, u ngarkuan me furnizimin me ushqime në një qëndër (pik-takimi) që do ta formonim në Pyllin e Qafë-Mollës, si dhe të vendosnin ndërlidhjet me grupet e tjera.
Ju, arritët ta merrnit radio-marrsen?
Ne pas shumë vuajtjesh për shkak të vështirësive që na krijonte bora e madhe gjatë udhëtimit tonë, më në fund shkuam dhe e morëm radion atje ku e kishim lënë, por në kthim, për shkak të motit të keq që nisi me shira të rrëmbyeshëm, nuk mundëm që ta kalonim dot lumin Fan që ishte bërë shumë i rrëmbyeshëm. Kështu ne mbetëm pa shku në vëndin e caktuar në Qafë Mollë, që kishim paracaktu si pike-takimi ku do mblidheshim përsëri.
Çfarë bëtë pas kësaj?
Ne u detyruam dhe pritëm nja dy ditë që të stabilizohej disi moti duke qëndruar në zonën e Buklit të Mirditës dhe më pas ne si grup morrëm vendim që të kalonim lumin e Fanit në urën e Karmës së Peshqeshit. Kështu, në mbrëmbjen e datës 22 mars u nisëm për në atë drejtim, duke udhëtu vetëm natën nën një shi të rrëmbyshëm dhe errësirë të plotë. Karma është një vënd shumë i vështirë për të udhëtuar nga terreni i thyer e shkëmbinjtë e thepisun dhe aty kemi mbërrit duke dalë drita. Nga që nuk mundeshim dot me udhëtu ditën nga frika se zbuloheshim dhe mund të na rrethonin forcat komuniste të Reparteve të Ndjekjes, u detyruam dhe e bëmë kalimin afër urës së Karmës sapo zbardhi dita. Ne na duhej të largoheshim sa më shpejt prej asaj zone, pasi rrezikoheshim prej forcave komuniste të Sigurimit të Shtetit, që prej aty ishin shumë afër Qëndrës së Shën Palit.
A u diktuat prej tyre?
Ashtu siç dhe e parashikuam, fatkeqësisht u zbuluam, pasi aty nga ora 9 e mëngjezit aty afër nesh kaluan disa çobanë dhe prej tyre ne rrezikoheshim shumë. Ne ramë në hall, pasi po t’i kapnim, do të bëhej alarm, po mos t’i kapnim, nuk kishim siguri, pasi ata mund të na kallxonin dhe situate jonë bëhej shumë e rrezikshme.
Si vendosët…?!
Ne nuk i kapëm me një shpresë të kotë se ata nuk na kishin pa, ose dhe po të na kishin pa, nuk do të na kallzojshin. Por fatkeqsisht, një nga çobanët i quajtur Gj. B. Ll. Që ishte spiun i Bardhok Bibës, qysh përpara, pasi na kishte hetuar mirë grupin tonë, menjëherë shkoi në Shën Pal, ku ishin në gatishmëri shumë forca komuniste operuese, gati për të vepru në çdo kohë që t’u jepej sinjali.
Çfarë ndodhi pasi ai person lajmëroi për ju në Shën Pal?
Në orën 12 të asaj dite (23 mars 1949) grupi ynë i gjend i rrethu prej një fuqie ushtarësh të Forcave të Ndjekjes që arrinin në afro 500 veta. Ne ndodheshim në një pozicion të pafavorshëm qoftë për të sulmu, qoftë për t’u tërheq dhe vështirësitë na i shtonte më tepër edhe moti, pasi temperaturat në atë fund marsi ishin nën zero. I gjithë vëndi aty është me shkëmbinj të thërmuar dhe të tjerë shumë të lartë saqë ishte tepër e vështirë me i pa majat e tyre dhe nuk kishte asnjë lloj shtegu me kalu. Lumi i Fanit të Vogël që kalon në ato zona duke i pre si me thikë shkëmbijtë e thepisun deri nëë thellësi, ishte një tjetër pengesë e fortë natyrale që na dilte para nesh. Nga ana tjetër e lumit ku shkëmbinjtë me njëri tjetrin ishin jo ma larg se 500 metër në vijë ajrore në majat e maleve, forcat komuniste kishin vu mitrolozat e rëndë dhe qëllonin papushim me një zjarr të dëndur.
Çfarë bëtë në atë situatë të vështirë ku ndodheshit?
Për më shumë se tetë orë rresht ne të katër kemi qëndru pa lëviz fare në ato pozicione që kishim zënë me të shpejtë, nën zjarrin e pandërprerë të forcave komuniste që ishin të shumta në numër, pasi plumbat e tyre na vinin nga të katër anët.
Nuk tentuan t’u sulmonin gjithë ato forca komuniste që i’u kishin rrethuar?
Ata tentuan disa herë të na sulmonin, por nuk na thyen dot dhe tërhiqeshin përsëri, pasi linin ndonjë të vrarë aty.
A pati të vrarë aty nga ana e Forcave të Ndjekjes?
Në sulmin e parë që ata tentuan, mbeti i vrarë në vënd aspiranti i Sigurimit të Shtetit, Qemal Hoxha, që mbulonte me shërbim rrethin e Shën Palit. Bashkë me të në atë sulm, mbetën të vdekun edhe një rreshter i Brigadës Speciale të Sigurimit dhe katër ushtarë. Mund të ketë pas dhe të tjerë të vrarë, por këto i kemi pa me sytë tanë.
Çfarë ndodhi pas këtyre humbjeve nga ana e Forcave të Ndjekjes?
Aty nga ora tetë e mbrëmjes kur nata kishte mbulu vëndin e nuk dukej asgjë, duke pa dhe situatën kur ne po na mbaroheshin edhe ato pak municione që kishim, vendosëm me sulmu përpjetë me dal në Majën e Malthit, pasi në atë situatë kur zjarri i tyre u ndez me më shumë furi, nuk kishim më asnjë shpresë me ngel kush i gjallë nga ne. Radion dhe paisjet e saj e ndamë në dy pjesë, një e mora unë dhe një Ndue Nikolli, por duke mos pasë asnjë mundësi komunikimi me njëri tjetrin, grupi ynë u shpërnda në dy drejtime të ndryshme me shpëtu kokën gjithsecili. Preng Dod Gjini dhe Ndue Pjetër Gjomarkaj janë nis në një drejtim, ndërsa unë me Gjon Marka Çupin e Ndue Nikollin në një drejtim tjetër.
A patët të dëmtuar nga ana juaj gjatë asaj tërheqje?
Fatkeqësisht pak minuta pas asaj tërheqje u plagos Ndue Nikolli dhe unë u detyrova me i ardh nhë ndihmë duke ja marr paisjet e radios dhe bashkë me radion që kisha i fsheha diku me të shpejtë por në një vënd të sigurtë dhe prej aty mundëm të largoheshim pa pësu asnjë dam tjetër.
Lajmi kryesor:
Dëshmia e 109-vjeçarit që u shua dje në Shkodër: Si u hodha dy herë me parashutë nga CIA...(Intervista e fundit)
B.K./ReportTv.al