Inceneratori i Fierit

Dështon seanca e parë e gjyqit për inceneratorin e Fierit, mungoi avokati i Arenc Myrtezanit! Shtyhet më 2 maj

24 Prill 2023, 11:58| Përditesimi: 24 Prill 2023, 12:02

  • Share

Ka dështuar seanca e parë në themel për inceneratorin e Fierit, ku një nga shkaqet ishte mungesa e avokatit të Arenc Myrtezanit, pronar i një kompanie fiktive sipas SPAK, që ndodhet në kërkim. Gjithashtu, Gjykata e Posaçme evidentoi problematika ne njoftimin e subjekteve  të akuzura që po gjykohen ne ketë proces. Seanca e radhës u caktua me 2 maj në orën 10:10.

Më 24 mars Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen për ndërtimin e Inceneratorit të Fierit ku janë marrë të pandehur ish-ministri i mjedisit Lefter Koka, ish-deputeti Alqi Bllako si dhe kolaudatori i punimeve Arben Dervishaj dhe disa zyrtarë e biznesmenë të tjerë. Prokurorja Flojera Davidhi disa javë më parë i kërkoi prokurorisë që të ndryshojë akuzën për ish-sekretarin e Ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako si dhe për Arben Dervishaj, nga ajo e korrupsionit të zyrtarëve të lartë shtetërorë në korrupsion të zyrtarëve publike duke lehtësuar pozitat e këtyre personave.  E njëjta akuzë u ndryshua edhe për biznesmenin Klodian Zoto, ndërsa ngelën të pa ndryshuara akuzat e tjera ato të pastrimit të parave, mashtrimit me pasoja të rënda dhe krijimi i skemave fiktive.

Edhe për dy administratorë të kompanive, shtetasin Giuseppe Ciafaglione dhe Arjola Kodra që kryen punime për inceneratorin e Fierit u ndryshua akuza nga ajo e korrupsionit aktiv të zyrtarëve të lartë shtetëror në korrupsion aktiv të zyrtarëve publike.  Tetë personat e marrë të pandehur, përfshi edhe ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-deputetin Alqi Bllako i kërkuan gjykatës që procesi ndaj tyre të zhvillohet me gjykim të shkurtuar.  Pritej që në seancën e parë të themelit, gjykata të vendoste nëse do të pranohet kjo kërkesë, por ajo dështoi. Ndërkohë, togat e zeza pushuan akuzën për Robert Shabanin, pasi rezulton se është gjykuar njëherë për këtë akuzë dhe ishte dënuar nga Gjykata e Apelit të Tiranës.

Sipas akuzave të SPAK për inceneratorin  e Fierit u paguan 4 milionë euro për punë që nuk u kryen asnjëherë, ndërsa 60 milionë lekë është dëmi i shkaktuar në buxhetin e shtetit në skemën e mashtrimit. 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?