Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dështuan të arrijnë një marrëveshje për një takim të nivelit të lartë me Rusinë të propozuar nga Berlini dhe Paris. Kështu ka deklaruar Kancelarja gjermane, Angela Merkel në orët e para të së premtes, raporton Voa.
“Ishte një diskutim gjithëpërfshirës dhe nuk ishte i lehtë,” tha ajo në komentet për gazetarët.
“Ne parashtruam përsëri kushtet në bazë të të cilave jemi të gatshëm të punojmë dhe komunikojmë më ngusht me Rusinë. Sott nuk arritëm një marrëveshje për një takim së shpejti mes udhëheqësve,” tha Merkel.
Bashkimi Evropian mbrojti të hënën vizitën e diplomatit të lartë evropian në Rusi, që përkoi me njoftimin nga Moska të dëbimit të tre diplomatëve evropianë ndërsa zyrtari i BE-së ishte në takim me zyrtarët rusë.
"Lufta" diplomatike ka nisur kur Rusia ka urdhëruar një grup prej 7 diplomatësh nga tre vendet baltike dhe Sllovakia që të largohen nga vendi, në një përgjigje reciproke ndaj dëbimit të punonjësve të ambasadës ruse nga këto shtete.
Ministria e Jashtme Ruse thirri ambasadorët përkatës për të urdhëruar dëbimin e tre diplomatëve nga Sllovakia, dy nga Lituania, një nga Estonia dhe një tjetër nga Letonia brenda një jave.
Veprimi i Kremlinit shënon kështu vazhdimin e luftës diplomatike mes Rusisë dhe vendeve të ndryshme evropiane, që nisi më herët gjatë muajit, kur Republika Çeke dëboi 18 diplomatë rusë për përfshirje në akte spiunazhi, konkretisht për shpërthimin masiv në një depo municionesh në vitin 2014.
E irrituar nga ky vendim, Moska zyrtare përveç se mohoi përgjegjësinë e shpërthimit, dëboi edhe 20 diplomatë çekë nga vendi.