TURQI - Futbollisti i Kombëtares, Ernest Muçi ka rënë dakord dhe pritet të zyrtarizohet po në Superligën e Turqisë me Trabzonspor. Besiktasi është bindur për të lënë të lirë në huazim djaloshin 24-vjeçar, me këtë të fundit që do kalojë në Trabzon në formë huazimi me mundësi blerje. Trabzonspor ka paguar 1 milion euro për shërbimet e tij. Në kontratë është përfshirë edhe opsioni i blerjes, i cili mund të arrijë deri në 8.5 milionë euro, plus 500 mijë euro bonuse të tjera.
Sulmuesi i Kombëtares vuan një lëndim të lehtë që e la jashtë Shqipërisë në grumbullimin e fundit, teksa ka mbërritur në Trabzon për të finalizuar marrëveshjen. Ai ka folur edhe fjalët e para në aeroport.
"Mund të mos njoh asnjë lojtar personalisht, por i njoh të gjithë. I njoh të gjithë, madje edhe nga distanca. Pasi të përfshihem, kam ndërmend të bëhem pjesë e tyre. E di që do të ndihen sikur kam qenë gjithmonë këtu, jo thjesht dikush që vjen nga jashtë. Jam shumë i emocionuar që do ta ndihmoj ekipin tim dhe mezi pres të filloj.
Erdha këtu si huazim këtë vit, por nëse nuk gabohem, ekziston edhe një opsion blerjeje. Do të bëj çmos për të bindur ekipin të më afrojë përfundimisht dhe t'u tregoj atyre se sa i dobishëm jam. Sigurisht, do të shohim nëse opsioni i blerjes do të përdoret në fund", tha mes të tjerash Muçi.
Së fundmi ai u lidh edhe me një kalim në Rusi te Rubin Kazan, por duket se njohja e ambientit e bindi që mos largohet nga Turqia. Tirana, Legia e Varshavës dhe Besiktas kanë qenë skuadrat e tij të mëparshme, teksa pret të bëhet baba i dy binjakëve.
Komente
