Bashkia Gramsh ka çelur sezonin e ri turistik përmes një sërë aktivitetesh sportive dhe artistike duke bërë bashkë të rinj dhe të vjetër. Hapjen e aktivitetit e bënë të vegjlit e Gramshit - ata parakaluan përmes qytetit të shoqëruar dhe nga nxënës të arsimit 9-vjeçar dhe fillor.
Në qytet u mbajtën ekspozita dhe punime artizane të punuara nga fëmijët por dhe artizanë të shquar të Gramshit. Ky aktivitet kishte si qëllim dhe promovimin e sporteve nga të rinjtë e qytetit.
Liqeni i Dushkut apo i Zambakëve siç njihet nga banorët e zonës, do të ishte destinacioni i radhës i festës nga ku u mblodhën qindra vizitorë nga Gramshi dhe qytetet të ndryshme duke shijuar peizazhin e mrekullueshëm të zambakëve në liqen dhe natyrës së zonës, mes atmosferës festive dhe muzikës së zgjedhur gramshiote dhe moderne.
Gatime tradicionale, atmosferë familjare dhe gjelbërimi ishin kryefjala e çdo vizitori që iu bashkua festës, ata rikthyen edhe një herë në vëmendje traditën e vjetër duke u shprehur tepër të lumtur për këtë aktivitet i cili i dedikohet pasurisë natyrore së Gramshit. Ndonëse për disa ishte e vështirë mbërritja në destinacion për shkak të rrugës, ata kërkojnë që Gramshi të promovohet akoma dhe më shumë pasi ka vende të mrekullueshme për tu vizituar.
Kryetari i Bashkisë, Besjan Ajazi shprehet se tashmë Bashkia ka arritur të ketë një kalendar të ngjeshur me aktivitetet që qëllim kanë promovimin e atraksioneve turistike të Gramshit.
2 vitet e fundit vërehet një shtim i numrit të turistëve të huaj dhe vendas të cilë preferojnë të vizitojnë atraksionet turistike dhe kulturore të zonës së Gramshit. Ajazi thekson se nga indikatorë të bizneseve Gramshi për vitin 2024 është vizituar nga 120 mijë turistë të cilët janë të apasionuar pas turizmit malor dhe të aventurës.
Kjo shifër sipas kryebashkiakut vjen pasi Gramshi ka një turizëm 365 ditë të vitit, ku në të do gjesh të gjitha llojet e turizmit duke nisur nga ai malor e deri tek ai i trashëgimisë kulturore.
Ndonëse prej 2 vitesh turizmi ka nisur të japë frytet e tij, Besjan Ajazi thekson dhe problematikat që hasen në këtë sektor. Një ndër to mbeten mungesa e infrastrukturës rrugore dhe ajo akomoduese, siç janë bujtina apo hoteleri. Kryebashkiaku Ajazi shprehet se është gjithmonë në mbështjetje të ministrive të ndryshme për të përmirësuar mungesat aktuale që hasen në terren.
Komente
