Nuk ka dyshim se bojkotimi i votimit më 21 prill, për largimin e kryetarëve shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ishte “i suksesshëm”, por lind pyetja se kush fitoi e kush humbi?
Pas mbylljes së vendvotimeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi se procesi ka dështuar.
Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar thanë se “është treguar një shkallë e lartë e unitetit të serbëve në Kosovë”, ndërsa Prishtina tha se “i ka përmbushur obligimet e saj”.
Ky votim është dashur të jetë hapi i fundit drejt shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në komunat me shumicë serbe në veri dhe shtensionimit të situatës atje.
Në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok, kryetarët shqiptarë erdhën në krye të komunave në maj të vitit të kaluar, për shkak se serbët, edhe atëherë, i bojkotuan zgjedhjet me ftesë të Listës Serbe - partisë udhëheqëse të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Kriza disamujore e krijuar asokohe ishte arsyeja përse bashkësia ndërkombëtare ushtroi presion mbi Kosovën për të filluar me organizimin e zgjedhjeve të reja, si dhe ndaj përfaqësuesve politikë të serbëve që të merrnin pjesë në një proces të tillë.
Tani duket se gjithçka është kthyer në pikën e fillimit - kryetarët shqiptarë, të cilët nuk pranohen nga popullata shumicë serbe në veri të Kosovës, mbeten në pushtet.
Humbësit dhe fituesit pas bojkotit të votimit
Kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, vlerëson se nuk ka fitues pas votimit të dështuar për largimin e kryetarëve shqiptarë. Sipas tij, komuniteti shumicë serb është në humbje.
“Është paradoksale që komunitetet joshumicë të kujdesen për shumicën”, thotë Uglanin, i cili ka qenë i përfshirë në punën e Komunës së Mitrovicës së Veriut që nga themelimi i saj në vitin 2013.
Votimi për largimin e kryetarëve shqiptarë në komunat e veriut është organizuar në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës dhe për të qenë i suksesshëm është dashur të plotësohet opsioni “Po” nga 50 për qind plus një votues.
Megjithatë, nga rreth 46 mijë zgjedhës të regjistruar, të drejtën e votës e kanë ushtruar vetëm rreth 250 persona.
Për Aleksandar Stojanoviqin nga organizata joqeveritare Qendra për zhvillimin e mjediseve lokale, “të gjithë janë humbës” pas votimit të 21 prillit.
“Që një shoqëri të funksionojë, duhet të ketë një konsensus shoqëror. Shoqëria civile ka bërë thirrje një kohë të gjatë që të fillojë një dialog i përgjithshëm brenda shoqërisë kosovare dhe ndërmjet aktorëve të ndryshëm politikë, në mënyrë që shoqëria të arrijë një konsensus dhe, në fund, të pajtohet për veprime të sinkronizuara, kur bëhet fjalë për çështje të rëndësishme”, thotë Stojanoviq për Radion Evropa e Lirë.
Arton Demhasaj, nga organizata joqeveritare “Çohu”, konsideron se bojkotimi i votimit nuk i solli asgjë të mirë komunitetit serb.
“Humbësi kryesor në të gjithë këtë është komuniteti serb që jeton në ato katër komuna, sepse ata [qytetarët] tash nuk i kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë”, thotë Demhasaj për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Demhasajt, fitues është presidenti i Serbisë, Alekasandar Vuçiq. Bojkotimi i votimit, shton ai, tregon se komuniteti serb, i cili jeton në katër komunat në veri të Kosovës, është i dirigjuar nga politikat e Vuçiqit.
“Kjo mendoj se ndikon negativisht te ta, për shkak se për komunitetin serb është më mirë që të dalë e të votojë dhe t’i zgjedhë përfaqësuesit e tij legjitimë, sesa të mbetet kështu i bllokuar, siç ka mbetur aktualisht”, thotë Demhasaj./Rel