Dhjetë klubet e Superligës shqiptare të futbollit janë njohur me skemën e re të "Final 4" në një mbledhje të zhvilluar në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Thuajse të gjithë përfaqësuesit janë dakordësuar me propozimet, 36 javë të rregullta dhe një mini-turne ku katër vendeve të para të sezonit të rregullt u përgjysmohen pikët për të vijuar garën në "Air Albania" me pikë. Gjithsej priten gjashtë ndeshje shtesë për të përcaktuar skuadrën kampione dhe ato që marrin pjesë në Evropë.
Gjithsesi nga klubet ka patur edhe propozime. Siç mëson Report Tv, drejtori sportiv i Vllaznisë, Vioresin Sinani ka hedhur idenë që disa ndeshje mund të luhen edhe në "Loro Boriçi". Veç saj, shkodrani propozon që në ndeshjet finale, numri më i madh i biletave në dispozicion të jetë për klubet që potencialisht mund të sjellin më shumë tifozë gjatë sezonit (në bazë të biletave të shitura).
Nga ana tjetër, Elton Guranjaku i AF Elbasanit favorizon propozimet e reja, duke i cilësuar si më të mira se skema e vjetër e "Final 4", me katër ekipe që ndeshen në gjysmëfinale dhe më pas finale.
Lajmi kryesor:
Superliga shqiptare/ Shtohen ndeshjet dhe përgjysmohen pikët, klubet dakordësohen për skemën e re të 'Final 4'! Ndryshimet e propozuara
S.Dh/ReportTv.al
