Dëshmia e rrallë e ish-të burgosurit: Më dënuan me pushkatim, pasi UDB-ja njoftoi Sigurimin për arratisjen e nipit të Abaz Kupit

18 Gusht 2020, 08:14| Përditesimi: 18 Gusht 2020, 08:18

  • Share

Publikohet historia e panjohur të familjes Dajani nga fshati Rrapsh-Starje i Malësisë së Madhe, të cilët edhe pse njiheshin për të kaluarën e tyre patriotike prej dy burrave të saj, Pjetër dhe Luc Gjoku që kishin luftuar e ishin vrarë kundra forcave serbo-malazeze përkrah Dedë Gjon Lulit, menjëherë pas ardhjes së komunistëve në pushtet, ndaj tyre filloi persekutimi, me arrestime, burgosje dhe internime. Dëshmia e Nikoll Gjek Dajanit, për operacionin ndëshkimor që ndërmorri Divizioni i Mbrojtjes së Popullit nën komandën e gjeneral-major Mehmet Shehut në krahinën e tyre për kapjen e grupeve të rezistencës antikomuniste që vazhdonin të qëndronin në male të armatosur.

Arratisja në Jugosllavi e vëllait të Nikollës, Palok Dajanit, ku ai u dënua me tre vjet burg nga UDB-ja dhe internimi i familjes së tyre në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, e dënimi i vëllait tjetër, Zefit me tre vjet burg, pasi Sigurimi dyshonte se edhe ai do të arratisej. Arrestimi i Nikoll Dajanit në vitin 1958 nga forcat e Sigurimit të Shtetit, të cilat e akuzuan se në vitin 1956 ai kishte ndihmuar që të arratisej nga Shqipëria nipin e Abaz Kupit, Nderim Kupin me gjithë familjen e tij, gjë për të cilën ai u dënua fillimisht me vdekje në gjyqin që i’u bë në qytetin e Shkodrës, dënim që i’u ul më pas në 25 vjet burg nga ana e Kuvendit Popullor, edhe pse Nikolla nuk kishte bërë kërkesë për faljen e jetës?!   

“Menjëherë pas arratisjes së vëllait tim, Palokës, për në Jugosllavi, ne na internuan familjarisht në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, ku qëndruam për pesë vite me rradhë. Por lirimi dhe qetësia për familjen tonë nuk do të zgjaste shumë, sepse ne na internuan përsëri për të dytën herë në 1 marsin e vitit 1958 dhe disa muaj më vonë, në dhjetorin e po atij viti, më arrestuan dhe mua. Pasi më mbajtën disa kohë në hetuesinë e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, më nxorrën në gjyq e më dënuan me vdekje, duke më akuzuar se “kisha përcjellë përtej kufirit, familjen e Nderim Kupit, nipin e Abaz Kupit’.

Kështu e kujtonte arrestimin dhe dënimin e tij, Nikoll Gjek Dajani, me origjnë nga fshati Rrapsh – Starje i Malësisë së Madhe dhe me banim në fshatin Shkjez, të Komunës së Bushatit, i cili tregon gjithë vuajtjet e kalvarin e gjatë të mundimeve të familjes së tij gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ai vetë u dënua me vdekje dhe më pas ju fal jeta, e vuajti për 15 vite në kampe e burgje të sistemit komunist.

Kush është Nikoll Dajani, cila është e kaluara e tij dhe e familjes e përse u arratis nga Shqipëria i vëllai i tij, Paloka, në vitin 1948? Cilat ishin lidhjet e Nikollës me nipin e Abaz Kupit, Nderimin dhe si mundi ai në dhjetorin e vitit 1956 që të merrte familjen Kupi në qytetin e Shkodrës dhe t’i përcillte përtej kufirit shtetëror për në Jugosllavi? Si u zbulua ai për atë veprim dhe çfar i kërkonin gjatë hetuesisë në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, përpara se ta nxirrnin në gjyq dhe ta dënonin me vdekje me pushkatim? Përse ju fal jeta Nikoll Dajanit dhe dhe si i kaloi ai vitet e gjata të burgut në kampet e punës së detyruar deri në vitin 1973? Për të gjitha këto dhe të tjera ngjarje dhe fakte nga jeta e tij, Nikoll Dajali i rrëfen në këtë shkrim ekskluzivisht për Memorie.al.

Zoti Nikoll, cila është e kaluara e familjes tuaj?

Unë kam lindur në vitin 1931, në fshatin Rrapsh-Stare të Malësisë së Madhe, i cili ndodhet aty ku fillon krahina e Kelmendit, fare pranë kufirit shtetëror me Malin e Zi dhe nga ai vënd dhe origjina e familjes sonë. Familja ime, ashtu si shumë familje të tjera të asaj zone, është e njohur për tradita patriotike dhe luftrat që kanë zhvilluar të parët tanë, kundër pushtuesve serbo-malazezë, në fillimet e shekullit të kaluar. Ndër ata burra malësor që kanë luftuar me armë në dorë kundra shkjaut, kanë qenë edhe dy xhaxhallarët e mi, Pjetër dhe Luc Gjoku, të cilët në vitin 1911-të, u kapën nga forcat serbo-malazeze, teksa luftonin në përbërje të forcave të Dedë Gjon Lulit. Ata u kapën në betejën e Podgoricës, nga ushtarët e shkjaut, duke u torturuar mizorisht prej tyre dhe duke u’a kanë djegur trupin me shufra hekuri të skuqur në zjarr. Ndërsa axha Luc, vdiq në burgun e Podgoricës nga torturat, Pjetri mundi të shpëtonte prej tyre dhe u kthye në fshat, ku dha lajmin për vdekjen e vëllait të tij, Luc Gjokut, në burgun e Podgoricës.

Po gjatë periudhës së pushtimit të vëndit në viteve 1939-’44, cili ka qenë qëndrimi familjes suaj?

Gjatë viteve të pushtimit nazifashist të vëndit, familja ime nuk u përzie me punët e luftës dhe politikës, por shikoi hallet e veta. Baba Gjeka, me nanën, Lenën, u morën vetëm me punët e bujqësisë, me të cilat mbanin tetë fëmijët e tyre: Zefin, Palokën, Nikollën, Franin, Diellën, Pashkën, Mrinë dhe Dranen.

Po pas mbarimit të Luftës si u trajtua familja juaj nga ana e regjimit komunist dhe përse u arratis nga Shqipëria vëllai juaj, Paloka?

Edhe pse familja jonë kishte një të kaluar patriotike dhe dy axhat kishin luftuar me armë kundra foracave serbo-malazeze në periudhën e para shpalljes së Pavarësisë, regjimi komunist që erdhi në pushtet në fundin e vitit 1944, nuk na pa me sy të mirë dhe na konsideroi si kundërshtarë të saj. Edhe pse lufta kishte mbaruar që në fundin e nëntorit të vitit 1944, Forcat e Ndjekjes të komanduara nga gjeneral-major Mehmet Shehu, kishin ardhur në zonën e malësisë së Madhe dhe kishin ndërrmarë një operacion të gjerë kundra forcave antikomuniste që strehoeshin në krahinën tonë. Gjatë asaj periudhe që zhvilloheshin luftime të cilat zgjatën deri në muajin mars të vitit 1945, kur forcat komuniste morën në dorë dhe krahinën tonë, vëllai im, Paloka, i cili kishte bindje antikomuniste, doli hapur duke folur kundra veprimeve që ndërmerrnin forcat komuniste ndaj popullsisë së pafajshme.

A pati konsekuenca Paloka për atë qëndrim që po mbante?

Fillimisht jo pasi nuk e paditën dhe pati fat se në atë kohë, Palokën, së bashku me vëllain tjetër, Zefin, i morën ushtarë dhe i dërguan në një repart pune në Tiranë. Edhe gjatë kësaj kohe që Paloka vazhdonte të kryente shërbimin ushtarak, ai vazhdoi të fliste kundër regjimit komunist të Tiranës tek shokët e tij dhe në një rast ai shkroi edhe disa parrulla me frymë antikomuniste, brenda në repartin e tij ushtarak. Ndonëse Paloka u arrestua disa herë dhe u mbajt i izoluar në Garnizonin e Tiranës, sepse e hiqte yllin e kuq nga kapelja, ai nuk pranoi që ishte autori i shkruarjes së atyre parrullave. Por kjo u zbulua një vit më pas, pasi Paloka ishte liruar nga ushtria dhe për të shpëtuar nga arrestimi i sigurt, ai mori rrugën e kufirit, dhe u arratis nga Shqipëria duke dalë në Jugosllavi.

Pas arratisjes së Palokës, çfarë problemesh patët ju si familje?

Arratisja e Palokës, ishte dhe arratisja e parë në të gjithë krahinën tonë pas prishjes me Jugosllavinë, sepse deri në atë kohë nuk kishte pasur kalime të kufirit, pasi Shqipëria me Jugosllavinë kishin pasur marrëdhënie të mira. Arratisja e Palokës i cili dhe u dënua me tre vite burg në Jugosllavi, shënoi dhe fillimin e kalvarit të gjatë të vuajtjeve dhe mundimeve për familjen tonë dhe gjithë rrethin tonë miqësor. Menjëherë, sapo u mësua lajmi i arratisjes së Palokës, në 20 shtator të vitit 1948, ne na internuan familjarisht në kampin e tmerrshëm të Tepelenës, ku qëndruam për pesë vite e gjysëm në kushte nga më ç’njerëzoret. Pak kohë para se ne të liroheshim nga Kampi i Tepelenës, Sigurimi i Shtetit arrestoi vëllain tim, Zefin, duke pasur frikë se edhe ai do të arratisej menjëherë sapo të lirohej nga ushtria. Pas kësaj ai u dënua me tre vite burg, me akuzën e mosdenoncimit, dënim të cilin e vuajti të gjithin.

Po ju Nikoll, kur ju arrestuan?

Pas lirimit nga internimi i kampit të Tepelenës, familja jonë u kthye në fshat, Rrapsh-Stare të Malësisë së Madhe, ku i’u nënshtruan akoma dhe më shumë vuajtjeve, pasi ne na cilësuan, familje reaksionare dhe ishim nën survejim të vazhdueshëm nga Sigurimi i Shtetit. Në atë kohë, vetëm pse Dod Nikoll Qarri u martua me motrën time, Mrijen, u dënua me 15 vite burg. Por lirimi i familjes tonë Dajani, nuk do të zgjaste shumë, sepse disa vite më pas, në marsin e vitit 1958, familjen tonë e internuan përsëri në fshatrat e Lushnjes.

Cila ishte arsyeja e internimit për herë të dytë të familjes tuaj?

Disa muaj pasi ne ishim të internuar familjarisht në fshatrat e Myzeqesë, Sigurimi i Shtetit erdhi atje dhe më vuri prangat, teksa unë isha duke punuar në punët e bujqësisë. Pas kësaj mua më nisën për në qytetin e Shkodrës, dhe që ditën e parë kur më morën në pyetje në hetuesinë e Degës së Punëve të Brëndshme unë e kuptova arsyen e vërtetë se përse më kishin arrestuar.

Cila ishte ajo…?!

Ajo gjë kishte lidhje me një ngjarje të ndodhur dy vite më parë, në vitin 1956, kur unë kisha përcjellë matanë kufirit, për në Jugosllavi, familjen e vëllait të Abaz Kupit. Me nipin e Abazit, Nderim Kupin, unë isha njohur gjatë kohës që kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në një repart pune në vitin 1953, menjëherë sapo isha kthyer nga internimi në Tepelenë. Miqësinë e ngushtë me Nderimin, me të cilin ishim kthyer si vëllezër, unë e ruajta edhe pas periudhës kur u lirova nga ushtria.

Po Nderimi me familjen e tij, ku banonin në atë kohë?

Në atë kohë Nderimi, ishte i internuar familjarisht (së bashku me nënën dhe motrën) në qytetin e Shkodrës. Unë shkoja natën nga fshati im dhe e takoja fshehurazi. Duke qënë se në atë kohë Nderimi rrezikonte që të arrestohej, ai më kërkoi mua që ta nxirrja jashtë kufirit për në Jugosllavi.

Si vendosët pas asaj që i’u kërkoi Nderimi?

Sipas bisedës që bëmë, unë, shkova natën në Shkodër, dhe mora nënën e motrën e tij, si dhe me një shokun tone, të quajtur Llesh Lyketa, e u nisëm në këmbë drejt maleve për në fshatin tim. Lleshin e kishim shok, që nga koha e ushtrisë, ndërsa babai i tij ishte vrarë në mal nga forcat komuniste. Pasi qëndruam për katër ditë dhe netë të fshehur në male, ditën e katër unë munda t’i kaloj matanë kufirit, pa u kuptuar fare nga forcat kufitare.

Po si u zbuluat ju s eishit autori kryesor që kishit ndihmuar në arratisjen e familjes Kupi?

Pasi doli në Jugosllavi, Nderim Kupi së bashku me familjen e tij, mundën që të fitojnë azilin politik në SHBA, por dy vite më vonë, nga bashkëpunimi ndërmjet UDB-së dhe Sigurimit të Shtetit, u mësua që unë isha njeriu që i kisha përjellë ata përtej kufirit, gjë e cila solli dhe arretsimin tim.

Por për çfarë u pyetët gjatë kohës së hetuesisë dhe cili ishte vendimi i trupit gjykues?

Në hetuesinë e Degës së Brëndshme të Shkodrës, më mbajtën për katër muaj, dhe më pas dola në gjyq, i cili u zhvillua me dyer të hapura. Gjatë periudhës së hetuesisë, mua më pyesnin vazhdimisht për lidhjet që kisha me Nderim Kupin e familjen e tij, dhe nëse kisha përcjellë njeri tjetër matanë kufirit.

A e pranuat ju akuzën që u bëhej?

Ata e kishin të dokumentuar çdo gjë dhe mua nuk më ngeli gjë tjetër veçse të pranoja akuzën që më bëhej. Pas katër muajve hetuesie, në 14 shkurt të vitit 1959, mua më nxorën në gjyq, i cili u bë me dyer të hapura. Kjo u bë pasi Sigurimi i shtetit, donte që të tregonte fuqinë e tij, dhe të më demoaskonte para bonërve të terrorizuar të qytetit të Shkodrës.

Sa vite ju dënuan?

Pasi trupi gjykues dha vendimin, duke më dënuar me vdekje, me pushkatim, më kërkuan fjalën e fundit? Unë deklarova, se: nuk kam për të thënë gjë, zbatoni ligjin. Pas dhënies së vendimit, mua më mbajtën përsëri të lidhur këmbë e duar në qelitë e Degës së Shkodrës, derisa të vinte përgjigja nga Gjykata e Lartë, pas apelimit që kishte bërë vetë Prokuroria. Edhe Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e shkallës së parë, dhe kur më pyetën se cila ishte fjala ime e fundit, unë, ju përgjigja në të njëjtën mënyrë si herë e parë. Pas vendimit të Gjykatës së Lartë, çështja ime i kaloi Kuvëndit Popullor, i cili çuditërisht ma fali jetën dhe më kaloi në 25 vite burgim. Atë gjë ma komunikoi pas 59 ditësh në qeli, vetë Kryetari i Degës së Brendëshme të Shkodrës, gjeneral – major Hilmi Seiti, së bashku me Prokurorin, Mina Mici. Ata më thane: “Edhe pse nuk kishe bërë kërkesë për falje, Partia u tregua zemërgjërë dhe ta fali jetën”.

Pasi ua falën jetën, ku ju dërguan për të vuajtur dënimin?

Pas faljes së jetës nga Kuvëndi Popullor, më nxorën nga qelitë e Degës së Brëndshme të Shkodrës dhe më çuan nëpër kampe të ndryshme për të vuajtur dënimin. Pas faljes së jetës dhe lënies në fuqi të dënimit me 25 vjet burgim, mua fillimisht më dërguan në kampin e Laçit, ku fillimisht qindra të burgosur të tjerë punonin për tharjen e kënetës së Thumanës. Që nga ajo periudhë dhe deri kur u lirova në vitin 1973, unë provova dhe kampe të tjera, si atë të Fushë–Krujës ku ndërtonim Fabrikën e Çiemntos, atë të Tiranës, ku punonim në ndërtim palaltesh banimi, të Vlorës, ku punonim në hapje kanalesh për kriporen, të Elbasanit, ku ndërtohej Fabrika e Çimentos, etj.

Pasi u liruat nga burgu, ku u stabilizuat me banim dhe me punë?

Pasi u lirova nga burgu, munda të shpërngulem bashkë me familjen time, nga fshati Rrapsh, për në Shkjez të Bushatit. Edhe në atë fshat ne vuanim për bukën e gojës dhe mundëm që të shpëtonim nga uria, vetëm në saj të ndihmës që na dhanë banorët, të cilët na u gjëndën në ditët më të vështira. Edhe pasi unë kisha vuajtur 17 vite nëpër burgjet e regjimit komunist për shkak sepse në vitin 1956 kisha ndihmuar që të arratisej, familjen e nipit të Abaz Kupit, Nderimit, të cilin e kisha si vëlla, përsëri edhe jashtë burgut për ne nuk kishte ndonjë ndryshim më të madh, për të mos thënë se ndonjëherë ishte shumë më keq, pasi vuanim edhe nga uria. Por jo vetëm unë dhe familja ime vuajtëm nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës, pasi nga fshati ynë pati shumë familje të tjera që vuajtën ashtu si ne, edhe më keq.

Kë kujtoni ndonjë nga këto familje?

Po u’a tregoj me emra disa prej bashkëfshatarëve të mij të cilët u përndoqën, u vranë, u burgosën, dhe u internuan, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, si: Ded Nika, Marash Zefi, Nikoll Maçi, Nikoll Ula, Palok Frangaj, Kol Gjoli, Nikoll Preka, Gjelosh Frangaj, Kol Maçi, Dedë Dreshaj, Marash Dajani, Nosh Preka, Marash Shabi, Nikoll Luca, Mark Pjetri, Prel Toma, etj./Memorie.al

Komento

Komente

  • Iris: 24/08/2020 03:23

    Po familja e Kupit pas demokracise a u interesua sado pak per fatin e ketij zoterise qe pesoi 17 vjet burg e qe desh e pushkatuan per shkak te tyre,apo vend I ri,miqesi te reja?

    Përgjigju
  • Emri: 18/08/2020 12:37

    Nuk e lexova artikullin se po na dalin me shume antikomunista ne Shqiperine e 45 se komunista. vetem nje ppyetje kam: nga e mori vesh ky qe e ka spiunuar UDB

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?