Dëshmia e ish-shefit të Shtabit të Ushtrisë: Hysni Kapo na thirri në Komitetin Qendror dhe na tha se me urdhër të Enverit duhet të dënonim Gjergj Titanin

13 Qershor 2023, 07:40| Përditesimi: 13 Qershor 2023, 07:46

  • Share

Nga Kujtim Boriçi

Historia e dënimit të ushtarakut të lartë, Gjergj Titani, në vitin 1974, cilësuar nga partia e Enver Hoxha si; “antiparti dhe bashkëpunëtor i agjenturave të huaja”, njeri që “për epshet seksuale, kishte nxjerrë sekretet shtetërore”, dënim që parapriu zbulimin e ndëshkimin e “Grupit puçist” të Beqir Ballukut, në këtë shkrim i jepet për lexuesin, nëpërmjet kujtimeve të ish-eprorit direkt, Veli Llakaj dhe dokumenteve të kohës. Starti i ndëshkimeve ekstreme për ushtarakët madhorë shqiptarë, edhe pse me aftësi profesionale të spikatura, me një karrierë të shpejtë për moshën që kishte (shef Shtabi Korpusi), viti 1974, për ushtarakun e njohur të karrierës, Gjergj Titani, do të shënonte pikënisjen e një kalvari të mundimshëm, që do të kishte si finish, vite të tëra burgu. Partia dhe Enver Hoxha, sipas dokumenteve të kohës, por edhe shënimeve të Veli Llakajt, kishte arritur në konkluzionin se; ushtaraku i lartë, Gjergj Titani, ishte “antiparti”, “spiun”, njeri që; “për epshe seksuale, kishte nxjerrë sekrete shtetërore”, e njëkohësisht ishte “agjent i disa shteteve të huaja”!

Sipas dokumenteve të kohës, është Hysni Kapo, ndihmësi më i afërt i Enver Hoxhës dhe personi që mbulonte Ushtrinë në Byronë Politike, që thërret Veli Llakajn, për të nisur analizën dhe ndëshkimin e “armikut” Titani. Përtej urdhrit të dhënë, personat që morën detyrën e ndëshkimit të “armikut“ Gjergj Tirani, ndër më kryesorët, Veli Llakaj, ish-eprori i tij direkt, vihen në siklet, përballë kërkesës së Enverit, për përjashtim nga partia, largim nga Ushtria dhe ndjekje penale. Jo vetëm për faktin e mosbindjes së plotë, për këto akuza (pasi nuk mundnin dhe t’i kundërshtonin ata që thoshte Partia e Enveri), por, se gjykonin që ndëshkimi, duhej të ishte më i vogël.

Po dikush tjetër vendoste! Kështu, ende pa u kryqëzuar plotësisht “armiku” Gjergj Titani, partia zbulon “Grupin puçist” në Ushtri, të kryesuar nga Beqir Balluku. Do të niste e vazhdonte kështu, ndëshkimi ekstrem, me pushkatime, burgosje e internime, për ushtarakët më të lartë të vendit.

Dëshmia e Veli Llakaj, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm

Në prill të vitit 1974, më thërrasin me urgjencë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, te Beqir Balluku, ku njëkohësisht ishte dhe Hito Çako. Nuk më tregojnë shkakun e thirrjes, po prej aty, shkojmë në Komitetin Qendror, te shoku Hysni Kapo. Pas bisedave të rastit, Hysni Kapo, më lexon një material të përgatitur në daktilografim, për shefin e Shtabit të Korpusit, Gjergj Titanin. Në atë material, që po na lexonte Hysniu, Gjergj Titani, cilësohej si; antiparti, njeri spiun dhe i rrezikshëm, ku mes të tjerave, thuhej se; “për epshe seksuale, kishte nxjerrë edhe sekrete ushtarake”. Akuzohej për; “marrëdhënie me disa agjentura të ndryshme, si ato italiane, çeke e ruse”!!!

M’u rrëqeth mishi, nga ato që po dëgjoja, pasi unë kisha kaq kohë që punoja me të, kisha marrëdhënie të mira pune, nuk kisha spikatur aq sa më thonin, e për më tepër, dhe nuk më besohej të ishte ashtu. Gjergji, ishte një kuadër i aftë, punëtorë, e mbi të gjitha, me prejardhje të shkëlqyera biografike! Ndaj, habiteshim, se si mund te ndodh kështu. Porosia nga lart ishte: “Do të shtrohet çështja në organizatën e partisë, por pa dalë në këto probleme, e ta merrnin vesh të gjithë kuadrot, pasi kjo dëmtonte zbulimin e mëtejshëm të këtyre takimeve, sipas detyrave që do të përdorin organet e specializuar”!

Sipas porosisë së Partisë, do t’i shtronim probleme të mangësive në punë dhe për këtë, duhet të përgatiteshim, pra të gjenim mangësitë në punë e, veçanërisht, në problemet e gatishmërisë. Hysniu na komunikoi: “Përfundimi i analizës, fillimisht të jetë përjashtim nga partia dhe ulje në detyrë”! Aty për aty, i them shokut Hysni Kapo, Beqirit e Hitos, se; gabimet në punë, do t’ia themi dhe do t’ia numërojmë një e për një, se helbete, ‘kali i kuq, e ka një huq’, por vetëm me këto mangësi, nuk mund të arrijmë ta përjashtojmë nga partia! M’u drejtuan mua: “Po ja, për mangësitë në stërvitje, apo në gatishmërinë e vend-komandave, sipas të dhënave që kemi ne, në atë apo këtë kohë, nuk paska përgjegjësi Gjergji”!

Po, u them; ka përgjegjësi, po në këto mangësi, kanë pjesën e tyre të gjithë komandat dhe shefat në Korpus e, në radhë të parë, unë si komandant e, komisari, që jemi në krye të kësaj pune. Hysniu menjëherë më thotë: “Duhet të kuptosh se, tani po analizojmë punën e atij, e jo tuajën dhe në këtë çështje, duhet të jeni shumë të kujdesshëm, për t’i dhënë secilit racionin e tij”.

I bindur vetë, por me shpresën se mund të ndikoja dhe te bashkëbiseduesit, u theksova se; unë gjykoja që me këto argumente që mund t’i ngremë, nuk ju premtoj se mundet ta përjashtojmë nga partia, që është masa më ekstreme dhe më e dënueshme, se kështu ai, do të trajtohet në çast, si “armik”! Pra, u shtova, a e meriton një njollë të tillë Gjergji, me atë të kaluar të lavdishme të familjes së tij?!

Në këtë kohë, ndërhynë Beqiri e më drejtohet: “Po ja, nuk mban përgjegjësi Gjergji, për ato mangësitë që i janë ngritur kur ishte oficer drejtimi në Shtabin e Përgjithshëm, po për ato takimet e fshehta, me atë “prostitutën” çeke, që është një njeri tepër i dyshimtë, si agjente në Shqipëri po… po… po… etj”! Përsëri këmbëngula se; për këto nuk mund të përjashtohet nga partia, e se për këto gabime, ai e ka marrë një masë ndëshkimore më pare, e nuk ka përsëritur më shfaqje të tilla.

Hysni Kapo: “Ka urdhëruar Enveri, që të dënohet”!

Duke parë kundërshtimin e mosbindjen time, në përligjen e argumenteve reale, për ndëshkimin e rëndë që kërkohej për Gjergj Titanin, – tregon më tej Llakaj – ndërhynë Hysni Kapo, duke thënë: “Po nuk mundët, të arrini në këto masa, që ju propozojmë ne sot këtu dhe t’i jepni këtë masë, atëherë ju, do të ngrini këto çështje në adresë të Gjergjit: së pari, marrëdhëniet imtime e seksuale, me punonjësen e Ambasadës Çeke, si spiune e regjur, marrëdhëniet imtime e seksuale, me E.S.L, një prostitutë dhe agjente italiane, ku kemi të dhëna se, i ka treguar edhe sekrete ushtarake, për të cilat edhe është dëbuar nga Tirana familjarisht…! Pra, po t’i thuash këto, nuk përjashtohet ky agjent i fëlliqur, që na tregohet kaq patriot i madh”?!

Këto që tha Hysniu – shkruan më tej Llakaj, në kujtimet e tij- ia përforcuan dhe bashkëbiseduesit e tjerë të pranishëm, duke thënë se; gjithçka dihet nga partia dhe Sigurimi i Shtetit, rreth problemeve, për të cilat kërkohet ndëshkimi i rëndë i Titanit. I ndodhur përballë kësaj situate, e këmbënguljes urdhër, Veli Llakaj, i drejtohet së fundi, me një kërkesë Hysni Kapos, duke i thënë: “Ju lutem, ta përjashtojmë nga Ushtria e jo nga partia, se ky përjashtim, është shumë i rëndë”!

Ndërhyn Hysniu, duke thënë: “Jo, në asnjë mënyrë, porosia e shokut Enver, është; të qëndrojë në Ushtri, se aty kemi mundësi ta kontrollojmë më mirë, organet e Sigurimit të Shtetit, kanë marrë detyrë për këtë çështje”!

Pamundësia për ta mbrojtur Gjergj Titanin…!

Kështu, sipas pohimeve të bashkëkohësve dhe dokumenteve të kohës, për ushtarakun Gjergji Titani, nis gjyqi politik në parti si “armik, bashkëpunëtor i agjenturave të huaja”. Veli Llakaj, ish-eprori i tij direkt në atë kohë, shkruan se: “Në atë analizë, pas shumë debatesh, nga asnjë nga shokët e organizatës bazë të partisë, nuk pati asnjë propozim, për përjashtim nga partia.

I vetmi që e bëri këtë propozim, ishte shefi i sigurimit, Reshat Sinovarfi, që e dinte para meje këtë çështje, i pasuar nga unë dhe sekretari i organizatës së partisë, Qani Duraj. Organizata nuk u bind, atëherë unë, me keqardhje, hodha “bombën” tymuese, që më kishte dhënë Hysniu, kundrejt shokut dhe zëvendësit tim të parë”! – shkruan Veli Llakaj. Pas “bombës” së hedhur, të gjithë u bashkuan në një zë, për përjashtim nga partia dhe çmobilizim nga Ushtria të Gjergj Titanit. Po i njëjti qëndrim, sipas dokumenteve të kohës, u mbajt edhe në Komitetin e Partisë së Korpusit, ku u fol më hapur për shumë veprime të tjera. Kështu, Gjergj Titani, u përjashtua nga partia dhe u emërua instruktor stërvitjeje, në Shkollën e Oficerëve Rezervistë në Vlorë. Me vonë u arrestua dhe u dënua për “agjitacion e propaganda”. Për këtë akuzë absurde, Titani vuajti një denim, prej gati 15 vjetësh burg.

“Me gjithë dashurinë e madhe dhe preokupacionin për ta ndihmuar atë, dhe ndonjë shok tjetër, veçanërisht komisari i korpusit, Gaqo Collaku, nuk arritëm ta bëjmë dot këtë gjë, sepse orientimi, porosia dhe urdhri i Partisë, ishte i padiskutueshëm, e unë dhe shokët e mi, ishim të detyruar ta zbatonim”, -shkruan për këtë problem, Veli Llakaj.

Urdhri i Enverit: “Shqipëria, pëllëmbë e qendër zjarri“

Si udhëhoqi Mehmet Shehu fortifikimin e vendit? Statistika nga fortifikimi i vendit: -Në të gjithë vendin, u ndërtuan 360.000 qendra zjarri të betonta. -U ndërtuan gjithashtu 3.264 pozicione zjarri artilerie të fortifikuara. -U ndërtuan nën tokë, mbi 1. 000 pika vrojtimi (shumë prej tyre me disa dhoma e ambiente), të fortifikuara. -U ndërtuan qindra tunele, të nëndheshme, mijëra vend-strehime, kolektive për popullatën. Ushtarakët madhorë. që projektuan e drejtuan fortifikimin e Shqipërisë – Mehmet Shehu – Menduh Backa – Alfred Moisiu – Josif Zegali -Sotiraq Budina – Abedin Galanxhi. Izolimi, urdhri për fortifikimin e vendit. “Grupet armiqësore” në ushtri, që nisën me dënimin e Beqir Ballukut dhe bashkëpunëtorëve më të afërt të tij, grupet “sabotatorë” në ekonomi që patën të njëjtin fat, prishja e miqësisë me rusët (më 1960) dhe me kinezët më pas, solli një izolim të plotë të Shqipërisë nga bota, dhe një angazhim total të shtetit, për të siguruar mbrojtjen e vendit, vetëm në forcat e veta! Në këto kushte, sipas dokumenteve zyrtare të kohës, krahas shtimit maksimal të ushtrisë aktive, ngritjen në çdo majë mali të një reparti ushtarak, inkuadrimin e “të gjithë popullit ushtar”, vënien nën armë të të gjithë populates, në kufijtë e 6 orëve, Enver Hoxha dhe Byroja Politike, planëzojnë dhe organizojnë fortifikimin e të gjithë vendit, si garancinë e një mbrojtje të fortë e, të pa kalueshme nga armiku.

Urdhri i Partisë “Vendi pëllëmbë e qendër zjarri”, – kujtojnë ushtarakët që hartuan dhe zbatuan këtë fortifikim, ishte një nga ndërmarrjet më të vështira, që nga Lufta e Dytë Botërore, që kishte një punë voluminoze e kosto tepër të lartë financiare. Fortifikimi, – sipas Veli Llakajt, ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe një nga drejtuesit e fortifikimit të vendit, filloi pas një pune tepër studimore, të kryer nga inxhinierët dhe projektuesit e mrekullueshëm ushtarakë e civilë. Fortifikimi, sipas tij, ishte si rezultat i një eksperience dhe studimi të të gjithë fortifikimeve të vendeve të botës, qoftë sipas asaj që unë trajtova më lart, por edhe nga eksperienca e luftës së Vietnamit. Por, – shton më tej ai, – ky fortifikim është origjinal shqiptar dhe sipas kushteve të vendit tonë.

“Ideator i këtij fortifikimi ishte Mehmet Shehu, i cili me fantazinë e tij, durimin, zgjuarsinë, studimin e thellë që kishte bërë dhe intuitën e një projektuesi, arriti që në bashkëpunim me inxhinierët më të mirë dhe konstruktorët që t’i japë një fizionomi të plotë. Bashkëpunëtorët më të ngushte të tij, kanë qenë gjenerali i talentuar; Mendu Backa, Alfred Moisiu, Josif Zagali, Sotir Budina, Abedin Galanxhi e; shumë të tjerë”, – kujton Llakaj. “Përgatitjet për këtë aventurë të fortifikimit të vendit”, kujton ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, u bë sipas planit operative-strategjik, të mbrojtjes dhe detyrave luftarake të njësive përkatëse.

Ky fortifikim, u bë në bazë të kapacitetit të terrenit. “Para se të fillonte puna për një fortifikim të gjithë dhe të cilësisë së lartë, fillimisht u përgatit një garnizon me qendra zjarri, nën drejtimin e Drejtorisë së Fortifikimit dhe ky mikrofortifikim, u pa nga Mehmet Shehu dhe disa nga kuadrot e larta të Ushtrisë, mbi bazën e diskutimeve krejtësisht të lira, të vërejtjeve dhe mendimeve të dhëna dhe në fund vulën e këtij e dha Mehmet Shehu”, – tregon Llakaj. Pra, pas kësaj eksperience, u krijua një bazë për ndërmarrjen e hapit të rëndësishëm për të “mbjellë” të gjithë territorin e Shqipërisë, me qendra zjarri e fortifikata të betonta. Kështu, në shkallë ushtrie, u bë një mësim tregues praktik, me të gjithë komandantët e korpuseve dhe të brigadave të Ushtrisë, në zonën e Fushë-Studes dhe në pllajën e malit të Zylit, pra një kombinim, midis fortifikimit në zonë fushorë dhe atë malore. “Ky mësim teoriko-praktik, prej gati një muaji, u bë nën drejtimin direkt të Alfred Moisiut, pra të një personi tepër kompetent, për këtë çështje, e që ka dhënë një kontribut me vlera të veçanta, në këtë komponent të rëndësishëm të mbrojtjes së vendit“, – shton Llakaj.

Fortifikimi, marrëzi apo domosdoshmëri?!

Jo pak, por mbi 360.000 qendra zjarri të betonta e, objekte të fortifikuara, mbi 1.000 tunele nëntokësore, mijëra strehime kolektive të nëndheshme, rreth 3.264 pozicione zjarri të fortifikuara për artilerinë etj. Një investim kolosal, që e ka “mbjellë“ vendin në çdo skaj, si asnjë shtet tjetër në glob. Sipas specialistëve, kosto e ndërtimit vetëm për një qendër zjarri, është më e madhe se një hyrje për banim, ndërkohë që investimi për fortifikimin e vendit, ka shpenzuar mundin e brezave të shqiptarëve, ndër dekada. Koha shpejt tregoi se fortifikimi i Shqipërisë, ishte një aventurë, ndonëse dikush e argumenton këtë ndërmarrje, me kohën dhe rrethanat kur u bë ky fortifikim.

“Dikush sot, do ta quajë një marrëzi ose punë koti, se kush do të na sulmojë etj. Po tani, kështu mund të gjykohet, por edhe mund të vijë përsëri ndonjë marrëzi që të na duhet, ashtu si ndokush mund të mendoi; po Kinën, kush do ta sulmojë që ka një fantazi të tërë nëntokësore, që kush e ka parë e ka zili“, -pohon mes të tjerave Veli Llakaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Mehmet Shehu, i pakënaqur nga heqja e gradave në Ushtri!

Ndonëse Mehmet Shehu, ish-kryeministër i vendit, që më 1974-ën, mori edhe detyrën e ministrit të Mbrojtjes, ka përgjegjësinë për ndërmarrjen e hapit, për heqjen e gradave në Ushtrinë shqiptare, ashtu si shumë ushtarakë madhorë të kohës, një pjesë e të cilëve e kundërshtuan këtë vendim, edhe Mehmeti, kishte nostalgji për gradat, gjë të cilën dhe e ka shprehur më shumë se një herë në marrëdhënie me bashkëpunëtorët më të afërt. Sipas Veli Llakajt, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë dhe bashkëpunëtori më i afërt i Mehmetit për 8 vjet, ai dhe kolegët e tij, kujtojnë disa raste, ku Mehmeti, e thekson këtë nostalgji. “Në një stërvitje në Korpusin Bregdetar të Fierit, në një bisedë që nisi në formë shakaje, mes Mehmetit, Hysni Kapos e Shefqet Peçit, ku isha prezent dhe unë e disa kuadro të tjerë të lartë, Mehmeti, duke na u drejtuar ne, na tha se; ju keni nostalgji për gradat”! -kujton Veli Llakaj. Në atë moment, sipas tij, ka ndërhyrë Shefqeti, duke thënë që të mos e hapë më atë muhabet, se po të hidhet në vote, rivendosja e gradave, shumica e të pranishmëve aty, ishin pro.

Gradat në ushtrinë shqiptare, janë hequr më 1 maj 1966, mbi bazën e një vendimi të Byrosë Politike të Komitetit Qendror, shoqëruar dhe me një urdhër shtetëror, për zbatim në këtë afat. Në të njëjtën ditë, pra më 1 maj 1966, njësitë ushtarake si dhe struktura të tjera të forcave të armatosura, në parakalimin tradicional në bulevardin kryesor të Tiranës (Korpusi i Universitetit, Monumenti i Skënderbeut), u ekspozuan për herë të parë pa grada, si dhe me uniforma të thjeshta ushtarake, pa dallim funksioni e detyre.

“Heqja e gradave dhe ndërrimi i uniformave, ishte një hap që ndërmerrej në kuadrin e luftës kundër burokratizmit, për të evituar tendencën e diferencimeve, për të bërë që të gjithë të jenë të barabartë, por në të vërtetë, ishte një veprim që nuk u përkrah nga masa e gjerë e ushtarakëve, si dhe solli probleme të shumta, në fushën e mbrojtjes”, – kujton Veli Llakaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe zëvendësministër i parë i Mbrojtjes. Sipas Llakajt dhe dëshmive të kohës, heqja e gradave dhe e ashtuquajtura “luftë kundër burokratizmit”, u shoqërua me qarkullime të shumta të kuadrove, nga qendra në bazë, ikja “vullnetarisht” në fshat, e qindra e mijëra të tjerëve, së bashku me familjet e tyre.

Sipas Llakaj, edhe uniforma ushtarake që u vu në përdorim ishte e papërshtatshme, rrobë bezeje, që bëhej pis menjëherë, kapelja ishte si kapelë karrocieri, ndërkohë që autoriteti i ushtarakut nisi të bjerë. Për mua-shton më tej Llakaj, heqja e gradave, ishte dhe mbetet një veprim i gabuar. Ndërsa shumë kuadro të njohur të Ushtrisë shqiptare, midis tyre dhe gjenerali Halim Xhelo, që e kundërshtuan heqjen e gradave, u ndëshkuan rëndë.

Shehu, Kapo dhe Peçi, në një stërvitje!

Një nga rastet e pakënaqësisë së Mehmet Shehut për heqjen e gradave, shumë vite më vonë, pikërisht pas zbulimit të “puçistëve” në ushtri, është dhe një stërvitje (me qitje artilerie) zhvilluar në korpusin e Fierit, ku ishin të pranishëm Mehmet Shehu, Hysni Kapo, Shefqet Peçi. Kishim merakun e stërvitjes, që bëhej menjëherë pas zbulimit të “puçistit” Beqir Balluku, – kujton Llakaj- pa ditur se në një moment, do të debatohej për heqjen e gradave. Në përfundim të qitjeve, me armët e artilerisë kundërajrore, Mehmet Shehu, pyeti të gjithë pjesëmarrësit: “Si ju duket kjo stërvitje që ndoqët, me ato që pamë, janë situata reale apo jo, prandaj secili nga ju, duhet të japë dhe ndonjë mendim, se për këtë ju kemi thirrur, dhe jo vetëm si spektator”!

“Pasi kanë folur 2-3 vetë, kujton Llakaj, fjalën e merr Hysni Kapo, duke theksuar: Shoku Mehmet, unë mendoj se kjo stërvitje, na bindi për çka komandanti i Artilerisë Kundërajrore, trajtoi teorikisht, me ato veprime praktike dhe unë kam mendimin se po ta kemi kudo këtë organizim kundërajror, mbrojtjen e kemi të siguruar, nga desanti i mundshëm ajror, prandaj shokët, duhen përgëzuar për sa pamë”! Mehmet Shehu i drejtohet shokut Shefqet Peçi, duke qeshur dhe i thotë: Unë kam dëshirë që të dëgjoj dhe vërejtjet e gjeneral Shefqetit! Siç kujton Llakaj, Shefqet Peçi foli shkurt, por duke i kthyer ironinë ai, fjalës së Mehmetit: “Unë kaq kisha për të thënë, por më mirë se sa gjenerali më i talentuar këtu, shoku Mehmet, nuk di kush, dhe ne duhet t’i bindemi mendimit të tij. Unë e kam të vështirë të flas shumë më e të bëj komente me këtë se nuk e duroj dot, por them se këtu duhet falënderuar shoqja Fiqrete, që se si e shtyn me këtë, ajo duhet të dekorohet, të paktën në çdo 6 muaj”! “Kjo ishte si hapje, vazhdon tregimin e tij Llakaj, – por se pse u bë kjo, nuk jam në gjendje as sot te them dhe sot, kur dihet se si qe ajo situatë.

Shakaja-debat për heqjen e gradave

“Në një moment tjetër -kujton Llakaj – Mehmeti e mori përsëri fjalën, duke iu drejtuar Shefqet Peçit, duke i thënë: “Ta bëra këtë pyetje, si gjeneral, se ti nuk ke qenë dakord për heqjen e gradave, se Ushtria, do të prishe pa grada, por ja që nuk u prish, por edhe pa grada, stërvitja e gatishmëria është në shkallen më te lartë”.

Kaq u desh, për të vazhduar debati për gradat. Shefqeti i drejtohet Mehmetit: “Shoku Mehmet, atë plagë, për heqjen e gradave, mos e hap, se po ta hedhin në votë këtu, me të gjithë këta gjeneralë që kishin dikur, me të tjerë që duhet të kishin marrë dhe me ato grada, ne fitonim, se me siguri, kundër do të kemi vetëm shokun Hysni. Të gjithë këta (ushtarakët madhorë që ishin aty), e shumë të tjerë, janë dakord që t’i kthejmë përsëri ato të lumosura, në mos edhe ti, je bëre shumë pishman pse i hoqët”.

Plasi shakaja-debat, kujton Llakaj, ku Mehmeti shton: “Ato që thotë Shefqeti, janë të vërteta, prandaj edhe unë jo pa qëllim, e hapa problemin e gradave, se me heqjen e tyre, nuk ishte dakord dhe ai që ndodhet sot në Rroskovec, Beqir Balluku”! Shaka apo debat, kujton Llakaj, ajo ishte thikë me dy presa, pasi i pari nga “puçistët”, Beqir Balluku, sapo ishte kryqëzuar.

Debati, Llakaj-Shehu, për uniformën ruse!

“Stërvitja në përgjithësi po shkonte mjaft mirë. Mehmet Shehu më njoftojnë se kishte zbritur e po kontrollonte një repart tankesh, për kalimin në pikat e kalimin të një e dyanshme, bashkë me sekretarin e parë të Komitetit të Partisë, Piro Gushon. Mehmeti – shton Llakaj, – më afrohet, më shikon të veshur me një uniformë ruse dhe i nevrikosur më bërtet: “Po, ti, e paske shumë qejf veshjen ruse, atje keni studiuar e, jeni nostalgjikë të Hrushovit”!

Veliu tregon: “Jo, i thashë, po unë e mbaj se është më e përshtatshme, se kam edhe helmetën, pra heq bustinën, e vendos në rrip, vendos edhe helmetën. Nuk e zgjati më shumë, po vuri buzën në gaz dhe po bënte një fotografi, me ushtarin që kaloi tankun në një kanal të madh. Në moment, Piro Gusho i thotë se; tankun, nuk e kaloi ushtari, por një oficer. Mehmeti egërsohet aq shumë, sa thirri komandantin e brigadës, Demo Liçon, dhe e bëri për një lek. I zemëruar, tregon Llakaj, iku nga stërvitja që ishte gati në përfundim dhe thotë që; komandanti i kësaj brigade, është mashtrues.

E disa ditë më pas, komandanti, Demo Liço, shkarkohet nga detyra. Ndërsa debate dhe pakënaqësia për heqjen e gradave atë ditë mes Shehut, Peçit, e Kapos, nuk pati ndonjë kurban të çastit, por në muaj e vitet në vazhdim. Shumë kuadro madhorë të Ushtrisë do ta pësonin, mes të tjerëve, edhe për “dashurinë” e tyre për gradat. Memorie.al

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?