Dëshmia e rrallë e regjisorit të njohur: Kur plasën fletë-rrufetë në Tiranë, një e tillë, i’u vu profesorit të Fizikës, lejonte në orën e mësimit vajza me minifunde

26 Mars 2023, 09:32| Përditesimi: 26 Mars 2023, 09:36

  • Share

Nëse ndiqje modën, shihje kanale të huaja televizive, mund të përfundoje “gazi i botës”, nëpër sheshe publike, në qendrat e qyteteve, ku ishin tabelat e Emulacionit Socialist. Ka qenë një nga format e kohës, të kritikoje në mënyrë puplike një person, një individ, një familjar, një nxënës, pedagog, mjek, deri edhe një kolektiv. E para ishte me bodecin, pastaj me fletë-rrufetë deri me gazeta e murit. Por, cili ishte ndryshimi midis bodecit e fletërrufeve dhe si e kujton Bujar Kapexhiu, artisti i njohur shumëdimensional, atë proces sa kurioz. aq kërcënues, ngacmues, i rrezikshëm e me pasoja për individin.

 Z. Kapexhiu, çfarë kuptimi ka bodeci?

Kur në majë të hostenit, kështu quhet një shkop i gjatë, ku vendoset një thumb hekuri, që përdoret për të ngarë qetë, ose kuajt. Aplikohet edhe për thënie figurative, si p.sh.: e shpoi me bodec, kur e thumbon tjetrin, ose në rastet për të nxitur e shtyrë dikë që, nuk lëviz për të kryer një punë.

Ju si artist, në veçanti i karikaturës, si e kujton “Bodecin”?

Më pëlqente, e kisha me qejf se më tërhiqnin, më argëtonin karikaturat e Bodecit, pasi çdo person që e kritikonin, e bënin edhe karikaturë. Në mjaft raste, ajo shoqërohet edhe më një koment thumbues, pak humor…!

Një nga epitetet negative që përdorej shumë asokohe ishte “gagarel”, ç’kuptim ka?

Bëhej fjalë për ata djem që visheshin në mënyrë moderne, flokët me brilantinë, pantallonat e ngushta tub e, këpucët me majë. Çdo të hënë, shihje në stendën e Bodecit këta tipa të Tiranës, ilustruar me karikaturë. Kujtoj edhe disa vargje shoqëruese: “Gagareli trup batalli / gagareli karnavali / me tre okë brilantinë / lyen flokët për shkëlqim”.

Po një femër, dilte në bodec?

Sigurisht, bodeci nuk bënte dallim. Vajzat, gratë që ndiqnin modën, edhe ato ishin protagoniste, që pasi “evidentoheshin” për tendencat, i nxirrnin në bodec.

Më thatë, edhe qejflinjtë e këpucëve me majë, ishin në majën e bodecit?

Ata ishin të jashtëzakonshëm. Midis tyre ishte një garë, kush i kishte këpucët më majën më të gjatë. Këpucët me porosi, apo që i vinin nga jashtë, ishin 2-3 numra më të mëdha nga maja, që më kalimin e kohës, ajo deformohej e ngrihej përpjetë.

Ku ishte stenda e bodecit në Tiranë?

Te “Rruga e Barrikadave”, te reklamat e kinemasë në qendër të tyre, përballë ish-Muzeut të Luftës, me përmasa të mëdha, mbuluar me xham, nuk mund të hiqej dhe një javë qëndronte aty. Karikaturat, i realizonin artistët e kohës, profesionistët e angazhuar edhe në revistën “Hosteni”.

Nga erdhi ai stil kritik?

Nuk mund të them si u gjet ai model, erdhi apo jo nga vendet socialiste apo tipike shqiptare e ideuar nga individë shqiptarë. Nuk e kam ndeshur, dëgjuar edhe më vonë një praktikë të tillë kritike publike. në shtete të tjera, por në Shqipëri, ka qenë intensive deri në mes vitet 1960-’70-të.

Janë vite kur, funksiononte edhe “Gazeta e Murit”…

Kudo në Tiranë e qytete të tjera, aplikohej “Gazeta e Murit”, një tjetër formë kritike qytetare. Në stendat në qytet, ndërmarrjet, trajtoheshin çështje aktualiteti, deri njoftime, krijime letrare, por edhe karikatura të nxënësve, studentëve, njerëzve të ndryshëm, deri edhe kooperativistë etj., që për motive nga më të ndryshmet, ndër to, mosrealizime normash, të planeve etj. Edhe në shkolla, kishte “Gazetë Muri”.

Për çfarë shërbente në shkollë, një e tillë?

Kujtoj se në shkollë të mesme, në gjimnazin “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, në vitet ’60-të, unë bëja karikaturat, shkrimtari, në atë kohë profesori i Letërsisë, Gjegj Vlashi, bënte vjershat. Përveç gazetës, funksiononte edhe radiofonia e shkollës. Në pushimin e madh, unë lexoja shkrimet kritike që botoheshin në “Gazetën e Murit”, shoqëruar me vjersha humori. Deri edhe në shtëpi, është përdorur “Gazeta e Murit”?

Si ka mundësi, e vërtetë?

Po, sigurisht, edhe komik ky fakt. Kujtoj një familje intelektuale, me funksione të larta shtetërore, kishin krijuar në shtëpinë e tyre, pra, në apartament, ku banonin “Gazetën e Murit”. Aty familjarët kritikonin njëri-tjetrin, por mos plotësimin e detyrave familjare ditore. Janë kohë, mentalitete, që ndikonin edhe në këtë drejtim.

Por, bodeci ishte dhe mbetej ai kryesori?

Bodeci i Tiranës kishte edhe më “kualitete”, një kryeqytet i tërë që e ndiqte dhe vëmendja ishte më e madhe. Edhe personazhet ishin më publikë, figura karizmatike të kohës. Njerëz që e prisnin me interes, kuriozitet të madh ditën e hënë, sidomos kur aty ishte ekspozuar një njeri i njohur, që kishte shoqëri, miqësi, të madhe. Në Tiranën e atyre viteve, bodeci u kthye në një ritual javor e, të gjithë lajmëronin njëri-tjetrin, për të parë bodecin.

Cilët ishin “personazhe” që dilnin më shpesh në “bodec”?

Në bodec, dilnin “zullumqarët”, hajdutë, keqbërës, grindavecë, por më shumë ata që, reflektonin shije dhe tendenca perëndimore, me veshje ndryshe, model këpucësh, stil modern, një këmishë me ngjyra e lule etj., që nuk pëlqeheshin nga vija politike, organizatat e Bashkimeve Profesionale të Rinisë, Lagjet, Komiteti i Partisë etj. Dhe personi vendosej në bodec, si një model jo i përshtatshëm për shoqërinë, që duhej kritikuar, jo si shembull pozitiv, madje që nuk duhej imituar, por dënuar. “Ja ky i bodecit”, thoshin njerëzit. Një komunikim publik i përjavshëm, që në mjaft raste, shërbente si vend argëtimi.

Ishte karikatura e shoqëruar edhe me vargje me humor?

Krahas karikaturës së personit, ajo shoqërohej edhe me tekst, fjali, vargje humori. Edhe sot, kujtoj personazhet, gjithmonë në qendër të bodecit, midis tyre një mikun tonë, një orëndreqës i traditës, nga më të njohurit, i pakrahasueshëm, i paharruar, unikal për brezat, shumë modern për kohën, por jo për bodecin.

Kur lindën fletë-rrufetë?

Fletë-rrufetë, u shfaqën në fillim të 1967-ës, bashkë me Revolucionin Kulturor Kinez, që u përcoll edhe në Shqipëri. Ato u bënë agresive pas fjalimit të Enver Hoxhës, kundër shfaqjeve të huaja kryesisht, por që prekën artin, sportin, industrinë, kulturën, spitale, institucione, shkolla, universitete, çdo sektor të jetës personale, kolektive, deri edhe sportistë etj., etj.

Cili ishte ndryshimi, midis bodecit dhe fletë-rrufeve?

Së pari në kohë, periudha të ndryshme. Dalja në bodec, ka nisur në fillim të viteve ’50-të dhe filloi të humbiste nga mes vitet ’60-’70-të, kur filluan dhe u shfaqën fletë-rrufetë. Edhe si përmbajtje, formë: Të dyja kishin qëllim kritikën, dënimin publik, por bodeci, kishte vetëm individin, fletë-rrufetë, individin gjithashtu, por edhe kritikën kolektive.

Ishin më të ashpra se bodeci?

Në bodec, personi i dalë shoqërohej edhe me një karikaturë të tij e pak humor, siç tregova. Ndërsa fletë-rrufetë jo, kishin vetëm kritikën. Në raste të veçanta edhe me ndonjë karikaturë. Ndryshe nga bodeci, që nuk kërkonte përgjigje, te fletërrufetë kur njeriu i kritikuar me emër, duhej doemos të përgjigjej në formë autokritike. Edhe bodeci kritikonte me emër personin, por bodeci kishte vetëm një stendë të mbyllur me xham, ndërsa fletë-rrufetë, vendoseshin në stenda të hapura, me thumba, në qendër ose zonat e populluara, posaçërisht për to. Ato ishin të formateve të mëdha e të kontrolluara. Çdo ndërmarrje, institucion, spital, shkollë, kishte stendën e “Emulacionit”, “Vend afishimi për fletë-rrufetë”, “Zëri i Masës” etj., ku mund të vendosej fletë-rrufeja. Nga frika, individi i kritikuar nuk e hiqte, por ka pasur edhe raste sporadike, që edhe e grisnin apo e hiqnin fare.

Ku ka qenë vendet e njohura të fletë-rrufeve në Tiranë?

Në Tiranë, në qendër, përballë hyrjes së Bankës Qendrore, pranë taksive, stacionit të autobusit të Bankë-Kinostudio. Ngjitur me të, ishte një termometër i madh meteorologjik. Një tjetër gjigante, ishte te “21 Dhjetori”, si pikë e rëndësishme e populluar e kryeqytetit, tabela e “Emulacioni Socialist”, ku një hapësire të madhe, zinin fletë-rrufetë. Po kështu, në Laprakë, Kinostudio, Kombinat, Kamëz e, në gjithë qytetet e tjera të vendit. Përdorej kartoni dhe ato përpiloheshin e shkruheshin nga njerëz të ndryshëm, me një shkrim jo të mirë, mungonte ana estetike, një formë primitive…!

Më treguat se ndër të parët e kritikuar, ka qenë një mësues gjimnazi?

Një profesor fizike në një gjimnaz të Tiranës, që lejonte vajzat të shkonin në klasë me minifunde, nëse nuk gaboj. Ai them ka qenë i pari që është kritikuar me fletë-rrufe, se bëri bujë. Kam dëgjuar që jeton dhe ndodhet jashtë Shqipërisë. E goditën rëndë, vetëm për këtë fakt, e mendoni çfarë situate ju krijua në shkollë, familje, lagje, kudo.

Si formulohej një fletë-rrufe?

Në krye të stendës, vendosej fraza shabllon e marrë nga një fjalim i Enver Hoxhës, ku thuhej: “Çdo kush, më germa të mëdha dhe pa frikë, të shkruajë se çfarë mendon ai, për punën dhe për njerëzit…”! Ky citat i “shokut Enver”, ishte taksativ në çdo qendër emulacioni apo stendat e fletë-rrufeve që ndodheshin në çdo qytet të Shqipërisë së asaj kohe. Pastaj, vazhdonte hyrja standarde: “Drejtuar shokut…”!

Dhe kryeradhë: “Përse ju shoku…”, “Ju pyesim juve…”, e në mbyllje: “Presim përgjigje deri më datë…”. Përshëndetje revolucionare, Kolektivi i Ndërmarrjes, Organizata e Rinisë… apo kush e kritikonte. Deri edhe artistë, futbollistë, klube apo persona për tifozllëk të sëmurë në stadium, kanë qenë objekt i kritikave. “Përse ju shoku… shfaqni tifozllëk të sëmurë…”. Dhe në mbyllje: “Një grup tifozësh…”, etj.

 Po përgjigjet ne fletë-rrufeve, si ishin?!

Ajo ishte pjesa më komike. I kritikuari, apo çdo subjekt tjetër, ishte i detyruar të reagonte brenda afatit kohor që e kushtëzonte fletë-rrufeja, madje duke e falënderuar atë. Kujtoj disa fraza: “Përgjigje” dhe poshtë saj: “Unë… pasi lexova materialet e Partisë… e kuptoj gabimin… pranoj kritikat etj., … e dënoj veten time… premtoj se do bëj kthesë dhe nuk do e përsëris më etj.”! Përgjigjja e shkruar me dorë e në karton, vendosej afër fletë-rrufesë. Kur sipas fletë-rrufeistëve, autokritika nuk ishte bindëse, shkëmbimet “Fletë-rrufe – Përgjigje” vijonin pa fund, deri kur sipas tyre, ia kishin arritur qëllimit.

 Keni ndonjë eksperiencë personale?

Jo. Por ajo atmosfera, ai detaj, nuk u ka shpëtuar as artistëve të kohës. Skenaristi Skënder Plasari e ka vendosur te filmi “Kapedani”, kur Xha Beqos, i bënë fletë-rrufe në fshat, duke e kritikuar. Pra, me anë të një fletë-rrufeje, edhe plaku mund të kritikohej. Kishte njerëz që refuzonin të jepnin përgjigje, por e mendonin çfarë pasojash kishte. Ose, kujtoj gjithashtu një fletë-rrufe ku, një burrë kritikohej se bashkëjetonte me dy gra.

Dhe, ai iu përgjigj: “Fletërrufe, moj fletërrufe, ju jap dy t’vjetra, më jepni një t’re”. Pati jehonë të madhe, se nuk ndodhte që dikush, të tallej me fletë-rrufenë, pra me autorët e saj.

Kryesisht, cili ishte fenomeni që goditej më shumë?

Më shumë goditeshin dëmtuesit e pronës socialiste, por edhe lufta ndaj shfaqjeve të huaja, dhe forca për të ndaluar çdo shenjë apo tentativë e, tendencë të tillë. Mbajtja e flokëve të gjata, veshja ekstravagante, pantallonat kauboj, qëndrimet në grupe, deri edhe për antenat e televizorit, kush ndiqte kanalet e dëgjonte radiot e huaja, lexonte libra të huaj, për paraqitje të dobët në mësime, mosrealizime normash, problem pune, mungesa në shkollë, etj., etj., etj.

Janë vitet kur kanë dalë e shpërthyer grupet e rinisë, që të ndalonin në rrugë apo kudo, nëse të shihnin si një modë-ndjekës, veçanërisht në plazh, stadium, por edhe në universitete, ndërmarrje etj. Ishte një proces ku, angazhoheshin mjaft segmente shtetërore, si organizata e masave, duke filluar nga ato të Rinisë, Fronti Demokratik, Bashkimet Profesionale, organizata e gruas, ajo e veteranëve të Luftës, deri tek ajo e pionierit./Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Shëmti pas socialiste: 26/03/2023 13:03

    Veshjet provokative as sot nuk lejohen në shkolla dhe institucione publike e private në shoqërinë kapitaliste kurse veshjet dhe frizurat e pas 90v. në Shqipëri s'kishin lidhje me trend mode por me shëmtime të njerëzve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?