Mashtrimi që u është bërë qytetarëve shqiptarë për të investuar në platforma mashtruese online, mori sot një goditje nga autoritetet. Policia dhe Prokuroria e Fierit, me bashkëpunimin edhe të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, arrestuan 6 persona dhe shpallën në kërkim 2 të tjerë në kuadër të operacionit “Xuex”.
Të arrestuarit ishin ata të cilët rekrutonin qytetarë dhe i bindnin që të investonin në firmat piramidale online.
Ndërsa organizatorët nuk janë kapur, teksa policia sqaroi se këta persona janë në fazë hetimi.
Por si u arrit të zbulohej ky grup që mashtronte qytetarët për të investuar online në platforma fantazmë?
Burime për gazetaren e Report Tv, Keti Banushi, kanë të ditur se në këtë skemë ishin infiltruar agjentë të policisë. Këta të fundit ishin futur në skemë dhe kanë bërë të mundur zbërthimin e rrjetit.
Deri tani policia nuk bërë të ditur sa persona janë mashtruar apo sa është shuma e parave të investuara. Por hetuesit kanë dyshime të forta se janë mijëra qytetarë të mashtruar dhe rrjeti ka funksionuar në disa qytete. Edhe në Tiranë mendohet të ketë një numër të lartë të qytetarëve që kanë investuar në këto firma piramidale online.
Të arrestuarit janë Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, Flavio Mukaj 23 vjeç, Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe. Kurse në kërkim janë shpallur E.Sh. 35 vjeç dhe A.Sh. 35 vjeç.
Lajmi kryesor:
Goditen firmat piramidale online Xuex, 6 të arrestuar, në kërkim çifti i bashkëshortëve! Operacioni në 5 qytete, sekuestrohen shuma parash (EMRAT+VIDEO)
V.GJ /ReportTv.al
