Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës

Kosova & Rajoni

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, nuk kishte kuorum

1 Shtator, 15:47| Përditesimi: 1 Shtator, 15:50

  • Share

Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, e thirrur për të hënën nga kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, nuk u mbajt, për shkak të mungesës së kuorumit.

Të pranishëm, përveç Bashës, ishin dy nënkryetare: Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Emilja Rexhepi nga partitë joserbe, por munguan ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Me rregulloren e punës së Kuvendit, mbledhja zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të Kryesisë.

Nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk është zgjedhur.

Mbledhja e Kryesisë u thirr nga Dimal Basha, i cili e shpalli të përfunduar seancën konstituive pa nënkryetarin serb, për t'u konsultuar rreth vazhdimit të punës së institucionit.

"Për mua nuk ka logjikë që të bllokohet Kuvendi i Republikës për moszgjedhjen e një nënkryetari", përsëriti Basha të hënën.

Në tri vazhdime të seancës konstituive, kandidatët serbë për nënkryetar dështuan të sigurojnë votat e nevojshme.

Basha e shpalli të mbyllur seancën, me arsyetimin se janë shteruar të gjitha mundësitë.

Partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, e mbështeti, ndërsa ish-opozita kundërshtoi.

Duke folur pas dështimit të mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Basha tha se është takuar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, por nuk dha shumë detaje.

Kuvendi i Republikës së Kosovës publikoi më herët një njoftim, ku thuhej se Basha e ka informuar presidenten për përfundimin e seancës konstituive dhe se të dy kanë diskutuar mbi hapat e mëtejshëm institucionalë, por e tërhoqi pak minuta më vonë.

Basha tha se stafi ka bërë gabim dhe ka shkruar një komunikatë pa miratimin e tij.

"Presidentja nuk ka dhënë mendim. Ajo vetëm se ka dëgjuar arsyetimin tim [për seancën konstituive]", tha Basha për gazetarët.

Në një komunikatë dërguar mediave pas takimit, Osmani tha se e ka informuar Bashën se "ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës".

Që nga 15 prilli janë bërë dhjetëra përpjekje për konstituimin e plotë të Kuvendit, por pa sukses, për shkak të mosmarrëveshjeve politike.

Çështja ka përfunduar edhe në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka nxjerrë dy aktgjykime me afate dhe udhëzime për mënyrën e zhvillimit të procesit.

Afati i parë nuk u respektua, ndërsa i dyti përfundon më 18 shtator.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?