Brilant Martinaj

Detaje nga vrasja e Brilant Martinajt, kush ishte efektivi që ndihmoi autorët e masakrës së Fushë-Krujës! Si e zbuloi kurthin që i ngritën kolegët

1 Shkurt 2023, 19:59| Përditesimi: 1 Shkurt 2023, 21:06

  • Share

TIRANË- Vrasja e Brilant Martinaj dhe dy miqve të tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata ishte një ndër ngjarjet më të bujshme të verës që lamë pas. Një vrasje e cila tronditi thellë jo vetëm botën e krimit për nga rëndësia e saj, por që në vetvete paralajmëroi edhe fundin e një kapitulli, atë të mbretërimit të Ervis Martinajt.

Ishte mesdita e 17 korrikut 2022 kur në mbikalimin e Fushë-Krujës Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij u ekzekutuan egërsisht. Kjo ngjarje përbën një skandal më vete për personat që dyshohet se janë implikuar në të.

Pas ekzekutimit të Brilant Martinajt, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës, autorët u larguan të pashqetësuar nga vendngjarja, ndërkohë që skandal përbën akti se ata u fshehën nga një efektiv policie. Sipas dosjes hetimore, gjithçka lindi pas dyshimeve që grupi hetues pati se pas autorëve të masakrës së Fushë-Krujës, fshihej dora e stërvitur e një punonjësi policie, të vetmit persona të aftë që mund të instruktojnë mjeshtërisht vrasësit, mbi pozicionin që ata duhet të mbajnë në një skenë krimi, por edhe se si të mos diktohen gjatë lëvizjeve të tyre.

Ky duket të jetë edhe rasti se si autorët mundën të kenë një bashkëpunim perfekt me strukturat e inkriminuara të policisë.

Referuar gjithmonë dosjes hetimore, në rastin e ekzekutimit të Brilant Martinaj dhe miqve të tij, grupi hetues ka dyshime të forta se bashkëpunëtor në këtë ngjarje, të jetë një oficer policie. Efektivi thuhet se ka ndihmuar agresorët të çajnë vetë rrethimin e policisë.

Por si erdhi zbulimi i këtij polici dhe cili është roli i tij në këtë ngjarje? 
Sipas dosjes hetimore, zbulimi i këtij renegati brenda radhëve të policisë, u bë i mundur nga grupi hetues, pas krehjes së kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi vrasja.

Rezultoi se orën pas krimit të trefishtë në mbikalimin e Fushë-Krujës, një automjet me ngjyrë gri, u afrua pranë vendit ku autorët dogjën makinën me të cilën kryen ekzekutimin e Martinaj dhe dy shokëve të tij.

Prej aty efektivi kreu largimin e tyre nga vendngjarja, më qëllim për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.

“Pas ekzekutimit të Brilant Martinaj, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës, më 17 korrik 2022, ngjarje kjo e ndodhur në Mbikalimin e Fushë-Krujës, grupi hetues, ka marrë dhe administruar një numër të madh të kamerave të sigurisë të montuara në aksin Kamëz-Fushë Krujë-Laç. Nga këqyrja e këtyre kamerave si dhe nga informacionet e marra nga burime konfidenciale na rezulton se shtetasi M. D., është personi që ka ndihmuar të fshihen para dhe pas ngjarjes autorët e vrasjes së trefishtë”, thuhet në dosjen hetimore, të siguruar nga emisioni “Shenjestër”.

Sipas grupit hetues gjithçka duket të ketë qenë e organizuar. Dhe jo më kot, autorët e vrasjes, kanë zgjedhur të largohen nga vendngjarja me një njohje të tyre në radhët e policisë.

Efektivi M.D. mendohet se mund të ketë përdorur valët e policisë për t’i shpëtuar rrethimit të kolegëve të tij.

Kjo shpjegon më së miri edhe faktin se si autorët mundën të largohen nga vendi i krimit, pa u diktuar nga policia.

“Nga verifikimi i bërë rezulton se shtetasi M.D përdor mjetin me targa AA00 … me ngjyrë gri. Nga ana e policisë gjyqësore nuk është bërë i mundur sigurimi i numrit apo numrave celularë të këtij personi, që përshkruhet si person i dyshuar, si bashkëpunëtor në këtë ngjarje të vrasjes së 3 personave”, thuhet më tej në dosjen hetimore.

Ky punonjës policie siç del nga dosja hetimore nuk ka shërbyer si suport për vrasësit vetëm pas ngjarjes, por edhe para saj, duke i strehuar ata.

Ai thuhet se i ka mbajtur autorët e vrasjes, në banesën e tij, edhe natën para krimit duke mos e mbyllur punën e tij këtu. Efektivi M.D. i ka ndihmuar autorët e dyshuar me largimin e tyre edhe të nesërmen pasi kryen atentatin e rëndë.

Ata kishin dyshime për kolegun e tyre, e për këtë arsye uniformat blu i vendosën një GPS në makinën e tij efektivit M.D. Përmes kësaj praktike policia shpresonte që të merrte informacione të vlefshme që mund të çonin në identifikimin e autorëve të mundshëm të krimit në Fushë-Krujë.

“Nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore u paraqit në prokurori relacion dhe kërkesë për kryerjen e përgjimit ndaj M.D., nëpërmjet vendosjes së pajisjes GPS në automjetin e këtij shtetasi dhe vëzhgimi me anë të fotografimit. Për hetimin e gjithanshëm dhe objektiv të kësaj çështje, grumbullimin e provave dhe dokumentimin e autorësisë së veprave penale u pa e domosdoshme gjithashtu edhe kryerja e veprimit procedural të përgjimit të fshehtë me mjete teknike i bisedave ne vende private dhe përgjimi me audio dhe video në vende private të M.D. Konkretisht i bisedave që ky shtetas do të kryejë dhe mund të zhvillojë në automjetin e tij”, thuhet në dosjen hetimore.

Mirëpo, pavarësisht këtyre lëvizjeve duket se diçka nuk shkoi mirë në këtë hetim, ashtu si në shumë hetime të ngjashme të kësaj natyre të cilat dekonspirohen pa filluar mirë.

Efektivi i policisë M.D. ishte në dijeni të çdo veprimi hetimor që po bënte policia ndaj tij dhe siç rezulton mori masat e duhura për të mos u peshkuar nga kolegët e tij, që kishin rënë tashmë në gjurmë të aktivitetit të tij kriminal.

Sipas informacioneve, pasi Gjykata dha pëlqimin për përgjimin e efektivit të dyshuar të policisë, grupi hetues vendosi të ngrejë një kurth ndaj tij, duke i vendosur këtë herë një GPS në makinën e tij personale.

Për ta bërë sa më të vërtetë këtë grackë dhe për të hequr çdo dyshim nga ai vetë, efektivi i policisë u thërrit dy herë në Tiranë me arsyetimin e nevojës së një trajnimi. Në fakt, nuk ishte asgjë tjetër vetëm se një rreng i përgatitur nga grupi hetues.

Megjithatë, efektivi M.D. nuk ishte aq i mefshtë sa e mendonin kolegët e tij, të cilët kishin hapur një hetim.

Ndërsa grupi hetues vendosi GPS në makinën e tij dhe pritej që punonjësi i dyshuar i policisë të vinte me makinën e tij, çuditërisht në të dyja rastet e paraqitjes së tij në ‘trajnim’, ai mbërriti jo me automjetin e tij, por me atë të personave të tjerë.

Duket se nuhatja e oficerit të policisë se mund të ishte në monitorimin e grupit hetues, veproi më shpejt se këta të fundit. Efektivi i policisë M. D., reagoi në kohë, duke shtangur edhe vetë survejuesit e tij, të cilët i nxori jashtë loje, me një lëvizje të vetme.

“Prokuroria argumenton se ky përgjim është i domosdoshëm për vëzhgimin e hetimeve, për të bërë të mundur identifikimin e rrethit të  personave me të cilët komunikojnë personat nën hetim si dhe lidhur me përmbajtjen e komunikimeve të tyre me këta persona. Për këtë qëllim GPS u montua me teknika të fshehta në automjetin e M.D, por një ditë më vonë, ai ndërroi automjetin, pasi u informua për përgjimin ambiental”, thuhet në dosjen hetimore.

Dështimi i përgjimit me anë të GPS, duket se solli edhe ndërprerjen e hetimeve ndaj oficerit të policisë, M. D. Edhe pse ky i fundit, u pa të largonte me makinën e tij, ditën e ngjarjes, autorët e ekzekutimit në mbikalimin e Fushë-Krujës, të Brilant Martinaj dhe dy shoqëruesve të tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata.

B.K./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Toto: 02/02/2023 14:36

    Kur vdiq nastadinimreti akuzonte gjith miletin pervec vetes.

    Përgjigju
  • Qwert: 02/02/2023 09:01

    Gjynaje te medha mban mbi supe ky polici ..njeri i flliqur qenka

    Përgjigju
  • arifi: 02/02/2023 03:03

    ne qeverine e rames,,,,krimi bashkepunon me policine per te vrare njerez neper rruge,,,,pra policia ndihmon kriminelet ne krime,,,kjo eshte per te vene duart ne koke,,,,,populli duhet te nderroi kete klase politike te kriminalizuar,,dhe te nderroje te gjithe policet,,,,dhe strukturen drejtuese,,,sepse nuk po mbrojne popullin...populli ndihet i rrezikuar ne rruge nga bandat....populli te dale ne rruge dhe te ekzekutoje banditet dhe bandat......n.q.s .shteti vazhdon te bashkepunoje me kriminelet....

    Përgjigju
  • Iris: 02/02/2023 00:18

    M.D tani e di qe flitet per te edhe fale mediave.S.d.q.perderisa eshte /pare/qe ka ndihmuar kriminelet,nuk duhej te nderpriteshin hetimet thjesht pse u tregua me i shkathet.Heret a vone ka per t'iu kthyer zanatit.Ariu gjithemone e di ku folezojne bletet se nuk ri dot pa mjalte.

    Përgjigju
  • Polo: 01/02/2023 20:40

    Si i ka ndihmuar të çajnë rrethimin kur nuk ka pasur asnjë rrethim?!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?