Një 65-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Devollit, pasi u kap duke transportuar dru për zjarr, të prerë në mënyrë të paligjshme me një rimorkio, për të cilin nuk kishte leje drejtimi. Sakaq drutë dhe automjeti u sekuestruan nga policia.
Në pranga ka rënë I. Z., 65 vjeç, banues në fshatin Miras të Devollit, pasi u kap teksa transportonte një sasi drush zjarri dhe mjetin bujqësor "John Deere" me rimorkio, pa targë.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se 65-vjeçari e drejtonte pa leje drejtimi këtë mjet, të cilin dyshohet se e përdorte për transportimin e druve të prera në mënyrë të paligjshme.
Sasitë e druve dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Korçë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë edhe gjatë natës, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit.