Gjykata e Pogradecit ka lënë në burg 3 të arrestuarit e Shoqatës së Menaxhim Peshkimit të cilët detyronin peshkatarët të kryenin peshkim të paligjshëm të koranit për përfitime personale.
Në burg deri në përfundim të hetimeve janë lënë kryetari i Shoqatës së Peshkimit Pogradec, Adriatik Dokollari, 49 vjeç dhe dy punonjësit e shoqatës, Mariel Durollari, 47 vjeç, dhe Endri Pera, 43 vjeç.
Të 3 këta zyrtarë u arrestuan 3 ditë më parë në Pogradec në kuadër të operacionit të koduar “Korani”.
3 zyrtarët e shoqatës së Peshkimit Pogradec akuzohen se shpërdoruan detyrën me qëllim përfitimin personal, duke detyruar peshkatarët të kryenin peshkim të paligjshëm të peshkut koran dhe më pas këtë sasi e tregtonin në lokalet e qytetit të Pogradecit, për të siguruar përfitime personale.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e tyre u gjetën një sasi peshku e llojit koran dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Mbi ta rëndon akuza e shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, shpërdorim detyre si dhe tregtimi i specieve të mbrojtura të faunës dhe florës së egër.