Lucas Paqueta i West Ham prej një viti po hetohet nga Federata Angleze e Futbollit për baste të dyshuara si të paligjshme. Sipas FA, për brazilianin janë vënë baste në katër raste për kartonë të verdhë, që realisht edhe janë materializuar, ndërsa qarkullimi i parave ka ardhur nga vendi i tij i origjinës, Brazili.
Situata rreth tij po rëndohet ditët e fundit dhe skualifikimi i përjetshëm, ose më saktë përjashtimi nga bota e futbollit tashmë duket se është i pashmangshëm. Sipas The Sun, në orët e fundit akuzës iu shtua edhe “pengimi i hetimeve” të lidhura me telefonin e tij.
Tetë javë pas publikimit të akuzës së parë, FA i kishte konfiskuar telefonin personal brazilianit dhe e kishte analizuar dhe studiuar në thellësi për të kërkuar mesazhe të dyshimta apo transaksione bankare që e lidhnin drejtpërdrejt me baste të paligjshme në Brazil, pasi kishte fakte që ato baste u fituan, pasi ai veproi në fushë.
Federata pasi e analizoi ia ktheu telefonin lojtarit, i cili pasi e rimori e hodhi pajisjen pasi ndërkohë kishte blerë një të ri. Ditët e fundit FA i kërkoi Paquetas që të kthente sërish pajisjen e vjetër për hetime të mëtejshme, por mori si përgjigje nga lojtari: “Nuk e kam më”. Kjo gjë u pa si pengesë për hetimet.
Siç raportohet nga Calcio&Finanza, seanca dëgjimore për procedimin kundër Paquetas është caktuar për në mars të ardhshëm, megjithëse një vendim mund të mos jepet para verës së vitit 2025.