Todi Lubonja dhe bashkëshortja

Dëshmia e rrallë e vajzës së poetit të persekutuar: Im at shkrimin e dërgoi te ‘Zëri i Popullit’, por Todi Lubonja s’e botoi dhe e çoi ‘lart’ dhe pas gjyqit, kolegu i babait vrau veten…

9 Gusht, 09:16| Përditesimi: 9 Gusht, 09:20

  • Share

Si poete dhe publiciste, por edhe si një njeri që i ka përjetuar persekutimet komuniste, Elida Buçpapaj, hapjen e dosjeve e shikon domosdoshmëri për viktimat. Shkrimi i një fejtoni, do t’i ndryshonte jetën plotësisht. Aty do të niste zanafilla e vuajtjeve të tij dhe të familjes. Bëhet fjalë për poetin Vehbi Skënderi (1929-2011). Vehbi Skënderi, shkruan fejtonin “Klubi i të qetëve” dhe një pamflet për të cilin kishte bashkëpunuar me një grup të shquar intelektualësh, që e dërgoi për botim te “Zëri i Popullit”. Në të kritikonte rëndë institucionet e Akademisë së Shkencave. Por pamfleti nuk botohet, edhe i dorëzohet Byrosë Politike. Në Komitetin Qendror, e akuzonin ai nacionalist. Pasi i shpëton burgut, e dërgojnë për riedukim, si punëtor në Hidrocentralin e Vaut të Dejës. Por ky ishte vetëm fillimi i vuajtjeve të tij, ata do të vazhdonin ta endnin nga një vend në tjetrin, deri në repartin e plehrave në Kombinatin Poligrafik.

Vajza e tij, Elida Buçpapaj, poete edhe publiciste e njohur, sjell për lexuesit, vuajtjet që i ka shkaktuar familjes së saj sistemi komunist. Ajo ndalet edhe te domosdoshmëria e hapjeve të dosjeve në vendin tonë.

Znj, Elida, e nisim nga fëmijëria. Vitet kur poeti, Vehbi Skënderi, babai juaj ju tregonte përralla dhe plotësonte çdo dëshirë tënden. Si i kujton sot ato vite?

Fëmijëria ime ishte efemer, si një ëndërr, që zgjat sa zgjasin ëndrrat. Më kujtohet kopshti 31 tek ish-‘Blloku’, ku babi vinte e më merrte e, më mbante në krahë. Nganjëherë më çonte tek gjyshja, që e kishte shtëpinë ngjitur me Hotel “Internacional”, pas ish-Lidhjes së Shkrimtarëve, tek “Rruga e Kavajës”. Ishte një rrugë që netëve të dimrit, mbante erë tym, kështu e kam të fiksuar. Babi më adhuronte, më kishte kthyer në një objekt poetik. Në një poezi që më ka kushtuar (se më ka kushtuar poezi pa fund), unë yjet i konsideroja fëmijë të hënës.

Pastaj kujtoj shtëpinë. Kur më tregonte përralla. I krijonte këto përralla, enkas për mua. Ishte një personazh miush, rebel që sfidonte mbretëreshën dhe aventuronte. Pastaj më deklamonte poezitë e Nolit, sepse deklamonte si një aktor i madh, merreni me mend, që një fëmijë pa shkuar ende në kopsht, të dëgjojë; Rent or Marathonomak, apo Anës Lumenjve, pastaj më deklamonte poezitë e tij, duke më mbajtur në gjunjë përballë makinës së shkrimit, ose më lexonte libra. Nganjëherë më merrte tek Revista ‘Ylli’ ku punonte, kujtoj gjithçka nëpër mjegull. Kur shkoja tek revista ‘Ylli’, më kujton Ajtanga Lubonja, që punonte me babin.

Kur mbusha pesë vjeç, babi na solli në shtëpi kolegun e tij, fotografin e Revistës ‘Ylli’, Petrit Kumi, që më bëri fotografi shumë të bukura. Megjithëse unë i kisha flokët e verdhë, i thosh mamit, që të m’i krihte alla Xheki Kenedi, me kordele. Revista ‘Ylli’ asaj kohe, kishte një vizion shumë modern, pasi aty punonin disa shkrimtarë e poetë, si; Naum Prifti, Kin Dushi, kryeredaktor kishin Qamil Buxhelin. Lidhja e Shkrimtarëve ishte ku është sot Teatri Popullor, babi më merrte me vete nganjëherë edhe aty, i pëlqente të luante shah, megjithëse nuk krenohej se ishte një lojtar i madh. Por gjithçka mbaroi pa nisur mirë dhe u zhduk sa hap e mbyll sytë.

Fill pas botimit të fejtonit “Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve” për Klubin e Lidhjes se Shkrimtarëve dhe të Artistëve, në vitin 1967, jeta juaj do të ndryshonte plotësisht. Shqetësimet e babait, ishin edhe pjesë e juaja…! Çfarë kujton nga ajo periudhë?

Tek fejtoni “Klubi i të qetëve”, nis zanafilla e vuajtjeve tona. Unë vetë, nuk e kam lexuar kurrë këtë fejton, sepse, si ju thashë, kam qenë shumë e vogël dhe ia kanë zhdukur. Kanë ardhur në shtëpi dhe ia kanë marrë kopjet që kishte. Atëherë nuk kishte kompjuter si sot. Mund të jetë ndofta në Arkivin e Shtetit. Por kalvari i tim eti nisi, kur në të njëjtin vit me “Klubin e të qetëve”, ai duke bashkëpunuar me një grup të shquar intelektualësh, si Profesor Selman Riza, Profesor Ligor Mile, Profesor Dhimitër Pilika, Kolonel Dilaver Radeshi, historiani i mirënjohur Zija Shkodra, majori Bektash Bedo, etj., shkroi një tjetër pamflet, që e dorëzon për botim në ‘Zërin e Popullit’.

Aty kritikoheshin rëndë disa institucione të Akademisë së Shkencave. Sipas një biografie të shkruar nga vetë babi, në këtë pamflet, kritikohej Instituti i Historisë, që në vend se të merrej me figura e epoka madhore të historisë kombëtare, merrej vetëm me Haxhi Qamilin, duke mos bërë asnjë monografi për Pirron e Epirit, Teutën e Ilirisë, Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin e Fan Nolin, duke mos bërë asnjë studim për Lashtësinë, Mesjetën, Rilindjen Kombëtare, duke mos bërë asnjë studim për Kosovën. Kritikohej edhe Instituti i Gjuhësisë, që në atë kohë nuk kishte përgatitur ende Fjalorin e Gjuhës Shqipe. Këto dy institucione që mbuloheshin direkt nga krimineli Manush Myftiu, krijonin bazën ideologjike të sistemit.

Pamfleti nuk botohet. ‘Zëri i Popullit’, që asaj kohe drejtohej nga Todi Lubonja, ia dorëzon dorëshkrimin sekretarit të parë të Tiranës dhe me të merret Byroja Politike, duke e cilësuar; “veprimtari armiqësore grupazhi, e njëjtë me Konferencën e Partisë së Tiranës”. Babi më tregonte se në Komitetin Qendror, gjatë seancash të terrorit të gjyqit politik, e akuzonin për veprimtari antiparti sepse, sipas tyre, sulmonte institucionet e superstrukturës së shtetit, e akuzonin edhe si nacionalist, meqë u deklarua se Kosovën e shihte si pjesë të Shqipërisë. Gjyqi ishte kaq i tmerrshëm, sa njëri prej pjesëtarëve, i ndjeri Bektash Bedo, vrau veten.

Unë s’kisha vajtur ende në shkollë, por e përjetoja tmerrin e vonesave të babit, që kthehej në mesnatë, i shkatërruar nga marrja në pyetje. E kujtoj edhe se si qante babi, kur vrau veten Bektash Bedo. Kur i shpëtoi burgut dhe e dërguan për riedukim si punëtor, në Hidrocentralin e Vaut të Dejës, kjo njerëzve të shtëpisë, iu duk si shpëtim.

Me kujtohet se asaj nate, kur u mor vendimi nga Komiteti Qendror, unë nuk e kisha konceptin e kohës, dhe m’u duk mesi i natës, kur nusja e xhaxhait të vogël më mori e bashkë, shkuam tek një ëmbëltore që ishte aty ku sot është sheshi para Muzeumit, për të blerë tulumba, për gjithë familjen që na priste. Dhe pikërisht këtu do të merrte fund edhe fëmijëria ime, pa shkuar ende në klasën e parë, kur babi u nis në Vaun e Dejës dhe mua do të më ndërpriteshin të gjitha, përrallat, recitimet, vetë fëmijëria.

Regjimi i heq të drejtën e botimit dhe e dërgon në kantieret e klasës punëtore…! Ç’mund të thoni sot pas kaq vitesh, për këtë dënim të sistemit?

Dënimi në Vaun e Dejës, ishte njëri prej dënimeve, ose preludi i dënimeve që babit nuk ju ndanë kurrë, deri sa vdiq këtu në Zvicër. Ambasada e Shqipërisë në Bernë, bënte takime folklorizante, deri në banalitet, por kurrë nuk ndërmori një aktivitet vlerësues, për tim atë. Fakti që në krye të Ambasadës së Shqipërisë për 8 vjet, qëndroi një ish-censor i Komitetit Qendror, që kishte mbetur i pa konvertuar dhe me mendësinë totalitariste, paçka se i emëruar nga PD-ja, tregon se Shqipëria nuk e ka ende një sistem demokratik të mirëfilltë.

Pas një gjyqi politik, babin e dërguan si punëtor në hidrocentralin e Vaut të Dejës. Ia hoqën të drejtën e shkrimit e botimit. Punonte me tre turne, sondist. Fliste me ne në telefon, dy herë në javë. Bashkë me mamin, shkonim tek Posta Qendrore e Tiranës, sepse nuk kishim telefon në shtëpi dhe komshinjtë bezdiseshin e, nuk pranonin që një grua e re dhe një fëmijë, të flisnin nga telefoni i shtëpisë së tyre, me një të dënuar të Partisë.

Në kantier, babi i kishte caktuar vetes një kuotë shpenzimesh, hante vetëm 67 lekë në ditë dhe të tjerat, ia niste mamit për rritjen time. Ai nuk i kishte mbushur ende 40 vjeç, kur shkoi në Vaun e Dejës. Por me gjithë vuajtjet e tij dhe izolimi që përjetonim ne në Tiranë, babi i deshi ata njerëz me të cilët punonte dhe shumica e tyre, punëtorë të thjeshtë dhe inxhinierë, ia kthyen respektin me respekt. Lidhja e Shkrimtarëve ishte e mbushur me hipokritë e matrapazë arrivistë, që për rehatin e tyre, ishin gati të ngrohnin duart, në zjarrin e inkuizitorëve. Në kantier, e provokonin rëndom, por pas pesë vitesh punë si punëtor, i dhanë prej kantierit një karakteristikë shumë pozitive. Babi kujtonte gjithmonë miqësinë e bukur, me piktorin Nexhmedin Zajmi, që e forcoi në kantier.

Herë pas here vendimet kundër tij, ishin nga më të ndryshmet. Si arriti babai juaj që të duronte gjithfarë torturash…? A fliste me ju?

Ishte një regjim shumë mizor. Vetë izolimi ishte i tillë, sa dukej se gjithë globi, fillonte e mbaronte në hapësirën territoriale të Shqipërisë. Unë tashmë shkoja në shkollë. Me çelësin në qafë. Babi më kishte edukuar botën e librit. Kur kthehesha në shtëpi, lexoja libra pa fund. Ndofta kam qenë në klasën e parë apo të dytë, kur kam lexuar Andromakën, tragjedinë e Euripidit dhe vuaja me fatin e të vesë të Hektorit, me të cilën kishte rënë në dashuri Akil Pelidi. Po ashtu më magjepsnin ‘Jetët Paralele’, të Plutarkut.

Vetëm lexoja. Kur e mbaroi dënimin, babi rikthehet në Tiranë. Midis viteve 1971-1972. E lënë të punojë si korrektor, pastaj si redaktor në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” në redaksinë e poezisë. Ne ishim të lumtur dhe ndërsa posa e kishim marrë pak veten dhe rifilluar jetën, “rehabilitimi” zgjati vetëm disa muaj dhe në marsin e vitit 1974, babin e akuzojnë si pjesëtar të një qendre korrupsioni. Kjo është temë më vete, e pazbardhur.

Unë tashmë këtë fazë tmerri e kujtoj fare mirë sepse, isha në tetëvjeçare. Kjo periudhë që zgjati një dekadë e sa, ishte ferri i ferrit. Babin e heqin nga puna, ia heqin prapë të drejtën e botimit, ia djegin librat dhe ne si familje, na internojnë në një fshat të tmerrshëm pas Dajtit. Kur shkuan për ta parë, mami e tmerruar vetëm qante. I shitëm të gjitha plaçkat e shtëpisë. Babi me ato para, iu lut hallës, që të më mbante për të vazhduar shkollën, por burri i hallës nuk pranoi, se kishte frikë. Babi u sëmur, villte natë e ditë vrer e, nuk qëndronte dot në këmbë. U bë kockë e lëkurë dhe u plak menjëherë.

Një ditë e thërrasin në lagje. Ishte një paradite vere dhe shkolla kishte mbaruar. Tek ne kishte ardhur xhaxhai i Durrësit, që punonte si oficer. Të më merrte mua për pushime. Po priste babin të kthehej. Menduam se mos e kishin thirrur, që t’i jenin ndonjë punë, qoftë edhe si punëtor krahu, se ishte pa punë. Por e kishin urdhëruar, që ta linim shtëpinë brenda një kohe të shkurtër, ku edhe ia kishin komunikuar internimin, në atë fshatin pas Dajtit.

Ky ishte fundi, sepse nga ai fshat, zor se kthehej njeri, aq i izoluar ishte. Kur babi i ra derës, unë po lexoja në dhomën e gjumit. Derën e hapi xhaxhai. Babi vrapoi tek ballkoni, për t’u hedhur, shtëpia jonë ishte në katin e tretë, por xhaxhai nuk e la dhe kështu e shpëtoi. Unë nga zhurma, dola nga dhoma e, kur e pashë skenën, nisa të qaj me të madhe. Kjo periudhë ka shumë për të treguar. Unë do të kujtoj sidomos, armiqësinë e njerëzve që na lanë vetëm, nga frika e regjimit. Shoqëria ishte bërë edhe më mizore si regjimi, kënaqej me dramat dhe tragjeditë njerëzore.

Një nga propozimet që iu bë më tepër se një here, ishte që ai të bëhej pjesë e Sigurimit të Shtetit, gjë që nuk e pranoi asnjëherë… Ku e gjente forcën për të kundërshtuar, ata më të lartët. Pasi rreziku që i kanosej, medoemos që ishte edhe më i rëndë nga gjendja ku ishte?

Po babi më ka treguar, se i kanë propozuar disa here, që të bashkëpunojë me Sigurimin e Shtetit dhe nuk ka pranuar. Kjo edhe i ka kushtuar shumë në jetë, por ishte rruga që zgjodhi. Që kur unë kam nisur të mbaj mend, kujtoj tim atë, që më flet gjithmonë për drejtësinë dhe të vërtetën, për fjalë-mbajtjen dhe ndershmërinë. Nga babi trashëgoj edhe talentin, vokacionin për të shkruar. Kam nisur të botoj prej vitit 1991 dhe prandaj që në shkrimet e para, kam kërkuar hapjen e Dosjeve të Sigurimit të Shtetit.

Moshapja e tyre, ka qenë fatkobi i këtij tranzicioni, sepse njerëzit e Sigurimit, prej 25 vitesh, janë pjesë e oligarkisë dhe kupolës shtetërore. Tranzicioni u komprometua fillimisht nga përfshirja në politikë dhe institucione, e ish-Sigurimsave dhe pastaj nga korrupsioni. Pa integritet të zyrtarit të lartë publik, nuk ka shtet të së drejtës.

Nga ana tjetër ishit ju dhe nëna, çfarë kalonit gjatë asaj periudhe, që doemos nga një familje e nderuar, ju konsideronin, me “biografi të keqe”. Sa të vështirë e kishit gjendjen që ishte krijuar në familjen tuaj?

Kam thënë edhe diku tjetër, që Spaçi jetohej edhe në mes të Tiranës, kur shoqëria të fuste në një karantinë virtuale, si një njeri i molepsur dhe pastaj të gjuante me gurë fyerjesh. Mendoni një vajzë e re, që e fyejnë me të gjitha mënyrat. Sepse shoqëria i izolonte ata, që partia i dënonte, dhe kur dënohej njëri anëtar i familjes, dënohej e gjithë familja, përfshi ne fëmijët. Persekutimi ishte si një këmishë, që e mbaje të veshur në trup. Kishim të bënim me një shoqëri persekutore. Kolegët e babit, ishin zhdukur nga faqja e dheut.

Babin e priste vetëm Sterjo Spasse dhe Zisa Cikuli. Është shumë e dhimbshme kur flasin për persekutim nga diktatura, ata që kanë jetuar mes privilegjeve dhe persekutimin e kanë jetuar si fobi, sepse dinin që edhe brenda sistemit Stalinist, ekzistonte lufta brenda llojit. Diktatura me shërbëtorët e saj, ne na e kishte shfarosur sensin e perspektivës. Ishim pa të ardhme. Pastaj babin e dërgojnë të punojë në repartin e plehrave, në Kombinatin Poligrafik.

Unë mbarova gjimnazin dhe më çuan në Kombinatin “Josif Pashko”, si punëtore në fabrikën e pllakave. Por megjithatë, unë gjithmonë kam thënë, se në atë katrahurë, ishim prapë me fat, sepse mbetëm të bashkuar të tre, që e donim deri në kockë njëri-tjetrin. Them kështu, sepse kam parasysh, se diktatura ka shkatërruar familje të tëra. Vetëm ndalimi i së drejtës së shkollimit për fëmijët e të dënuarve, është krim i diktaturës.

Kur mori fund kjo torturë për ju? Çfarë ndodhi pas vdekjes së Enver Hoxhës në familjen tuaj?

Kjo torturë nuk mori fund asnjëherë. As sot. Nuk ka ende rehabilitim të shtresës së persekutuar. Në vitin 1991, kur ishte rrëzuar Muri i Berlinit dhe ishin mbajtur zgjedhjet e 1991, unë pasi mbaruar fakultetin për letërsi, me korrespondencë, pasi kisha mbrojtur anglishten dhe tema e diplomës ishte botuar në Revistën shkencore të Institutit Kultura Popullore, shkova me Skënderin, t’i kërkoja Luan Omarit, në Akademinë e Shkencave, mundësinë për të punuar si punonjëse shkencore, pasi kisha përgatitjen e duhur dhe meqë erërat e ndryshimit frynin dukshëm, por kërkesa ime, iu duk zotit Omari, si padrejtësia më e madhe në botë.

Jeta jonë gjithsesi ndryshoi, si për gjithë shqiptarët. Rashë në dashuri dhe u martova me një njeri të letrave, me Skënder Buçpapajn, një selfmademan i ndershëm dhe shumë i zoti. Na lindi djali i parë Prizreni, që i dha kuptim gjithçkaje dhe na lumturoi gjithë familjen, duke nisur prej babit. Fitorja e vitit 1992, i frymëzonte gjithë shqiptarët, të shpresonin për ndryshim. Por ishte një liri e kontrolluar. Dhe ky kontroll, vijon për çerek shekulli. Nga “Vëllai i Madh”.

Ndërkohë unë kisha nisur karrierën time si gazetare. Jam e para reportere shqiptare femër, që raportoja nga Tirana, për ‘Zërin e Amerikës’, në prag të zgjedhjeve të 22 marsit 1992. Shpresonim se po ndryshonim botën për mirë. Nuk e kishim mendjen tek hakmarrja, veç tek një sistem i ri, që të ishte diametralisht ndryshe, nga tmerri gjysmë shekullor.

Por ishte një iluzion. Shteti i së drejtës, është vetëm ëndërr për shqiptarët edhe sot e kësaj dite, të cilëve u vazhdon kalvari në një formë tjetër.

Memorie.al

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 09/08/2024 23:23

    5 vjec dhe e njihje Xheki Kenedin dhe moden?! Ne klasen e pare ose te dyte dhe kishe lexuar /heavy weights/ si /Andromaken/ dhe /Jetet paralele/?! Dhe me nje punim diplome botuar ne revisten shkencore mendove se i plotesoje kushtet per te qene punonjese shkencore?! A nuk duhet te kishe fituar nje titull shkencor per t'u cilesuar si e tille?! Nejse,babai juaj shkruajti nje fejton dhe me pas ne bashkepunim nje pamflet ku kritikoheshin disa nga inst.shkencore e artistike kryesore te vendit.Me vjen keq per zoterine,kritiken e kishte te drejte,por keta jane disa nga kategorite me egoiste e me te vetekenaqura ne bote,qe nuk e pertypin mire kritiken.Nje reagim i tyre ne kete menyre ishte i pritshem.

    Përgjigju
  • Vehipi: 09/08/2024 14:23

    Mortja qe nuk u ha juve krimbave qe nuk u ngopet me mishin e ketij Kombi !

    Përgjigju
  • Miço Mone: 09/08/2024 10:19

    Jeni shumë e ndjeshme dhe skrupuloze në reagimin kronik! Urime Valeria Dedaj!

    Përgjigju
    • Antonieta: 09/08/2024 12:49

      E nderuar Znj Elida, e lexova pa fryme shkrimin tuaj. Me krijoi nje dhimbje te brendshme qe me beri vetem te hesht e te them nje lutje per te ndjerin babain tuaj. Me keqardhje them qe shoqeria jone nuk ka pase dhe nuk ka as ma te voglen ndjeshmeri per te tille njerez...por as kapacitetin per ti kuptuar e jo ma vleresuar. Uroj te jeni mire ! Perzemersisht, Antonieta Luli

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?