Ditën djeshme në Gjykatën Speciale të Hagës ka dhënë dëshminë e tij James Rubin, ish-zyrtar i lartë amerikan dhe njohës i zhvillimeve në Kosovë gjatë periudhës së luftës, në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së.
Në emisionin “Shtypi i Ditës dhe Ju” nën drejtimin e gazetarit Andi Kapxhiu, ishte i ftuar gazetari nga Kosova Behxhet Begu. Ky i fundit bëri një analizë të shkurtër të dëshmisë së djeshme të dhënë në Hagë nga James Rubin duke theksuar se deklaratat e tij do të ndryshojnë rrjedhën e gjykimit.
“James Rubin është personalitet i jashtëzakonshëm ai ka qenë zv,sekretar i Madeleine Albright. Ajo e kishte ngarkuar si njeriu kryesor që do merrej me marrëveshjen e Rambujesë dhe që do të bindte delegacionin shqiptar për të pranuar marrëveshjen. Ai ka rrëzuar pretendimin kryesor të prokurorisë.
Ai e përshkruajti Thaçin dhe Krasniqin si dy njerëz të moderuar që nuk kishin fuqinë në konferencën Rambujesë të firmosnin marrëveshje se komandantët e zonave kishin paralajmëruar që nuk do ta respektonin një marrëveshje të tillë. Thaçi kërkoi ndërprerje të konferencës për të shkuar në Kosovë për tu konsultuar me komandantët e zonave.
Dëshmia e Rubin është më e besueshme se të gjitha dokumentacionet e gjykatës Speciale në Hagë. Kjo ndryshon gjithçka, pasi trupi gjykues nuk mund të anashkalojë një dëshmi të një ish-zyrtari amerikan të shtetit.”
Sakaq, gazetari Behxhet Begu komentoi dhe protestën madhështore të mbajtur ditën e djeshme pranë selisë së Gjykatës Speciale në Hagë në mbrojtje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët prej vitesh po hetohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Behxhet Begu u shpreh se shqiptarët janë ndjerë të ofenduar nga tendenca e gjyqtarëve apo prokurorëve të Hagës të cilët përpiqen të barazojnë krimet serbe me luftën për mbrojtje të shqiptarëve të Kosovës.
“Njerëzit ndihen të ofenduar kur barazohet krimi. Shqiptarët e Kosovës ishin viktima. Rubi ne tha dje që ne ishim në anën e viktimës. Nga Kosova u dëbuan më shumë se 1 milion shqiptarë. Të ngrihet një aktakuzë dhe të tentohet të barazohet krimi që ka bërë Serbia me ne, i ka ofenduar shumë shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës.”
Komente
