Klora Merlika

Dëshmitë e të mbijetuarëve/ Me Klora Merlikën drejt kampit të vdekjes në Tepelenë

14 Shtator 2018, 08:03| Përditesimi: 14 Shtator 2018, 08:11

  • Share

Rruga e asfaltuar na çon poshtë kodrës, mbi të cilën ngrihet qyteti i Tepelenës. Jemi pothuajse në hyrje të kampit. Dyert e tij qëndrojnë gjithmonë të mbyllura. Por sot kemi mundësinë për ta vizituar në çdo cep të tij.  Klora Merlika na tregon portën e hekurt. Ajo hapej kanat më kanat kur vinin kamionët me të internuar. Ngjitur me të deriçka e vogël e hekurt hapej e mbyllej sa herë dilnin gratë në kolonë për të shkuar në mal për dru, dhe sa herë ata ktheheshin në kamp të ngarkuara… Sa kalon portën e hekurt, në të majtë shfaqen një varg ndërtesash sot të rrënuara, që siç rrëfen Klora dikur shërbenin si zyrat e komandës së kampit.  Në të djathtë të hyrjes, përballë zyrave të komandës shfaqen ndërtesa të tjera, dykatëshe me shumë dhoma që ndahen në mes nga një korridor. Klora thotë se ato dhoma kanë shërbyer dikur si dhoma izolimi për fajtorët e kampit.

 “Këtu ishin zyrat, aty ishin për dënim që mund të dënoheshin, kush nuk shkonte në punë.   Këtu ku ishin zyrat, vinte ndonjëherë edhe një doktor, Dhimole Lluka. Kishte një dhomë ku na vizitonin...Këtu ishin zyrat e policisë këtu ishte një infermieri me demek, ku bëheshin vizitat. Vinte një mjek minoritar Dhimole Lluka . Vinte rralle bënte vizita.”, rrëfen Klora Merlika

Pak hapa më poshtë, Klora ndalon sërish. Është një çezmë uji që gurgullon  e qetë. Ka qenë aty si dëshmitare, që në vitin e largët 1949. Klorës i kujton  një ngjarje të hidhur… Aty, policët e kampit e kishin lidhur me tela, vëllanë e saj Zefin, për ta dënuar, pse kishte fshehur pak miell, që ia kishte falur një shok në shkollë. E kishin mbajtur aty gjithë natën. Klora kujton se ai thërriste familjen për ndihmë. Dridhej i lidhur pas çezmës…

“Dritat e zyrave reflektofshin se kishte ujë shumë, çoheshin stërpikat..dhe atij i dukeshin si krahë shtrige...Oj nanë shih si i hap shtriga krahët, moj nanë, don me më kap. Në rrinim pas telave. Ishin telat atje tek ata gurët më poshtë. Mo ki frikë Zefi, -i thosha unë,  se drita duket ashtu..nuk ka gja asht uji drita që reflektohet  dhe duket ashtu si krahë të arta..:.. Lidhur me tela deri sa i ka ra të fikët afër mëngjesit. Si i ra të fikët e zgjidhën e lëshuan…”, rrëfen Klora, ndërsa dhimbja i lexohet në sy.  Klora ecën më tej. Çapitet në vijim të rrënojave të kampit dhe na tregon se për çfarë kanë shërbyer ato gjatë periudhës kur ata mbaheshin të mbyllur brenda tij… Pasi kalon çezmën Klora tregon  se pak hapa më poshtë ishte vendosur rrethimin me tela që e ndante ambientin e të internuarve me ambientet dhe zyrat e komandës.  Ajo  kthehet në të majtë dhe tregon rrënojat e një kazerme plotësisht të shkatërruar. Edhe në kohën e funksionimit të kampit ajo kazermë ishte e hapur. Dikur ishte djegur dhe në ato ambiente ndonjëherë gratë e kampit ndiznin zjarr për të gatuar lakrat e egra që gjenin  përreth  ose ngrohnin ujin për të larë fëmijët. 

 “Këtu çdo të diel na nxirrnin të fushë me gjithë plaçkat që mund të kishim dhe bëhej pastrimi i kazermave”, thotë ajo.  Klora tregon me dorë një ndërtesë në krye të këtyre kazermave ku thotë se ato ambiente dikur shërbenin si VC për te internuarit.  “Ja këto ishin banjot. Prisnim në radhë për të shkuar e për tëkryer nevojat…”, rrëfen ajo.  Në kamp kishte 6 kazerma të mbushura me të internuar. Secila identifikohej përmes një numri. Klora ndjek kahun orar dhe ndalon tek kazerma  nr.6.  Ajo kujtohet si kazerma e mirditorëve, për të cilën Klora tregon: 

“Atje përballë ishte kazerma 6 e cila u mbush plot me mirditorë pasi vranë Bardhok Biben. I kishin sjellë ashtu zhveshur të këputur o zot. Më vonë era edhe zgjebja aty… Bardhok Biba ishte vrarë me 1 gusht 1949. Në atë kohë të internuarit ndodheshin ende lart në kampin e Turanit. Dy ditë pas vrasjes, së tij, një brigadë e posaçme, e Sigurimit të Shtetit arrestoi 300 persona brenda pak orësh. Gjithë Mirdita u përshkua nga terrori, dhe si masa arbitrare ndëshkimore u jetësua ajo çka u njoh më pas si Masakra e Qafë-Valmirit ku dhe ishte vrarë Bardhok Biba. Katërmbëdhjetë vetë që nuk kishin fare lidhje me vrasjen u dënuan me varje e pushkatim. Kjo ngjarje  çoi drejt përgjakjes së krejt krahinës dhe përndjekjes së të pafajshmëve nga organet e regjimit komunist… 

Të internuarit në Tepelenë kujtojnë se ky ka qenë kulmi i represionit dhe dhunës ndaj tyre. Disa dëshmojnë se ato ditë as bukën thatë nuk jua jepnin më… Edhe pasi i vendosën në këtë kazermë, të internuarit nga Mirdita sërish ishin në kushtet më të mjeruara.  Nuk kishin asgjë pos shpirtit. Të gjithë të zbathur e me rrecka…. Kjo periudhë e vitit 1949 rezulton të jetë kulmi në kurbën e internimeve gjatë regjimit komunist.  Ky dokument statistikor i Ministrisë së brendshme tregon në shifra numrin e të internuarve gjatë vitit 1949 dhe 1950 për çdo muaj të vitit. Dokumenti zbulon se muajit gusht dhe shtator të 1949-s numri ishte dyfishuar. 

Në muajin korrik, në Tepelenë, Valias dhe Porto Palermo kishte 1858 të internuar.  Në muajin shtator numri i tyre kishte mbërritur në 2503. Vetëm në këtë dy muaj, në këto tre kampe ishin internuar 645 persona më shumë.  Klora vijon të na tregojë të tjera ambiente në kamp. Kthehet në të majtë, ku kazermat shënojnë një zgjatim të formës katrore të kampit. Në atë skaj drejt lumit të Bënçës pak muaj pasi zbritën në këtë kamp u hap kuzhina dhe lavanderitë. Deri në fund të tetorit 1949, në kamp vijonte të jepej vetëm buka e misrit thatë. Pra kuzhina dhe ambientet e këtij këndi të kampit ende nuk ishin hapur. Një dokument zyrtar i 5 tetorit 1949 firmosur nga Enver Hoxha e vërteton këtë gjë. 

Këshilli  Ministerial i Republikës popullore të Shqipërisë  mbasi pa propozimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme  bërë me shkresën nr. 72 dt. 26 gusht 1949 Vendosi: që nga fondi përkatës  për të burgosurit Minisitrija e Punëve të Brendshme  të disponojë dhe për ushqime, banesë ujë zjarr dritë dhe pastrime të të internuarve duke u dhënë përveç bukës dhe nga një kg supë në ditë. Komisioni i planit ngarkohet të disponojë kontingjentet e nevojshme të ushqimeve që do të kërkohet  për këtë qëllim nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.. Kryeministri i Qeverisë  së republikës së Shqipërisë Enver Hoxha (jepet dokumenti). Diktatori  na zbulon  se deri në këtë kohë të internuarit kishin në menu vetëm bukën dhe se nga ky moment e tutje atyre ju shtohej në menunë ditore edhe një kilogramë supë në ditë. Pas këtij urdhri në kamp nisi të funksionojë kuzhina, pak më vonë edhe furra dhe ambientet e lavanderisë. “Atje ka qenë kuzhina që qenka rrënuar fare. Atje bëhej gjella. Këtu ka qenë kuzhina. Secila kazermë kishte kazanin e vet. Në fund ishin lavamanët ku laheshin…. Në një fuçi kësisoji bëhej gjella”,  kujton Klora. 

Klora tregon një fuçi të ndryshkur. Thotë se është e njëjtë me fuçitë e naftës, që gjetën atëkohë në kamp, lënë nga ushtria italiane. Fuçitë i prisnin në mes u vinin dy vega dhe më pas shndërroheshin në kazanë për gjellën. Ngaqë ato kishin qenë të mbushura me naftë, supa kryesisht ujë dhe pak kokrra fasule, bollgur apo makarona, gjithmonë kishte ngjyrë gri të errët, pasi fuçitë lëshonin vazhdimisht lëndët me të cilat kishin qenë të mbushura më parë…. Kthehemi pas dhe Klora Merlika tregon skajin fundor të kampit ku ishte vendosur rrethimi me tela me gjemba. Në njëjtin vend është edhe sot.  E ndjekim Klorën, e cila  na tregon brenda rrethimit dy kazerma të tjera ngjitur me njëra tjetrën: e para në radhë sipas Klorës ka shërbyer si magazinë e në fund të saj kazerma ngjitur ka shërbyer  si furrë buke.

Fare pranë saj gjendet kazerma nr.4 e ngjitur me të, deri lart pranë zyrave përballë komandës vijnë rresht kazerma 3, kazerma 2  kazerma 1. Klora bashkë me familjen e saj jetuan për afro 5 vjet në kazermën numër 4. Aty i vdiq edhe gjyshja e saj Cube, të cilës nuk mundën t’ia çonin në fund amanetin për t’ia varrosur eshtrat në vendlindje. “Këtu ishte kazerma ku kam jetuar… këtu ishte  krevati.. këtu vdiq gjyshja ime nga dizenteria…. Gjyshja vdiq këtu në këtë kapanon. E varrosëm tek një fushë e vogël pas zyrave të komandës… Por pas 6 javëve na detyruan t’i heqim varret prej aty e t’i çonim tek Ura e Bënçës. Edhe atje varreza nuk qëndroi gjatë… (Hiqet…pastaj kalonin delegacione dhe pyesnin ç,janë këto varre. Dhanë urdhër pas kësaj që ti hiqnin prej andej….)”, rrëfen Klora. 

Edhe pse kampi Tepelenës nuk ishte një vend dënimi me punë të detyruar, gratë dhe fëmijët e rritur përdoreshin rregullisht për punë të rënda, si mbartja e druve në kurriz nga malet përreth deri në komandë, mbledhja e plehut organik nga stanet në male dhe bartja e tij po në kurriz deri në kamp, punime në rrugët përreth zonës së Tepelenës, etj. Dalja e tyre nga kampi dhe e gjithë rruga deri në majat e maleve bëhej autokolonë në këmbë. Për punën nuk kishte shpërblim monetar.  Po ashtu ushqimi tmerrësisht i varfër ishte shqetësimi i përhershëm mes 1000 deri 2000 të internuarve. Të afërmit në malësitë e Shkodrës, Tropojës, Mirditës e tij, nuk mund të shkonin deri në Tepelenë për t’i ndihmuar me ushqime. Rrallë, ndonjë prej familjeve të internuara mund të merrte ndihmë nga të afërmit.  Historia e varrezave të të internuarve në kampin e Tepelenës është një prej njollave më të errëta të historisë së këtij kampi. Askush nuk mund të japë sot fakte të dokumentuara dhe statistika të sakta mbi vdekshmërinë në këtë kamp. Pas zhvendosjes nga Turani, varret e të internuarve janë lëvizur tre herë. Klora do të na i tregojë tre vendet ku ishin varrezat. 

Fillon me pamjet e portës: …”Këtu ishin zyrat e policisë që na ruanin ne të internuarve. Prapa zyrave nuk ka pasur asnjë ndërtesë as shtëpi, asgjë,. Ishte një shesh ku i varrosnin të internuarit që vdisnin brenda në kamp. Aty kanë qenë varrezat… Shpeshherë kur vija nga shkolla, ndonjë lule që gjeja rrugës, e këpusja dhe doja ta çoja te varri i gjyshes. Polici bërtiste ku po shkon. “T’ia vendos këtë lule gjyshes tek varri”, -i thosha. Dhe më linte ta lulen çoja të varri i gjyshes…”, rrëfen Klora. Ajo tregon se gjyshja e saj qëndroi e varrosur aty në fushën pas zyrave të komandës për 6 javë. Pas kësaj një komision që kishte ardhur në kamp kishte urdhëruar largimin e varreve prej aty dhe zhvendosjen e tyre në një shesh të vogël në krah të urës së Veliqotit. Klora tregon varrezën e dytë…

“Këtu tek ky qosh, na bënë me i heq varrezat që ishin mbrapa kazermave, atje ku asht kampi poshtë kalasë dhe i bëmë këtu varrezat dhe i vunë punëtorët me hap aq varreza sa ishin atje. Pas 6 javëve që kishte vdek gjyshja na kanë detyruar ta heqim, për fat kishte të veshur një zhgun të hershëm që kishim mundësi me e kap prej rrobave, se trupi ishte krejt i shkrirë e s’mund të lëvizej, 6 javë pas vdekjes…

Kjo ishte varreza e dytë e Tepelenës. Ishte rruga e Gjirokastrës këtu.  Kalonin edhe delegacione të huaja. Dhe pyetën ç’janë këta varre këtu. Ju thanë janë varret e të internuarëve. Pastaj e mori vesh Enver Hoxha se ishte bërë e madh se në buzë të rrugës kishte varre të të internuarve dhe dha urdhër me i heq shpejt prej aty e me i vendos në buzë të lumit. Erdhi urdhri që duhet t’i hiqnim. Prapë kemi vu njerëz që i kemi nxjerrë varret prej këtu dhe i kemi çu në buzë të lumit.  E atje u zhdukën pastaj pa nam e nishan…

Edhe pse kampi ishte menduar si një vend  më i përshtatshëm për të izoluar të internuarit dhe për të shmangur vdekshmërinë e lartë, dëshmitë e të mbijetuarve por edhe faktet që ofrojnë dokumentet zyrtare tregojnë se në kamp pati valë të reja sëmundjesh. Tifoja, dizenteria dhe turbekulozi shënohen si shkaqet kryesore të vdekjeve në kamp. 

Sipas një prej dokumenteve të Ministrisë së Brendshme me 10 nëntor 1949 njoftohej vdekja nga turbekulosi e 5-vjeçares  Zore Rushit Krosi, ndërsa nga dizanteria kishte vdekur  89-vjeçari  Gjelo Ded Prenga dhe 70-vjeçarja Dile Shkurtë Ndreca. Po ashtu, dokumentet zyrtare njoftojnë se në kamp pjesa dërrmuese e të internuarve ishin fëmijë. Nga janar deri në qershor 1950, në kamp mbizotëronin fëmijët. Në maj aty kishte  554 fëmijë, 514 gra,  dhe 284 burra, shumica pleq. Ky shënon një rast të paprecedentë në gjithë historinë e represionit të diktaturave komuniste. Kampi i internimit me tela me gjemba në Tepelenë funksionoi deri në vitin 1953.

Pas kësaj, siç dëshmon edhe Klora internimet morën formë tjetër.  Quheshin kampe internimi të hapura, ku të internuarit i dinin kufijtë e territorit që nuk duhej ta kalonin dhe jetonin brenda hapësirës së caktuar, nën kontrollin dhe survejumin e punonjësve të degës së brendshme.  Ata jetonin kryesisht  në kasolle me baltë dhe kallama, i nënshtroheshin apelit të përditshëm dhe punonin në punë të rënda kryesisht bonifikim hapje kanalesh , toka të reja dhe më pas në ferma. Të tillë ishin kampet e Lushnjës, Vlorës, Fierit, dhe shumë fshatra të tjera në gjithë Shqipërinë. Në këto kampe familjet e kundërshtarëve politik të regjimit të Hoxhës vijuan jetën nën persekutim të pandërprerë, deri në vitin 1991-1992, pasi regjimi komunist u përmbys.    

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?