Dëshmitë e radio-kronistit të RTSh-së: Në ’87-ën u alarmua Komiteti Qendror dhe donin të më çonin te Radio Kukësi sepse intervistova Vokrrin

30 Tetor 2022, 07:40| Përditesimi: 30 Tetor 2022, 07:47

  • Share

-Karriera e gjatë në Radio – Tirana, miqësitë me kompozitorë, politikanë, aktorë dhe sportistë me famë botërore…! –

 “Mirëdita të dashur dëgjues të Radio Tiranës…” – ka qenë shprehja e njohur që për shumë vite ka shoqëruar shqiptarët. Një karrierë profesionale e gjatë dhe e ndërthurur si një xhungël, “nuk di ku futem e nga të dal, nuk di si të orientohem” – siç e përcakton vetë ikona e radio-kronikës sportive kur e pyesin për karrierën e tij gazetareske gati gjysëm shekullore. I vogël, ai nuk e kishte menduar ndonjëherë që kjo do të ishte rruga e tij, një karrierë e bujshme e një radio-kronisti sportive, kur në gusht të vitit 1969, ngjiti për herë të parë shkallët e Radio Tiranës, u ul në një zyrë të katit të tretë bashkë me disa kolegë, një makinë shkrimi përpara, dhe punë intensive me dhe pa orar në kërkim të lajmit, gjithmonë nën shoqërinë dhe i pandarë nga magnetofoni “Uher”.

Qindra kronika, transmetime, reportazhe e intervista në Radio e TV, me artikuj në të gjitha gazetat e revistat, një histori profesionale e nisur nga Xhirot Çiklistike, me kulmin “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, emisioni më i ndjekur dhe me jehonë kombëtare. Pastaj transmetimi befasues nga Barcelona, miqësitë me kompozitorë, politikanë, aktorë, edhe ato më famë botërore nga: Mina, Kryeziu, Kodra dhe intervistat e ndaluara të Vokrrit e Albanos. Një dashuri shumëvjeçare me radion e TVSh-në, pa u shkëputur as edhe një ditë, deri kur ai “ndërroi shtëpi”. Por, “Fenomeni Shqarri”, nuk ndalet dhe një tjetër bum mediatik: “Gol” në “Radio + 2” dhe në “TVA -1” do të shoqëronte shqiptarët për disa vite të tjera me zërin dhe figurën të Ahmet Shqarrit.

Miqësitë me artistët, nga skena në stadium…!

Për Ferdinand Dedën, kompozitorin dhe dirigjentin e njohur, ruan kujtime të bukura që nga fëmijëria në qytetin e tyre të lindjes, Peqin, e falë tij nuk ka lënë festival, shfaqje e koncert pa parë. Pastaj dirigjentin Rifat Teqja, kushëri i tij, që pas kthimit nga studimet në Konservatorin e Moskës, e ka bërë që të ndjekë çdo shfaqje të Operës e Baletit.

Mesazh special ka edhe për kompozitorin e dashurisë, Gazmend Mullain, lidhur me CD e marrë dhuratë prej tij: “Orkestrim modern, kujtoj trompën e Gaspër Çurçisë, më krijoi një ndjesi fantastike. Ato kanë ngrohtësi dhe shprehin shumë ndjenjë e dashuri dhe këngëtarët që interpretojnë krijimet e tij si Luan Zhegu, Tonin Tërshana, Ema Qazimi, Irma Libohova, apo Robert Alia-Dragoti. Një dhuratë që veçanërisht brezit tim, i jep shumë kënaqësi”.

Pastaj në stadiumi sidomos kur kishte ndeshje ndërkombëtare shumë artistë që ishin tifozë, apo mjekët ftuar në kabinën e tij. Nga Kujtim Spahivogli, Avni Mula, S. Qirko, etj., duke ndjekur takimin në krah të Ismet Bellovës, Aleko Gjergos, Veli Radës, etj. “Me Ferd Dedën, mbaj mend kur shënoi një gol Mihal Gjika i Elbasanit ndaj Republikës Demokratike Gjermane, nga gëzimi ai bërtit “Gooool!”, gjë që nuk lejohej, pasi atë e bënte vetëm radio-kronisti”!?, kujton Shqarri.

Me Agim Fagun dhe kritikat pas ndeshjes…!

“Në fillim të viteve ‘80-të, gjatë transmetimit të sfidës në Kupën e Kampioneve në basketboll për femra, zhvilluar në Vlorë midis “Flamurtari” dhe kampiones së Hungarisë, në rolin e analistit ka marrë të famshmin Agim Fagu. Fillimi ka qenë më shumë se befasues dhe Shqarri kujton: “Ishim në vështirësi, nuk dinim çfarë të thonim, pasi rezultati në ato minuta të para shkoi 18-0 për hungarezët, dhe vajzat tona nuk kishin mundur të shënonin asnjë pikë.

Pikërisht në këto momente më erdhi në ndihmë Agim Fagu, duke bërë një analizë, kompetente e shumë profesionale. Por, të nesërmen, kur sapo u ktheva nga Vlora më kritikuan se “kisha” lejuar Agim Fagun, që sipas tyre, ishte bërë ‘altoparlanti’ i hungarezeve, duke i lavdëruar ato në Radio Tirana”, kujton Shqarri.

Me Sando Ciottin, si “Flutura në kabinën time”

“Sandro Ciotti në ‘kabinën time’ në ‘Qemal Stafa’ që ishte kthyer si shtëpia ime e dytë. Në zyrë shkoja, merrja magnetofonin dilja për një intervistë për radion, reportazhe, etj. Kurse në kabinë, shkoja të paktën një orë para ndeshjes, e qëndroja pas saj me intervistat, komente, duke përfshirë edhe transmetimin prej dy orësh, pra rreth katër orë, dhe jo vetëm njëherë, por edhe disa ditë në javë, e kjo gjë përmbi tre dekada, pra ishte ‘shtëpia’, ku kalova një pjesë të madhe të jetës.

Sandro Ciotti, erdhi aty sepse dha dy kronika, një para dhe tjetrën pas ndeshjes me ekipet ‘Shpresa’, Shqipëri-Itali, në vitin 1984. Kur erdhi te unë, duke përfituar u prezantova, duke i’u referuar edhe njohjes që kisha për emisionin italian “Tutto il calcio minuto për minuto”, ku ai ishte ndër me kryesorët. Kolegu im në Tv, Ylli Pepo, që e shoqëronte, me shaka i tha për mua se: ky është ‘Ciotti shqiptar’, duke marrë shkas nga zëri pak i ngjirur i imi, i ngjashëm me të Sando Ciottin”, kujton Shqarri.

Me Panon, në Sarandë, një qytet në festë…!

Si arbritrat, që nuk e tregojnë skuadrën e zemrës, kështu edhe radio-kronistët, rrallë e shfaqin pasionin e për kë bëjnë tifo. Por pak ndryshe është Shqarri, i cili tregon: “Si fëmijë adoleshent, tifoz me ‘Partizanit’, edhe prej Shkollës ‘Skënderbej’, ndërkohë që Panajot Panon, e doja shumë. Nisesha për intervista, reportazhe në fshatra, zona të largëta, si një herë në Vrinë të Sarandës, ku Stefan Vllahulit, përgjegjësitë të Qendrës së Kulturës, të cilin e kisha mik, i pata premtuar se do të sillja me vete edhe Panajot Panon, për të takuar me njerëzit ‘që linin kokën’ për të.

Me këtë rast, ai kishte njoftuar drejtuesit dhe pa frikë mbi 400 veta, ishin në pritje në Shtëpinë e Kulturës që të takonin ‘Yllin’ e futbollit shqiptar. ‘Ka ardhur Ahmet Shqarri me Panon dhe do të na flasë për sportin, për ‘Partizanin’ – dhe shpërthyen duartrokitjet që më vunë në vështirësi, sepse nuk kisha parë një rast të tillë kaq festiv, që organizohej jo për një udhëheqës, por për dy njerëz të sportit. Dhe për kohën, kjo shfaqje dukej si një herezi” – rrëfen Ahmet Shqarri

Edhe Byroja Politike, tifozë të zjarrtë të emisionit…!

“Nga kryeministri Adil Çarçani dhe të tjerë nga Byroja Politike, të gjithë ishin të interesuar për të ndjekur emisionin ‘Nga njëra ndeshje në tjetrën’. Ishte kjo arsyeja që për transmetimin e tij sidomos kur ai nis rrugëtimin e parë, angazhimi për ta realizuar atë ishe shumë i madh. Janë vitet kur ekonomia shqiptare është thuajse në nivelin zero dhe kjo vërehej edhe në Radio Televizionin Shqiptar, që niste me shërbim nëpër rrethe me një makinë, 4-5 radio-kronistë të ndryshëm, në mënyrë që të kursehej sa më shumë.

Ndërsa për emisionin tim, bëhej përjashtim, edhe për arsyen që përmenda më sipër, prej interesimit që kishte ‘nga lart’. Në majin e 1986-s, ditën e përurimit të pishina në kompleksin “Dinamo”, ku ishin të pranishëm shumë nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, teksa duke përgatitur kronikën e rastit, me karakter sportiv, ndërkohë kolegu tjetër, Alfons Gurashi, e trajtonte në planin politik, dëgjoj nga afër një zë që më thotë: Shqarri, besoj do e dëgjojmë sot ndeshjen e ‘Partizanit’……?!

Dhe unë i tronditur se po fliste kryeministri, Adil Çarçani, që nuk e kisha parë e dëgjuar kurrë më parë kaq afër, aq më tepër duke m’u drejtuar me emër, ju përgjigja gjithë kënaqësi e siguri: Patjetër shoku Kryeministër….”, sepse pikërisht një ditë më parë, Drejtori i Përgjithshëm, Marash Hajati, që ishte edhe kandidat i Komitetit Qendror të PPSH-së, kishte urdhëruar që për emisionin e asaj dite, të vihej në dispozicion edhe ‘makina e rezervës urgjente’, që përdorej vetëm për rastet ekstreme!!!, në mënyrë që të plotësohej ‘fllota’ e transmetimeve nëpër rrethe”, kujton Shqarri.

Intervistat, njohjet e paharruara

Janë shumë, të realizuar me personalitete të të gjitha fushave. Nga Marjeta Pronjari, Panajot Pano, Sabah Bizi, Medin Zhega, Ilir Përnaska, Sulejman Demollari, deri te Frans Bekenbauer, Kapiçiç e Mishel Platini, një pafundësi “yjesh”, nga sporti shqiptar deri tek ai botëror, që Shaqrri ka pasur rastin dhe fatin për t’i intervistuar.

Me Agim Prodanin, pas këngës “Gol”

“Ajo me Agim Prodanin, ka qenë nga intervistat më të bukura, menjëherë pasi ai kishte kompozuara këngën ‘Gol’. Njihja, vetëm gruan e tij, Anita Take, si këngëtare në Estradën e Tiranës, ndërsa Prodanin, që ishte një kompozitor i mrekullueshëm, por që nuk dëshironte të shfaqej në skenë. I trokas derës së shtëpisë; jam një gazetar quhem Ahmet Shqarri’, prezantohem. Menjëherë më thotë se, nuk jap intervista. Më kanë dërguar ato të redaksisë nuk kam si t’i them, nëse nuk do që të më bësh dëm…! ‘Më dukesh djalë i sinqertë, me temperament, si puna ime’, m’u përgjigj, duke pranuar që pas pak të realizonim intervistën nga më të arrirat në karrierën time”, kujton Shqarri.

Me Konën vetëm “po dhe jo” dhe Kapexhiun me dorën në “jaki”!

Me Andon Konën, trajneri i mirënjohur i “Partizani”-t në volejboll për meshkuj, ka qenë ndër të rrallat, tipike për natyrën e tij. “Ishte një intervistë gjatë një emisioni televiziv, kur u vura në vështirësi, sepse pas çdo pyetje ai më përgjigjej standard “po dhe jo”, sipas rastit. ‘Çfarë ishte ajo që pamë mbrëmë’ – më kritikuan drejtuesit e mi. E takova Konën, duke i thënë më ke vënë në pozitë të vështirë. ‘Faji është i yti, ti bëje pyetjet, po ti i jepje përgjigje’, më tha, duke më dhënë kështu një mësim të mire, në ato fillimet e mia si gazetar”, kujton Shqarri.

Ndërsa me Bujar Kapexhiun, një mik i sportit është tjetër histori. Duke luajtur në një “miqësore” shokësh, Faruk Sejdini kishte ndërhyrë rëndë ndaj tij, duke e ngritur në “ajër” dhe në rënie e sipër, kishte thyer dorën. “I vajta në shtëpi, qëndronte i shtrirë me dorën në jaki të futur tek Ceni (Kazazi), i famshëm. Ka qenë një intervistë shumë gazmore me të, ku veç krijimtarisë së tij artistike, më foli aq bukur dhe me kompetenca edhe për sportin”, tregon Shqarri.

Me Bekenbauer, ndalet shiriti…!

Pas ndeshjes së ‘71-shit, Shqipëri – Republika Federale Gjermane, në Hotel “Dajti” bashkë me stomatologun, përkthyesin e njohur të gjermanishtes, Pano Lulon, pasi ka marrë në intervistë Overatin, Mylerin e Shnelingerin, ka takuar Bekenbauerin, duke e nisur intervistën me pyetjen e zakonshme që bëhej në fillim apo fund, se: “çfarë përshtypjesh keni nga Shqipëria”, ndonëse nga hoteli në stadium, ato nuk patën kohë të shihnin asgjë?!

“Magnetofoni kishte një xham sipër kapakut, e ndërsa kisha filluar bisedën, befas Bekenbauer ma bëri me dorë, duke më treguar se nga xhami shihej, se si bobina ishte ngatërruar me shiritin. E ndalova, duke rifilluar nga e para” – tregon Shqarri, duke kujtuar ato episode që dëshmonin edhe mjerimin e pajisjeve tona teknike, me të cilat realizonim intervistat e asaj kohe…!

Nga Vokrri te Albano, intervistat me “probleme”…!

Një intervistë e pa transmetuar ka mbetur ajo me futbollistin e njohur kosovar, legjendën e “Partizianit” të Beogradit, Fadil Vokrrin, që erdhi në Vlorë për të luajtur kundër “Flamurtari”-t. “E realizova pas ndeshjes, por këtë herë ishte Komiteti Qendror i PPSH-së, që më goditi, madje duke më projektuar për një transferim në Radio Kukësin. Dhe vetëm për faktin se, kisha intervistuar një futbollist që luante me një skuadër jugosllave, pavarësisht se ai ishte kosovar, edhe pse intervista nuk u transmetua.

Ndërsa ajo me Albanon, këngëtarin e famshëm Italian, u dha me vonesë, kur ai ishte larguar nga vendi ynë. Lidhur me këtë, Shqarri kujton: “Diku nga viti 1989, ndodhesha në Gjirokastër, pasi kishte përfunduar një etapë e Rrethit Çiklistik të Shqipërisë, kur papritur në hollin e Hotel Turizmit, shoh një person që e kisha parë në televizionin italian. E njoha menjëherë, u interesova, dhe me shumë mirësjellje u prezantova me Albanon.

Të nesërmen në Ksamil, ku ai do të shkonte, e lamë që të bëja një intervistë me të. Ishte hera e parë që Albano vinte në Shqipëri, si dhe intervista e parë që ai jepte në këtë vend. Ka qenë ndër më emocionalet, e paharruar, bashkë me atë të Vokrrit, nuk e di a janë, e ku mund të jenë arkivuar në fonotekën e Radio Tiranës, apo jo? Sepse në vitet ‘90-të, kam kërkuar bobinat ku ishte regjistruar ndeshja e ‘Flamurtarit’ në Barcelonë dhe nuk kam gjetur”.

Në Romë, me Kryeziun legjendar!

Bashkë me regjisorin e njohur Ylli Pepo dhe operatori Anton Grishaj, kanë udhëtuar drejt Romës, për të takuar Naim Kryeziun, si kampionin e Italisë e kishin personazh të filmit “Shekullorët”. Lidhur me këtë, midis të tjerash Shqarri kujton: “Bashkë me gruan, Tekia, një siciliane, na priti një burrë i mrekullueshëm që pas intervistës në shtëpi, bashkë me të birin me një ‘Mille 100’, shkuam në stadiumin ku ai kishte dalë kampion me Romën në vitin 1942. Realizuam intervistat, dhe në fund, kur i bëmë pyetjen; pse nuk vjen në Shqipëri që kur kishte ardhur në Itali në 1941-in, u përgjigj: ‘Kam pasur shumë miq në Tiranë, kur luaja me atë ekip, ndër to edhe Selman Stërmasin, por të gjithë ata tashmë nuk jetojnë më, kështu që përse të vij atje”!?.

Nga Xhani Mina, te Bruno Vespa, dhe “Dora e Ibrahim Kodrës”

Në karrierën e gjatë si gazetar, Ahmet Shqarrit i ka qëlluar të takojë e të njihet me një pafundësi personalitetesh, jo vetëm mediatikë, por edhe më gjerë. Finale Champions League 1997, Milan-Ajax, në stadiumin e Vjenës, pas një viti në Stadiumin “Olimpik” të Romës, ka qenë pranë me gazetarin e famshëm, italian Xhani Mina.

“I shpreha kënaqësinë që e takova ngaqë kisha ndjekur intervistat e tij me Kasius Klein (siç njihej ndryshe Mohamd Ali), Diego Armando Maradonën, etj. Pastaj me boksierin Patricio Oliva në Mestre-Venezia, bashkë me Skënder Kalenjën, ish-presidentin Federatës Shqiptare tw Basketbollit, apo me kampionen e atletikës botërore, Isinbajeva, futbollistin argjentinas të Interit, Javer Zanetin, etj. Pastaj me artistët me famë: Nga Demis Ruso, Brigit Nilsen (në pritjen që jepte Bexhet Pacolli në Lugano), deri te “Pikaso” i Shqipërisë, Ibrahim Kodra: Maestro – iu drejtova- t’ju a prek pak duart, me të cilën keni realizuar gjithë ato kryevepra artistike!

‘E njeh Adriano De Zan’- më pyeti, radio-kronistin e famshëm të çiklizmit? Pizul, De Luca, Trapatoni, Zenga, kanë pikturat e mia. Berluskoni ka 17-të tilla. Por edhe me Bruno Vespën, një figurë e madhe e Rai-t, i pranishëm në Festivalin Ndërkombëtar të filmit sportiv në Milano, kur së bashku me Ylli Pepon, si regjisor, kemi fituar medalje me dokumentarin “Qyteti i vogël i kampionëve të mëdhenj”, kujton Shqarri.

Bashkë me Flamur Topin, rekord absolut!

Aldo Lipe i emisionit televiziv “Aldo Morning Show”, pati thënë një herë, se; ‘e kam “zili” mikun tim, Ahmet Shqarri, që bashkë me Flamur Topin, mbajnë rekordet e jetëgjatësisë me emisionet e tyre aq të ndjekura në Shqipëri’. Pastaj me kombëtaren e gazetarëve, ka qenë titullar në formacion në ndeshjen e parë historike Gazetarë-Artistë, të zhvilluar në “Qemal Stafa” të tejmbushur, ku për herë të pare, një takim i zhvillohej nën dritën e prozhektorëve.

Frenk Sinatra, për mbyllje!

Jeta e Ahmet Shqrrit, vazhdon të jetë edhe sot aktive, pasi nuk i shterojnë energjitë. Kur flet, njerëzit kthejnë ende kokën, se ja njohin zërin e tij karakteristik, ashtu si im atë Nexhmedin Zajmi, artist, piktor që sa herë që kthehej nga studioja, kryesisht të dielën dhe në mesditë, i shtrirë, dëgjonte “Nga njëra ndeshje në tjetrën”, jo se ishte tifoz, por për një fakt interesant: “energjik si zëri që ka, duhet të jetë vetë Shqarri”, – më thoshte, – figurën e të cilit e fuste në imagjinatën e fantazinë artistike, të lidhura me personazhet që i shërbenin për të pikturuar.

Ndërkohë, lidhja bashkëshortore e Shqarrit me përkthyesen tashmë të njohur, Ëngjëllushe Shqarri, vazhdon prej gati gjysëm shekulli, duke i’u gëzuar dy vajzave dhe mbesës së tyre. Nuk ka mbajtur ditar, por jetën e tij, si një shirit pa fund e ruan saktë në memorie, madje ka botuar edhe një libër “Kujtimet e një gazetari sportiv”. “Nuk kam qenë asnjëherë në Lojërat Olimpike dhe në një Kampionat Botëror Futbolli, ndërsa nuk kam munguar në të gjithë të tjerat, nga Lojërat Mesdhetare, e shumë Turne Ndërkombëtare”, shprehet Shqarri.

Fundi i shkrimit tonë për zërin mitik që i lidhi shqiptarët për disa dekada me sportin në radio, i referohet kohës kur në skenë doli televizioni, për Shqarrin, mjaftonte thënia e këngëtarit të famshëm, Frenk Sinatra, se: ”….televizioni është një shpikje e bukur. Kur mbyll sytë më ngjan si radio, e cila më është bërë pjesë e pandarë e jetës sime”.

(“Ahmet, sa jam përpjekur e lodhur, sa herë i kemi grisur letrat që kam mbajtur shënim për këtë shkrim, sa here kemi debatuar, pastaj i jam rikthyer sërish materialeve, me tjetër entuziazëm, pasi i tillë je Ahmet Shqarri”! Dhe im atë, Nexhmedin Zajmi, nuk kishte gabuar në përcaktimin e tij artistik: energjik ke mbetur, dhe sa here që të takoj e bisedojmë, ‘zëri yt elektrizues’, më zgjon, më godet, më tingëllon, si në poezitë e…”!.Memorie.al

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?