Kronikë

Detyrime të Shtetit për dëmshpërblime vendosur me Vendim të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut Strasburg 2018-2020

31 Korrik 2021, 20:01| Përditesimi: 31 Korrik 2021, 20:03

  • Share

Open Data Albania po hulumton mbi detyrimet e Shtetit Shqiptar që vijnë si rezultat i vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, për periudhën 2018-2020. Kjo gjykatë shqyrton padi kundër Shtetin në raste kur pretendohet së është shkelur një nga të drejtat themelore të njeriut, dhe gjykimi në nivel nacional është ezauruar. Shteti Shqiptarë është paditur nga shtetas të tij në periudhën kohore 1956 – 2020 me 86 çështje në total. Çështjet janë kryesisht të bazuara në pretendime të lidhura me të drejtës së Pronës, të drejtën e jetës apo e drejta për një proces të rregullt gjyqësor. Vendimet e Gjykatës Europiane të të Drejtave të njeriut në rast pranimi të shkeljes së të drejtës nga shteti, shoqërohen me dëmshpërblim në vlerë monetare. Për periudhën Janar 2018-Dhjetor 2020, Shteti Shqiptar ka njohur detyrime nga 14 vendime të Gjykatës së Strasburgut në vlerën totale 13 632 130 Euro.  Në vitin 2020 kanë marrë formë të prerë 3 çështje, në 2019 kanë marrë vendim të formës së prerë 2 çështje, dhe në vitin 2018 kanë marrë formë të prerë 9 çështje. Për vendimet me detyrim financiar mbi 10,000 Euro, ekzekutimi i tyre bëhet me Vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa për detyrime më pak se 10,000 Euro pagesa bëhet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, pas kërkesës zyrtare të Avokaturës së Shtetit. http://ndiqparate.al/2021/07/26/detyrime-te-shtetit-per-demshperblime-vendosur-me-vendim-te-gjykates-se-te-drejtave-te-njeriut-strasburg-2018-2020/

Peshën më të madhe në këto detyrime e zë Çështja Sharxhi dhe të tjerët kundër Shqipërisë, me vlerë 13 447 300 Euro apo rreth 99% të detyrimeve total të kësaj periudhe. Vendimi ka marrë formë të prerë nga Gjykata e Strasburgut në vitin 2018. Kjo çështje është iniciuar me një kërkesë të bazuar në ankesat për prishjen e paligjshme të banesave dhe bizneseve të tyre në Vlorë (Rezidenca Jon). Kërkuesit janë ankuar për rrethimin, shpronësimin dhe shkatërrimin e pronave të tyre brenda Dhjetorit të vitit 2013, kohë kur ekzistonte një mase sigurimi padie, e dhënë nga gjykatat vendase, me qëllim që të mos ndërmerreshin veprime që mund të shkelin të drejtat e tyre pronësore pa patur gjykim. Gjykata e Strasburgut ka vërtetuar shkeljet e mësipërme dhe ka përfunduar çështjen në favor të palës paditëse, duke detyruar shtetin shqiptar të dëmshpërblejë plot rreth 13,5 milionë Euro paditësit për shkak të vendimmarrjes arbitrare për prishje të Rezidencës Jon në Vlorë, para që do të paguhen nga taksapaguesit shqiptar.

Një tjetër çështje me peshë të lartë në vlerën totale është Çështja Myrtaj dhe të tjerët kundër Shqipërisë, me vlerë  103 600 Euro. Kjo çështje filloi në 2017, me kërkesë nga familjarët e viktimave në protestat e 21 Janarit 2011. Kërkuesit u ankuan, mbështetur në nenin 2 të Konventës, se e drejta për jetën e familjarëve ishte shkelur si pasojë e veprimeve të Gardës Kombëtare gjatë protestës së zhvilluar më 21 janar 2011. Gjithashtu, ata u ankuan se përdorimi i dhunës vdekjeprurëse nuk ishte absolutisht e nevojshme dhe se autoritetet shtetërore nuk kryen një hetim efikas për vdekjen e familjarëve të tyre. Në vitin 2019 Gjykata e Strasburgut me vendim të prerë përfundoi çështjen në favor të palës paditëse.

Çështje të tjera e  të përfunduara në favor të Individëve paditës ndaj Shtetit Shqiptar në vitin 2019 janë:

Çështja Prizreni kundër Shqipërisë që konsiston në shkeljen e të drejtës për zgjidhje efektive nga autoritetet publike si dhe ndalimit të torturës ndaj të vëllait, e cila i ka kushtuar buxhetit të shtetit vlerën 13 450 Euro

Çështja Topi kundër Shqipërisë, konsiston në shkeljen e të drejtës për të kryer një proces të rregullt nga ana e autoriteteve shtetërore, duke i kushtuar buxhetit të shtetit vlerën 1 000 Euro.

Në vitin 2020 Gjykata e Strasburgut ka përfunduar 3 çështje në disfavor të shtetit shqiptar si:

Çështja Kasmi kundër Shqipërisë, që konsiston në shkeljen e të drejtës për mbrojtjen e pronës, i kushton shtetit  30 000 Euro.

Çështja Strazimiri kundër Shqipërisë, që konsiston në shkeljen e të drejtës për mbrojtjen e jetës, shkeljen e të drejtës për siguri dhe liri, ndalim diskriminimi dhe i torturës si dhe shkelje të së drejtës për zgjidhje efektive të situatës, i kushton shtetit shqiptar 17 500 Euro.

Çështja Tërshana kundër Shqipërisë, që konsiston pretendimin e paditësit se autoritetet kanë dështuar në mbrojtjen e jetës së saj dhe të së drejtës së saj për jetë private,i kushton shtetit shqiptar 14 720  Euro.

Nga konteksti i cështjeve, vihet re se kategoritë më të shpeshta për të cilat paditet shteti shqiptar në Gjykatën e Strasburgut janë e drejta për një proces të rregullt (24% e rasteve), e drejta për mbrojtjen e jetës (16% e rasteve), mbrojta e pronës (12% e rasteve). Përveç faktit që Vendimet e Strasburgut dëshmojnë raste të arbitraritetit dhe shkeljeve të të drejtave nga Shteti, vendimet përbëjnë një risk real për financat publike të shtetit, të cilat në fund do të paguhen nga taksapaguesit shqiptar.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?