Pjesa e katërmbëdhjetë
Publikohen disa pjesë nga libri voluminoz autobiografik në dorshkrim “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar” (kujtime nga xhehnemi) me autor, Kasem Hoxha me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim në SHBA-ës që nga viti 1985, kur ai u arratis nga Shqipëria, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. E gjithë historia e trishtë dhe e dhimbëshme e Kaso Hoxhës, që nga jeta dhe puna e vështirë në fshatin e tij në skajin më jugor të vëndit, pakënaqësia ndaj regjimit dhe poezitë e para me karakter politik, si ranë ato në dorë të Sigurimit të Shtetit dhe kush ishin të afërmit e tij që e spiunuan, arrestimi në zyrën e Kryetarit të Këshillit Popullor të fshatit Markat, nga Sigurimi i Shtetit më 21 qershor të vitit 1973, hetuesia në Degën e Punëve të Brendëshme të Sarandës, gjyqi ndaj tij dhe dënimi me 10 vjet burg për “agjitacion e propagandë”, qëndrimi në “Kaushin” e Tiranës (Reparti 313), dhe të burgosurit që gjeti aty, dërgimi në Spaç e puna në atë kamp me policët e oficerët kriminelë dhe të “butë”, bashkëvuajtësit e përshkrimi i “portreteve” të tyre me anët pozitive dhe negative, lirimi nga burgu dhe kthimi në fshat, arratisja në Greqi dhe qëndrimi në kampin e Llavros-it, fitimi i azilit politik për në SHBA-ës, korrespodenca me organizatën Amnesty International, e degës së Londrës, informacionet me të dhënat që u dërgonte për të burgosurit e Spaçit dhe regjimit komunist në Shqipëri, e deri tek krijimi i familjes së re dhe jeta e puna në atë vënd të largët me komunitetin çam të përçarë nga intrigat e njerëzve të Sigurimit të Shtetit nga Shqipëria që vepronin atje.
Pjesë nga libri në dorshkrim, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, (kujtime nga xhehnemi) i autorit, Kasem Hoxha, dërguar prej tij ekskluzivisht për Memorie.al
Prolog
Lexues të dashur!
Mos ja vini veshin titullit që po ju paraqes, dua të them, se sikur mos të jeni të duruar për të lexuar këtë përmbledhje me kujtime, po të doni ta falni autorin, se stili i tij është i zbehtë, i pafrymëzuar përpara kësaj drame të madhe, të popullit tim, të kombit tim martir.
Personazhet e mij, nuk janë të krijuar nga fantazia ime, por janë njerëz të vërtetë, janë vëllezërit tuaj, baballarët tuaj, të afërmit tuaj. Ngjarjet nuk janë të trilluara, por reale e të jetuara.
Ju do të bindeni vetë, vetëm pasi të keni lexuar këtë përmbledhje me kujtime. Ju do gjeni diçka nga jeta juaj, diçka të vërtetë nga jeta e baballarëve tuaj, e nënave tuaja, e vëllezërve tuaj, se si vuajtën se si vdiqën.
Këtë përmbledhje kujtimesh, e shkrova për amanetin që më lanë shokët, që bota të mësojë të vërtetën, se si u torturuan, si vuajtën, si vdiqën, njerëz të pafajshëm, nëpër kampet dhe burgjet e xhelatit, Enver Hoxha!
Unë shkoj me shpresë se cilido lexues, shqiptar ose i huaj, nuk më mbetet hatëri, nga kritika, rrahja e mendimeve të kundërta, pasi është mënyra më e mirë për të gjetur të vërtetën. Titulli i librit, “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, do t’i zëmëroj lexuesit, por në fund, do arrij në konkluzion se kam të drejtë, ta quaj “Epokën 45-vjeçare të regjimit komunist satanik të Enver Hoxhës”: Të shëmtuar.
Unë, mjerisht, për fatin e keq që pata, pashë dhe jetova dramën e madhe që ndodhi përpara syve të mij. Nuk jam as poet dhe as gojtar, do më duhet punë e madhe që t’i shpëtoj gabimeve letrare në këtë libër historik, që mund të frymëzojë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm, mbi tragjedinë e kohës sonë, të kohës më të zëzë të kombit tim!
Zotërinj lexues, ju uroj të gjithëve të keni liri dhe paqe…!
Kaso Hoxha.
Llavrio, Greqi 1985
Vijon nga numri i kaluar
Unë nuk pata fatin e keq të shokëve të mij që i ndanë gratë edhe pse ishin në moshë të shkuar dhe me fëmijë të rritur! Jetova fare pak me shoqen time të jetës. Fatkeqëisa na ndau si kufoma, por jo si zëmra. Ajo ishte vetëm 20 vjeç kur mbeti fillikat, me dy fëmijë të vegjël për t’i rritur. E donte arsyeja që unë t’i propozoja për t’i kërkuar divorcin, sepse kështu u krijuan rrethanat, duke menduar për të mirën e saj. Ndoshta mund t’i buzëqeshte përsëri fati, megjithëse kur ja thashë këto fjalë, më therri thellë në zëmër?!
Ta dini se sa u zëmërua dhe derdhi lot ajo?! Përmes ngashërimeve, tha se kishte qenë aq e lumtur me mua, saqë, sikur ta fillonte jetën prap nga e para, nuk do të pranonte tjetër fat! Që nga ajo ditë, që i bëra propozimin, kjo grua i’u nënshtrua rraskapitjes për të rritur fëmijët dhe treste nga mishi i saj, për të më ndihmuar edhe mua!
Mundësitë financiare dhe udhëtimi i gjatë, nuk e lejonin t’i sillte fëmijët në takim për t’i parë unë. Ato rriteshin të varfëra dhe nuk i besonin nënës së tyre, kur shpesh u thoshte se: kishin edhe ato baba! Kisha më tepër se tre muaj në Burgun Spital të Tiranës. Një ditë tek po endesha ndërmjet krevateve në dhomë për të shpirë trupin e lodhor dhe të dobsuar, i uritur dhe i zhuritur nga malli për nënën e fëmijët e mallkoja me gjithë shpirt, vrasësin tim, befas u hap dera dhe polici më kërkoi të dilja në takim!
U çudita, se si ishte e mundur, pasi unë nuk i kisha njoftuar njerzit e shtëpisë se nodhesha në Burgun Spital, për të mos i shqetësuar, megjithëse isha seriozisht rëndë nga vuajtjet e minierës dhe të birucave të Spaçit. Kur u hap porta e hekurt, me të vërtetë, pashë se kisha ardhur motra ime e madhe, Dilua. U përqafuam me motrën, pasi kishim vite që nuk ishim parë me njëri tjetrin dhe të pesë minutat që kishim në dispozicion, nuk mjaftonin të shiheshim, dhe jo më të shmalleshim!
Para se të ndaheshim, motra më tha se: Dira, sime bijë, e vogla, që ishte bërë shtatë vjeç, u ishte lutur shumë ta merrnin dhe të shihte edhe ajo babanë e saj që nuk e njifte fare. U ndava me motrën, duke pritur takimin e ardhshëm. Kjo më bëri të tretem në ëndërrime për kohën e shkuar! Para syve të mëndjes më parakalonin skena nga më të dhimbëshmet dhe më të frikëshmet!
Kur u arrestova, Dira, nuk i kishte mbushur akoma të gjashtë muajt dhe atë mëngjez qershori të vitit 1973, Luljeta, (bija ime e madhe), ma prishi gjumin me britmat e saj. Ajo u ngrit e llahtarisur nga gjumi, sigurisht që do të kishte parë ndonjë ëndërr të keqe! I zbriti shkallët duke qarë dhe më kërkonte mua. U ngrita nga shtrati ku flija dhe nga që nuk e përmbajta dot veten, e shava Luljetën time të dashur, që kurrë deri atë ditë nuk i kisha folur ashpër!
Ajo u frikësua, pushoi së qari menjëherë, dridhej e tëra nga frika e ëndrrës, ngashërimet s’e linin të merrte frymë lirisht dhe fërkonte sytë me duar! Më vështronte e habitur dhe ajo nuk u besonte syve, që unë isha aty pranë saj! Ndërkohë nga oborri, erdhi me nxitim gjyshja e saj, e morri në krah dhe e përkëdhelte për ta qetësuar, duke e pyetur se çfarë kishte që qante?!
Unë nuk arrita të mësoj se çfarë ëndrre kishte parë time bijë, se në atë kohë, tellalli i fshatit, më njoftoi që duhet të paraqitesha në zyrë të Këshillit Popullor, dhe unë u ktheva nga oborri të vishja këmishën. Dira ishte zgjuar dhe ajo rrinte qetë – qetë në djepin e saj. Kur hyra brenda, ajo ktheu kokën nga unë dhe më shikonte me kureshtje!
Tek vishja këmishën, i buzëqesha, e gudulisa ndën gushë, por ajo nuk reagoi siç ndodhte zakonisht që gajasesj së qeshuri dhe donte të lozte! Sytë e saj të mëdhenj, e të shëndritshëm, ishin ngulur në një pike dhe buzët e trëndafilta, nuk u përveshën për të qeshur si herët e tjera! Ajo dukej si një kukull, me atë pamje të ngrirë! Kur po dilja nga dhoma, në derë, ktheva kokën për ta parë edhe njëherë. I buzëqesha dhe ajo ngriti duart e vogla të shëndosha, duke u munduar të fliste diçka, duke nxjerrë ca tinguj dhe rrokje të shkëputura: “Ba…, ba…”, ishte fjala e parë që kishte mësuar. Kjo ishte dhe lamtumira e fundit që më dha Dira, sikur ta dinte që nuk do ta shikonte më babanë e saj për shtatë vjet !
Ndërkohë, po atë ditë që më nxorrën nga “Burgu-laborator”, më 25 prill, nisa për në shtëpi një telegram, me shpresë se po të më vinin në takim, të më gjenin në Burgun e Tiranës. Kisha një javë që dergjesha në këtë skutë të qelbur të “Kaushit”! Në këto kondita kaq të vështira, secili e merr me mënd, se në ç’gjëndje të trishtushme ndodhesha.
Më 29 prill, kur sapo kishim mbaruar së ngrëni mëngjezin e prisnim të dilnim në banjo si zakonisht, ku të burgosurit ishin grumbulluar aty duke pritur rradhën, polici hapi derën dhe ai i ndaloi të burgosurit të dilnin për nevojat personale. Ai thërriti emrin tim dhe unë i’u përgjigja. Ai më tha të dilja në takim. Dola nga “Kaushi” në korridonin e errët dhe të gjatë të burgut. Emocionet s’më linin të merrja frymë lirisht! M’u bë i gjithë trupi i akullt. Të gjitha ç’kisha në mëndje për t’ju thënë, m’u avulluan nga kujtesa!
U futa në dhomën e takimit, e cila ishte e ndarë përgjysëm me dy palë hekura. Ndërkohë nëna me Dirën, ishin akoma në dhomën e kontrollit, ku polici i kontrollonte me imtësi çdo gjë! Kur hymë në dhomë unë dhe përgjegjësi i të burgosurve, u bë zhurmë nga dera që u përplas. Në derën e anës tjetër, doli një vajzë e vogël, nja gjashtë a shtatë vjeç, e cila herë m’i hidhte sytë mua, dhe herë tjetrit! Ajo nuk dinte se kush nga këta dy burra, ishte babai i saj?!
Kontrolli vazhdonte, pasi nëna kishte sjellë shumë plaçka, të cilët nuk më hynin në punë. Për këtë, u detyrova që t’i flisja nënës, duke i thënë se nuk kisha nëvojë për to dhe kur të më duheshin, do u’a kërkoja të m’i nisnin me pako. Në këtë kohë, kur unë po flisja me nënën së largu, Dira u drodh e tëra!
“Ky është babai im, përderisa i foli gjyshes sime”, duket sikur mendoi ajo në ato çaste dhe u drejtua pa nguruar nga unë për të më folur.
Por duket se babai nuk i doli ashtu siç e imagjinonte ajo më parë!
Përpara syve të vajzës, qëndronte një burrë i dobsuar nga vuajtjet dhe fytyra e tij e zbehtë e anemike, të kallte neverinë! Pamja e tij e jashtëme, ishte mallëngjyese për vajzën. Mëshira që zgjohej në shpirtin e kësaj vajze të vogël, kur ndeshte në një mjerim të madh, mbyti ndjenjat e tjera në zëmrën e saj.
Kur dëgjova zërin e saj të hollë, si një cicërimë zogu, duke u dridhur nga gëzimi, m’u duk një mrekulli! Ajo po më vështronte me mallëngjim e dashuri e zëmra i rrihte fort. Për herë të parë, ajo ndjeu një drithërimë malli dhe dashurie, për një njeri që e kishte ëndërruar vite të tëra. Më vështronte me vëmëndje dhe ajo dukej sikur priste që t’i flisja unë i pari. Vështrimi i saj ishte i ëmbël dhe vështrim i im ishte plot mall. Kur pa se unë isha shtangur si një statujë, ajo foli për të më zgjuar nga ëndërrimi i gjatë.
-“Babi”,…belbëzoi ajo dhe heshti pak. Shkoi pështymën sikur t’i kishte ngelur diçka në fut dhe tha: “Më njeh mua…”, vazhdoi ajo gjithë ndrojtje!
-“Jo”, ju përgjigja me vonesë, duke u shtirur sikur nuk dija gjë, se kush ishte ajo vajzë e vogël.
-“Unë jam Dira…”, tha ajo e gëzuar, “Dira tënde, që më le të vogël në djep”, vazhdoi vajza me çiltërsinë e fëmijës së pafajshëm.
Ajo zgjati dorën të bënte toka me mua, por dora e vogël nuk arriti dot, ta takonte dorën time, sado që e zgjata unë krahun tim ndërmjet hekurave! Kur pa se megjithë përpjekjet që bëri, ishte e pamundur, ajo qeshi dhe më pyeti: “Të vijë unë andej, dua të të puth”, tha ajo duke vështruar policin sikur po i kërkonte me mëshirë që ai t’i thoshte: “Shko”!
“Zotni’, ju drejtova unë policit, ‘hape nëse është e mundur portën e hekurt, vetëm për atë foshnje të vij dhe ta puth babanë e saj”.
“Nuk lejohet’, m’u përgjigj polici, ‘ju duhet të kishit bërë lutrje për takim special me familjen”, vazhdoi ai duke u shfaqësuar përpara kësaj drame që zhvillohej në sytë tanë!
Dira, pa marrë përgjigjie, kaloi me vështirësi nëpërmjet kuadratave të hekurave dhe m’u hodh në qafë. Ndërsa zhvillohej kjo skenë, nëna me Mejdien, kishin mbetur të shtangura në anën tjetër. Ato vështronin dhe qanin! Fytyrat e tyre kishin marrë një shprehje mallëngjimi dhe lotët që i pikonin nga maja e mjekerës, flisnin për dhimbjen e madhe!
Në këto momente të madhërishme, kur mbas shtatë vjetësh babai i dhuronte të puthurat dhe përkëdheljet e para bijës së tij, Dira më puthte me mall. Buzët e vogla, më ishin ngjitur mbi faqe si shushunja. Ajo s’kishte ndërmënd të më lëshonte, sikur ta linin…!
-“O xhan i babit, shpirti im i vogël”, i thashë përmes ngashërimeve me zë të mbytur nga lotët. Dy pika lotë rrodhën nga sytë e mij, ndërsa vajza u shkëput për një çast e më vështronte e trembur, duke më fshirë lotët me dorën e saj të vogël dhe duke e quajtur veten fajtore për këtë skenë, ajo më pyeti: “Çke babi, të dhëmb gjë. Mos je sëmurë”?! tha ajo duke i’u dridhur zëri.
M’i hodhi duart përsëri në qafë, e ngjeshi fytyrën e saj mbi timen dhe filloi të më puthë përsëri duke thënë: “Do të të puth edhe për Lulen, babi. Ajo nuk erdhi dot vetë, më la mua, se unë nuk të kisha parë”, tha Dira dhe uli sytë për të mos më parë lotët që më rridhin rrëke deri tek cepi i mjekrës!
Nuk mund atë flisja dot më, pasi diçka dukej se po më shtrëngonte në fyt e më merrte frymën! S’munda të thosha dot asgjë më, veçse të rrija dhe të gëlltisja lotët! Nuk e di sepse e kisha humbur fare vetëdijen dhe pothuajse ishe në një gjendje si i dehur! Ndërkohë aty në atë dhomë të ndarë me hekura në mes, kishte rënë një heshtje e tmerrshme! Veshët më buçisnin dhe gjithë trupi më digjej si në ethe! S’mbaj mënd, nëse u takova me nënën dhe Mejdon!
Më dukej sikur isha zgjuar nga një ëndërr që kishte zgjatur vetëm pak çaste, por që Dirën e kisha aty pranë sikur kisha mbetur përjetë i përqafuar me të! Ajo udhëtonte kushedi se sa larg, kurse shëmbëlltyra e saj kishte mbetur në krahët e mi, kishte mbetur përjetë në zëmrën time të coptuar tashmë prej kohësh…?!/Memorie.al