Dëshmia e rrallë e ish-policit, që u dënua me 8 vjet burg: Si i shpëtova Xhevdet Mustafës.... Më thanë erdhëm të marrim hak për Mehmetin

26 Shtator 2023, 12:42| Përditesimi: 26 Shtator 2023, 12:47

  • Share

Deri në ditën kur në Divjakë zbarkoi grupi i Xhevdet Mustafës, polici i plazhit, Sokrat Biti, kishte kaluar një jetë të qetë. Madje të këndshme, krahasuar me atë të bashkëmoshatarëve të tjerë, të cilëve u binte bretku arave të kooperativës bujqësore. I ati, një peshkatar i vjetër, ia kishte dalë mbanë, për shkak të profesionit, të kishte miq të fortë, madje kreun e listës, e zinte dora vetë, Kadri Hazbiu, njeri i besuar i pushtetit dhe ministër me potencë në atë kohë. Për këto arsye, e kishte pasur të lehtë të futej në radhët e policisë, edhe pse pa arsimin e lartë përkatës. Kështu që, për Sokrat Bitin 25-vjeçar, edhe dita e zezë e 25 shtatorit të vitit 1982, kishte nisur me pamje të mbarë, si gjithë të tjerat. Xhiro në det me skaf për të survejuar plazhistët, tamam në rolin e një baywatch-i dhe më tej në dispozicion të zv/shefit të Policisë së Lushnjës, Remzi Brixhit, të cilit i ishte futur keqas krimbi i peshkimit.

Sokrat Biti, ish-polici i plazhit të Divjakës, në vijim të rrëfimit të tij, kujton: “Diçka folën mes tyre dhe pashë dy të tjerët, Sabaudinin dhe Halit Bajramin të nisen me pamje të shpenguar drejt hyrjes së stacionit të trenit duke marrë me vete vetëm pistoletat, që i fshehën nën rroba. Ndërsa Xhevdeti nuk lëvizi nga vendi. Kuptohet që unë mbeta pranë tij, sepse ende i kishim duart të lidhura me tel.

Kishte një pamje të shqetësuar dhe kujtoj se si shoqëronte me sy të gjithë personat që futeshin në stacion, sidomos ata që i ngjanin ose që vërtet ishin policë. Kaluan pak minuta, kur pamë Sabaudinin të dilte me vrik nga dera kryesore e stacionit dhe të drejtohej aty ku po rrinim ne. Në këtë kohë u dëgjuan edhe të shtëna”, rrëfen Sokrati me sytë të ngulur në një pikë.

Po ashtu, Biti shpjegon se, sipas rrëfimeve të ndryshme, në stacion, Sabaudini dhe Haliti, kishin rënë në sy të një shitëseje byrekësh, pasi i kishin lënë 50 lekë bakshish. Menjëherë shitësja, kishte lajmëruar policin e stacionit, duke i shpjeguar se si dy të dyshimtë, që flisnin një shqipe të rëndë, i kishin lënë bakshish një shumë të madhe, se ata ishin të veshur me rroba të prodhimit të huaj, etj. Polici u ishte afruar të dyve, duke u kërkuar pasaportat, ndërkohë Haznedari, ishte larguar duke shpjeguar se duhet të shkonte jashtë lokalit, që t’i merrte letërnjoftimet, tek çanta.

Por sapo Sabaudini kthen krahët, tjetri, Halit Bajrami, i dorëzohet të njëjtit polic, duke i dhënë edhe pistoletën. Njëkohësisht ai, i sqaron njeriut me uniformë, se është edhe një i tretë, që gjendet jashtë, se pikërisht ky i treti, është shumë i rrezikshëm dhe se ata janë vrasës. Duket në këtë kohë, polici u bën me shenjë disa pushkatarëve të forcave vullnetare, që gjendeshin gati, të cilët sikur të mbinin nga nëntoka, menjëherë hapin zjarr, në drejtim të Haznedarit që largohej.

“Kur pa Sabaudinin të dilte nga dera kryesore e stacionit dhe të vinte duke vrapuar në drejtimin tonë, shoqëruar nga krismat, Xhevdeti nuk e priti, por më mori me vete, pothuaj duke më tërhequr zvarrë, dhe kaluam shinat, për t’u futur në stacion nga pas tij. Aty ai më zgjidhi. Për një çast, e mendova veten të vdekur.

Ndërkohë krismat u shtuan. Duket Sabaudini, arriti te bunkerët dhe u kundërpërgjigj me breshëri automatiku. Aty atë e kapi një plumb në kokë, pa i dhënë mundësinë që të merrte me vete, ndonjë të pafajshëm tjetër. Kujtoj se pas kësaj, ata pushkatarët, janë mburrur shumë dhe kanë kërkuar meritat e vrasjes. Madje, mburreshin se ishin snajperistë shumë të zotë.

Në të njëjtën kohë, në stacion kishte mbërritur një tren, që më duket se shkonte nga Tirana, për në Pogradec. Xhevdeti u fut mes pasagjerëve të shumtë që zbrisnin dhe për një çast e kuptova, se në duar më kishte ardhur rasti i artë, që të largohesha”, flet me një qartësi të habitshme kujtimesh, Sokrat Biti. Dhe vërtet që nga ky moment, ai nuk do ta shihte më të gjallë Xhevdet Mustafën.

Shfrytëzon rastin kur ky, i hutuar, futet i pari në derë, për të dalë nga stacioni dhe kthen kurrizin, për t’u larguar me shpejtësi në drejtim të kundërt. Prania e pasagjerëve të shumtë e ndihmon, që të ketë mendjen të mbledhur, për këtë veprim të guximshëm, pasi duke rendur disa here, kishte parafytyruar t’i nguleshin në shpinë, plumbat e pistoletës së Xhevdet Mustafës.

“Erdhëm të marrim hak, për Mehmetin”!

Në vazhdim, pasi Xhevdet Mustafa ishte larguar në drejtim të Lushnjës, duke marrë me forcë një makinë, Sokrat Biti, kishte mundur pas gati 20 orësh, të merrte frymë lirshëm. Shpjegon se si shumë shpejt, kishte komunikuar me kolegët e policisë, duke u treguar se si e kishin marrë peng, se si një farë Rexhep Kolli, mbase i Sigurimit të Shtetit, e kishte marrë në makinë dhe bashkë ishin drejtuar andej nga Xhevdeti, në përpjekje për t’u larguar, ku ai derdhi sërish, gjakun e të pafajshmëve.

Kujton se si i rrëfeu Kollit dhe të tjerëve, se ai më i riu dhe më i bëshmi, që e kishte mbajtur peng, kishte vrarë në sy të tij, zv/shefin e Policisë së Lushnjës, Remzi Brixhin, si dhe policin e pyjores, Vlash Përboti.

Dikur, në makinën e tyre kishte mbërritur një informacion, se Xhevdeti ishte larguar në drejtim të Elbasanit. Ishin drejtuar andej, por shpejt ishin kthyer. Xhevdeti ishte ngujuar në një shtëpi, në Zhamë të Lushnjës, i mbërritur aty pasi kishte ndërruar disa makina, të marra forcërisht, nën kërcënimin e tytës së pistoletës.

Orët e rrethimit të Mustafës, kishin kaluar pa ndonjë emocion të veçantë, për Sokrat Bitin. Ishte koha kur ai kishte ndier një çlirim të madh emocional. Fundja, ia kishte dalë mbanë të mbijetonte. Kurse fati i njeriut që e mbajti peng, tashmë ishte i përcaktuar. Dikur krismat reshtën dhe Sokrati, pa ndonjë interes të veçantë, pa kufomën e njeriut që e kishte mbajtur peng. Ishte e përgjakur, pa jetë, pa mundësi për të bërë keq më tej.

Ajo ditë ishte mbyllur, me kujdesin për kufomat e tjera. Sokrati ishte nisur sërish për në Karavasta, ku kufomat tashmë ishin gjetur. Aty ai mëson se Xhevdeti, kishte vrarë edhe dy kolegët e tjerë të tij, Ëngjëllin dhe Sazanin, një e vërtetë që i ishte sjellë disa herë në mendje prej faktit, se kur e pa për herë të parë Xhevdet Mustafën dhe dy të tjerët, ata po vinin pikërisht nga drejtimi, ku rreth 30 minuta më pare, ishin larguar dy kolegët e tij.

Kur mes gjithë asaj kohe që kishte rrjedhur, Sokrati kujtohet të shkojë e të rehatohet në shtëpi, kupton se e keqja, kishte hapur dyert, disa kanatash. Sepse ata të Sigurimit të Shtetit dhe më tej hetuesia, e thërrasin për ta marrë në pyetje. Bindet, thotë të gjithë të vërtetën, por mbetet me gojën hapur dhe për pak i bie të fikët, kur i thonë se ai kishte shpërdoruar detyrën, se duhet t’i ishte hedhur në fyt Xhevdet Mustafës, e të tjera të ngjashme.

– “Përse atë ditë nuk ishe në plazh, te vendi i zakonshëm i punës, por te peshkimi”?! – “Sepse te peshkimi, shkuam me urdhër të zv/shefit, Remzi Brixhit”. – “Po përse ishe pa uniformë atë ditë”?! –“Sepse atë unë e heq gjithmonë, kur punoj me varkën. Ndryshe do të lagej, kur fusja e nxirrja barkën në det”.
– “Përse nuk shkove edhe ti me Ëngjëllin e Sazanin, për të vëzhguar bregdetin”? – “Sepse s’doja të ikja bregut. Ndalëm aty dhe hodhëm një grep…”!

Sokrati e ka vrarë shumë mendjen, se përse ia bënin këto pyetje të pakuptimta! Gjithsesi, nuk e mësoi menjëherë. Duket ishte dyshuar se ai, si banor që e njihte mirë zonën, kishte pasur lidhje me grupin e Xhevdet Mustafës. Ishte dyshuar gjithashtu, edhe për faktin, se përse vetëm atë e kishin lënë të gjallë. Por duket e vërteta, i kishte rrënjët edhe më të thella se kaq.

Pasi në këtë rast, që të shpëtonte nga thonjtë e Sigurimit të Shtetit, atë vetë, nuk e kishin ndihmuar as miqtë e fuqishëm të familjes, kreun e të cilëve, e zinte Kadri Hazbiu. Ai vetë, Kadriu, menjëherë pas kësaj ngjarjeje, u përfshi në telashe që i hëngrën kokën. Jo vetëm njëherë, i ishte shkarkuar në mendje me dhimbje Sokrat Bitit, mendimi se mos në kuadër të hetimit, do të merrej në shqyrtim, edhe historia e lidhjes së tij familjare me Kadri Hazbiun dhe më tej, lidhja hipotetike e të dyve, me grupin e Xhevdet Mustafës.

Të paktën pyetjet që i kishin bërë ata të Sigurimit të Shtetit, e kishin detyruar të bënte të tilla lidhje logjike. Lidhje që gjithsesi, ishte dashur shumë kohë e rrjedhur, që t’i qartësoheshin mirë në kokë. Ishte koha kur gjithçka duhet të vlerësohej mirë, pasi të bëheshe pjesë e një komploti që mbërrinte në kupolën e shtetit, nuk ishte aspak e pamundur dhe të ishte një njeri pa pozitë, një polic i thjeshtë plazhi, kjo ishte baras me humbje të garantuar.

Tre njerëzit që e morën peng, kishin ardhur të vrisnin Enver Hoxhën dhe kjo nuk ishte pak. Duke vrarë mendjen në këtë drejtim, Sokrati ishte kujtuar se të paktën në një rast, Sabaudin Haznedari i ishte sulur, duke e kërcënuar dhe duke i thënë tekstualisht: “Kemi ardhur të hakmerremi për Mehmet Shehun, që ju qenër e vratë, edhe pse ju mbante gjallë me bukë”. Një frazë që në momentin kur u tha, ish-policit të plazhit, i ishte dukur e pakuptimtë, por që më pas e kishte rivlerësuar.

Tetë vjet burg

Problemet, menjëherë pas arrestimit, ishin shkarkuar edhe në familje. “Tim atë e futën në dhe, të gjallë në fshat, para se unë të dilja në gjyq. E hoqën edhe nga puna. Kujtonin se unë isha bashkëpunëtor”, rrëfen Sokrati, për vështirësitë e familjes së tij, pas ngjarjes. Nga tmerri pa fund, kishin shpëtuar vetëm pasi ai ishte akuzuar dhe dënuar, vetëm për shpërdorim detyre. Edhe pse gjykatësi kishte akorduar 8 vite heqje lirie, përfundimisht kjo për opinionin, vërtetonte se Sokrat Biti nuk ishte një armik.

Menjëherë më pas i ati, kishte rifituar vendin e punës, te peshkimi, një zhvillim që i jepte mundësinë të shkonte në Tiranë, me ndonjë peshk të zgjedhur në çantë, për të kontaktuar miqtë e vjetër apo të rinj dhe për të kërkuar zbutje të dënimit të të birit. Gjithsesi dënimi përfundimtar, për shpërdorim detyre i Sokratit, mbetet 8 vite heqje lirie. Dhe nuk ishte i vetmi i ndëshkuar. Së bashku me të, nën të njëjtën akuzë absurde, të shpërdorimit të detyrës, përfundon në burg edhe Halit Bajrami, i infiltruar i Sigurimit të Shtetit në këtë grup, Kapllan Shehu, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme në Lushnje, si dhe shefi i Policisë, Fane Xhuveli, të cilët për fat të keq, nuk u gjendën në detyrë ditën e ngjarjes.

Për pasojë, në mungesë edhe të zv/shefit, Remzi Brixhi, që u vra nga Xhevdet Mustafa, e gjithë puna dhe organizimi i kishte rënë mbi shpatulla oficerit dezhurn të policisë së Lushnjes, Isuf Hoxha. “Kujtoj se Lenka Çuko, ish-anëtarja e Byrosë Politike nga Lushnja, i dërrmoi krejt me akuza, këta dy drejtues të policisë, Kapllanin dhe Fanen. Kapllani, për fatin e tij të keq, ishte kunat i Kadri Hazbiut. Ishte një presion i fortë, që reflektohej shumë nga populli”, rrëfen Sokrati.

Gjithsesi fati e sjell, që pas 3 vitesh, 3 muajsh dhe 13 ditësh, ish-polici i plazhit të Divjakës, që u mor peng nga Xhevdet Mustafa, të fitojë lirinë. Me një histori të madhe mbi shpatulla, për shkak të së cilës pagoi shtrenjtë, Sokrati nis punë në ndërmarrjen e peshkimit, më saktë i ati i lë vendin, pasi del në pension.

Fati e sjell, që menjëherë pas ndërrimit të sistemeve, ai të ishte aq i zgjuar, sa të ndërtonte një lokal në Divjakë, në qendër, që duket se gëzon klientelë të mirë. Në të njëjtën kohë, ai shkon të punojë për 4 vite si emigrant në Itali, pikërisht atje nga ku u nisën në drejtim të Shqipërisë së izoluar, tre njerëzit e armatosur që e mbajtën për 20 orë peng, duke shkaktuar një kasaphanë me 6 të vrarë, tre nga të cilët police, dhe një oficer ushtrie. Por Sokrati në Itali, shkoi për të punuar, sigurisht.

“Sot ju mbase nuk mund ta konceptoni. Por atëherë, ishte një ngjarje e frikshme. Tashmë, që gjykoj ftohtë, opinioni im për ata të tre, është se ishin krejt të çorientuar dhe të papërgatitur, për atë që kishin marrë përsipër të bënin. Kishin me vete pasaporta malazeze dhe kuptohet se në rastin më të pare, do bëheshin të dyshimtë. Nga ana tjetër, atyre nuk u punoi mendja, të përdornin uniformat e policëve që vranë. Të veshur me uniforma të tilla, ata kishin për të shkuar për dy orë në Tiranë. Ndërsa Xhevdeti, nuk m’u duk aspak inteligjent. Më ndryshe ai Haznedari, që ishte i egër dhe shumë i ndërsyer kundër regjimit. Ndërsa Halit Bajrami, nuk fliste fare”, shton Sokrati, në fund të rrëfimit.

Por nuk ka mbaruar. Teksa bisedës i vjen fundi, ai ngutet të shtojë edhe diçka, që duket e ka bërë të vuajë përbrenda për një kohë të gjatë. “Unë kurrë si kam pasur askujt ndonjë borxh. Më ka ardhur shumë keq, për ata djem që u vranë, por nuk kisha asnjë mundësi që t’i ndihmoja. Ishin në lule të moshës. Për fat të mire, askush nuk u vra për shkakun tim, se do më mbetej peng dhe kjo më bën në një farë mënyre, të ndihem i qetë shpirtërisht”, përfundon rrëfimin, të shoqëruar me një lëvizje nga lart-poshtë të dorës, ish-polici i plazhit të Divjakës.

Xhevdet Mustafa, pranë Garibaldit e Gorkit, në librin e Staten Island

Duket në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, historia e inkursionit të guximshëm, por të dështuar të Xhevdet Mustafës drejt Shqipërisë së betonuar komuniste, me qëllim për të vrarë Enver Hoxhën, nuk ka kaluar pa u vlerësuar. Dhe kjo pavarësisht faktit të biografisë së tij. Kështu, në një libër të autorit Thomas Matteo, botuar kohët e fundit për historinë e Staten Island, që është lagje e Nju Jorkut, emri i Xhevdet Mustafës, gjendet pranë atij të shkrimtarit të njohur ruso-sovjetik, Maksim Gorki, politikanit dhe udhëheqësit të mirënjohur italian, Xhuzepe Garibaldit, por edhe pranë emrit të Don Antonio de Santa Anna-s, lider politik meksikan, që u zgjodh 11 herë, si president i këtij vendi.

Që të gjithë këta personazhe të veçantë, sipas hartuesit të librit, e kanë përdorur lagjen Staten Island, për t’i shpëtuar persekutimit, ose më shkurt, për t’u fshehur. Në historinë e së njëjtës lagje, pranë atij të Mustafës, por për të tjera vlera, janë edhe emrat e sipërmarrësve të fuqishëm, si; Cornelius Vanderbilt, Donald Trump, Charles Goodyear dhe Daniel Tompkins. Po kështu, fare pranë emrit të shqiptarit, gjenden edhe emrat e shkrimtarëve të famshëm, Henry Wadsworth Longfellow, Henry David Thoreau dhe Ralph Waldo Emerson, të cilët në periudha të ndryshme kohore, kanë jetuar në Staten Island./ Memorie.al

M.Q./ReportTv.al
Komento

Komente

  • selo: 26/09/2023 13:45

    Ky ishte nje diversion i deshtuar qe ne fillim sepse ne ate kohe sigurimi i shtetit kishte mare informacion dhe dinte gjitheca se si do vepronte banda bile informacioni velonte dhe ne popull por per veprime te vogla doli jasht kontrollit.Kjo bande ishte e deshtuar sepse bashkepunetorin e sigurimit e kishte brenda saj nga qe sigurimi i asaj kohe ishte teper i fuqishem,kujtoni RADIOLOJEN ku rane pre Hamit Matjani,Zenel Shehu,Halit Vranica etj.pa harruar ate me bandat e veriut me Pal Melyshin,Mark Dodanin e plot te tjere.Xhevdet Mustafa ishte nje budalla qe nuk e njihnte situaten por ne kete rruge e cuan mish per top drejtusit e aksionit.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?