Mateo Spaho në një deklaratë ditën e sotme tha se një nga dështimet më të mëdha të qeverisë Rama është reforma territoriale, e cila është keqpërdorur për punësimin e militantëve të pushtetit. Sipas tij, qeveria në dy vite, 2017 deri në 2019 ka paguar 92 milionë euro për 8100 militantë shtesë të punësuar. Ai thekson se është rritur me 15% numri i nëpunësve të lartë dhe drejtuesve në vend.
Deklarata e Mateo Spahos:
Një nga dështimet më të mëdha të qeverisë së Edi Ramës është reforma territoriale, e cila është keqpërdorur për punësimin e militantëve të pushtetit. Përveç largimit të shërbimeve nga qytetari, rritjes së taksave dhe ryshfetit për të mbaruar një punë, refoma territoriale është një katastrofë e vërtetë financiare. Vetëm në dy vjet, 2017-2019, janë paguar nga taksat e qytetarëve rreth 92 milionë euro për më shumë se 8100 punonjës shtesë me kontratë të përhershme, veçanërisht në pushtetin lokal. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, çdo i punësuar i ri kushton rreth 580 mijë lekë në muaj. Një nga arsyet madhore të reformës territoriale ishte reduktimi drastik i shpenzimeve, por punësimi i militantëve në administratën lokale ka sjellë rritjen me 92 milionë euro në 2 vjet të kostos së rrogave të tyre. Këto para dalin nga taksat dhe tarifat që bashkitë u imponojnë dyqaneve të vogla, familjeve, lokaleve, punishteve dhe qytetarëve, dalin nga gjobat e padrejta dhe faturat e larta. Po kush janë këta punonjës shtesë në administratën shqiptare? Teknikët dhe specialistët janë figura profesionale që do të zgjidhnin shumë probleme për menaxhimin më të mirë të punëve të bashkisë, për ndërtimin apo riparimin e ujësjellësve, kanalizimeve, ndriçimit publik, menaxhimit të mbetjeve etj. Kjo nuk ka ndodhur. Në raport me 2 vite më parë ka 3% më pak teknikë dhe specialistë. Është rritur gati me 15% numri i nëpunësve të lartë dhe drejtuesve. Këta janë njerëzit që ngrohin karriget e zyrave, nuk bëjnë asnjë punë dhe sjellin njerëzit vërdallë. Ne harxhojmë 46 milionë euro në vit për pagat e tyre që këta parazitë të pushtetit të bëjnë like dhe share në facebookun e Edi Ramës dhe të keqpërdoren në fushatë elektorale. Në vend që në bashkitë e Shqipërisë të kishim më shumë teknikë që zgjidhin probleme konkrete, kemi militantë partie. Kemi më shumë drejtorë dhe më pak specialistë! Strategjia e qeverisë për të blerë vota me vende pune që paguhen nga taksat e qytetarëve më të varfër dhe më të vjedhur të Europës ka çuar në një rezultat dështimi spektakolar. 70% e financave vendore shkojnë për paga dhe administratën dhe vetëm 30% në investime në qytete dhe fshatra. Kjo do të thotë më pak shërbime për qytetarët, më pak zhvillim.