Dëshmia e rrallë e ish-oficerit të marinës: Kur Lirim Pëllumbi i tha nënës se do mundohem mos e pushkatojnë Maksin tënd, ajo i’a ktheu 'po partia fali babanë tënd, vrau e grabiti një mushkë me flori'

28 Dhjetor 2023, 07:33| Përditesimi: 28 Dhjetor 2023, 07:38

  • Share

Maksim Rakipaj, me origjinë nga Përmeti, familja e të cilit kishte ndihmuar dhe përkrahur Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, pasi u diplomua në Shkollën e Marinës në Vlorë, në vitin 1972 u emërua oficer në Flotën Detare Tregtare, ku shërbeu me përkushtim deri në vitin 1977, në vaporin “Durrësi”, u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burg politik, në përbërje të një “grupi”, ku bënte pjesë edhe kolegu  tij, Aladin Kapo, djali i vëllait të Hysni Kapos. Si shkak për dënimin e tij, ishte edhe biografia familjare. Pas mbarimit të Luftës, dy nga xhaxhallarët e tij, u dënuan me burg politik, gjyshi u shpall kulak dhe më 1976,  i ati u përjashtua nga partia. Vuajtjen e dënimit, Maksi e filloi në kampin e Ballshit dhe në 1979-ën, u transferua në kampin e Spaçit dhe më pas në atë të Qafë Barit. U lirua më 12 shtator të vitit 1984, duke përfituar ulje dënimi, nga një amnisti. Pasi qëndroi shumë kohë pa punë, me shumë mundime, u sistemua si minator në minierën e Mëzezit, punoi deri në vitin 1991.

Pas viteve ’91-të, ai filloi punë në administratën e Bashkisë së Durrësit, shërbeu deri në vitin 1997 dhe më pas, u rikthye përsëri në Marinën Tregtare (kapiteni i fundit i transoqeanikut “Vlora”), deri sa u largua nga Shqipëria për në Itali, (ilegalisht me gomone), ku jeton aktualisht prej shumë vitesh. Që pas viteve ’90-të, krahas punëve të ndryshme, Maksim Rakipaj i është kushtuar edhe shkrimeve, si; poezi, prozë, letërsi artistike apo dokumentare, përkthime etj., duke botuar disa libra, si: ‘Profeti – Khalil Gibran’, (përkthim nga anglishtja ‘Toena’ 2003), ’20 poezi dashurie dhe një këngë trishtimi’, (përkthim nga spanjishtja, ‘Toena’ 2003), ‘Gjallë pas mbytjes së anijes’, (botim i ISKK, 2014), ‘Bukowski – poezi’, (përkthim nga anglishtja, ‘ENEAS’, 2015),  ‘Trilusa m’Tironë’, (përkthim nga italishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Antologji e poezisë arabo-persiane’ (përkthime nga anglishtja, ‘UEGEN’, 2015), ‘Sonetet e plota të Shekspirit’, (përkthim nga anglishtja, ‘ADA’ 2016’), ‘I mbijetuar’ (roman autobiografik, ’2 Lindje, 2 Perëndim’ 2018), ‘Nobelistët – antologji poetike, (UEGEN 2019), ‘Hymni i lumturisë’ (‘JOZEF’ 2023), etj. Nga krijimtaria e z. Rakipaj, Memorie.al po publikon, librin “I mbijetuari”, (botuar në 2022 nga Shtëpia Botuese “JOZEF” në Durrës, e drejtuar nga z. Aurel Kaçulini), ku ai ka përshkruar në mënyrë kronologjike, jetën e tij, ku pjesa kryesore është ajo e vuajtjes së dënimit në kampe dhe burgje, si dhe personazhe të ndryshëm, bashkëvuajtës të tij që njohu në skëterrën komuniste, etj.

I MBIJETUAR

KREU I

Para arrestimit

Rakipajt, nga Mokrica e Përmetit

Prejardhja ime është nga Përmeti, Mokrica. Sot në Mokricë ka mbetur vetëm shtëpia, një ndërtesë hijerëndë, trekatëshe, me oborr të madh përpara, rrethuar me mur të lartë e ngritur nga stërgjyshërit e Rakipajve. Për stërgjyshin, Samitin, rrëfejnë se ishte burrë i mençur, i kishte peshë fjala, por njihej edhe si burrë trim, nopran, rrinte gjithnjë i armatosur, me pisqolla dhe kama, ngjeshur në brez, kudo të shkonte. “Këto ta zbardhin faqen”, dhe vinte dorën në brez te armët.

Kishte bërë emër si trim, Samit Rakipaj, S’ishte lehtë ta kishe armik atë, sepse s’i bënte syri tërr nga askush. Qëlloi që një mbesë e tij u martua në fshatrat e Tepelenës… e kishte pa qejf atë krushqi Samiti, “s’i trajtojnë gratë mirë nga ajo zonë”, thoshte. Pas nja dy javësh, shaloi kalin për në Tepelenë: “Do shkoj të shoh, si ma mbajnë çupën…”! Krushqia e priti me nderime, “o, mirseardhe Samit bej, na nderove që na shkele derën…”!

– “Faleminderit or miq, po ma sillni çupën ta shoh e ta pyes, si ia kalon këtu, mos ka ndonjë hall, mos ka nevojë për gjëkafshë…”!

– “Çupën për bukuri e ke, punëtore, e urtë, s’i ndihet zëri, ja sikur ka ardhur, është me gratë lart në mal, po bëjnë dru për dimër”. Kur pa mbesën ngarkuar me dru, Samiti u çakërrdis:

– “Po ju, përse s’më thatë more zuzarë, që paskit patur nevojë për mushkë dhe jo për nuse?! Si more, mbesa ime, të ngarkohet si gomar! Çupë, eja kthehemi në shtëpi, këta s’qenkan njerëz”. Dhe qysh atëherë, nga Mokrica jepnin nuse vetëm në fshatrat e Kolonjës, ose të Përmetit.

Gjysh Sabriu ishte më i shtruar, burrë i urtë dhe paqësor. Stërgjyshi, i gjeti nuse nga Pagria. Me të pati shtatë djem Sabriu, të gjithë shtatlartë, shumica flokëverdhë dhe sykaltër: Njaziun, Hysenin, Fejzon, Xhaferin (tim atë), Samiun, Enverin, që i thoshim Neke, Ganiun dhe një vajzë, Xheken, hallën time të paharruar. Për të mbyllur sherret e vjetra me familjen tjetër rivale në fshat, të vetmen vajzë që pati, e dha nuse tek ata.

Por edhe aq i shtruar nuk qe Sabriu… ata që e mbanin mend, tregonin për të se kur vinin andartët grekë për reprezalje nër fshatrat e Përmetit, gjatë Luftës I-rë Botërore, shkonte në krye të një çete me besnikë të tijët fshat më fshat, duke numëruar të vrarët, dëmet, pastaj hidhej në Greqi, madje deri në Athinë, të merrte hak dhe e kishte bërë zakon, të vriste një më shumë se ata dhe linte fjalë: “Të fala nga Sabriu i Mokricës”!

Luftën, djemtë e Sabriut e filluan si ballistë dhe e mbyllën si partizanë; vetëm Njaziu nuk doli partizan, pasi qe zogist, kishte bërë shkollë ushtarake në Modena (Itali) dhe i doli krah të atit, për të mbajtur familjen dhe Fejzua që punonte si sekretar komune, në Tetovë. Nekja, Ganua dhe halla, qenë të mitur ato vite. Pas lufte, pyeti Sabriu tim atë: – “O Xhafer, si i thonë këtij mbretit, që i zu vendin Ahmet Zogut”?!

“Enver i thonë,” u përgjigj im atë. “Si Nekja jonë? Dashtë Zoti, të jetë i mirë dhe i dashur si Nekja.”

Dy djemve të parë, u shkoi ters: Në vitet 1955-‘56 Njaziun e dënuan 17 vite burg politik, Hysenin e arrestuan dhe e vranë pa gjyq, në burgun e Tiranës dhe vetë Sabriun, e shpallën kulak. Nekja, që po rritej, mbeti shtylla e shtëpisë, ishte fejuar me një vajzë nga Malindi. Pasi u shpall kulak gjyshi, erdhi fjala nga krushqia, se ata e quanin të prishur fejesën…!

“Ç’do bësh, o Neke?” – e pyeti Sabriu. “Si ç’do bëj? Javën që vjen, është data e dasmës, sipas fjalës së dhënë, s’ka burrë tjetër, që merr Sadenë, veç meje”! Dhe javën tjetër, shkoi dhe solli Sadenë me kalë të bardhë…! Kur kishte shkuar Nekja në shtëpinë e vjehrrit, e pritën keq: “Nga kjo shtëpi, s’ka nuse për kulakët!”

“Ama dhe unë, s’marr tjetër njeri veç Nekes”! kishte shpërthyer e mira Sade, që u derdh drejt të dashurit të saj. Askush nuk guxoi të lëvizte. Dasma u bë në Mokricë, por mëria e fisit të saj nga Malindi, vetëm pas viteve ’90-të u fashit. Nuk ia falën kurrë bijës së tyre, që mori burrë të birin e kulakut dhe vëllait të dy “armiqve të partisë”!

Gjyshja nga babai

Gjyshet…e kush nuk i do ato?! Por kur nuk i kemi, ne i kujtojmë me dhembje, kujtojmë sa shumë na kanë dashur, sa shumë kanë bërë për ne dhe sa pak kemi bërë ne për to. Gjyshërit nuk i mbaj mend sepse, patën vdekur kur linda unë. Gjyshja nga babai, ne i thoshim; nëne, si thuhet në Përmet, jetonte në Tiranë, me më të voglin e 8 fëmijëve, të ndjerin xhaxhanë tim, Gani. Pati shtatë djem dhe një vajzë, të paharruarën hallën time, që nuk arrita ta gjej gjallë, kur u lirova nga burgu. Edhe sot kujtohen qyfyret e nënës, kur ngacmonte të bijtë: “I them sime vjehrre, pa shih sa të bukur i kam këta djem… e dini si m’u kthye? Për të bukur, të bukur janë… t’i kishe çupa, t’i rrëmbyen, pa për mend, koqen e koqes, se të kanë”!

Xhaxhai im i vogël, Ganiu, jetonte në Tiranë dhe pas vdekjes së gjyshit dhe burgosjes së dy vëllezërve të tij, e tërhoqi nënen në shtëpinë e tij në Tiranë. Nënia ishte zonjë e shtruar, fliste me një zë të ëmbël, që nuk e ngrinte kurrë. Edhe kur qeshte, më shumë i qeshnin sytë. Tregonte bukur dhe me shumë humor, histori nga bijtë e saj, kur ishin të vegjël, me një lloj humori të hollë, thuajse anglez, por të shkrinte gazit. Sa herë shkoja në Tiranë, gëzohej shumë kur më takonte. I përvëlonte shpirti për djalin, që ishte i dënuar politik me 17 vjet, në burgun e Burrelit.

“Ti më ngjan me korbin Njazi, që ma dogji xhanin”, më thoshte, kur ishim vetëm. Për djalin e madh, Hysenin, të gjithë bënin kujdes, mos t’ia zinin në gojë. E kishin pushkatuar në burg pa gjyq, në vitin ‘56. “Pse s’më more mua, o zot, po më more më të mirin e djemve”, thoshte si me vete, kur ndonjë, pa kujdes, e zinte në gojë faqe saj. E quante “murgu Hysen”, si thuhet në fshatrat e Përmetit, kur zihen në gojë të vdekurit. E gjeta një ditë vetëm. Ishte viti 1970 dhe unë isha me pushimet e dimrit. I rashë derës, hiç. E shtyva dhe pashë që ishte hapur. Nënia ishte vetëm. Qante pa zë. “Eja bir i nënes, eja. Sot mora vesh, korba, si ma paskan vrarë djalin. Zot marrç hak”!

Më pas, kur erdhi xhaxhai, e mora vesh historinë. Ishte një lojë e kurdisur nga Sigurimi i Shtetit me njerëzit e tij, në burgun e Tiranës. Ishte menduar që të simulohej një arratisje masive nga burgu, për të legjitimuar më pas terrorin në të gjithë vendin. Kishte edhe policë që bënin pjesë në grupin e krijuar nga Sigurimi i Shtetit, që komplotonin për arratisje nga burgu dhe më pas arratisje jashtë kufijve. Një prej policëve, që bënte pjesë në atë grup, mendoi të merrte edhe Hysenin, sepse qe shumë i fuqishëm.

I thanë dikujt që shoqërohej me të, që t’i mbushte mendjen Hysenit, të futej në grupin e atyre që punonin në hapjen e tunelit të nëndheshëm, që do të shërbente për arratisje. Hyseni, që ndoshta dyshonte për ndonjë kurth, nuk pranoi. “Jo, nuk më duhet të arratisem, sepse edhe pak më ka mbetur, për t’u liruar. Ju vaftë mbarë juve, por unë nuk dua t’ia di. Zere se nuk më the gjë. Unë nuk kam ndërmend të flas me njeri, rri i qetë”. Polici, vendosi ta eliminojë. Pak para se të errej, e thirri gjoja për të biseduar dhe e çoi afër telave me gjemba. I bëri me shenjë ushtarit, që ruante atë pjesë gardhi me tela, ashtu si qe marrë vesh që më parë.

Një breshëri e gjatë automatiku dhe Hyseni ra i vdekur. Duke dhënë shpirt kishte thënë vetëm: “Përse”?! Familjes në ato vite, iu tha që; u vra teksa donte të arratisej nga burgu. Gjyshin e kishin shpallur kulak, një vëlla e kishin në Burrel, kështu që askujt prej vëllezërve Rakipaj, nuk ia mbajti të interesohej më, për fatin e Hysenit të shkretë. Në fillim të viteve ’70, dikush që e dinte këtë histori, pasi u sigurua që nënia mbeti vetëm në shtëpi, shkoi dhe i tregoi për çastet e fundit të Hysenit: “Nuk ma mban dot shpirti, moj nëna e Hysenit. Kam marrë vesh që kam një sëmundje të keqe. Edhe pak më ka mbetur të rroj. Thashë të pastroj shpirtin. Më shfaqet përnatë Hyseni në ëndërr…! ‘Përse, më thotë, përse’… por nuk e vrava unë, nuk e dija që polici donte ta vriste, ja kështu…”!

– “O të keqen nënia ty, që m’u mërzite…! Korba unë, më duket sikur ma vranë sot të ziun djalë. Ja baba Tomorr, marrç hak…”!

Në vitin 1974, xhaxhai tjetër imi, Njaziu, u lirua nga burgu i Burrelit, pasi plotësoi 17 vjetët. Kishte vite që vuante nga kanceri në burg, Njazi Rakipaj, por e liruan vetëm mbasi mbushi dënimin. Plot 17 vjet burg. Nënia, nuk arriti ta shihte dot të lirë. Kishte vdekur para dy vitesh, e përvëluar për djemtë e saj.

…Ndoshta, gjatë hetuesisë sime, kishte të drejtë hetuesi im, kur thoshte se, kisha arsye të forta familjare, për të qenë armik i PPSH-së dhe i pushtetit “popullor”…!

Gjyshja tjetër, nga nëna

Ishte grua e veçantë, unë isha nipi i zgjedhur i saj, e thërrisnim; ané…që kur isha fëmijë, më përkëdhelte me fjalët: “baba të ka nëna, vëlla të ka nëna”…isha i pari djalë te fisi i nënës sime, pas 3 brezash. E martuar me një avokat të dëgjuar në Korçë, Eshref Hysenàj, me shtëpi në qendër të Korçës, me prona të shumta në Voskop, në fshatin e babait të saj, Selim Lilollit, ish oficer i perandorisë turke… “isha zonjë e madhe”, rrëfente aneja, “dy qese me florin, mbaja me vete, një të vockël, për shpenzime dhe një më të madhe, ta kisha, për çdo rast, pastaj u bë lufta, ardhë në fuqi këta që janë dhe na ndritnë, më ka marrë malli, të shoh një flori me sy”!

Kur vdiq gjysh Eshrefi, që e la me katër vajza të mitura, gjyshja iku nga Korça dhe u kthye në shtëpinë që i kishte lënë i ati, Selim efendiu, në Voskop. Tregojnë se; kur u bë Voskopi kooperativë, e thirrën dhe gjyshen të dërguarit e partisë; “merre pushkën, shoqja Mexhide, shtjerë edhe ti, sot fshati ka gëzim të madh…”! Aneja mori pushkën dhe qëlloi tokën: “Merrmani tokën, tani që e vrava…sot s’ka gëzim për mua, është toka ime, që e ka blerë me gjak e me flori babaj tem, s’ia ka rrëmbyer njeriu, si po ma rrëmbeni ju mua…”?! Shpëtoi nga burgosja, se kishte vajzat e mitura dhe në sajë të njohjeve dhe krushqive.

Ëndërronte gjyshja e shkretë, të kalonte pleqërinë me mua… kur befas i shkon lajmi, për arrestimin tim… brenda ditës erdhi në shtëpinë tonë, në Shkozet (Durrës), aneja që nga Voskopi…. –

“Hiç mos u mërzitni për djalin,- u tha prindërve të mi… – Shyqyr, këtu në Durrës, më thanë se kryetar Dege, kanë sjellë Lirim Pëllumbin, mua më do shumë, të kam njësoj me nënën time thotë, sa herë që më sheh…! Ju e dini se, kur e arrestuan të atin e Lirimit, ishte viti ’46 a ’47 (akuzohej për vrasjen e Raqi Qirinxhiut dhe vjedhjen e florinjve, që Raqi mbante si intendent i një brigade partizane), im shoq Eshrefi, shkoi dhe na i solli në shtëpi të shoqen me gjithë 4 fëmijët e tij…kohë zie vdisnin njerëzia për bukë, i mbajtëm disa muaj në shtëpi, gati një vit, me gjithë të mirat, kështu. Dhe Lirimi s’ka si ta harrojë, to vete t’i them, të ma sjellë djalën më shtëpi…”!

…Im atë u mundua t’ja kthente mendjen: “rri ane… mos na i shto hallet, se ta njoh kokën ty”… nëna ime ia fshehu këpucët që të mos dilte, por s’kishte forcë në botë, ta mbante brenda, te Lirim Pëllumbi kishte shumë shpresa…! Mori një palë këpucë që gjeti dhe iku drejt e në Degën e Punëve të Brendshme….te sporteli: – “I thoni kryetarit tuaj, që i ka ardhur e ëma”… vrap polici në telefon – shoku kryetar, ka ardhur…- Sille shpejt lart…”!

U përqafuan… – “Si të kam moj nënë Mexhide, se shkuar nënës të kam…”?!

– “Më dëgjo mirë, se edhe unë si evlatin tim të kam dhe kam ardhur te ty, se po më ikën fiqiri… më ke marrë djalën tim, në burg…”!

– “Prit një minutë, moj nënë… po ti vetëm çupa ke, ja t’i them edhe emrat; Zyranë, Dushin, Medihanë… dhe…, pa ma thuaj emrin e këtij që ke ardhur…”?!

– Maksim Rakipaj e thonë, atë kam djalë, vëlla, baba… atë kam, të keqen nëna, vere dorën në zemër, vërtet Maksin e kam djalën e çupës, po e dua më shumë, se ta kisha pjellë vetë, ti m’i di hallet…”!

– “Aha… keq puna… Maksim Rakipaj, ë?! Qenka nipi jot domethënë… ç’të të them unë i shkreti, për ideal të Partisë, po të them, ja ku po të betohem, është e vështirë kjo punë, po unë do mundohem, që të mos e pushkatojnë këtë Maksin tënd, s’është se vodhi një biçikletë dhe hajde de…”!

– “Si the? Si the?! Të mos e pushkatojnë, mor gjidi edepsëz?! E ç’paska bërë im bir, që të ma pushkatosh ti? Kë vrau, kë vodhi…?! Tët’atë, kjo Parti, nuk ta vrau atëherë, për mushka me flori, që vodhi dhe vrau Raqi Qirinxhin, apo e harrove…?! Harram e paç dashurinë dhe bukën që keni ngrënë prej meje…! Veç dije o Lirim Pëllumbi… dije, se ka Zot! Dhe unë me shpirt po të mallkoj sot; – O Zot! më ardhtë djali më shtëpi dhe ti ngordhç nëpër burgje… i pa shpirt paske qenë… dhe më dëgjo këtu, në qoftë shpëtimi i djalit tem pe teje, nuk e dua atë shpëtim – vraje, se vetëm atë dini të bëni yve…”!

…Nga tronditja, aneja e shkretë harroi edhe ku ishte stacioni i autobuzit dhe erdhi më këmbë deri në Shkozet…!

– “Pupupupu, ç’bëra unë ditë-zeza… e vrava djalën me duart e mia…”?!

– “Vërtet ia the Lirimit tërë këto llafe”?- pyeti im atë…!

– “Pse si thua ti, kam frikë unë?! E zeza ç’i bëra djalit, më rëntë pika, më rëntë…”!

– “Në ia ke thënë, bravo të qoftë – i tha im atë, – kur ta marrë vesh Maksi, do gëzohet për ty, të jesh e sigurt…”!

Në të gjithë burgjet e botës, është në funksionim një mekanizëm i çuditshëm në përhapjen e lajmeve, jashtëzakonisht efikas, ndonjë herë edhe para se të ndodhte diçka, lajmi vinte më përpara në burg. Kështu, ndër të tjera, erdhi lajmi për arrestimin e Lirim Pëllumbit, dhe më e bukura përcaktohej edhe vendi i vuajtjes, së dënimit – Spaçi!

Ishte fundi i vitit ’81 (ndoshta fillim i ’82-it)…! Qysh kur e kisha mësuar ndodhinë e Lirim Pëllumbit, me gjyshen time, ia pata bërë disa herë gjyqin me vete… duke qenë vetë prokuror, gjykatës dhe avokat mbrojtës – nuk i gjeja asnjë rrethanë lehtësuese – duhej të ishte njeriu, me shpirtin më të ndyrë në botë, ai që kërkonte të gjente kënaqësi makabër, duke u munduar t’i fuste tmerrin një plake të gjorë (që e thërriste “nënë” dhe i pat shpëtuar jetën dikur, si familje).

Mbas amnistisë më nëntor ’82 (pritej që Lirim Pëllumbi, të mbërrinte dita-ditës në Spaç)…mua m’u ulën 2 vjet e gjysmë nga dënimi dhe në ditët e para të dhjetorit, u caktova në grupin e parë që transferohej për në Qaf-Bar (kampi i Qaf-Barit ishte zbrazur nga të burgosurit ordinerë dhe do të mbushej me ne). Ashtu të mërzitur, më gjen i paharruari Sokol Sokoli – “mos u mërzit he burr i dheut, edhe atje njësoj asht, si ktu… pastaj atje, do të vimë të gjithë, se ka dalë lajmi se Spaçi, ka m’u mbyll”!

– “Jo Sokol, s’e kam prej kësaj mërzitjen, por e kam një hall…”, i thashë muhabetin e Lirim Pëllumbit me gjyshen….!

– “A ma len në dorë mu, këtë muhabet, ta mbyll ashtu si duhet”?

…Sokoli (njëri prej atyre që pushkatuan në revoltën e Qaf-Barit), rahmet pastë, ishte sa një ari dhe shumë i fuqishëm, me një shpirt të pastër dhe naiv, si një fëmijë…italianët do ta quanin il gigante buono…!

– “Hë Maks, a ma len mu amanet, a ja ke lanë ndoj shoku tjetër? Shpejt se nuk ka kohë, po vjen policia dhe gjys ore nisesh për Qaf-Bar! Si thu, a t’ia marr shpirtin vetë – dhe më tregonte pëllëmbët e hatashme, të duarve të tij…”! Nuk doja ta rëndoja Sokolin, ishte i dënuar me 25 vjet, mund ta pushkatonin…!

-“Jooo Sokol, nuk du me e vra, por doja që të vuajë çdo ditë e nga pak…”!

– “Hajt pra, quje të kryeme kte punë, ka me vujt ky qen dhe notës vorrit, ka me ja kallxu…”!

Mbas nja dy muajsh, në Qaf Bar vjen edhe Sokoli…!

– “Ama burrë je, e ngacmova, – a kshtu kryhet porosia shokut…”?!

– “Eh Maks… Lirim sorrën, s’muj t’i them Pllumi, e çuen ke aneksi i ordinerve, në Spaç, nuk ishte i dënuem politik, por amanetin ta kam kry…! A e mban mend Mhillin? Nji fshatar i jemi, edhe nji pllamë ma i gjatë se un… osht ke ordinert në Spaç… aty ke telat, kur po shkojsha në turn të dyt, po i vikas sa e pash: – Oooo Mhill!… – O-oja ma kthen, edhe ja thash amanetin tand. Mhilli më pyeti: – A m’e myt, a…? – Jo, jo m’e myt, por përdit e ka pak…e ta maron Mhilli amanetin, ma mir se mu, se i thash qi, e kam amanet prej nji mikut tim….!

…. Po afronte viti i ri, ishte dhjetor ’84, nëna më porositi të shkoja në Korçë dhe të sillja gjyshen tek ne, për të festuar së bashku. Ndenja nja dy ditë në Korçë dhe rreth datës 20 dhjetor, kishim biletat, hymë në autobuz dhe sapo zumë vend, gjyshja ja pat: – “Rri këtu ti, sa të vete të takoj atë miken time, ja… atë atje”, dhe doli. Zbrita edhe unë pas saj, pak më vonë, që të mos kuptonte se po i shkoja pas… m’u duk pak e irrituar…! U përshëndet me një plakë veshur në të zeza (ishte nëna e Lirim Pëllumbit), ndenja pak larg, aq sa të mund të ndiqja bisedën e tyre… pas përshëndetjeve të para, ime gjyshe e pyeti: – “Po Lirimi, ku është, si është”?!

“Eh, Lirimin e nënës, ma kanë futur burk, s’e ke marrë vesh ti”?!

– “Jo, – tha ime gjyshe, – dëgjuar e kisha, po doja ta dëgjoja edhe nga goja jote, që të më shijonte më mirë. E mban mënt kur të ardha më shtëpit, e të rrëfeva ç’më punovi, kur ju luta ta kish dorën e lehtë me djalën tem? Mban mënt si mu përgjigj? Ishalla s’e pushkatojnë tha… mban mënt, që i thashë se ka zot që dëgjon, sheh dhe vë çdo gjë në vënt? Kështu u luta atëherë… zënç vëndin e djalit tem në burg, o Lirim, iu luta zotit dhe paska zot, vërtet! Ja djali tem, që ju bëftë nëna”…dhe u kthye nga unë, më rroku në qafë, më puthi në ballë dhe iu kthye përsëri asaj: – “Ja djali tem, m’i pamshëm është, seç ishte më parë, to ta martojë nëna, to ma ngrohë xhanë, me nja dy djem e to vdes e kënaqur… mbeç me shëndet, po shkojmë Durrës ne, të festojmë vitin e ri…”!

Rrallë herë e kisha parë gjyshen më të lumtur, ndoshta vetëm në ditën e dasmës sime, që nuk la radhë pa kërcyer… e mira, e ëmbla ane… dashuria jote më ka mbajtur gjallë ato vite të errëta, të ndjej ende si të ishe engjëlli im mbrojtës…!/Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?