Presidenti Ilir Meta dhe Sali Berisha

Opinion

Destinacioni nga Presidenca në Foltore

25 Nëntor 2021, 11:06| Përditesimi: 25 Nëntor 2021, 11:08

  • Share

Nuk kemi të bëjmë me ndonjë destinacion turistik, por që gjithsesi shërben si promovim i sponsorizuar nga Presidenca për kuvendin e datës 11 dhjetor të thirrur nga Berisha. Ky mund të ishte thelbi i deklaratave të presidentit Meta të ditëve të fundit ndërsa përcaktohej qartë dhe haptazi në betejën që ka përfshirë partinë më të madhe të opozitës. Pak e pazakontë kjo që një president të përfshihet e të mbajë anë në një sherrnajë të një force politike, por aspak e habitshme ama kur kjo lëvizje bëhet nga Meta që nuk e ka për herë të parë të dalë jashtë kontureve që i përcakton statura e kreut të shtetit.
Dhe kjo ndodh ndërsa në pritje janë ende vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe që mund të ishin preokupacioni kryesor në axhendën presidencale. Kjo ndodh ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka dhënë së pari vendimin e saj ku i njeh të ligjshme zgjedhjet e 31 korrikut, çka dotë thotë që dekreti i Presidentit për shtyrje të tyre është në shkelje të Kushtetutës. Po ashtu, një tjetër vendim i Gjykatës Speciale hodhi poshtë pretendimet e presidencës dhe asaj që përbënte një kauzë njëvjecare të një beteje propagandistike kundër reformës në drejtësi dhe që në fokus kish vënë gjykatësin Dvorani. Gjykata vendosi se nuk e gjen në shkelje ligji aktivitetin e tij dhe pushimi i çështjes shënon dhe dështimin e argumentave mbi të cilat presidenti ndërtoi fushatën e tij. Por ajo çfarë është më e rëndësishme ende nuk ka ardhur, ndërsa pritet që Gjykata Kushtetuese të marrë vendim nëse është i bazuar apo jo shkarkimi nga president që i ka bërë parlamenti. Pikërisht vendimi i fundit do të ndajë nëse Presidenti do të vijojë angazhimet e tij deri në fund të mandatit apo do ta ndërpresë atë ndërsa kanë mbetur edhe rreth tetë muaj nga përfundimi i detyrës.

Por duket se Meta, pa pritur të shpallet vendimi i gjykatës, po zbret vetë në fushën e politikës ndonëse ka ende pelerinën e presidentit mbi supe. Përmendja e emrit të presidentit nga Basha si pjesë e trekëndëshit të Bermudës, pra si trekëndëshi i së keqes së këtij vendi, ishte e mirëpritur për tu përdorur si arësye për tu përfshirë në debatin politik e për të qenë sërish protagonist pas kaq muaj heshtjeje. Veç deklaratat e presidentit nuk u mjaftuan vetëm me personin Basha, dhe as me thëniet e tij të barazimit të Berishës me Ramën dhe Metën. Presidenti vajti shumë më tepër dhe sulmin e tij ndaj Bashës e shfrytëzoi për deklaruar se lideri i vërtetë i opozitarizmit në këto dy vite ka qenë ai dhe jo kreu aktual i PD. Kështu mund të kuptohet gjithë kjo ndërhyrje ndërsa në PD ka një betejë se kush do të jetë kryetari i saj. Në fakt, me daljen e fundit Meta ka shpallur kandidaturën e tij, jo për kreun e PD, por për kreun e opozitës nesër. Detyrë të cilën Berisha duket që nuk mund ta luajë dot më, dhe ku ambiciet e tij mbeten thjesht në mbajtjen nën kontroll të PD-së.

Foltores i është shtuar kështu jo një delegat tjetër me të drejtë vote, pasi Meta nuk mund të jetë pjesë e Kongresit të thirrur nga Berisha, por sidoqoftë një aleat i rëndësishëm me të cilin do të jetë loja në çift për lëvizjet e mëtejshme politike. Për të ardhur tek ky pozicion i ri, pra në atë të kreut të opozitës, Metës i është dashur të bëjë një lëvizje të panatyrshme. Madje duke sakrifikuar shumë nga vetja ndërsa ka deklaron se vendimi i tij për 31 korrikun 2019, është ndikuar nga Basha që i është ulur në gjunjë dhe i ka kërkuar shtyrjen e zgjedhjeve vendore. Pranimi këtij fakti është konfirmim se e ka shkelur Kushtetutën me dashje në funksion të dëshirave apo skenarëve të opozitës, në një kohë kur dekreti i Presidentit nuk mund të jetë në shërbim të një pale e në dëm të palës tjetër.

Pranimi i hapur i këtij fakti do të vinte në pozitë të vështirë të ardhmen e çdo presidenti, por duket se kjo është thjesht një lëvizje e mirëmenduar e Metës. Lëvizja e tij duket e qartë pasi vullnetarisht po zhvishet nga statura e presidentit për të zbritur në fushën e betejës politike. Dhe duket si një lojtar i freskët për të kontribuar për Foltoren. Askush nuk mund të mendojë se beteja e nesërme do të jetë vijim i përplasjes së tanishme PD- LSI. Kjo përplasje është shumë periferike krahasuar me betejën e madhe se kush do të jetë ai që do të kontrollojë nesër partinë më të madhe të opozitës. Nga kjo varen skenarët se cilët dop të jenë aktorët kryesorë nesër dhe cila do të jetë klima politike. Nëse nga SHBA shpallja non grata mund të merret si një kontribut për ta shpëtuar PD-në nga “berishizmi”, dhe ndërkohë Basha nuk po gjen fuqi për tu imponuar dhe ti japë imazhin e tij PD-së së të ardhmes, në lojë janë futur shumë aktorë që duan të përfitojnë. Një ndër ta është dhe Meta që synon më shumë sesa PD-në dhe LSI-në bashkë. Synimi duket se është për ti dhënë imzhin e tij opozitës së nesërme. Veçse për këtë i duhet Berisha dhe rruga nga do të kalojë shkon përmes Foltores dhe suksesit të saj. Pak e vështirë, gjithsesi…/ Gazeta "Fjala"

J.GJ./ReportTv.al
Komento

Komente

  • minushe: 25/11/2021 14:14

    edhe Merkeli politikane e nje kalibri te larte u largua pas 16 vitesh kancelare, por keta politikanet ne Shqiperi..vijojne akoma pas 30 vitesh pushteti ...dhe deshirojne akoma te rrine...lind pyetja pse valle ? apo mos ndoshta ngaqe kane studiuar shkenca politike dhe jane kaliber i vecante? apo se me zgjidhjet politike qe kane sygjeruar kane bere mire vendit te tyre?? apo e perdorin politiken per abuzimet korruptive per vete dhe familjaret e tyre? Si mendoni? apo eshte e veshtire pergjigjja:)

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?