Memorie.al publikon historinë e panjohur të Mexhit Premçit me origjinë nga rrethi i Dibrës, i cili pasi u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve në mesin e viteve ’60, u emërua si redaktor përgjegjës pranë revistës “Teatri”, ku ai punoi deri në vitin 1973 që kur u mbajt Pleniumi i IV të Komitetit Qëndror të PPSh-së, dhe ai u akuzua për “shfaqje liberale në fushën e boitimeve” dhe u dërgua në fshatin Kashar të Tiranës, si përgjegjës i Vatrës së Kulturës. Dëshmia e Premçit lidhur me debatin me zv/ministrin e Kulturës, Mantho Bala, i cili i kërkonte një listë me shkrimtarët antiparti që ai u kishte botuar veprat e tyre në revistën “|Teatri”, kolegët dhe zyrtarët e lartë që e kritikonin, akuzonin dhe sulmonin në mbledhjet që bëheshin për demaskimin e tij, si dhe mbrojtja që i bëri Dritëro Agollit kryeministri, Mehmet Shehu, lidhur me romanin e tij, “Mosha e bardhë” që më pas u dërgua të bëhej karton.
“Menjëherë pas Pleniumit të IV të PPSH-së, ku Enver Hoxha dha orientimin për të goditur frymën liberale, në letërsi dhe arte, në të gjitha organet e shtypit, u bë një raprezalje e vërtetë, duke shkarkuar pjesën më të madhe të drejtuesve, të cilët u ngarkuan me përgjegjësi për frymën që kishin sjellë në ato organe që drejtonin. Duke qënë se në atë plenium u godit rëndë dhe ‘drama’, nuk mund të shpëtonte edhe revista “Teatri”, ku unë mbuloja funksionin e redaktorit përgjegjës, e cila ishte organ i Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore. Pak ditë pas atij pleniumi, teksa vazhdoja ende punën në atë revistë, më merr në telefon Mantho Bala, Kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Ai më kërkoi që t’i jepja një listë me emrat e autorëve që kishin shkruar vepra me gabime ideologjike. Njeriu që flet dhe dëshmon për Memorie.al, është Mexhit Premçi, ish drejtuesi i revistës “Teatri”, i cili rrëfen situatën në të cilën ai u ndodh pas Pleniumit të IV të PPSH-së, të mbajtur në vitin 1973, ku ai u shkarkua si redaktor i asaj reviste dhe u çua në fshat.
Cilat ishin akzuat që u bënë ndaj Premçit dhe kush ishin njerëzit që i hartuan ato? Kush ishin dramat që u akuzuan për gabime ideologjike dhe cilët ishin autorët e tyre? Përse i kërkonte Mantho Bala emrat e autorëve që kishin gabuar ideologjikisht dhe përse Mehmet Shehu e mori në mbrojtje Dritëro Agollin për dramën e tij, “Mosha e Bardhë”. Si u përgjigj Mexhiti, akuzave që i’u bënë dhe kush ishin shefat që e akuzonin, dhe si u dënua ai duke u dërguar në fshatin Kashar. Lidhur me këto, Mexhit Premçi dëshmon në intervistën e mëposhtme në këtë shkrim.
Z. Premçi, si e keni përjetuar periudhën e pas Pleniumit të IV të PPSH, në të cilin filloi goditja ndaj letërsisë dhe arteve?
Në atë kohë që u mbajt ai plenium, unë punoja si redaktor përgjegjës pranë revistës “Teatri” që ishte organ i Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore. Pas atij pleniumi në të gjitha organet e shtypit, u bë një raprezalje e vërtetë duke shkarkuar pjesën më të madhe të drejtuesve të cilët, u ngarkuan me përgjegjësi për frymën që kishin sjellë në ato organe që drejtonin. Duke qënë se në atë plenium u godit rëndë dhe Drama. I ndodhur në atë situatë, nuk ishte e vështirë për të kuptuar se “rrufetë që ishin hedhur nga lart”, patjetër që do të binin mbi ne.
Konkretisht cila ishte “rrufeja” e parë që do të binte mbi ju?
Vetëm pak kohë pas mbajtjes së Pleniumit të IV, teksa isha duke punuar në zyrë, më bie telefoni dhe personi që më telefonoi ishte Mantho Bala, Kryetari i Komitetit të Kulturës dhe Arteve. Ai më kërkoi që ti jepja një listë me emrat e autorëve që kishin shkruar vepra me gabime ideologjike.
Cila ishte përgjigja juaj dhe a i’a dhatë atë listë?
Pas fajlëve të tij me ton urdhërues, unë i’u përgjigja, se nuk të jap dot emra. Pas përgjigjes sime pothuajse më të njëjtin ton, ai më tha se pse nuk ia jepja ato? Unë i’u përgjigja se: në revistën që kisha drejtuar për tërë ato vite, asnjëherë nuk kisha botuar vepra me gabime ideologjike. Dhe pas kësaj përgjigje, Mantho m’u drejtua: “Po pse të gjithë ata që kanë botuar tek ju paskan qënë të kulluar”?!
Si i’u përgjigjët ju?
Unë vazhdova t’i shpjegoja, se: veprat që më kishin sjellë mua për botim, mund të kishin pasur edhe gabime ideologjike, për shkak të dobësive artistike, dhe për këtë arsye unë nuk i kisha botuar. Kështu që si rezultat i këtij seleksionimi nuk ishte shtruar asnjë shenjë ndikimi mbi lexuesin. Edhe pas këtij shpjegimi që i bëra, Mantho Bala, më tha me një ton kërcënues “Mua nuk më duhen këto, mua më duhen emrat”.
Po pas kërcënimit të tij si reaguat ju?
Edhe pas insistimit të tij me këmbëngulje, unë i’u përgjigja duke i thënë: “Mos doni të mburreni ju para Ministrit, që të merrni flamurin e luftës kundër ndikimeve të huaja”? Ai tepër i revoltuar pas fjalëve të mia, më tha: “Ti nuk do ta ndihmosh Partinë, këtu do të jemi” dhe pas atyre fjalëve më mbylli telefonin.
Çfarë ndodhi më pas me ju, dhe a e bëri problem çështjen tuaj, Mantho Bala?
Ai e mbajti fjalën që tha në fund të asaj bisede telefonike. Nuk kaluan veçse dy-tre ditë nga ajo bisedë, dhe më pas filluan mbledhjet e gjata e analizat kundër meje, nga ana e Organizatës Bazë të Partisë së Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore, në bashkëpunim me Komitetin e Partisë së rrethit të Tiranës.
Cilat ishin akzuat që u bëheshin në atë mbledhje dhe nga cilët persona vinin ato?
Akuzat që bëheshin ndaj meje ishin të karakterit ideologjik dhe ato vinin në kuadrin e “zbatimit të vendimeve të Pleniumit të IV të Komitetit Qëndror të PPSH-së”, që ishte mbajtur vetëm pak kohë më parë. E vërteta ishte se në veprat që kisha botuar unë kur isha tek revista “Teatri”, nuk kishin pasur gabime ideologjike, por ato donin që të gjenin gabime edhe aty ku nuk kishte. Vetëm për problemin tim në atë kohë u bënë disa mbledhje që kryesoheshin nga Llambi Papa, sekretari i Komitetit të Partisë të Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë.
Përse ndodhte kjo me të, kishit probleme personale me njëri tjetrin?
Asnjë problem personal nuk kishim, por ai ishte një filo-grek i tërbuar dhe nuk e dinte mirë as gjuhën shqipe. Po kryesorja qëndronte në faktin se ai ishte i pa-aftë. Po kështu në ato mbledhje vinte si i deleguar i Komitetit Qëndror, Shefi i Shtypit, Pipi Mitrojorgji. Kurse nga Ministria e Kulturës, erdhi Hulusi Hizmo, që ishte inspektor në atë ministri. Sapo filloi mbledhja, ata më thanë të çohesha e të bëja autokritikë. Në limitin e kohës që unë duhej të përgjigjesha për çfar më thanë, mendova dhe ashtu në mëdyshje, zgjodha një rrugë të mesme, ku as të mos pranoja gjithçka dhe as të mos mohoja gjithçka.
Për çfar të akuzonin në atë mbledhje?
Akuzat kundër meje kishin të bënin me botimin e disa dramave që kisha bërë në revistën “Teatri”, siç ishte drama e Artur Milerit “Ishin të gjithë bijt e mi”, “Stuhi në qeill” e Skënder Luarasit dhe “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit. Po kështu ishte dhe drama ime, e titulluar “Shoqja K dhe të tjerët”. Në botimin e dramës së Milerit, akuzohesha për “humanizëm mbi klasor”. Kjo ishte një akuzë e Mantho Balës, e cila në të vërtetë nuk qëndronte aspak dhe vinte si pasojë e injorancës së tij. Për dramën e Skënder Luarasit, akuzohesh se aty kishte “importim revolucioni”. Kjo akuzë mbështetej në faktin, sepse vetëm në një faqe të dramës, autori nëpërmjet një Radio të Spanjës, paralajmëroi shqiptarët, se fashizmin e kishin në prag. Edhe kjo akuzë ishte një absurditet më vete. Ndërkohë që unë analizohesha aty në kolektiv, Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, më kishte dërguar emrin në Ministrinë e Kulturës, si autor që kisha shkruar dramën “Shoqja K dhe të tjerët”, ku sipas tyre “diskretitohej figura e komunistit dhe kuadrit që dilte me dy fytyra”.
Po drama e Dritëro Agollit, për çfar akuzohej?
Drama “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, kishte problem të tjera. Në atë kohë, sipas praktikës që ndiqej për çdo dramë që botohej nga ana jonë, duke i çuar më përpara dhjetë kopje anëtarëve të Byrosë Politike, ajo ishte lexuar edhe nga Kryeministri Mehmet Shehu. Mehmeti, pasi e kishte lexuar atë dramë, ishte shprehur se: ‘në marrdhëniet e personazheve, kishte liri të tepruar’. Por siç duket, nga që ai ishte dashamirës i Dritëro Agollit, kishte dhënë urdhër që drama të mos botohej, duke u shprehur: “Të mos diskretitohet autori”.
Po pas asaj porosie të Mehmet Shehut, si kishit vepruar ju me dramën e Agollit?
Më pas atë dramë, ne ua dërguam specialistëve në Komitetin Qëndror të PPSH-së, të cilët pasi e pane, na thanë: “Bëjeni karton, se këtë e ka parë shoku Mehmet. Më mirë të harxhojmë ca para, se të na gjejë belaja”.
Cili ishte qëndrimi juaj ndaj të gjitha akuzave që u bëheshin?
Gjatë gjithë mbledhjeve që bëheshin për të më analizuar mua, unë edhe kundërshtoja edhe bëja autokritikë. Kryesisht unë thoja fjalë të përgjithshme, si: ‘Nuk jam thelluar, nuk kam nxjerrë mësime si duhet nga mësimet e partisë, ndofta s’i kam kuptuar mirë mësimet e partisë’, etj. Kur bëra justifikimin e fundit, Pipi Mitrojorgji ndërhyri dhe tha: “Nuk i ha Partia këto, ty të kemi specialist për dramën. I paske lexuar së prapthi mësimet e parties”.
Kush ishin ata që ju bënë kritikat më të ashpra?
Në mbledhjen e fundit që zgjati dy ditë, më akuzuan deri në bashkëpunëtor të Fadil Paçaramit dhe më të ashpërit ndaj meje, ishin Hulusi Hizmo dhe një korektor letrar i quajtur Nako B., i cili pasi u dha vendimi i organizatës së Partisë, u ngrit e tha: “Ta çojmë jashtë Tiranës”.
A ishin kopetentë të Letërsisë dhe Arteve të deleguarit që i’u akuzonin ju në atë mbledhje?
Komedia më e madhe ishte, sepse nga të gjithë pjesëmarrësit e asaj mbledhje ku analizohesha unë, si dhe të deleguarit, asnjë prej tyre nuk i kishte lexuar dramat për të të cilat akuzohesha. Ato vepra i kishin lexuar vetëm Naum Prifti dhe drejtoresha e Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë, Leman Çoçoli, të cilët më mbrojtën aq sa u lejonte situata.
Cili ishte vendimi që u mor ndaj jush në fund të analizave që u bënë?
Në fund të mbledhjes që mbylli dhe analizën ndaj meje, u mor vendimi, për të më çuar në fshat, me motivacionin: “Për gabime ideollogjike në fushën e botimeve të dramës, largohet nga institucioni ynë”. Pas kësaj më çuan në fshatin Kashar të Tiranës, ku dhe më hoqën të drejtën e botimit për vite me rradhë.
Kush është Mexhit Premçi?
Mexhit Premçi lindi më 25 mars të vitit 1936, në fshatin Reç të Dibrës, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Pasi mbaroi shkollën e mesme Pedagogjike në Peshkopi, Mexhitit nuk i’u dha e drejta për të vazhduar studimet e larta, për arsye biografike. Babai i tij, Hasan Premçi, kishte qenë xhandar i Zogut dhe në vitin 1946, ishte dënuar me një vit burg, i akuzuar si “bashkëpunëtor i bajraktarit të Lurës, Hakik Mena”, të cilin ai e kishte baxhanak. Duke qenë se Mexhitit i kishin vdekur të dy prindërit dhe ai kishte mbetur jetim që i vogël, u caktua mësues në Bulqizë, Lurë dhe në disa fshatra të rrethit të Dibrës. Pasi punoi për pesë vite si mësues, ai përfitoi të drejtën për të vazhduar studimet e larta, duke u regjistruar në Institutin e Lartë të Arteve, “Aleksandër Moisiu” në Tiranë, në degën e Artit Dramatik. Institutin e Arteve ai e mbaroi me rezultate të larta në vitin 1965 dhe me kërkesën e ministrit të Arsimit e Kulturës, Fadil Pacramit, ai filloi punë menjëherë si inspektor në atë Ministri. Pas gjashtë muajsh pune, po me urdhërin e Fadil Paçramit, ai u dërgua në Dibër dhe më pas në qytetin e Lezhës, ku punoi për një vit si regjizor i Shtëpisë së Kulturës. Pas kësaj në vitin 1967, ai u transferua në Tiranë ku filloi punë si redaktor përgjegjës i revistës “Teatri”, e cila ishte organ i Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore. Pasi shërbeu për 7-8 vite në atë detyrë, ai u hoq që andej me motivacionin “Qëndrim liberal në punë dhe mungesë vigjëlence revolucionare në botimet”. Pas kësaj, në kuadrin e “zbatimit të detyrave të Pleniumit të IV-të të PPSH-së”, ai u dërgua në fshatin Kashar të Tiranës, si përgjegjës i Vatrës së Kulturës. Pasi punoi për 6 vjet në atë fshat, Mexhitin e kthyyn përsëri në qytetin e Tiranës, duke e riemëruar në revistën “Teatri”, ku ai punoi deri në vitin 1992. Pas mbylljes së revistës “Teatri”, Mexhiti u emërua pedagog në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ku deri në vitin 1997, ai dha mësim lëndën e Historisë së Teatrit Shqiptar dhe atij Botëror. Që nga mesi i viteve ’60 kur u diplomua në Institutin e Arteve, Mexhit Premçi ka shkruar e botuar me dhjetra artikuj kritik në fushën e teatrit, duke u konsideruar si një nga kritikët më në zë të kësaj fushe, së cilës ai i ka kushtuar edhe një libër voluminoz, të titulluar “Optik kritik mbi dramën”. Përveç kësaj, ai ka botuar edhe libra të tjerë, si dhe dhjetë drama, pjesa më e madhe e të cilave janë vënë në skenë, ku njëra prej tyre është bërë edhe film artistik. Aktualisht ai është në pension dhe vazhdon përsëri të punojë, duke qenë aktiv me shkrimet e tij publicistike në shtypin e përditshëm./Memorie.al