Grid Leno, Albin Hoxha dhe Andon Dhima

Dështimi i vrasjes së Andon Dhimës, biseda mes 2 vëllezërve Hoxha: '...Domethënë ike nga aty duar bosh...'

4 Nëntor 2020, 14:06| Përditesimi: 5 Nëntor 2020, 12:23

  • Share

“…Domethënë hike nga aty duarbosh…”. Ky është mesazhi që Enea Hoxha, në datën 15 tetor 2020 i ka dërguar vëllait të tij ish-komandos së Zall-Herit, Albin Hoxha, i cili dyshohet se së bashku me Grid Lenon, kanë shkuar në ambjentet e pallatit ku banon biznesmeni Andon Dhima, me qëllim vrasjen me armë të tij. Mesazhi është dërguar në aplikacionin “Whats App” vetëm disa minuta pasi Hoxha dhe Lenon, janë larguar nga pallati, ku besohet se kishin planifikuar vrasjen e Andon Dhimës.

Enea, që sipas prokurorisë besohet se ka luajtur rolin e vëzhguesit në këtë ngjarje i shkruan të vëllait Albin Hoxha “…domethënë hike nga aty duarbosh…”. Duke nënkuptuar se vrasja e Andon Dhimës nuk ishte realizuar dhe se dy qitësit që kishin marë përsipër ekzekutimin kanë ikur duarbosh, pa çuar deri në fund porosinë. Për prokurorinë dhe policinë e Tiranës katër personat e arrestuar, dy vëllezërit Enea dhe Albin Hoxha, ky i fundit ish-komando dhe dy kunetërit, Mariglen Matohiti dhe Grid Lenon, janë autorë të tentativës së vrasjes së biznesmenit të ndërtimit Andon Dhima, ngjarje kjo e ndodhur rreth orës 22:07 të mesnatës së 15 tetorit në ambjentet e pallatit afër stadiumit “Selman Stërmasi”.

Në materialin që ka mundur të sigurojë “Shqiptarja.com” jepet një tablo e qartë se çfarë ka ndodhu, ndërkohë pasqyrohet dhe dëshmia e biznesmenit Andon Dhima. Në dosjen e prokurorisë thuhet se Dhima, sapo është vënë në dijeni për prezencën e dy personave që e kishin ndjekur me armë deri në hyrje të ashensorit, menjëherë është paraqitur në ambjentet e policisë ku dhe ka denoncuar rastin e tentativës së vrasjes. Ndër të tjera në dëshminë e tij biznesmeni Dhima rëfen se:”… jam paraqitur rreth orës 00:44 të datës 16 tetor 2020 në polici, pasi në 15 tetor unë kam dalë nga shtëpia ime që kam në zonën e stadiumit dhe kam shkuar tek një bar poshtë pallatit, që ndodhet nga pjesa e pasme e pallatit. Ka qënë ora rreth 20:30, ku kam dalë nga shtëpia dhe kam qënë vetëm. Unë tek ky lokal kam shkuar, pasi një ditë më parë kisha lënë për të pirë kafe me Genti Seitaj, i cili është pronar i një picerie. Unë kam shkuar tek kafja dhe kam gjetur Gentin të ulur në një tavolinë jashtë ambjenteve të brendshme të lokalit.

Tek kafja kam qëndruar rreth një orë e paksa dhe unë jam cuar për të ikur dhe tek bari, ka qëndruar vetëm Genti. Rreth orës 22:00 unë jam çuar dhe kam marë rrugën për të shkuar në shtëpi, të cilën e kam larg nga bari rreth 50 metra. Unë pasi jam çuar kam marrë rrugën për në hyrje të pallatit në katin zero është ashensori. Sa kam shkuar tek ashensori dersa e tij ka qënë e hapur, ku brenda në ashensor ishte dhe vajza ime M.Dhima. Jam futur në ashensor dhe jam ngjitur bashkë me vajzën për në banesën time që është në katin e tetë. Sa kam qënë duke hapur derën e shtëpisë më ka telefonuar roja i pallatit, me të cilin në momentin që unë po futesha tek hyrja e pallatit, ka qënë përballë hyrjes në një distancë rreth dhjetë metra dhe më ka thënë:“…zbrit pejtë poshtë se ka ndodhur diçka e tmershme…”. Unë menjëherë kam zbritur poshtë dhe kam takuar rojen e pallatit, i cili më ka thënë “…që nuk pe asgjë…” dhe unë ia kam kthyer se nuk kisha parë gjë.

Ndërsa roja E.K, më është drejtuar me fjalët “…që të ka ruajtur zoti…”, pasi dy persona të kanë ardhur me armë nga prapa deri në hyrja e ashensorit. Në këto kushte bashkë me rojen kemi hapur kamerat dhe pamë dy persona me kapuça xhupi, të cilët më kanë ndjekur nga prapa deri në hyrje të ashensorit dhe ishin të armatosur me pistoleta…”. Më tej Andon Dhima ka treguar në polici se ka një konflikt pronësie me B. B., konflikt për të cilin B.  e ka çuar në gjykatë. Dhima u ka treguar policisë se para tre muaj ka bërë një kallëzim penal në ngarkim të vajzës së B. B. ,për një fallsifikim të një firme për një pronë. Pas këtij kallëzimi marrëdhëniet mes janë acaruar ndjeshëm. 

Nisur nga këto kushte, është thirur në policisë B. B., i cili në rëfimin e tij ka treguar para oficerëve se:”…nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje dhe kjo gjë është bërë për t’më prishur imazhin…”. B. më tej në rëfimin e tij ka pretenduar se pas biznesmenit Andon Dhima, fshihet A.F., S.B. dhe A. J.. Gjatë hetimeve të kryera, policia sqaron se Andon Dhima është futur në pallatin e tij rreth orës 22:08 dhe më pas ka marë ashensorin. Pak sekonda më vonë, në hyrje të pallatit nga pamjet filmike, duken dy persona të veshur me rroba të zeza dhe me kapuç dhe me armë zjari pistoletë në dorë, hyjnë në pallat. Por nisur nga fakti se Andon Dhima ka hyrë shpejt në ashensor pasi dera ishte e hapur, nuk është arritur të realizohet kontakti me dy personat e armatosur. Të dy personat e armatosur, kur kanë parë që dera e ashensorit ishte e mbyllur, janë kthyer mbrapa dhe kanë dalë nga hyrja e pallatit.

Dy personat më pas janë lokalizuar nga 13 kamera të tjera të sekuestruara nga policia, ku kamerat e fundit janë ato që i kanë pikasur në rrugën “Xhezmi Dielli”.Sipas akuzës katër personat e arrestuar për këtë ngjarje, janë shpërndarë dhe kanë kryer intinerare të ndryshme, duke u bashkuar të katër pikërisht në rrugën Xhezmi Dielli, në një lokal që administrohet nga Gerta Matohiti, bashkëjetuesja e Grid Lenon. Sipas akuzës Grid Leno ka shkuar në banesën e tij në orën 22:30 minuta më të njëjtat rroba që ka qënë në pallatin e Andon Dhimës. Më pas del nga shtëpia në orën 22:40 me rroba të tjera dhe shkon në ambjentet e restorantit “Vila e Peshkut”.Ndërkohë në këto momente dy personat e tjerë e konkretisht Enea Hoxha dhe Albin Hoxha, futen në ambientet e këtij restoranti që administrohet nga bashkëjetuesja e Gridit, Gerta Matohiti.

Sipas dosjes së policisë, Enea Hoxha dhe Mariglen Matohiti, janë të dyshuar si pjesë e këtij grupi dhe se me veprimet e tyre, rezultojnë se kanë qënë në dijeni të këtij plani për vrasje. Kjo pasi gjatë kontrollit të banesës së Mariglen Matohitit, është gjendur një armë zjari tip pistoletë, e cila është dërguar për ekspertim. Ndërsa Enea Hoxha thotë policia, ditën e ngjarjes vetëm pak minuta pas daljes nga pallati, ka komunikuar me telefon me të vëllain Albinin, duke i thënë “…domethënë hike nga aty duarbosh…”. Për më tepër në banesën e vëllezërve Hoxha, policia gjeti dhe sekuestroi një jelek policie me logon RENEA, këllëf pistolete, emblem policie, si dhe një maskë profesionale për mbulimin e pamjes së identitetit. Nga pamjet filmike rezulton se kjo maskë mbrëmjen e 15 tetorit është përdorur nga Albin Hoxha.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?