Dëshmia e legjendës së basketbollit: Kur trajneri me lot në sy më komunikoi përjashtimin nga sporti, asnjë nga lojtarët e skuadrës, s’erdhën me u përshëndet

6 Janar 2023, 07:43| Përditesimi: 6 Janar 2023, 07:48

  • Share

Në rininë time, sporti për mue ishte gjithçka, ishte investimi ma i madh, i jetës.  Sporti ishte gëzimi, kënaqësia, krenaria, sakrifica, besimi dhe optimizmi për jetën. Sporti ishte siguria politike, siguria e punës, siguria për konsolidimin e familjes. Sporti ishte vetë jeta! Në vjeshtën e vitit 1966, në moshën 23 vjeçare, me punë, djersë, disiplinë e sakrifice, pata mbërrit me u diplomue për matematikë, në U.SH.T (Universiteti Shtetëror i Tiranës, 1964) e njëkohësisht me  mbajt mbi shpatulla, nji bagazh rezultatesh sportive, me peshë shumë të madhe në fushën e  basketbollit.

Përjashtimi prej sportit…!

Rezultatet sportive e tituj nderi:

-Dy herë kampion kombëtar me përfaqësuesen e shkollave të mesme të Tiranës,  vjetët 1959, 1960.

– ‘Medalje e Artë’ në Spartakiadën e Parë Kombëtare, vjeti 1959, si basketbollisti ma i dalluem dhe me perspektivë.

– Pjesëtar i përfaqësueses shqiptare të basketbollit (deri 22 vjeç), në lojnat Rinore të Bukureshtit (Janar 1960).

– Katër herë kampion kombëtar në basketboll (të rritun): me “17 Nëntorin” e Tiranës, për vitet 1961, 1962, 1963, dhe me “Vllazninë” e Shkodrës, në vjetët 1966- 1967 (Medaljen e katërt, me Vllazninë, nuk e pata marrë sepse më larguan politikisht, prej sportit).

– Fitues i katër kupave të Republikës; me skuadrën e “17 nëntorit”, të Tiranës për vjetët 1961,1962, 1963, dhe me skuadrën e “Vllaznisë” së Shkodrës, në vitin 1966.

– Fitues i tri kupave të Çlirimit të qytetit të Shkodrës, në vitet 1961, 1962, 1964.

– Fitues i tri kupave të qytetit, të Tiranës, në vitet 1961, 1962, 1963.

– Në moshën 19 vjeçare, pjesëtar i përfaqësueses shqiptare të basketbollit.

– ‘Mjeshtër i Sportit’, në Basketboll në moshën 19 vjeç.

– Fitues i Anketës së Gazetës “Sporti Popullor”, si lojtar i “pesëshes ma të mirë”, që do të përfaqësonte Shqipërinë në Lojnat Ballkanike të Basketbollit, të vitit 1965, në Tiranë.

– Lojtar kryesor (edhe i pesëshes së parë) i përfaqësueses shqiptare në Ballkaniadën e Basketbollit, që u zhvillue në Tiranë, në Dhjetor 1965.

Mbas vetë shembjes së sistemit komunist:

– “Mjeshtër i Merituem”, në sportin e basketbollit, 1994.

– “Nderi i sportit shqiptar”, viti 2000, nderim nga Presidenti i Republikës, Rexhep Mejdani.

– “Medalje e Mirënjohjes”, Federata Shqiptare e Basketbollit, 2006.

– “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Presidenti i Republikës Ilir Meta, 2021.

Me ndërhyrjen e përfaqësuesve të pushtetit e të partisë, në Shkodër, në vjetin 1964, u emërova me punë, në qytetin e Shkodrës, sapo përfundova U.SH.T. Dy vjet që luajta me “Vllazninë”, si lojtar kryesor, patëm rezultate shumë të nalta sportive.

Në dhjetor 1966, shkova si çdo ditë pasditeve në stërvitje, me skuadrën e “Vllaznisë”, në fushën sportive të Kandit Spartak, Shkodër, dhe para se me mbërrit te dhoma e zhveshjes, jashtë, pak si në qoshe, po më priste trajneri Esat Haxhi, i cili m’u afrue dhe më tha, se kishte diçka me më komunikue. Esati ishte i mpimë, u mundonte me shmangë shikimin sy në sy, e tue i’u dridhë buza, foli me za të ultë:

“Filip, jam i autorizuam me të komunikue përjashtimin tënd prej aktivitetit sportiv të basketbollit, për motive politike”, – i shpëtuan lot prej syve. Aq ndjeva keqardhje për profesorin, për të cilin kisha e vazhdoj me ruajtë respekt të veçantë, sa për nji çast harrova hallin tim e, u mundova me e qetësue tue i thanë: “Shëndosh kjoshim profesor, në shtëpinë time kam kalue halle shumë ma të mëdha, se ky i sotmi! Zoti e baftë mirë”.

U ktheva mbrapsht dhe me hapa të ka-daltë, u nisa drejt shtëpisë.

Asnjë shok i skuadrës nuk u afrua, me më përshëndetë…?! Ndoshta…, ishte frika e infektimit prej “sëmundjes së zgjebes”, që lufta e ndytë e klasave përlyente të prekurit politikë. Ajo, që më ban të mos ndihem mire, edhe sot mbas kaq shumë vjetëve, asht fakti se disa prej shokëve të skuadrës në Shkodër, me të cilët kalojshim çdo ditë aq mund dhe sakrifica së bashku në stërvitje dhe me disa prej tyre edhe orët e lira, nuk u banë ma të gjallë!

Njeni prej tyne, që po ia kursej përmendjen e emrit (ka me u kujtue kur t’i lexojë këto rreshta), me të cilin kisha shumë kofidencë dhe e konsiderojsha shok të vërtetë, nji ditë ma parë kishte pasë harrue kanatjeren e tij sportive në çantën time, të cilën nana e kishte la, së bashku me teshat e mija të sportit, nuk pati “burrni” me ardhë në shtëpi, për me marrë as kanatjeren e me bisedue dy fjalë me mue, por dërgoi nji person të tretë!

Megjithëse jetuam të dy në Shkodër, nuk e pata takue për nji periudhë shumë vjeçare…! Ndryshe ishte sjellja e shokëve të sportit të Tiranës, me të cilët, pavarësisht prej halleve që më patën ra mbi krye, miqësinë e ruajtën si në kohët e para.

Mbas disa javëve, prej përjashtimit tim, me motiv politik prej sportit, kërkova takim me Sekretarin e parë të Komitetit të Partisë për Rrethin e Shkodrës, Pjetër Kosta, për me i paraqitë padrejtësinë që m’ishte ba. E takova “shokun Pjetër”, në zyrën e tij dhe argumenti që i parashtrova me dy fjalë, ishte tepër i thjeshtë:

“Si e shpjegoni, shoku Pjetër, faktin që nji person si rasti im, me biografinë që kam, me meritat që kam demostrue, në fushën e sportit, dhe me rezultatet që kam mbërrit (ia numërova shkurtimisht), i cili, deri dje, ishte i duartrokitur e i respektuem prej të gjithëve, kurse nji ditë mbrapa, pa asnjë shkak e motiv, dënohet deri me përjashtim prej sportit?

Isha thellësisht i bindun, se urdhri për largimin tim prej aktivitetit sportive, me motiv politik, kishte ardhë nëpërmjet tij (ndoshta…, i urdhnuem prej dikujt në Tiranë, me qëllim dobësimin e skuadrës shkodrane, që n’atë kohë ishte ma e forta në basketbollin shqiptar) dhe ai e dinte që, unë e kuptoj!

Pyetja e zuni ngusht, sepse përgjigjen nuk mund ta jepte, ai, që e kishte urdhnue padrejtësinë. Kjo e nervozoi, ose bani sikur u nervozua, sepse me za të naltë, dhe me arrogance, më bërtiti: “Çka kujton more, se Sekretari i parë ka kohë me u marrë me punë kote, a luajti, a s’luajti lojtari?! Nisu e shko, se s’kam kohë me hupë me këto punë!”

Me kaq mbaroi takimi!

Për këtë personazh, me sjellje kaq arrogante dhe me pa burrninë që demonstroi në komunikim, formova e ruaj nji opinion shumë negativ. Shija e keqe e asaj dite, ende sot, më pështjellohet në stomak!

P.S. Mbas dy vjetëve ndërprerje të aktivitetit sportiv, falë ndërhyrjes së Bilal Parrucës, asokohe Kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Rrethit, Shkodër, fitova të drejtën e riaktivizimit në sportin e basketbollit. Për fatin tim të keq, ndoshta pasojë e ndërprerjes së stërvitjes, për nji periudhë dyvjeçare, mbas pak kohe, u aksidentova në gju, në mënyrë të pashërueshme)

“Ikja” prej shkollës së Breg Lumit, Dukagjin

Në kallnuer, të vjetit 1967, më transferuan me punë në shkollën e Breg Lumit, Dukagjin. Gjatë atij vitit, mësuesit e zonave malore do të shërbejshin pa ndërprerje gati 12 muaj deri në fund të gushtit, për përfundimin e programit mësimor të sistemit veror e, në shtator e mbrapa, për fillimin e sezonit tjetër, të njëjtë me të gjitha shkollat e Shqipërisë.

Sezoni i parë, i vitit shkollor 1967 – 1968, përfundonte ditën e shtune, me 23 dhjetor 1967, mbrapa kishim dy javë pushim. Merret me mend se, sa me padurim e pritshim fillimin e pushimeve dimnore, që për ne donte me thanë: familja, shtëpia, qyteti, shoqëria dhe…!

Patëm ra dakord, me drejtorin e shkollës, që t’u niseshim për Shkodër të shtunën, datë 23.12. Do t’udhëtojshim në këmbë, për rreth 8 orë (në grup ishin edhe dy mësuese…), tue ndjekë rrugën këmbësore të Kaprrejës, në ngjitje drejt Qafës së Thores në naltësinë 1.720 m. Mbrapa rruga ishte në zbritje, deri në Bogë, ku gjejshim rrugën e makinës. Ato naltësi ishin plot borë, pra rruga kishte vështirësi, por kurrkush nuk i jepte rëndësi..!

Gjatë javës para nisjes, trupi mësimor u mobilizue për përfundimin e programit mësimor, si dhe mbylljen e regjistrave. Atmosfera kishte entuziazëm, por të mërkurën, datë 20.12, qarkulloi lajmi se nji ekip prej Kryeministrisë, do të vinte të hënën, datë 25.12, në Dukagjin për me plotësue të dhënat e nji studimi mbi gjendjen ekonomike kulturore të zonave malore shqiptare, e ky lajm, na futi në mendime…!

Ishim plotësisht të bindun, se për me plotësue të dhënat e studimit, familje për familje, ekipi i Kryeministrisë, në bashkëpunim me lokalitetin (Pushteti vendor i Dukagjinit), do të urdhnojshin me dalë mësuesit në terren, të cilët ishin edhe me pushime, pra të lirë…!

Kjo ishte shumë e rëndë për ne, që ishim pregaditë shpirtërisht me u kthye, për dy javë, në shtëpiat tona. Shqetësimi hapi debatin, debati përdori logjikën, logjika gjeti rrugëdaljen: vendosëm me e mbajt të fshehtë datën e nisjes për Shkodër, kështu, ndoshta, lokaliteti e të tjerët, që kishin halle e telashe mjaft, me problemet e Dukagjinit, nuk do ta kishin vëmendjen e tyne te fakti, se ndodhen apo nuk ndodhen, në Dukagjin, mësuesit e Bregut të Lumit. Ato mund t’ishin kujtue për këtë çështje, vetëm ditën e hane, që vinte ekipi, por n’atë ditë, ne do të ishim në shtëpiat tona në Shkodër…!

Për momentin u qetësuam, por kjo nuk zgjati shumë, sepse ditën e enjte, mbas dite (datë 21.12), erdhi lajmi i dytë (jo zyrtar), por i besueshëm se, ekipi i Kryeministrisë, do të vinte në Dukagjin të shtunën dhe jo të hënën, pra ne, që do të niseshim të shtunën në drejtim të Bogës, kishim me e takue rrugës ekipin kryeministror, që vinte po, prej Bogës…!

Kjo nuk ishte e këshillueshme, edhe për faktin se ata (ekipi Kryeministror) me nji fjalë goje, mund të na urdhëronin kthimin mbrapsht, përsëri në Breg të Lumit! Si, me ja ba, pra?

Mbeti vetëm nji variant: deri sa, nuk kishim ende lajmërim zyrtar prej lokalitetit, për mobilizimin e mësuesve si mbas projektit të Kryeministrisë, na mund të niseshim për Shkodër kur të dëshirojshim, edhe ditën e shtunë, por, për mos me u takue me ato të Kryeministrisë, do të ndiqnim rrugën tjetër, atë të Gurit të Kuq, që ishte ma e gjatë, por ma e përshtatshme, për rastin konkret…!

Ditën e premte, paradite, nuk zhvillua mësim, detyrat mësimore i kishim përfundue, po merreshim vetëm me organizimin e nisjes së nesërme. Për sherrin tonë, koha u keqësua, filluan flokët e para të borës. Biseda me miqtë tonë vendas, të cilët kishin përvojë për parashikimin e motit në zonën e tyne, na bindi që të marrim masa e të niseshim për udhëtim, sa ma shpejt që të ishte e mundun, sepse nesër, rrugët mund të ishin të pakalueshme, prej borës.

Planifikuam që, së paku brenda ditës të bëjshim rrugën prej Breg Lumit, deri në Nicaj-Shosh, që në kushte normale përshkohej për tri orë e gjysëm. Në Nicaj, do të gjejshim mikpritje e mundësi fjetje, nëpër shtëpiat e vendasve. Të nesërmen (e shtunën), do të kishim me ba në këmbë vetëm kalimin e Malit të Shoshit (1300 m lartësi), e në vazhdim zbritjen në rrugën e Gurit të Kuq, deri në Prekal, ku ishte rruga e makinës për në Shkodër.

Shtimi i borës, nxiti edhe urgjencën për nisje. Meqenëse nisja kishte qenë parashikue nji ditë mbrapa, as ushqime nuk kishim, paketuam vetëm bukë me sheqer e ujë, dhe ashtu, për ngut, morëm rrugën. Ishim pesë vetë; Lena, Aishja, Gjovalini, Muhameti dhe unë. Drejtori dhe mësues Skënderi, nuk erdhën me ne, qëndruan edhe për disa ditë, në shkollë.

Përvoja na kishte mësue, që n’ato marshime të gjata, nëpër rrugë këmbësore me ngjitje e zbritje të vazhdueshme, veshja duhej t’ishte e lehtë; xhup leshi, xhaketë, shall e kapelë, mbas shpine nji çantë të vogël për ujë dhe ushqimet e rrugës.

Shokët, nën pantallona, mbanin edhe pizhame, kurse unë pizhamet i përdorsha, gjatë ecjeve me borë të madhe, mbi pantallona të shtërngueme me rrip; kontakti i vazhdueshëm me borën, gjatë orëve të gjata të ecjes, i ngrinte pizhamet që merrnin formën e tubave të shporetit dhe pantallonat e pangrime nën ta, mbrojshin nxehtësinë e trupit…!

Ishte ora 13.30, kur u larguam prej shkollës. Bora ishte dendësue, ndonjë vendas që takuam rrugës, na përshëndeste tue na bërtitë, me zë të naltë: “Ku po shkoni burra, ktheniu more, e mos merrni rrugë me këtë kohë”!

Ma poshtë vendit, ku sot asht Ura e Lotajt, ishte “vada”, ku mund të kalohej lumi në këmbë, mandej ecja merrte naltësinë, djathtas rrjedhjes së lumit, deri sa takonte  rrugën tradicionale drejt Kodër Sh’Njergjit, Ndrejaj dhe deri në Nicaj-Shosh.

Kalimi i lumit nënkuptonte zhveshjen e plotë, por atë ditë, meqenëse ishin me ne edhe shoqet, lumin e Shalës me ujë akull, deri në 0.8 m thellësi, e kaluam në brekë, mbi krye mbajshim teshat e trupit dhe çantën. Të dy mësueset, Aishja e Lena, e kaluan lumin, të kacavarura me radhë, mbi shpinën time.

Gjatë udhëtimit, bora e dendun binte pa pushim, por nuk na pengonte aq shumë, se nuk kishte formue ende shtresën e trashë. Herë fol e herë qesh, kaluan gati 4 orë e, u err.

Informacioni që morëm rrugës, e terri që na zuni, na banë me ndërrue destinacionin e kalimit të natës; në vend që me shkue deri në Nicaj-Shosh, në shtëpitë e vendasve, që ishin ende larg, u ndaluam te kampingu i aksionistëve lushnjarë, “Të cilët të frymëzuar prej aktit heroik të Shkurte Palë Vatës”, kishin dalë vullnetarë, aksionistë për të ndihmuar popullin e Dukagjinit…!

Drejtuesit e aksionit na pritën mirë, na siguruan fjetjen, dhe na dhanë racionin e ushqimit të darkës; buk, djathë e çaj.

Ndoshta, prej faktit që, kishim hëngër tanë pasditen, buk e sheqer dhe në darkë, buk e djathë të krypun, kishim shumë etje, por atë natë, aty ku ishim, nuk kishte ma ujë. Provuam me shkri borën, e futun në nji gotë uji, por gota u thye e bora nuk u shkri, atëhere mbeti vetëm varianti me hëngër borë, gjë që, na lehtësoi pak etjen.

Vendi i fjetjes ishte i organizuam në disa kapanone të vjetër të kooperativës, pa dritë elektrike, veç me llamba me vajguri. Mjedisi ishte shumë i ftohtë. Ashtu si ishim të veshur, u mbuluam me batanije dhe menjëherë, prej lodhjes, na mori gjumi. Natën vonë, mbas ndoshta 6 orëve se si, më doli gjumi, hapa sytë aty ku isha i shtrimë mbi shtrat, e mbeta i çuditun që nalt mbi mua, në nji pozicion, xixillojshin yjet…!

Të nesërmen, sa zbardhi drita, u çuam prej shtratit para aksionistëve, sepse ishim për rrugë. Terrenin jashtë e gjetëm të mbushun plot e përplot me borë, koha ishte shumë e bukur, qielli pa re, por erë e ftohtë dhe temperatura shumë e ultë. Të parën gjë, që kërkuam, ishte uji. Na kishin tregua, se afër sheshit, ku ishin kapanonet në distancë 30 m larg, por ma poshtë, ishte burimi natyror ku aksionistët furnizoheshin me ujë. Memorie.al

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?