Ambasadori italian Fabrizio Bucci ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me kryeministrin Rama, lidhur me forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Takimi është bërë i ditur nga vetë ambasadori italian Bucci, i cili u shpreh se është diskutuar mbi çështjet kryesore me interes parësor për Shqipërinë dhe Italinë, ku sigurisht integrimi dhe reformë zgjedhore mendohet të kenë qenë pjesë e diskutimit.
“Takim i gjatë këtë mëngjes me Kryeministrin Rama. U bisedua mbi çështjet kryesore me interes parësor për Shqipërinë dhe Italinë. Dialog konstant dhe i ngjeshur në të mirë të shtetasve të vendeve tona!”, shkruan Bucci.
Dita e djeshme shënoi përfundimin e afatit të vendosur mes palëve politike për të arritur një marrëveshje për reformën zgjedhore, por kjo gjë nuk u arrit edhe pse takimet zgjatën deri në orët e vona të natës. Kjo ka bërë që ambasadorët të intensifikojnë takimet e tyre me liderët kryesorë të partive në vend për të arritur një marrëveshje, që është kusht dhe për integrimin e vendit. Po gjatë ditës së sotme edhe në zyrën e Bashës janë shfaqur ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ai i BE Luigi Soreca dhe ambasadori britanik Duncan Norman.