Dëshmia e ish-policit Sokrat Biti, në hetuesi: Gjatë rrugës për në Rrogozhinë, Xhevdet Mustafa, më tha për Enverin dhe Mehmet Shehun…

27 Shtator 2023, 08:22| Përditesimi: 27 Shtator 2023, 08:27

  • Share

Deri në ditën kur në Divjakë zbarkoi grupi i Xhevdet Mustafës, polici i plazhit, Sokrat Biti, kishte kaluar një jetë të qetë. Madje të këndshme, krahasuar me atë të bashkëmoshatarëve të tjerë, të cilëve u binte bretku arave të kooperativës bujqësore. I ati, një peshkatar i vjetër, ia kishte dalë mbanë, për shkak të profesionit, të kishte miq të fortë, madje kreun e listës, e zinte dora vetë, Kadri Hazbiu, njeri i besuar i pushtetit dhe ministër me potencë në atë kohë. Për këto arsye, e kishte pasur të lehtë të futej në radhët e policisë, edhe pse pa arsimin e lartë përkatës. Kështu që, për Sokrat Bitin 25-vjeçar, edhe dita e zezë e 25 shtatorit të vitit 1982, kishte nisur me pamje të mbarë, si gjithë të tjerat. Xhiro në det me skaf për të survejuar plazhistët, tamam në rolin e një baywatch-i dhe më tej në dispozicion të zv/shefit të Policisë së Lushnjës, Remzi Brixhit, të cilit i ishte futur keqas krimbi i peshkimit.

“Kisha frikë se më vrisnin, prandaj nuk bëra përpjekje të lajmëroja”. Sokrat Biti, polici që u mor peng nga Xhevdet Mustafa, më 25 shtator 1982 në Divjakë, pas shkatërrimit të grupit, vrasjes së dy prej anëtarëve dhe arrestimit të të tretit, i marrë si i pandehur për shpërdorim detyre, e ka ndier veten si krye protagonist të një teatri absurd, në zyrat e hetuesisë së Tiranës. Sepse sipas logjikës së kohës, ai duhet të ishte përleshur me njerëzit e armatosur deri në dhëmbë, edhe pse i paarmatosur, edhe pse i veshur me rroba plazhi, edhe pse një njeri, një zv/shef policie, kishte dhënë shpirt në këmbët e tij, i qëlluar nga grupi, edhe pse ai më i rrezikshmi prej tyre, e mbante në shënjestër dhe i kishte bërë të qartë se e priste vdekja, nëse bënte një shenjë sado të vogël mosbindjeje!

Pra, sipas rregullave që transmetoheshin në ato kohëra në popull, një qytetar, për më tepër një pjesëtar i forcave të policisë, duhej në çdo kohë, të vinte interesin e përgjithshëm mbi atë personal. Kështu, polici i marrë peng nga grupi i Xhevdet Mustafës, sipas kësaj logjike, të paktën kur ata mbërritën në Rrogozhinë, kur u gjenden mes njerëzve, apo edhe në afërsi të një polici rrugor, duhet të kishte lajmëruar për praninë e grupit të armatosur, apo bandës, siç epitetohej në atë kohë. Një veprim që sigurisht do i kushtonte jetën. Por polici “i varfër”, kishte qenë aq shumë i frikësuar, saqë në asnjë rast në mendjen e tij, qoftë ideologjia komuniste e kohës, qoftë aventurizmi, nuk kishin arritur të mposhtnin ndjenjat që tentojnë të ruajnë jetën.

Gjithsesi hetuesia bën punën e saj, që lexohet e qartë edhe përmes përmbajtjes së dokumenteve që po botojmë. Polici Sokrat Biti, që u mor peng nga Xhevdet Mustafa, në fillim nuk e pranon akuzën që i bëhet, por pas disa ditësh ndryshon mendje. Banda e Xhevdet Mustafës kishte për qëllim të shkonte në Tiranë për të vrarë Enver Hoxhën dhe ai, polici i parëndësishëm i një skaji të Republikës, e kishte ndihmuar atë duke i treguar rrugën deri në stacionin e trenit të Rrogozhinës. Kaq mjafton që polici i terrorizuar të pranojë dhe të deklarojë saktësisht: “…e kuptoj që si punonjës i organeve të Punëve të Brendshme duhet të isha përleshur me ta, duke sakrifikuar edhe jetën time… e pranoj se kam vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullit të detyrës, jo vetëm si shtetas, por më tepër si polic…”

Natyrisht që kërkesa e asaj kohe për një konceptim të tillë dhe më tej për një qëndrim i tillë, nuk mund të kuptohet nga ata që nuk kanë jetuar në kohën e, apo nuk kanë pasur rastin të njihen me rregullat e komunizmit. Pasi, ardhur në kohërat aktuale, pothuaj në gjithë botën e qytetëruar, një pengu nuk i kërkohet në asnjë rast të bëjë heroizma që mund t’i kushtojnë jetën.

Në transkriptin e dokumenteve autentike që po botojmë ka edhe detaje të tjera që bëhen për herë të parë publike, si për shembull fakti se Xhevdet Mustafa kishte informacion të saktë për sëmundjen e Enver Hoxhës e të tjera. Informacione që në ato kohëra nuk i kishte pothuaj i gjithë populli që jetonte mes kufijve të së quajturës Republika Popullore Socialiste e Shqipërisë.

Dokumenti arkivor me proces-verbalin e marrjes në pyetje të policit Sokrat Biti, nga Dilaver Bengasi, në hetuesinë e Tiranës

Proces-verbal

Tiranë, më 1.10.1982

Unë, Dilaver Bengasi, mora në pyetje si të pandehur Sokrat M. Biti, i datëlindjes 1957, me arsim të mesëm, me detyrë polic i DBB (Degës së Punëve të Brendshme) Lushnjë, beqar, i padënuar, lindur e banues në Divjakë të Lushnjës.

Pyetje: I pandehuri Sokrat Biti akuzohesh për shpërdorim të detyrës, duke sjellë për pasojë vrasjen e disa personave nga ana e bandës së armatosur; krijimin e kushteve të saj, për të kaluar deri në Rrogozhinë dhe për të mbërritur në Tiranë, për të kryer akte terroriste kundër Udhëheqjes së Partisë dhe të shtetit, duke cenuar kështu interesat e larta të mbrojtjes së atdheut, të mbrojtjes së interesave të tua personale. Fol rreth akuzës.

Përgjigje: Nuk e pranoj akuzën që më bëhet. Në lidhje me të kam për të thënë: Kur unë isha me Remzi Brixhin, zv/shefin e Policisë së Lushnjës, duke peshkuar në kanalin e Dajlanit, gjatë kohës që po prisnim shokët tanë, Sazan Guri dhe punëtorin e policisë Engjëll Agalliun, ata u vonuan, pasi zbritën në breg dhe për këtë edhe neve u afruam në breg dhe zbritëm. Në thellësi pamë dy veta dhe një rreth 100 metër mbas tyre, që po vinin drejt nesh dhe dy të parët na e bënë me dorë.

Neve zbritëm dhe kur iu afruam njëri-tjetrit, njëri prej tyre tha të dorëzoheshim dhe nxori automatikun para. Remziu futi dorën në brez, për të nxjerrë pistoletën, por ai më i riu, papritur shtiu me breshëri automatiku pa zë dhe Remziu ra i vdekur përtokë. Unë menjëherë u ula në gjunjë, duke vënë duart në kokë dhe thashë: “Aman mos më vrisni, se unë fshatar punëtor jam”, dhe ai më i riu tha: “Hip në barkë dhe na nxirr nga ky vend, në drejtim të atij hoteli”, në fakt ishte kampi i punëtorëve.

Pyetje: Po ti i pandehur, si polic që je, përse nuk u përgatite të shtije me pistoletë, kundër personave që vranë Remzi Brixhin?

Përgjigje: Unë në të vërtetë isha në shërbim për ruajtjen e rendit nga veprimtaria armiqësore dhe keqbërës në plazhin e Divjakës dhe aty e kisha vendin e shërbimit. Si rregull, unë gjatë detyrës, duhet të rri i veshur me rrobat e policit dhe me pistoletën në brez, por në rastin konkret, meqenëse zv/shefi i policisë, Remziu, më tha të merrnin barkën dhe të shkonim në Dajlan, pa më thënë qëllimin, unë pranova të shkoja me atë dhe dy të tjerët.

Kur vajtëm në Dajlan, shkuam në restorant, ku hëngrëm drekë, po për të pirë nuk pimë dhe më vonë edhe peshkuam. Meqenëse vendosa për të shkuar në Dajlan, unë u zhvesha nga rrobat ushtarake që kisha, duke i lënë në dhomën time, së bashku me pistoletën dhe kështu, kur unë u ndodha para personave që vranë Remziun, nuk kisha pistoletë, për ta përdorur kundër tyre. Unë për detyrë kisha ruajtjen e rendit me uniformë ushtarake dhe i armatosur, por meqenëse zv/shefi i Policisë, më tha të shkoja me të në Dajlan, u zhvesha duke lënë edhe pistoletën, me qëllim që të ndihmoja edhe varkëtarin Sazan Zeka.

Pyetje: Përse pranove të nxjerrësh nga vendi i panjohur për kriminelët, të tre ata persona dhe u tregove rrugën?

Përgjigje: Unë e mora me mend se ata ishin diversantë dhe pranova t’i kaloj në vendin ku deshën ata, sepse ai më i riu më tha: “Do të të vras po nuk na kalove dhe po nuk na tregove rrugën”. Unë u detyrova t’i nxjerr prej andej.

Pyetje: Kur i nxore pranë kampit të punëtorëve, si të thanë dhe çfarë veprimesh bëre ti i pandehur?

Përgjigje: Kur i nxora me varkë pranë kampit të punëtorëve, ata më thanë t’u tregoja rrugën dhe t’i nxirrja në rrugën automobilistike në drejtimet Durrës-Tiranë dhe Fier-Vlorë. Unë i nxora nëpërmjet pyllit dhe ata gjatë rrugës, më thoshin se do të më vrisnin po t’i ngatërroja në rrugë. Unë, i detyruar, u tregova rrugën deri në njëfarë vendi, ku u ulëm për të ndërruar rrobat. Atje, ai i riu që më kanoste gjithmonë për vrasje, mbasi i tha të ndalonte një djali me biçikletë që kaloi aty pranë dhe ai nuk ndaloi, ai e kapi për biçiklete dhe unë dëgjova tri të shtëna të pistoletës dhe ai e vrau.

Kjo ndodhi në orën 18:00 të datës 25.9.1982 dhe në datën 26.9.1982, kur shkova me shokët e policisë për t’iu treguar rrugën e kalimit, unë e gjeta të vrarin që ishte Vlash Përboti. Pra, deri në orën 18:00, kur u vra edhe Vlash Përboti, kriminelët kishin vrarë tre punonjës të D.P.B. (Degës së Punëve të Brendshme) Lushnjë, të quajtur Remzi Brixhi, Engjëll Agalliu dhe Sazan Zeka, ku dy të fundit i kishin vrarë para se të vrisnin Remziun dhe këtë e kuptova, sepse njëri prej tyre, mbante në dorë kapelën e Engjëllit (ushtarake) dhe kur vranë edhe Remziun, i morën edhe atij kapelën. Engjëllit i kishin marrë edhe çantën e policisë me vete, që unë e njoha si të tijën. Mbas vrasjes së këtyre të treve, vranë edhe Vlash Përbotin, në praninë time.

Pyetje: Ti i pandehur po shikoje me sytë e tu, që banda e kriminelëve gjatë rrugës, po vazhdonte qëllimet e saj terroriste, përse nuk ndërhyje dhe të përlesheshe me ta, për të mbrojtur interesat e shtetit?

Përgjigje: është e vërtetë që ata po vazhdonin veprimet terroriste gjatë rrugës, por meqenëse mua më kërcënonin për vrasje, unë nuk mund të përleshesha me ta, se ata do më vrisnin.

Pyetje: Pasi vranë edhe Vlash Përbotin, çfarë të thanë i pandehur dhe ku kërkoje t’i çoje?

Përgjigje: Pasi vranë Vlashin, më thanë t’i çoja në rrugën automobilistike dhe pasi i çova andej, më thanë t’i çoja në drejtim të Rrogozhinës, sepse më thanë se do të shkonin në Tiranë. Gjatë rrugës, më thoshte ai më i riu: “Kalo përpara, se kemi ardhur për të shpëtuar popullin, që po e bëjnë që të vuajë”. Po kështu më pyeste, ai më i riu: “Si është udhëheqësi kryesor, a është i sëmurë? Mehmet Shehun, e vranë vetë këta të Udhëheqjes dhe jo sikurse thonë në gazetë, se vrau veten, djali i tij helmoi veten, se nuk mund të jetonte me ato që do t’i bënin këta të Partisë, edhe djali që është në burg, ka varur veten”. Po ashtu më pyeti, nëse e njihja ambientin në Tiranë.

Unë i përgjigjesha se nuk e njoh Tiranën dhe ai më tha se e njeh mirë si shoku im, duke e pasur fjalën për njërin nga ata që u vra. Mbasi pushuam derisa u gdhi, u nisëm drejt Rrogozhinës, ku mbërritëm rreth orës 06:00 – 06:30 të mëngjesit dhe pasi ndenjëm pak tek agjencia, më mori mua ai më i riu, për të shkuar te stacioni i trenit, ku ata do të shkonin me tren për në Tiranë. Sipas tyre, kishin një punë atje. Më tha ai më i riu, sapo mbërritëm te stacioni, se po lëvize, do të vras dhe do të marrësh në qafë edhe këta të tjerët që s’kanë faj, por mos më harxho plumbat, se më duhen për tjetër vend, për t’i përdorur. Unë iu binda dhe nuk lëvizja.

Pyetje: Ti i pandehur, kur hyre në Rrogozhinë, the se kishe përreth njerëz dhe një polic shërbimi. Përse ti i pandehur, nuk bërtite me zë të lartë dhe të informoje njerëzit dhe policinë, se ai që po të shoqëronte, ishte pjesëtar i një bande kriminale diversante dhe kishte edhe dy të tjerë pranë? Përse nuk u përleshe me kriminelin që të shoqëronte, me qëllim që të vihej ai dhe shokët e tij në ndjekje, që pa hyrë në stacionin e Rrogozhinës, dhe në këtë mënyrë, do të kishe parandaluar edhe ato pasoja të mëvonshme kriminale që erdhën më vonë nga pjesëtarët e bandës? A e kishe ti për detyrë si atdhetar, qytetar dhe për më tepër si polic që ishe, të bëje një veprim të tillë, në mbrojtje të interesave të atdheut dhe Partisë?

Përgjigje: Unë, të gjitha këto pyetje që mu bënë, e kuptoj që mund t’i kryeja dhe duhet t’i kryeja, duke lajmëruar me zë të lartë për bandën e kriminelëve, ose duke u përleshur me atë që më shoqëronte, me qëllim që ata të viheshin në ndjekje dhe të parandaloheshin pasojat e mëvonshme, por nga frika, se më vriste dhe duke menduar se do të gjeja një kohë më të përshtatshme për të sinjalizuar, ose për të vepruar, unë nuk e bëra një gjë të tilla. Unë si qytetar dhe për më tepër si polic, kisha për detyrë ta bëja një përleshje të tillë edhe tani në Rrogozhinë, por mendova të veproja më vonë.

Pyetje: Pasi shkove në stacionin e trenit, me cilin ndenje pranë dhe përse nuk u përleshe aty me diversantët, me qëllim që të parandaloje hipjen e tyre në tren dhe shkuarjen në Tiranë, ku do të kryenin veprime të tjera terroriste, por ndenje indiferent dhe gjithçka po ia lije rastit?

Përgjigje: Ishte e vërtetë që unë edhe në stacionin e trenit, nuk u përlesha me diversantin që më shoqëronte, se dy të tjerët rrinin larg neve të dyve, sepse ai gjithmonë më kërcënonte për vrasje. Unë mendova që kur të hipnim në tren, mbase më jepej rasti, të njoftoja policët e trenit.

Pyetje: Si rezultat i moskryerjes së veprimeve të detyrueshme për detyrën tënde si qytetar dhe për më tepër si polic, banda e kriminelëve, nuk u arrit të zbulohet dhe të kapen të gjallë, por pasojat kriminale nga ana e tyre, erdhën duke u shtuar, ku krimineli Xhevdet Mustafa, vrau edhe dy persona të tjerë dhe plagosi një tjetër, duke sjellë edhe shqetësime te popullsia e zonës ku ai veproi. Nëse ti i pandehur do të kishe kundërvepruar ndaj atij në kohën e duhur, do të ishin parandaluar disa nga pasojat, ata do të ishin vënë në ndjekje në kushte më të përshtatshme dhe rezultatet do të mund të ishin më të favorshme në kapjen, ose asgjësimin e bandës kriminale. A e kupton se ke vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, si punonjës i organeve të Punëve të Brendshme, duke vënë interesin personal, mbi ato të atdheut?

Përgjigje: Eshtë e vërtetë që unë nuk kam vepruar më përpara, por ata do të më vrisnin mua dhe ndoshta do të vrisnin më shumë njerëz, prandaj unë nuk veprova.

Thëniet e sipërme, pasi i lexova i firmos si të vërteta

I pandehuri Sokrat Biti (firma)   Hetuesi Dilaver Bengasi

Sokrat Biti “Unë mbaja çantën me armë”!

Në këtë pyetësor, zbardhet për herë të parë fakti se Xhevdet Mustafa, veç të vërtetave, nxirrte nga goja edhe të pavërteta, apo disinformacione, sipas të cilave një pjesë e grupit të tyre, kishte shkuar në Vlorë dhe nga këtej duhet të shkonte në Tiranë. Ky detaj, zbardhet në një tjetër seancë pyetjesh, ndaj policit Sokrat Biti në hetuesi.

Proces-verbal (i pyetjes së të pandehurit)                        
Tiranë dt. 28.10.1982.

Unë Dilaver Bengasi, hetues i DPB Tiranë, mora në pyetje të pandehurin Sokrat Biti, i cili pasi u pyet deponoi:

Pyetje: Fol i pandehur, me çfarë materialesh ishte pajisur grupi i personave që ti shoqërove, nga Divjaka deri në Rrogozhinë?

Përgjigje: Grupi i personave që unë shoqërova nga Divjaka deri në Rrogozhinë, ishin të pajisur me një çantë të madhe ushtarake plot me materiale, të cilat nuk i pashë se çfarë ishin, por ishte e rëndë. Në duar të gjithë mbanin nga një automatik. Me automatik njëri prej tyre vrau në praninë time zv/shefin e policisë, Remzi Brixhin dhe më vonë po ai, vrau Vlash Përbotin.

Sikurse kam shpjeguar, ata më thanë se kishin ardhur nga jashtë shtetit dhe një pjesë e tyre kishin vajtur në Vlorë dhe kërkonin të vinin në Tiranë. Për të ardhur në Tiranë, ata më thanë mua që t’iu tregoja rrugën dhe unë nga frika se mos më vrisnin, sikurse më thoshte ai më i riu, u tregova rrugën deri te stacioni i trenit në Rrogozhinë, ku ata donin t’i hipnin trenit për në Tiranë. Unë, megjithëse doja të njoftoja për ata, por nuk mundja se njëri prej tyre, më mbante nën kontroll dhe në kanosje për të më vrarë, nëse lëvizja ose bëja ndonjë veprim. Unë mendoja që kur të më jepej rasti të njoftoja, por derisa sa ata u kuptuan nga vetë policia dhe populli në Rrogozhinë, nuk e pata një mundësi të tillë.

Pyetje: A e kuptove ti i pandehur, se ata ishin një bandë diversante dhe kishin qëllime armiqësore kundër vendit tonë?

Përgjigje: Sikurse kam shpjeguar, unë e kuptova nga vetë veprimet e tyre terroriste se ata ishin një bandë diversantësh dhe me qëllime armiqësore terroriste kundër vendit tonë, që në të vërtetë edhe më thanë se kishin ardhur nga jashtë edhe ishin të armatosur, edhe vrisnin në praninë time shtetas shqiptarë, sikurse kam shpjeguar. Po ashtu, ata më thanë se do të vinin në Tiranë dhe kuptova se kishin qëllime armiqësore, por nuk mu krijua mundësia për të sinjalizuar, megjithëse në Rrogozhinë, mund ta bëja një gjë të tillë, por kisha frikë se më vrisnin.

Pyetje: Të paraqitën fotografitë e armëve të bandës armiqësore, automatikët, fishekët e gjetur, dy kapelet e Engjëll Agalliut dhe Remzi Brixhit, çanta etj? Na thuaj nëse i ke parë këto atë ditë që ke shoqëruar bandën?

Përgjigje: Unë të gjitha i kam parë këto atë ditë, kur shoqërova bandën, kapelet e dy shokëve të mi ata i morën deri në një farë rruge më vete, duke mbajtur edhe çantën, e cila është e Engjëll Agalliut dhe unë kuptova se atë e kishin vrarë me Sazan Zekën, sikurse vranë edhe Remziun në sytë e mi. Automatikët janë ata që ata kishin në dorë dhe para se të hynim në Rrogozhinë, ata i çmontuan dhe i futën në çantën që mbaja unë.

Proces-verbalin, pasi e lexova, e firmos me firmën time.

I pandehuri Sokrat Biti                                                       Hetuesi Dilaver Bengasi

Ish-polici Sokrat Biti: “E pranoj akuzën”!

Në këtë pjesë të pyetësorit, që ka të ngjarë të jetë seanca e fundit para gjyqit, polici Sokrat Biti pranon se nuk ka reaguar si punonjës policie apo edhe qytetar i devotshëm ndaj veprimeve të bandës së diversantëve. Ai thotë se “do të kishte qenë më e ndershme të ishte përleshur me ta për të krijuar mundësi që ata të viheshin në ndjekje edhe sikur të më vrisnin”.

Proces-verbal (I pyetjes së të pandehurit)

Tiranë dt. 29.10.1982

Unë Dilaver Bengasi, hetues i BPB Tiranë mora në pyetje të pandehurin Sokrat Biti, i cili deponoi:

Pyetje: I pandehuri Sokrat Biti, të paraqitën kufomat e Sazan Zekës, Engjëll Agalliut dhe Remzi Brixhit si dhe Vlash Përbotit; na shpjego nëse i njeh ata dhe në çfarë rrethanash janë vrarë

Përgjigje: Të gjitha kufomat e tyre i njoh, sepse të gjithë i kam pasur shokë pune, punonjës të D.P.B. Lushnjë dhe Vlashin, nusja e xhaxhait, e ka djalë motre. Vlashin nuk e njoha kur e vranë, por kur vajta ditën e dytë dhe u tregova vendin shokëve të Degës, e njoha që ishte ai; po ashtu kur vranë Sazan Zekën dhe Engjëll Agalliun, nuk i pashë, por e kuptova që i kishin vrarë, kur ata vranë në sytë e mi Remzi Brixhin dhe mbanin kapelen e policisë dhe çantën e Engjëllit në dorë.

Pyetje: Përfundimisht i pandehur, akuzohesh për krimin e shpërdorimit të detyrës, parashikuar nga neni 106 i Kodit Penal, ku si pasojë konkrete, banda e diversantëve ka vrarë disa persona, ka plagosur disa të tjerë dhe i janë krijuar mundësitë, për të kryer veprime të mprehta armiqësore kundër vendit tonë, në qytetin e Tiranës, ku ti po i shoqërojë për t’i sjellë. Fol nëse e pranon akuzën që të bëhet?

Përgjigje: Unë e pranoj akuzën që më bëhet. Për mua do të kishte qenë më e ndershme, të isha përleshur me ta dhe për të krijuar mundësi që ata të viheshin në ndjekje, edhe sikur të më vrisnin. Por sikurse kam shpjeguar, unë prisja të gjeja ndonjë mundësi të përshtatshme, pasi kisha frikë se do të më vrisnin dhe nuk do të fitoja asgjë. Unë edhe kur vranë Remziun, para syve të mi, nuk kisha pistoletë, pasi sikurse kam thënë, e kisha lënë së bashku me rrobat ushtarake në Divjakë, veprim që nuk duhet ta kisha bërë. E kuptoj që si punonjës i organeve të Punëve të Brendshme, duhet të isha përleshur me ta, duke sakrifikuar edhe jetën time dhe për këtë e kuptoj dhe e pranoj se kam vepruar në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës, jo vetëm si shtetas, por më tepër si polic i D.P.B. Lushnjë. Memorie.al

Proces-verbalin pasi e lexova, e firmos me firmën time.
I pandehuri Sokrat Biti       Hetuesi Dilaver Bengasi

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?