Presidenti Ilir Meta

Dhanë vendimin e 30 qershorit, Meta kërkesë KPA-së: Nisni hetimin disiplinor për Fiona Papajorgjiin dhe anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese

26 Janar 2022, 10:27| Përditesimi: 26 Janar 2022, 11:27

  • Share

TIRANË- Kreu i Shtetit, Ilir Meta ka vijuar betejën e tij për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 dhe sot ka hedhur një tjetër hap. Presidenti Meta i ka kërkuar ditën e sotme Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) hetimin disiplinor të relatores së çështjes, Fiona Papajorgji, por edhe anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Në argumentimin e tij ligjor, prej 17 faqësh Meta thotë se Papajorgji dhe gjyqtarët e tjerë kanë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit lidhur me vendimin për 30 qershorin.

"ka të dhëna mëse të mjaftueshme se nga një apo disa gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese janë konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit dhe kërkojnë që nga ana juaj të merren masa për fillimin menjëherë të procedimit disiplinor", shkruan Meta.

Për Metën, Papajorgji nuk është zgjedhur si relatore e çështjes me anë të shortit, siç e parashikon ligjit, por është "përcaktuar" duke lënë dyshime se këtu ka qenë edhe pikënisja e të gjitha shkeljeve të ligjit, siç i cilëson presidenti, që kanë vijuar më pas.

 "Është tërësisht e paqartë dhe e pazbardhur se si i është caktuar zonja Fiona Papajorgji si relatore për këtë dosje. Duke prezumuar kështu faktin që, ose zonja Papajorgji ka shprehur dëshirën, ose është caktuar nga Kryetarja e Gjykatës si relatore e çështjes, pa hedhur një procedurë shorti si kërkesë taksative e ligjit.  Ky fakt meriton një hetim të plotë disiplinor", shkruhet në njoftimin e presidencës. 

Meta bën Papajorgjin fajtore edhe për faktin e Gjykata Kushtetuese nuk ka dërguar në Komisionin e Venecias asnjë prej pyetjeve të palëve të interesuara, përfshirë këtu Shoqatës e Bashkive të dhe Partisë Bindja Demokratike. Ky fakt, për Metën, cenon parimin e transparencës së Gjykatës Kushtetuese, prandaj i kërkon KPA-së të nisë hetimin hetimin disiplinor mbi qëllimet e këtij vendimi jo vetëm të relatores së çështjes, por edhe të anëtarëve të tjerë. Më konkretisht për trupën gjykuese të përbërë nga Vitore Tusha, Kryetare, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, anëtarë, me sekretare Enina Kotoni.

"Dërgimi i pyetjeve nuk pasqyrohet si e zbardhur në asnjë dokument, ç’ka krijon bindjen që Relatori i çështjes, zonja Papajorgji, që përgjigjet për ndjekjen dhe ecurinë e dosjes me veprimet e saj, ka shmangur dërgimin e pyetjeve dhe i ka paraqitur Kryetarit të Gjykatës për nënshkrim vetëm tre pyetje që janë ngritur prej saj.  Referuar dokumentacionit të dosjes gjyqësore, është krejtësisht e paqartë se si ka ndodhur kjo, dhe ky fakt në vetvete, që cenon dukshëm parimin e transparencës së Gjykatës Kushtetuese, kërkon hetim disiplinor të thelluar nga organi procedues për të arritur në një nivel objektiv përfundimesh se cila ka qenë përfshirja e relatores apo e anëtarëve të tjerë të Gjykatës Kushtetuese në këtë shkelje të procedurës së marrjes së një vendimi nga ana e Gjykatës Kushtetuese", shkruan ndër të tjera Meta.

Në vendimin e 4 nëntorit 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi pretendimet e Metës dhe opozitës duke i cilësuar zgjedhjet lokale të 30 qershorit, legjitime! Për rrjedhojë, si rezultat i këtij vendimi, kreu i shtetit dekretoi datën e zgjedhjeve 6 marsin, vetëm në 6 Bashkitë pa kryetar dhe jo përsëritjen e tyre në të gjithë vendin.

(Kliko këtu për të lexuar kërkesën e Metës drejtuar KPA)

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?