Anija kozmike Starship

Bota

Dështon testi 9 i anijes kozmike SpaceX! Ëndrra e Elon Musk zgjati tre çerek ore, Marsi mund të presë (VIDEO)

28 Maj, 08:02| Përditesimi: 28 Maj, 09:08

  • Share

Gara drejt ‘pushtimit’ të Marsit duhet të presë. Në testin e nëntë, pas dy shpërthimeve spektakolare radhazi gjatë fluturimeve të fundit provë, dështon edhe ky lëshim i mega-raketës Starship të SpaceX, e lartë 123 metra dhe e madhe sa një pallat 40-katësh, që sipas planeve të Elon Musk duhet të çojë astronautët në Planetin e Kuq.

Lëshimi pak pas orës 18:30 me orën lokale
 

Gjigandi i hapësirës u ngrit në fluturim mbi Teksas pak pas orës 18:30 me orën lokale për fluturimin e tij të nëntë provë. Ashtu si më parë, Elon Musk vendosi ta lëshojë në pasditen e vonë, në mënyrë që zona e parashikuar për uljen e Starship në Oqeanin Indian të ishte e ndriçuar nga dielli. Dy testet e mëparshme të Starship në fillim të vitit përfunduan me shpërthime në lartësi dhe ‘reshje’ mbetjesh mbi Karaibe. Në të dyja rastet, faza e parë e raketës, që shtynte të gjithë anijen kozmike, arriti të kthehej në platformën e lëshimit dhe të kapet nga krahë mekanikë në një manovër spektakolare që vetëm SpaceX është në gjendje ta realizojë.

Një ëndërr që zgjati treçerek ore
 

Por mjeti gjigand shpërtheu në lartësi në të dy rastet, duke detyruar autoritetet të devijojnë rrugët e avionëve ose të vonojnë ngritjet. Kësaj here ëndrra e Elon Musk zgjati rreth treçerek ore: aq zgjati jeta e Starship përpara se të shpërthente ndërsa binte drejt Oqeanit Indian, rreth 60 kilometra nga Toka.

"Rikthim i pakontrolluar" në atmosferë

Qendra e kontrollit të misionit të SpaceX humbi kontaktin me Starship, ndërsa ajo humbiste karburantin dhe bënte një rikthim të pakontrolluar pasi kishte fluturuar për gjysmë bote, me shumë gjasë duke u shpërbërë mbi Oqeanin Indian. “Zyrtarisht kemi humbur kontaktin me anijen disa minuta më parë. Është fundi i fluturimit të nëntë provë”, deklaroi Dan Huot, menaxher në SpaceX, gjatë një transmetimi drejtpërdrejt, duke iu referuar një “rikthimi të pakontrolluar” në atmosferë të fazës së sipërme të raketës, e cila ishte planifikuar të përfundonte në Oqeanin Indian.

Musk: “Fluturimet e ardhshme rreth një çdo 3 ose 4 javë”

“Starship arriti në pikën e fikjes së parashikuar për motorët, një përmirësim i madh krahasuar me fluturimin e fundit. Për më tepër, nuk pati humbje të ndjeshme të mburojave termike gjatë ngjitjes. Tani kemi shumë të dhëna të dobishme për të analizuar. Ritmi i lëshimit për tre fluturimet e ardhshme do të jetë më i shpejtë, rreth një çdo 3 ose 4 javë”. Kështu shkroi Elon Musk, administrator i SpaceX, në platformën sociale X, duke komentuar fluturimin e nëntë provë pa ekuipazh të sistemit të lëshimit Starship. Anija hapësinore me shumë gjasë është shpërbërë mbi Oqeanin Indian pasi humbi kontrollin gjatë rikthimit në Tokë.

“Një përmirësim i madh krahasuar me fluturimin e fundit”

“Starship arriti në fikjen e programuar të motorit të anijes, një përmirësim i madh krahasuar me fluturimin e fundit!” – komentoi me entuziazëm Elon Musk, CEO dhe themelues i SpaceX, në rrjetin e tij social X, për testin e nëntë të Starship. Pavarësisht dështimit të misionit (anija dhe shtytësi u shkatërruan), sipërmarrësi dhe njeriu më i pasur në botë sheh aspektet pozitive të testit të sotëm. Musk shpjegoi se Starship humbi një numër të konsiderueshëm pllakatash të mburojës termike, të projektuara për të mbrojtur anijen gjatë rikthimit në Tokë, ndërsa ngjitej në hapësirë. Në fund, Starship nuk arriti të përfundonte rikthimin pikërisht për shkak të mungesës së pllakatave mbrojtëse, që “shkaktuan humbjen e presionit në rezervuarin kryesor gjatë fazës së rikthimit. Ka shumë të dhëna për t'u analizuar”./Corriere della Sera

 

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?