Foto ilustruese

Dosje

Dëshmia e rrallë e ish-të përndjekurit politik: Si e pushkatuan vëllanë tim në Revoltën e Spaçit dhe përse nuk po i gjejmë dot eshtrat edhe pas 30 vitesh

7 Qershor 2021, 08:01| Përditesimi: 25 Korrik 2021, 13:36

  • Share

Publikohet dëshmia rrënqethëse e 79 vjeçarit Agim Bejko, me origjinë nga Starova e Pogradecit dhe banim në Paris, i cili rrëfen të gjithë  historinë e Revoltës së Spaçit, e ndodhur në datat 21, 22 dhe 23 maj të vitit 1973, ku rreth 1000 të burgosurit e atij kampi, u ngritën në një revoltë kundër komandës së burgut dhe vetë regjimit komunist të asaj kohe, duke hedhur parrulla politike, si: Poshtë diktatura”, “Ne nuk jemi skllevër”, “Ja vdekje, ja liri”, “Ju jeni katilë, keni lyer duart me gjakun tonë”, “Rroftë Evropa e lirë”, “Poshtë komunistët”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Populli është me ne dhe është kundër jush”, etj. Të gjitha detajet se si u ekzekutua vëllai i tij, 27 vjeçari, Dervish Bejko, së bashku me katër shokët; Hajri Pashaj, Pal Zefi e Skënder Daja dhe kalvari i gjatë mbi 25 vjeçar i Agim Bejkos në disa rrethe të vendit, nëpër kodra, male, përrenj e kodrave, për gjetjen e eshtrave të tyre…?!

“Në krye të revoltës ishin këta të katërt; Dervish Bejko, Hajri Pashai, Pal Zefi dhe Skënder Daja, të cilët ishin iniciatorët kryesorë që shpërtheu ajo revoltë, por ishin dhe të tjerë emra të njohur që më pas u bënë legjenda të burgjeve politike të regjimit komunist, si; Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Demir Pojani, Dashnor Kazazi, Syrja Lamçe, Paulin Vata, Jorgo Papa, Luan Koka, Sami Dangëllia, Luan Burimi, dhe Hodo Sokoli. Kanë qenë dhe shumë të tjerë, se nuk i mbaj mend tani dhe nuk dua të bëj klasifikim, pasi ajo gjë tashmë njihet mjaft mirë. Kështu në momentet e para të revoltës, vëllai im, Dervishi, grisi copën e kuqe të krevatit dhe mori Mersin Vlashin, për t’i pikturuar shqiponjën. Pasi donte të bënte flamurin kombëtar, por pa yllin e kuq komunist. Pasi Mersini pikturoi shqiponjën pa yll, Dervishi e mori flamurin e shkon në kat të tretë të burgut. Ky flamur pati jetë tre ditë e tre net, pra nga 21 maji deri në 23”.

Kështu shprehet ndërmjet të tjerash 79 vjeçari Agim Bejko me origjinë nga Starova e Pogradecit dhe me banim prej vitesh në Paris, i cili dëshmon një nga historitë më të veçanta të kampeve dhe burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, atë të ‘Revoltës së Spaçit’ të vitit 1973, ku një nga katër të ekzekutuarit, ishte vëllai i tij, Dervish Bejko, në atë kohë vetëm 27 vjeç. Lidhur me ngjarjet e revoltës së Spaçit, si dhe me peripecitë e shumë dhe kalvarin e gjatë gati prej tre dekadash të Agim Bejkos në kërkim të gjetjes së eshtrave të vëllait të tij, Dervishit, si dhe tre bashkëvuajtësve të tij: Pal Zefi, Hajri Pashaj dhe Skënder Daja, etj., ngjarje të papublikuara kurrë më parë, do njihemi nëpërmjet kësaj interviste, duke e filluar me familjen Bejko, e njohur gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, si një nga “familjet më reaksionare” të Starovës së Pogradecit.

Intervista:

Zoti, Agim, para se të dalim tek ngjarja e revoltës së Spaçit, a mund të na thuash shkurtimisht cila ishte e kaluara e familjes suaj?

Ne jemi me origjinë nga Starova e Pogradecit dhe kemi qenë një familje e madhe dhe relativisht e pasur për atë kohë. Nisur nga ky fakt, gjyshi im i mbaroi studimet në Vienë të Austrisë, per ciklin e ‘rrymave të ulëta’ dhe kishte shok kursi në universitet, inxhinierin e famshëm, Ndoc Naraçi nga Shkodra, i cili më pas u bë dhe ministër në periudhën e Monarkisë së Zogut. Pasi u kthye në Shqipëri dhe filloi punë si inxhiner, ai zbatoi një projekt qe kishte të bënte me vendosjen e linjës së parë telefonike në Shqipëri, nga veriu deri në Mallakastër. Në atë kohë në Mallakastër plasi lufta dhe ai projekt u ndërpre. Reforma famëkeqe e vitit 1946 na preku si gjithë te tjerët edhe familjen tonë.

Ç’ndodhi me familjen tuaj pas ardhjes së komunistëve në pushtet në vitin 1945?

Regjim i komunist i sapoardhur në fuqi në vitin 1945, na sekuestroi të gjitha çfarë kishim. Na i morën të gjitha dhe na lanë vetëm me 3 dylym tokë. Shtëpinë që e kishim 2 katshe e bënë shkollë. Gjyshi vdiq dhe la dy djem; babain tim, Enverin dhe xhaxhain tim. Në korrik të vitit 1945, u arrestua babai, Enveri dhe si rrjedhojë u dënua 12 vjet burg për “agjitacion e propaganda”. Më pas, siç ishte zakoni i komunistëve, mbi ne ra persekutimi dhe kalvari i gjatë i vuajtjeve. Nuk mjaftoi kjo gjë, por dhe na internuan, na hoqën nga shtëpia e ne nuk kishim të drejtë të ktheheshim më atje. Me urdhër të Sigurimit të Shtetit, na çuan në një guzhinë, apo një kolibe të them më mirë, të një kushëririt tonë. Ne ishim 8 fëmijë, gjyshja nëntë, e mamaja dhjetë. Jetonim në një ambient shumë të vogël që nuk mund te jetoje, ajo ishte krejt e pabanueshme.

E mbani mend atë kohë, sa vjeç keni qenë?

Po e mbaj mënd shumë mirë, pasi unë në atë kohë isha 13 vjeç dhe djali i madh i familjes, pasi unë kam lindur në vitin 1942. Kur babai ndodhej në burg, unë shkova ta takoj atë ne burgun e Korçës dhe duke qenë se isha fëmijë, babai më tha: “Unë kam lënë një burrë në shtëpi”. Mendoni një 13 vjeçar, ishte burrë shtëpie. Nga kushtet e vështira ku jetoj familja jonë aty ku na çuan pasi na hoqën nga shtëpia jonë, mua më kanë vdekur dhe dy vëllezër, në atë të ashtuquajtur kuzhinë, se nuk ishte as kuzhinë.

Dy vëllezërit që vdiqën, në çfarë moshe ishin?

Një ishte 3 vjeç, Esati, ndërsa Shpëtimi ishte 5 vjeç. Nuk më del nga mëndja, sepse në atë kohë kur vdiq Esati 3 vjeç, erdhi hoxha për ta larë vëllain dhe unë më një ibrik të verdhë, i hidhja ujë hoxhës. I hidhja ujë hoxhës për të larë kufomën dhe më shumë binin pika loti mbi trupin e vëllait, sesa ujë. Ne si familje ishim në një izolim total dhe nuk na hynte njeri në shtëpi, sikur të kishim lebrozën…?! Nuk futej absolutisht asnjë njeri tek ne. Mendoni se çfarë gjëndjeje e tmerrshme ka qenë për familjen tonë. Mbas kësaj vdiq dhe vëllai tjetër, pasi ne ishim në gjëndje mizerabël. Kemi jetuar në gjendje shumë të keqe, pasi për të mbajtur frymën gjallë, merrnim vetëm 7 kg. misër nga Këshilli Popullor i fshatit, të cilin e merrnim në Grumbullim në Pogradec. Dhe vetëm me këto 7 kg. misër, jetonim për një muaj e gjithë familja.

Po me vëllanë tjetër, Dervishin, sa diferencë moshe kishit?

Dervishi ka një diference nga unë prej 4 vjetësh. Ai është i datëlindjes 1946, ndërsa unë i 1942-it. Dervishi në këtë kohë ishte i vogël i mitur. Babai, mbasi u dënua me 12 vjet burg, me punën që bëri në burg, e kapën 3 amnisti dhe fitoi 4 vjet, e doli mbas 8 vjetësh nga burgu. Edhe njerëzit e afërt tonët u larguan të gjithë, me përjashtim të dhëndurve që i kishim shumë të afërt. Kishim një izolim total nga fshati. Gjatë periudhës që erdhi babai nga burgu, ne menduam se mbaroi kalvari i vuajtjeve tona. Por ishim gabuar, madje rëndë…?!

Përse…?!

Sepse nuk kishte të mbaruar kalvari, për arsye se do të vinte viti 1971. Në këtë kohë unë u rrita, punoja në fermë,(Ndërmarrje Bujqësore), sepse dy rrugë kisha; o në fermë o në minierë?! Në kohën që u lirua babai, me shumë mundime, ne mundëm të bënim në truallin tone, një ndërtesë që mundëm të fusnim kokën brenda. Por në vitin 1971, arrestuan villain, Dervishin dhe e dënuan me 12 vjet burg, me akuzën “agjitacion e propagandë dhe për tentativë arratisjeje”.

Ku ndodhej Dervishi kur u arrestua?

Vëllai, Dervishi, në atë kohë ishte me punë ne Elbasan, ne Metalurgjik. Ai mbasi u martua, u shkëput nga familja në një farë mënyrë për të humbur gjurmët, sepse hija e persekutimit, apo siç thuhej në atë kohë “të deklasuar”, nga ndiqte kudo. Por familja e vajzës që kishte marrë Dervishi për grua, ishte me biografi më të mirë se sa ne dhe për ta ruajtur atë, ai u nda nga ne dhe iku ne Elbasan. Në atë kohë që u arrestua, Dervishi kishte dhe një fëmijë, djalin Leonard Bejkon. E kishte djalë të vetëm që e la motak. Pra, në 1971-in u arrestua në Elbasan, bëri dhe bëri 6 muaj hetuesi.

Gjatë kohës që Dervishi ishte i arrestuar, familja juaj e takoi ndonjëherë?

Unë shkova një herë me babain për ta takuar, mbasi kishte mbaruar hetuesia, por ende nuk kishte dalë në gjygj. Kishim pak ushqim per t’ia çuar. Nuk e harroj kurrë atë ditë, pasi aty në burgun e Elbasanit, në oborrin e Degës së Punëve të Brendshme, rastisëm apo na doli me qëllim, ballë për ballë xhelatin e kuq, kryetarin e Degës, Nevzat Haznedari, i cili kishte një trup te gjatë. Ai e njohu babain dhe i thotë: “Nuk vure mend ti, po solle dhe djemtë këtu? Këtu do të vdisni të gjithë”.

Si i’u përgjigj babai?

As guxoi të fliste dhe ne nuk na lanë të takoheshim me vëllanë dhe nuk na i mbajtën as ushqimet. Kështu u kthyem përsëri në shtëpi, sepse duhet të dilte në gjyq, të merrte dënimin, e më pas mund ta takoje. Mbas tre javësh, Dervishi doli në gjyq, e siç i bënin gjyqet në atë kohë, u dënua me tre dëshmitarë, që vëllai nuk i kishte pranuar as në hetuesi. Edhe sot është dokumenti në dosjen e tij pa e firmosur, se këta ishin njerëz që i kishte futur Sigurimi Shtetit aty, pra dëshmitarë të rremë dhe ai nuk i njihte fare. Megjithë atë ai u dënua 12 vjet, njësoj si babai. Dy nene e kapën; agjitacion e propaganda dhe tentativë për arratisje. Por asnjëra prej tyre nuk qëndronte dhe ato akuza nuk ishin aspak të vërteta, se po të ishte e vërtetë, ai do arratisej kur ne ishim ne Pogradec, se e kishim afër kufirin, e jo nga Elbasani! Problemi ishte se spiunët e Sigurimit të asaj kohe, lakejtë, njerëzit që e kishin shitur shpirtin te shejtani, si të themi, e kishin bërë detyrën që u ishte ngarkuar…?!

Më konkretisht, si ndodhi?

Një Punëtor Operativ i Sigurimit të Shtetit nga Pogradeci dhe që ishte me detyrë në Elbasan, e njihte shumë mire, jo vetëm Dervishin, por dhe prejardhjen e familjen tonë, si dhe faktin që e kishim patur babain e gjyshin në burg. Kështu ai bëri sugjerimin për t’a arrestuar vëllanë tim. Dhe pas dënimit, ai përfundoi në burgun e Spaçit, ku dhe ndodhi ajo që ndodhi me Revoltën e Spaçit, të majit 1973.

Sipas atyre që keni mësuar ju, çfarë ishte ajo revoltë dhe si u përfshi Dervishi në të?

Si fillim desha të them se në kohën që plasi revolta, Dervishi kishte bërë gati dy vjet burg dhe si të thuash ai njihte me imtësi çdo gjë që ndodhte atje. Pra me një fjalë, ai ishte ambientuar dhe ishte koshient per gjithçka, apo më saktë, për çdo veprim që mund të ndërmerrte. Tani të dal te pyetja juaj, se çfarë ishte Revolta e Spaçit? Sipas meje, ‘Revolta e Spaçit’ ka qenë akumulimi i vuajtjeve, torturave, e punës së detyruar të burgosurve politik. Nga puna skllavëruese u bë revolta e Spaçit, se në të vërtetë, me rregull për të burgosurit ishte se duhej te punohej 8 orë, por atje punohej shumë më tepër…?! Se dy orë i mbanin para se të futeshin në galeri, e dy orë të tjera i mbanin duke i bërë apelin, e kështu nga 12, shkonte në 14 orë. Ky akumulim i vuajtjeve dhe viteve shpërtheu në ato momente. Kështu, një ditë prej ditësh, në datën 21 maj 1973, në orën 6 e 20 minuta, në taracën e godinave të kampit, u trefishuan rojet e brendshme.

Ç’ndodhi pas kësaj?

Pas kësaj, të gjithë të burgosurit filluan të nervozohen. Në këtë kohë, rojet, policët dhe ushtarët e rrethimit të brendshëm e të jashtëm, filluan të shajnë e provokojnë të burgosurit, sepse këta kishin dalë në mbrojtje të katër shokëve të tyre të burgosur, që me të padrejtë komanda i kishte futur në izolim në biruca. Një i burgosur aty, më duket se Pavllo Popa nga Shkodra, morri levën dhe i shpërtheu birucat dhe kështu katër të burgosurit, u bashkuan me shokët e tjerë, ku ishin gati 1000 veta.

Ç’ndodhi pas kësaj?

Menjëherë shpërtheu revolta si një vullkan dhe gjithçka ishte për kushtet e këqija ekonomike, punët e rënda, torturat e fjalët ofenduese. Duhet të keni parasysh, se po mos të bënte normën një i burgosur, atë e lidhnin me tel me gjemba e me pranga, e rrihnin dhe ai ishte i detyruar të kthehej prap në punë, për ta mbaruar normën. Të burgosurit nxirrnin pirit, bakër dhe krom nëpër miniera. Ndërsa filloi të zinte revolta, rojet që ishin brenda, lanë kapelet dhe u ndeshën me të burgosurit si gladiatorët, por jo tamam ashtu, se gladiatorët janë në kushte te barabarta, ndërsa këta nuk ishin ashtu. Kini parasysh se të burgosurit nuk kishin as armë dhe asgjë tjetër, por vetëm një revoltë të brendshme, që i’a forconte edhe më shumë idealet që kishte gjithsecili në kokë. Ndërsa oficerët e ushtarët efektiv të atij kampi, ishin të armatosur me armë, shkopi gome dhe me bishta lopate.

A kishte organizatorë ajo revoltë, pra emra të veçantë që dolën në krye të saj?

Patjetër që kishte dhe organizatorë, por në krye të revoltës, nga më aktivët ishin këta të katërt; Dervish Bejko, Hajri  Pashai, Pal  Zefi  dhe Skënder Daja. Këta ishin iniciatorët kryesorë që shpërtheu ajo revoltë, por ishin dhe të tjerë; emra të njohur që më pas u bënë legjenda të burgjeve politike të regjimit komunist, si Bedri Çoku, Gjet Kadeli, Demir Pojani, Dashnor Kazazi, Syrja Lamçe, Paulin Vata, Jorgo Papa, Luan Koka, Sami Dangëllia, Luan Burimi, dhe Hodo Sokoli. Kanë qenë dhe shumë të tjerë, se nuk i mbaj mend tani dhe nuk dua të bëj klasifikim, pasi ajo gjë tashmë njihet mjaft mirë.

Të kthehemi tek roli i vëllait tuja, Dervishit, në atë revoltë!

Në momentet e para të revoltës, vëllai im, Dervishi grisi copën e kuqe të krevatit dhe morri Mersin Vlashin, për t’i pikturuar shqiponjën. Pasi donte të bënte flamurin kombëtar, por pa yllin komunist. Pasi Mersini pikturoi shqiponjën pa yll, Dervishi e mori flamurin e shkon në kat të tretë të burgut. Ky flamur pati jetë tre ditë e tre net, pra nga 21 maji deri në 23 maj. Plot tre ditë u valvit ai flamur në godinën e kampit të Spaçit. Pasi ndodhën këto gjëra, rrethohet kampi me tela me gjemba, me tre rrathë, me autoblinda, me sampistë, e madje edhe me helikopterë që bënin fluturime mbi kokat e të burgosurve. Ndërsa revolta ziente, nga rojet e ushtarët e armatosur deri në dhëmbë, kishte të shtëna në ajër dhe këto shpeshtoheshin, sidomos kur të burgosurit thërrisnin dhe hidhnin parrulla, si p.sh.: “Ja vdekje ja liri”, “Poshtë komunizmi” Poshtë diktatura”, “Ne nuk jemi skllevër”, “Ja vdekje, ja liri”, “Ju jeni katilë, keni lyer duart me gjakun tonë”, “Rroftë Evropa e lirë”, “Poshtë komunistët”, “Do t’ju djegim si Stalinin”, “Populli është me ne dhe është kundër jush”,Ajo që po ndodhte aty ishte një gjë krejt e pazakontë për regjimin e asaj kohe, pasi nuk kishte ndodhur kurrë më parë që nga viti 1944 që ai regjim kishte ardhur në pushtet. Dhe në këto kontekst, ishte një tronditje që nga themelet të diktaturës së kuqe komuniste. Kjo është mjaft e vërtetë, pasi vite më vonë kemi mësuar se për atë ngjarje u fol dhe u shkrua edhe në mediat e huaja./Memorie.al

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se komisionet hetimore për Shëndetësinë e TIMS do kenë rezultat?