Dëshmia e legjendës së basketbollit shqiptar: Pas pyetjeve provokative, vajza rumune u largua dhe shkoi te njeriu i Sigurimit që shoqëronte ekipin tonë në Bukuresht

5 Janar 2023, 07:24| Përditesimi: 5 Janar 2023, 07:27

  • Share

Pjesa e tretë

Spartakiada e Parë Kombëtare Sportive, shtator 1959, që ishte pa dyshim organizimi ma masiv e cilësor sportiv, në historinë e sportit shqiptar, sapo kishte përfundue. Prej Klubit Sportiv “17 Nëntori”, sportist i të cilit isha, mora lajmërimin që të nesërmen n’orën 11.00, me u paraqitë i veshun me kostum sportiv, te palestra e universitetit, ku do të zhvillohej ceremonia e mbylljes së Spartakiadës. U paraqita në kohën e duhun, me uniformën sportive të klubit (tuta dhe kanotjerë), por se si, më bani pak përshtypje fakti që, nuk ishin të pranishëm shumë shokë të skuadrës.  

Përfaqësuesit e të gjitha klubeve shqiptare dolën, në “rresht për nji”, përpara podiumit drejtues të ceremonisë. Sportistët e zgjedhun të “17 Nëntorit”, i kryesonte boksieri i madh, Teodor Janku (shkurt, Todi).

Mbas pak, podiumi filloi me u plotësue, prej drejtuesve të sportit shqiptar dhe kuptuem se, për me fillue ceremonia po pritej Kryetari i Delegacionit Sovjetik që kishte organizue e drejtue Spartakiadën, si edhe Ministri i Arsimit, Manush Myftiu, të cilët do të ndajshin edhe medaljet.

Në ato çaste pritjeje, u afrue me nji farë nxitimi dhe shqetësimi Todi Janku, dhe na kërkoi, që ndonjeni prej nesh t’i jepte për aq kohë, sa ishte ceremonia, kanatjeren personale sportive me uniformën e “17 Nëntorit”, sepse të veten, Todi e kishte pasë lanë në shtëpi!

Ai e motivoi kërkesën edhe me faktin se kishte marrë vesh për dekorimin e tij me “Medaljen e Artë të Spartakiadës” dhe dalja para tribunes, duhet t’ishte etike, pra i veshun me kanatjerën e klubit. Kërkesës së Todit, nuk iu përgjigj asnjë prej sportistëve, përveç meje.

Ndoshta edhe ata, ashtu si Todi, kishin pasë informacion për dekorimin e tyne, dhe për këtë arsye u duhej uniforma e rregullt, kurse mua, në moshën 16 vjeçare, as që më shkonte mendja për medalje.

Qëndrova në rresht, pa kanatjerë, tue ndjekë me shumë interes zhvillimin e ceremonisë. Komiteti drejtues i Spartakiadës kishte vendosë dekorimin me “Medalje të Artë”, vetëm të nji sportisti, për çdo lloj sporti. Përfaqësuesi i Komitetit Sportiv Shqiptar lexonte emrat e sportistëve të dekoruem, kurse medaljen, e dorëzojshin tue alternue radhën, herë kryetari i Delegacionit Sovjetik dhe herë, Manush Myftiu.

Të dekoruemit, mbasi merrshin medaljen, falënderojshin tue i shtërngue dorën edhe pjesëtarëve të tjerë të podiumit. Në nji moment, si mbas radhës së sporteve, moderatori i veprimtarisë deklaroi:

“Medaljen e Artë të Spartakiadës së parë Kombëtare për sportin e basketbollit, e merr basketbollisti i klubit “17 Nëntorit”, Filip Guraziu, me motivacionin: Basketbollisti i ri, ma i dalluem dhe me perspektivë, në aktivitetin e Spartakiadës”.

Ngriva i surprizuem, prej këtij nderimi kaq të madh!

Qëndrova në vend, nuk shkova me e marrë medaljen, me arsyetimin se nuk ishte serioze me dalë para nji podiumi aq të rëndësishëm pa uniformën sportive, mbasi në bel e përpjetë, isha lakuriq, (kanatjerën time ia pata dhanë Todit, gja që e dijshin të tanë), por nga ana tjetër, në fraksione të sekondës, intuita e vetëmbrojtjes më jepte të drejtë e m’urdhnonte: “Mos luaj vendit, mos dil në podium para Manush Myftiut”…!

Në fund, kur mbaroi ceremonia, dhe u larguen “kryesorët”, shkova te podiumi dhe mora “Medaljen e Artë”, që ishte e shkrueme në gjuhën ruse.

Sot, mbas shumë vjetëve, tue u kthye në retrospektivë, përvoja ime e jetës, më lejon e më mundëson parashikimin me probabilitet mjaft të madh, të zhvillimeve post-episodike të asaj ngjarje, në rastin e daljes sime në podium, para Manush Myftiut, i cili pat qenë nji ndër pjesëtarët e mbledhjes famëkeqe të Byrosë Politike, të shkurtit 1951, ku njizani u miratue pushkatimi i 22 intelektualëve të pafajshëm, ndër të cilët ishte edhe baba im…!

Ndoshta, duhet me ja ditë për nder të ndjerit, Teodor Janku, boksierit të papërsëritshëm shqiptar, mikut tim, për të cilin ruaj respekt të veçantë, që në shtator 1959, ditën e dekorimit me ‘Medaljen e Artë’ të Spartakiadës, pati harrue kanatjeren në shtëpi…!

Aventura rumune, janar 1960…!

Fundi i vjetëve ‘50-të, ishte periudha kur politika e komunistëve shqiptarë, po bante çmos me  u paraqitë para partisë “Nënë”, asaj të BRSS-së, (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike), me Hrushovin në krye, si parti jo staliniste, që dënonte “kultin e individit”, dhe që synonte ndërtimin e nji shoqnije socialiste humane e jo diktatoriale (dënimi i kultit t’individit të Stalinit, në vjetin 1960, ishte edhe në tezën e provimit në universitet).

Për ne shqiptarët, por jo vetëm…ky qëndrim ishte “i lexueshëm”; në realitet, kjo lloj taktike, i shërbente interesave të ngushta të klikës drejtuese komuniste shqiptare për, ruajtjen e karriges së pushtetit, sepse politika hrushoviane n’atë kohë, po eliminonte, nji kah nji, të gjithë drejtuesit komunistë, me sjellje staliniste të Europës Lindore.

Në frymën e kësaj politike, në ditët e fundit të janarit, të vjetit 1960, u projektue organizimi i nji takimi politiko-kulturor-sportiv, i shteteve komuniste të Ballkanit,  në Bukuresht, ku do të merrte pjesë edhe Shqipëria me përfaqësues të politikës, t’artit e të sportit (basketboll).

N’atë kohë, unë vazhdojsha me shumë seriozitet e rezultate të nalta mësimin, në klasën e maturës, në shkollën e mesme “Çajupi”, Tiranë, dhe po ashtu stërvitjet në sportin e basketbollit. Mbas suksesit sportiv, personal, në Spartakiadën e vjetit 1959, mundem me thanë se, isha konfirmue si lojtar kryesor i skuadrës së basketbollit, me të rriturit e “17 Nëntorit”.

Këto, mund të kenë qenë arsyet, që më integruan në skuadrën përfaqësuese shqiptare, të basketbollit (të moshës deri 22 vjeç), që do të merrte pjesë në takimin e Bukureshtit.

Çudia dhe gëzimi, për këtë lloj përzgjedhje, ishin paralelisht të mëdhaja.

Kam bindje të plotë se, ndihmë e fuqishme në favor të marrjes së vendimit për përzgjedhjen time në ekipin përfaqësues, përveç asaj të trajnerit të mirënjohur, Fehti Borova, kanë qenë edhe “karakteristikat personale të mira”, që Sofokli Afezolli si, drejtor i shkollës së mesme, “Çajupi”, dhe Lame Konomi, si shef i Klubit Sportiv “17 Nëntori”, patën paraqitë për mua.

Koha pregaditore për stërvitjen sportive, qe e shkurtë dhe pa probleme, por shqetësim kryesor për mua doli veshja, sepse n’atë periudhë dimnore, në Bukuresht, temperatura shkonte deri minus 15 gradë celsius! Axha Tonin, më pat dhanë tabaren prej leshi, dhe Beniamini (kushrini) kostumin e tij, po prej stofe leshi, për kapelë, kishim të tanë, qeleshen e bardhë shqiptare.

Në aeroport, na përcollën axha, Tonin Guraziu, së bashku, me profesorin e paharrueshëm të landës se fizikulturës, Abdullah Stermasin.

Rrugën ajrore për në Bukuresht, e kishte marrë përsipër aviacioni rumun, me dy aeroplanë me elikë, prodhim i BRSS-së. Fillimisht, në aeroportin e Rinasit, kishte ardhë vetëm njani aeroplan prej Rumanie, ku menjëherë zunë vend përfaqësuesit e politikës. Te tjetri, që do të vinte mbas 30 minutave, do t’udhëtonte grupi sportiv.

Kaq e veçantë, ishte dalja ime jashtë shtetit, sa jo vetëm unë, por edhe ata që më rrethojshin, nuk ishin 100 % të sigurt se, çdo gja do të shkonte si mbas programit…! Në të kaluemen kishte ndodhë, dhe jo vetëm nji herë, që në sekondat e fundit, para nisjes, me urdhën prej nalt, ishte anulue dalja jashtë shtetit e X personit!

Gjatë kohës së pritjes, me këto mendime në krye, u njoftuam se n’aeroplanin e parë kishte pas mbet nji vend bosh dhe mund të udhëtonte njani prej sportistëve, menjëherë trajneri, Fehti Borova tha: të niset Filipi, të gjithë e kuptuem arsyen e këtij vendimi…!

Bukureshti, më bani përshtypje të veçantë, nuk kishte krahasim me Tiranën. Qytet prej 1.5 milion banorë, me pallate 15 katshe, galeri arti madhështore, palestra moderne e pishina sportive, të mbylluna. Megjithëse nuk fitueme asnji ndeshje, ekipi shqipëtar i basketbollit, la përshtypje pozitive.  Unë, u shpalla lojtari ma i ri, i veprimtarisë sportive, ende nuk kisha plotësue 17 vjeç.

Mbyllja e “Takimit Rinor”, u organizue gjatë orëve të vona të natës, në formë festive (banket, muzikë e vallëzim), në mjedisin e ndërtesës madhështore me arkitekturë klasike, seli e qeverisë rumune, të para Luftës së Dytë Botnore.

Gjatë asaj mbrëmje të bukur, m’afrohet nji vajzë, jo edhe aq simpatike, e më fton në gjuhën rumune për vallzim, gja që e prita me kënaqësi. Menjëherë filluem bisedën; ajo më fliste rumanisht, kurse unë, iu përgjigja me rusishten time, e vetmja gjuhë e huaj që mësojshim në shkollë, n’at kohë.

Për fat, partnerja rumune e vallëzimit, e zotëronte shumë ma mirë se unë rusishten, e kështu biseda vazhdoi; ndër të tjera, më kujtohet, se ajo më drejtoi disa pyetje: Si e kalon rinia në Shqipni?! Si e keni gjendjen ekonomike?! A jeni të kënaqun me pushtetin?! Unë menjëherë i dhashë përgjigjet standard, ato që duheshin me u thanë…! Se na, të rinjtë, e kalojmë shumë mirë; se s’na mungon asgjë; se pushteti kujdeset shumë për popullin…!

Mbasi mori këto përgjigje, më bani përshtypje, se vajza rumune nuk pati ma interes me vazhdua bisedën, dhe sapo mbaroi muzika, u largue me shpejtësi. Natyrisht të gjitha këto pyetje dhe sjellje, me të drejtë më futën dyshimin, se kush ishte dhe pse m’u afrue, kjo vajzë rumune?

Për këtë arsye e ndoqa prej larg, se ku po shkonte! Kishte shumë njerëz, e nuk bijsha në sy, gjatë ndjekjes. E dallova, se shkoi menjiherë te oficieri i Sigurimit Shqiptar, që ishte “shoqnuesi” i grupit tonë, dhe po bisedonte me te. U afrova prej mbrapa dhe i ndigjova. Po flitshin shqip. Kaq e pati, çdo gja u sqarue…!

Mbas 7 ditëve, të paharrueshme, të përvojës rumune, grupi i sportit mori rrugën e kthimit. Gjatë fluturimit, aeroplani filloi të tundet e të shkundet në nji mënyrë të pazakontë. Shkaku ishte nji stuhi e fuqishme, që papritmas kishte ndërhy në linjën ajrore të fluturimit.

Kaq e fortë ishte lëkundja e aeroplanit, sa shumë shokë të skuadrës, filluan me bërtitë e me qa me za të naltë, prej frikës. Unë, çuditërisht isha mjaft i qetë, aq sa sot, kur e kujtoj më duket vetja, si “i papërgjegjshëm”! Mendojsha….të bahet, çka të bahet, nji herë kam le e nji herë kam me vdekë.

Për fat, mbas pak minutave, na njoftuan se aeroplani do të bënte ulje emergjente në aeroportin e Beogradit, në pritje derisa rreziku i stuhisë të largohet.

Kjo e papritur nxori nji problem: na, që udhëtojshim me këtë aeroplan, ishim pa dokumenta identifikimi, sepse dosja me vizat kolektive, kishte mbet në Bukuresht, ku ishte pjesa ma e madhe e delegacionit, atëherë, drejtuesi i naltë që udhëtonte me ne, shoku Todi Lubonja, urdhëroi që sportistët, të mos dalin prej aeroplanit, por të qëndrojnë brenda, në pritje të përmirësimit të kohës, për fluturim.

Ishte e kuptueshme, se ky vendim shërbente edhe për pengimin e arratisjes, eventuale të ndonjë sportisti, në tokën “armike” jugosllave, gja që kishte ndodhë para nji vjeti, me nji atlet shqiptar, po në Beograd.

Duket se, “hesapet ishin ba pa hanxhinë”, sepse sapo u ul aeroplani, në aeroportin e vjetër të Beogradit, u paraqit nji oficere e kufirit jugosllav, që urdhëroi zbritjen prej aeroplanit, për të tanë pasagjerët me argumentin se: “rregullorja ndërkombëtare e administrimit të aeroporteve, nuk lejonte qëndrimin e pasagjerëve në nji aeroplan, të parkuem në aeroport”.

Zbritëm të tanë, dhe na drejtuan te nji sallë shumë e madhe, me tavolina, që shërbente si bar-restorant, në katin përdhe të aeroportit.

Të lajmëruam prej shokut Todi, mbas pak minutave, erdhën edhe dy përfaqësues të ambasadës shqiptare në Beograd e na servirën, si mbas dëshirës, çaj dhe kafe. Koha kalonte, dhe sinjali për rifillimin e fluturimit drejt Tiranës nuk po vinte.

Ndjeva nevojën për me shkue në tualet. Pyeta përfaqësuesit e ambasadës, se ku ishte tualeti. Ata më treguan drejtimin, dhe vazhduan me qetësi muhabetin, me shokun Todi.

Sapo futesh në nji tualet, veprimi i parë asht mbyllja e derës përbrenda, në rastin konkret dera u mbyllte me nji shul, jo të vogël. Kreva nevojat personale e se si, pa ndonjë mendim konkret, hapa dritaren e tualetit.

U çudita, që nuk ishte e bllokueme me hekura. Kalimi i dritares ishte tepër i lehtë. Mbas dritares ishte nji trotuar dhe, mandej, rruga automobilistike.

Përtej ishte bota e lirë, pa dhunë, pa “diktaturë proletariati”!

A mos ishte ky momenti i jetës sime?

Por…nuk mjaftonte vetëm dëshira e vullneti që e kisha, duhej edhe “vendimi”, se vullneti pa vendim vetë asgjësohet. Ai vendim për mua ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe i dhimbshëm.

Nuk konsiderojsha rrezikun personal, se n’atë moshë plot energji, m’u dukte vetja si me qenë me “krahë”, por mendimi shkonte larg, atje në Shkodër, te nana e te motra, të cilat si kompensim të “lirisë” time, do të pësojshin tërbimin e “luftës së klasave” mbi shpinën e tyre, gjatë internimit të përjetshëm nëpër moçalet e Myzeqesë!

Lumturia nuk mund të ndërtohet mbi fatkeqësinë e tjetrit, për mua familja ishte e vazhdon me qenë gjëja ma e shtrenjtë në jetë. N’atë rast, morali e dashuria fitoi mbi egoizmin: lëviza shulin, hapa derën dhe u ktheva te shokët.

Aeroplani u nis mbas nji ore; udhëtimi vazhdoi i qetë. Në kthim, natën vonë, e me shi, Tirana m’u duk si vendi ma i humbun në botë; i errtë, i pistë e bosh!

Ndoshta shifshin sytë e shpirtit dhe jo, ato të kresë…! Kurrë nuk u pendova, për vendimin që mora te dritarja e tualetit, në aeroportin e vjetër të Beogradit, përkundrazi edhe sot mbas kaq shumë vjetëve, ndihem mirë, i qetë dhe i kënaqun për atë vendim.

Aventura rumune ishte rasti i parë, dhe i fundit i daljes sime jashtë shtetit gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Memorie.al

 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?