Historia e panjohur e bashkëpunëtorit më të afërt të Enver Hoxhës, Nesti Kerenxhit, që njihet si një prej ish-drejtuesve kryesorë të LANÇ-it në Korçë dhe më vonë, si ish-anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare dhe ministër i Punëve të Brendshme, pas arrestimit të Koci Xoxes në nëntorin e vitit 1948. Kjo intervistë është marrë në vitin 2003, disa javë para vdekjes dhe sot paraqitet para lexuesit për herë të parë në mënyrë ekskluzive. Nesti Kerenxhi ishte një prej personaliteteve të jetës politike në Shqipëri, që ndikoi ndjeshëm në organizimin e luftës dhe fitoren përfundimtare dhe pas vitit 1944, ai u shpall anëtar i Byrosë Politike me shumicë votash. Ndërkohë, pas çlirimit ai kreu edhe detyrën si shefi i Sigurimit të Shtetit Shqiptar, duke qenë kështu njeriu i dytë i Ministrisë së Brendëshme, pas Koçi Xoxes.
Por ashtu, siç ka ndodhur me shumë personalitete të Shqipërisë, në lidhje me zhgënjimet, edhe me Nesti Kerenxhin ndodhi e njëjta gjë. Pas pushkatimit të Koçi Xoxes, Nesti u dënua në fillim me largim nga puna, internim në Selenicë dhe më pas me burgim nëpër burgjet politike. E gjitha kjo valë terrori filloi pas Kongresit të Parë të PKSH-së, ku nisi edhe furtuna e eliminimeve, arrestimeve, burgosjeve dhe pushkatimeve. Por, gjatë këtij Kongresi, Nesti Kerenxhi u dënua së bashku me gruan e tij, Naxhije Dumen, e cila ishte atëherë e vetmja anëtare qeverie në kabinetin e drejtuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha, duke mbajtur postin e ministres së Kulturës.
Kjo vinte për shkak të kulturës dhe edukatës që rrezatonte, por edhe për faktin se deri atëherë Enver Hoxha i kish që të dy (Nestin dhe Naxhijen), me sy të mirë. Më vonë, dënimi erdhi pas një akuze, si “mbështetës të Koçi Xoxes”, e cila nuk u vërtetua asnjëherë. Megjithatë, jeta e Nesti Kerenxhit kaloi nëpër vështirësi të shumta, derisa në vitin 2003, ai mbylli sytë përgjithmonë. Dhe, disa ditë para vdekjes, arrita të sigurojë këtë intervistë, të cilën vendosa ta botojë tani.
Zoti Kerenxhi, gjatë Luftës përfaqësuesit të Ushtrisë së Kuqe, që ndodhej për të sjellë misionin Jugosllavi në ato kohëra, aq të vështira dhe cilat ishin detyrat tuaja, ju dhe Alqi Kondi, keni qenë të vetmit kuadro të lartë ushtarakë shqiptarë, që u dërguat në shkurt-mars 1944, pranë Mareshalit Tito dhe Shtabit të tij, për t’i paraqitur kërkesën ushtarak sovjetik në Shqipëri. Me këtë rast u takuat edhe me mareshalin J.B.Tito. A mund të na thoni, si mundët të shkoni në?
Keni të drejtë që e bëtë këtë pyetje, sepse në të vërtetë, në se u fol për diçka tepër pozitive në atë kohë, vite më vonë, jo vetëm është lënë në harresë, por është spekuluar shumë me këtë akt tepër largpamës të udhëheqjes shqiptare të LANÇ, për hir të politikave të mbrapshta të kohës. Lidhja e LANÇ-it me krahun e aleatëve të mëdhenj anti-hitlerianë, tregoi që në fillim pjekurinë politike dhe patriotizmin e vërtetë të luftëtarëve të lirisë. Këtë gjë nuk e bëri deri në fund, as “Balli Kombëtar”, as Legaliteti.
Kohët kur ne u nisëm për në Jugosllavi, ishin me të vërtetë shumë të vështira. Ja se si qëndron e vërteta e këtij misioni tepër të rëndësishëm: Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, kishte dalë nga sorollatjet nëpër pyjet e Martaneshit e Çermenikës dhe ndodhej në fshatin Panarit, në malësitë perëndimore të Korçës. Rruga nga Panariti i largët për në Pezë e, nga këtu në Tiranë, Shkodër e Mal të Zi, e më pas nga Bari i Italisë e, deri në ishullin më të madh të bregdetit Adriatik, në veri të Dalmacisë që quhej Vis, ishte shumë e gjatë dhe tepër e rrezikshme.
Kur dhe si u nisët nga Panariti për në Jugosllavi?
Fillimisht, pasi mora detyrën në Panarit, hartuam planin e udhëtimit, vendet ku do të ndaloja, ruajtjen e sekretit të misionit e të tjera detaje, u konsultova me përgjegjësit kryesorë të LANÇ-it: Enverin, Koçin, Spiro Moisiun dhe Miladinin e Dushanin. Pasi mora të gjitha dokumentet dhe letrat përkatëse konfidenciale dhe zyrtare, që me gjuhën diplomatike quhen letra kredenciale dhe, pas një konsultimi të imtë përfundimtar edhe me Mustafa Gjinishin, që ishte mjeshtër i vërtetë dhe e njihte shumë mirë rrugën që do të përshkoja dhe me cilët personat duhej të takohesha në këtë udhëtim me shumë përgjegjësi e të rrezikshëm, u nisa për rrugë në këmbë nga Panariti, ku ndodhej në atë kohë selia e Shtabit të Përgjithshëm të LANÇ-it.
Pasi përshkova rrugën e gjatë edhe nëpër zona të rrezikshme nga Panariti deri në Shqipërinë e Mesme, pikërisht në fshatin Rasë, rrëzë lumit Shkumbin, diku në afërsi të Cërrikut, sipas rekomandimeve të sakta të Mustafa Gjinishit, kalova pa probleme lumin Shkumbin në vah, me një trap që e drejtonte një njeriu ynë i Luftës, por në të njëjtën kohë, ruhej po aq mirë edhe nga ballistët e gjermanët, në krahun tjetër. Në Garunjën e Vogël gjeta një tjetër person të besuar, po të Mustafa Gjinishit, i cili më shoqëroi për në Pezë. Prej andej, i shoqëruar nga një korrier tjetër, u nisa natën për në Tiranë. Më duhej të vija në bazën e sigurt të LANÇ-it, që ishte shtëpia e shokut tonë besnik Zeqi Agollit, bazë shumë e rëndësishme e Luftës.
Në shtëpinë e Zeqi Agollit, më priste prej ditësh Alqi Kondi. Ai ishte caktuar të vinte me mua, si anëtar i delegacionit për në Jugosllavi. Mësova se ato ditë Alqi, ishte caktuar me detyrën e përgjegjësit të rinisë në Brigadën e Dytë Sulmuese, e cila komandohej nga Beqir Balluku dhe komisari Vasil Konomi, dy shokë drejtues me shumë përvojë. Pasi u shplodha mirë, se isha dërmuar nga rruga e gjatë dhe, pasi biseduam kokë më kokë me Alqin, për detyrën e vështirë që na kishin ngarkuar, ishim gati për një rrugë edhe më të gjatë, krejtësisht të panjohur e të rrezikshme. Udhëzimi nga shokët kryesorë të udhëheqjes ishte, ruajtja absolute e fshehtësisë së misionit.
Kështu, me një autoambulancë të xhandarmërisë të Tiranës, që na kishte përgatitur Xhaferr Spahiu, të cilën e drejtonte një nënoficer, shoferi i komandantit të Xhandarmërisë së Tiranës, u nisëm të dy me Alqin, pa hasur rrugës asnjë problem dhe mbërritëm në Shkodër. Prej andej shkuam në Reç, ku na priste miku ynë i shkëlqyer Çun Jonuzi, një shok i ngushtë i Vasil Shantos, Tuk Jakovës, Sadik Bekteshit dhe Zija Dibrës. Çun Jonuzi na shoqëroi drejt buzës së liqenit të Shkodrës, në një vend të përgatitur e të maskuar mirë, ku bëheshin shpesh kalimet klandestine të shokëve tanë të LANÇ-it, për në atë anë të kufirit, pra për në Jugosllavi. Aty hipëm në një varkë druri tip “gjemi” dhe pas një kujdesi të madh, kaluam në Mal të Zi.
Përtej kufirit shqiptar, kur shkuat në Malin e Zi me kë u takuat?
Duhet thënë që në fillim se ky mision kaq i rëndësishëm, ishte organizuar në mënyrë të përsosur. Andej kufirit na prisnin korrierët, që do të na shoqëronin për në vendin e caktuar. Prej andej, korrierët malazez na shoqëruan për në manastirin e njohur të Moraçës, që ishte baza më e rëndësishme e Luftës Antifashiste në atë rajon, ku u takuam me komandantin e Brigadës 9-të Sulmuese partizane të Malit të Zi, me komandant Vojo Todoroviçin, të cilin e njihja qysh në Konferencën e Parë të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare, në Labinot. Këtu, në këtë manastir, ishte dhe qendra e Shtabit të Korparmatës së Dytë partizane jugosllave, me komandant gjeneralin trim e me përvojë, Peko Dapçeviç, i cili ishte një luftëtar i shkëlqyer internacionalist i Luftës së Spanjës dhe mik i ngushtë i Arso Jovanoviçit, i cili më pas pati një fund tragjik dhe me mjaft pasoja për të gjithë bashkëluftëtarët e tij.
Në Shtabin e Korparmatës së Dytë, midis të tjerëve, takova edhe Bllazho Jovanoviçin, të cilin gjithashtu e njihja qysh nga Konferenca e Parë e Vendit të PKSh-së, në marsin e vitit 1943, në Labinot të Elbasanit. Atij personalisht, sipas udhëzimit që kisha marrë nga Udhëheqja e LANÇ-it të Shqipërisë, i dorëzova letrat në gjuhën serbo-kroate, që më kishte dhënë Miladin Popoviçi për Titon. Pra, dua të theksoj: a e shikoni se me sa kujdes ishte përgatitur ky mision kaq i rëndësishëm? Pikërisht këtu, në shtabin e kësaj Korparmate Jugosllave, unë dhe Alqi, dy kuadro të rinj shqiptarë, takuam për herë të parë edhe një major sovjetik, që më duket se e quanin Nikollajev, i cili përfaqësonte grupin e gjeneral-majorit sovjetik, Nikollaj Vasiljeviç Kornjejev, që ishte i dërguari i Krye-komandës Supreme Sovjetike, pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave.
Majori Nikollajev, që takuam në manastirin e Moraçës, ishte i dërguari i gjeneralit N.V. Kornjejev dhe i Ushtrisë së Kuqe në Malin e Zi. Ai e njoftoi menjëherë shefin e tij epror, gjeneralin Kornjejev, i cili ndodhej aktualisht pranë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave të Titos, i cili ishte instaluar pak kohë më parë në ishull, pikërisht më 3-4 qershor 1944, pas largimit të suksesshëm me një aeroplan sovjetik për në Bari të Italisë, mandej me anije të aleatëve, u transportua në ishullin Vis. Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Jugosllave, pas thyerjes me sukses së një aksioni shumë të rrezikshëm të desantëve parashutistë gjermanë, të cilët për pak sa nuk e kishin zënë rob Titon, me gjithë Kryesinë e Luftës.
Gjeneral majori sovjetik Kornjejev, lajmëroi menjëherë Krye-komandën Supreme të Ushtrisë së Kuqe në Moskës. Pra, majorit Nikollajev, të parin oficer sovjetik që takuam, i thashë pse kishim ardhur nga Shqipëria dhe i paraqita kërkesën zyrtare të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Partizane Shqiptare, për të dërguar sa më parë në Shqipëri një mision ushtarak sovjetik. Kërkesën tonë për misionin ushtarak, kishim vendosur që t’ja bëja të njohur të parit ushtarak madhor sovjetik që do të takoja, sepse gjithsesi ishte kohë lufte dhe gjithçka mund të ndodhte me jetën tonë. Majori Nikollajev, një burrë me përvojë profesionale e luftarake, me korrektesë absolute, më siguroi se do ta lajmëronte shefin e tij sa më parë që të ishte e mundur, për kërkesën që i kisha parashtruar. “Sepse, një kërkesë e tillë, – më tha majori Nikollajev, – me sa di unë, është parashtruar nga ana e Komandës suaj për herë të parë dhe kjo ka rëndësi të veçantë”.
Dua të theksoj, se edhe misioni ushtarak sovjetik me në krye gjeneral majorin Nikollaj Vasilijeviç Kornjejev dhe një grup i madh kolonelësh, kishte mbërritur pranë Titos, më 23 shkurt të vitit 1944, domethënë në ditën e festës së Ushtrisë së Kuqe, pikërisht në atë kohë, kur unë dhe Alqi Kondi, u nisëm për në Jugosllavi. Mos ishte vallë ky mision një kombinim i Shtabeve Madhore ndërluftuese? Zor ta thuash, po zor edhe ta kundërshtosh. Pikërisht në Malin e Zi, përfundoi dhe faza e parë e detyrës sonë luftarake, por gjithsesi jo i gjithë misioni.
Më tej si u zhvilluan ngjarjet. Mareshallin Josif Broz Tito, a e takuat në selinë e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave, që ndodhej në ishullin Vis?
Pas kësaj, me një avion ushtarak transporti, që e drejtonte një ekuipazh sovjetik, shkuam të shoqëruar nga autoritetet jugosllave në Bari të Italisë, i cili ato ditë ishte çliruar nga forcat e armatosura aleate anglo-amerikane. Pasi qëndruam në Bari pak kohë, u nisëm me vapor për në ishullin Vis. Përshkuam gjithë detin Adriatik, nga jugu në veri dhe mbërritëm në ishullin Vis, ku ndodhej rezidenca e Kuartierit të Përgjithshëm Ushtarak të Titos. J.B.Titos, jo shumë kohë më parë, i ishte akorduar grada e lartë ushtarake “Mareshall” nga Kryesia ushtarako-politike e Luftës Antifashiste Çlirimtare të Jugosllavisë. Nga sa ishim të informuar më parë, kryesia e LAÇ-it të Jugosllavisë, përbëhej nga: J.B. Tito, Eduard Kardeli, Aleksandër Rankoviçi, Vladimir Bakariçi, Ivan Milutinoviçi, Svetozar Vukmanoviç Tempo dhe Milovan Gjilasi.
Në kohën që vajtëm ne me Alqin, kjo kryesi ndodhej e gjitha në ishullin Vis dhe drejtonte luftën çlirimtare të popujve të Jugosllavisë. Dua të theksoj se S.V. Tempon, unë e kisha takuar në Kucakë e Vithkuq, kur ai erdhi në Shqipëri me detyra të posaçme e për bisedime me PKSh-së e për të cilin jam shprehur më lart. Selia e Shtabit të Përgjithshëm jugosllav, ishte vendosur enkas në disa guva shkëmbore malore, tip tunel, në shpatin e një mali graniti, por J.B. Tito punonte në ambiente sipërfaqësore. Në ishull ishte vendosur edhe misioni ushtarak sovjetik, me në krye gjeneral-majorin N.V. Kornjejev, si dhe përfaqësuesit e forcave të armatosura angleze dhe përfaqësues të vendeve të tjera si Greqia, Çekosllovakia, fronti antifashist bullgar, etj. Në këtë ishull të madh, ishin dislokuar njësi të konsiderueshme të Flotës Luftarake Detare dhe Aviacioni Jugosllav dhe ai anglez, si dhe një Divizion i Ushtrisë Jugosllave, i 26-i, më duket, dhe një brigadë tankiste.
Pikërisht këtu, në Shtabin Madhor të J.B. Titos, unë dhe Alqi Kondi ishim të parët partizanë shqiptarë, kuadro të larta të luftës, që kemi takuar zyrtarisht Mareshallin Tito dhe gjeneral majorin sovjetik Kornjejev, i cili çalonte pak, sepse kishte humbur shputën e njërës këmbë, në luftimet e Betejës së Stalingradit. Pas pak kohe, ne zhvilluam bisedime zyrtare të rregullta me ta. Bisedimet u zhvilluan shumë konstruktive dhe të qeta në gjuhën frënge. Mbaj mend, përkthyesja, një grua bionde shumë serioze e fliste këtë gjuhë shumë bukur dhe me elegancë të përsosur. Edhe me gjeneral-majorin Nikollaj Vasiljeviç Kornjejev po ajo grua na përktheu. Pas bisedimeve me delegacionin tonë, të cilat u zhvilluan në një frymë shumë të ngrohtë dhe vëllazërore, pavarësisht nga diferenca e moshës, Marreshalli Tito shtroi për nderin tonë një drekë të këndshme, ku ne me Alqin, që ishim më të rinj se djali i madh i Titos, vumë re se ai ishte shumë i sjellshëm në bisedë dhe kishte një humor të këndshëm. Buzagazi i tij e sidomos e qeshura e tij e natyrshme, ishin shumë përshtypjelënëse.
Cilat ishin impresionet tuaja të para për këtë takim të veçantë historik me Mareshallin J.B. Tito?
Pas një udhëtimi të gjatë vertikal, nga Panariti në Malin e Zi dhe nga Bari në jug të detit Adriatik, drejt veriut të tij, mbërritëm në ishullin Vis. Ishulli ndodhet përballë brigjeve Sllovene të detit Adriatik, thuajse fare afër me qytetin e Triestes. Në këtë ishull, tashmë ndodhej Shtabi i Përgjithshëm Jugosllav i Luftës, pas gjithë atyre peripecive që kishte kaluar nga sulmi diversionist i parashutistëve gjermanëve të specializuar enkas për operacione të tilla. Aty kishte një port të madh detar, ku ishte vendosur edhe një njësi e Flotës Luftarake Jugosllave dhe njësi detare të Forcave Aleate. Aerodromi i ishullit ziente nga fluturimet e Aviacionit Luftarak dhe atij të transportit. Shtabi Jugosllav ishte vendosur këtu i sigurt, pasi i shpëtoi për mrekulli atij operacioni gjerman të desantit diversionist ajror, që kishte si qëllim asgjësimin e tij ose kapjen rob të Marreshallit Tito.
Ky operacion ishte koduar me emër të çuditshëm “Kërcimi i Kalit” dhe ishte përgatitur me shumë kujdes, por gjithsesi, për fat të mirë, dështoi. Pjesëtarë të këtij operacioni special, na shpjegoi Mareshalli Tito në takimin tonë, ishin oficerë të shkarkuar nga detyrat e tyre për arsye penale nga më të ndryshmet dhe, në rast suksesi, iu ishte premtuar kthimi i gradave. Takimi me J.B. Titon ishte jashtëzakonisht mbresëlënës. Tito ishte atëherë rreth 52-53 vjeç, kurse unë vetëm 23 vjeç, ndërsa Alqi akoma edhe më i ri, vetëm 19 vjeç. Titon e takuam në Kuartierin e tij. Atje strehohej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Jugosllave. Me rastin e mbërritjes sonë, mbaj mend që Mareshalli na informoi me imtësi se në atë periudhë të vitit 1944, ushtria jugosllave, numëronte 11 Korpuse me 37 Divizione, 28 Brigada autonome proletare dhe 86 aradha (çeta apo reparte partizane).
Pas kësaj ekspozeje të hollësishme, do të thoja, Mareshalli, siç thashë më lart, shtroi për ne një drekë të këndshme dhe dukej sheshit se ishte shumë i gëzuar edhe për arsyen se ato ditë në ishullin Vis, kishte ardhur edhe djali i tij i madh. Titua ishte njeri serioz, por i këndshëm në bisedë. Ai na tregoi plot humor e dashamirësi se ai, Eduard Kardeli, Ivan Milotinoviçi, Can Baboviçi, Mosha Pijade e të tjerë anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, shpëtuan për mrekulli nga sulmi i befasishëm i desantit ajror gjerman, i cili ishte i specializuar enkas për të tilla veprime diversioniste. “As njëri nga shokët nuk pësoi gjë, megjithëse shumë partizanë dhanë jetën. Vetëm unë u plagosa në dorë nga Shtabi ynë”, - na tha Tito. / Memorie.al
Komente
