Duke nisur nga ky vit, të gjitha detyrimet vjetore të bizneseve do të dërgohen edhe përmes postës elektronike. Drejtoria e Tatim Taksave Vendore të Bashkisë Tiranë sqaron se kjo risi nuk e përjashton dërgesën e njoftimeve me postë tradicionale, por ka për qëllim të lehtësojë procesin e informimit të bizneseve dhe të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve publike.
“Dërgimi elektronik i detyrimeve vjetore është një hap i rëndësishëm drejt digjitalizimit të plotë të këtij procesi dhe do të sjellë lehtësime të mëdha për bizneset, duke ulur burokracinë dhe kohën e pritjes” thanë zyrtarë të taksave e tarifave vendore.
Me lajmërimin edhe nëpërmjet e-mailit, bizneset nuk do të kenë më nevojë të presin vetëm për dokumente fizike ose të vizitojnë zyrat e tatimeve për të marrë njoftimet e tyre. Përpos kësaj, komunikimi elektronik redukton rrezikun e humbjes së dokumenteve dhe siguron që njoftimet shpejt dhe në mënyrë të sigurt.
Bizneset duhet të sigurohen për përditësimin e adresave të postës elektronike, që kanë nisur të mblidhen nga autoritetet vendore prej një muaji.